RMV-së i duhet një president i pranueshëm edhe për shqiptarët

Opinione

RMV-së i duhet një president i pranueshëm edhe për shqiptarët

Nga: Naim Sinani Më: 7 prill 2019 Në ora: 21:50
NAIM SINANI

Pikërisht në ditën e gënjeshtrave më nji prill ka nisur fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Natyrisht duke besuar se kjo është vetëm një rastësi dhe se premtimet e kandidatëve për të marr postin e presidentit janë të vërteta, më 21 prill qytetarët do tu drejtohen kutive të votimit. Pas ndryshimit të emrit të shtetit në Maqedoninë e Veriut, këto do të jenë zgjedhjet e para presidenciale. Në garë janë tre kandidat, dy maqedonasit Stevo Pendarovski dhe Gordana Silanovsja-Davkova dhe kandidati i vetëm shqiptar, Blerim Reka.

Por parashtrohet pyetja, çfar profili i presidentit i duhet Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV-së)? Përgjigja më e thjeshtë do të ishte, vendit i duhet një president krejt ndryshe nga ata që ishin deri më tani, e shumë më ndryshe nga presidenti aktual Gjorge Ivanov. Kjo pasi Ivanov, në dy mandatet e tij presidencial, në as një moment nuk e luajti rolin e presidentit të dy miljon qytetarëve sa ka RMV. Ivanov për dhjet vite si president, vazhdimisht mbrojti me nacionalizëm të theksuar vetëm interestat e etnitetit maqedonas, prandaj edhe shqiptarët asnjëherë nuk e kanë ndier si president të shtetit. Kësaj ndjenje te shqiptarët i kontriboi vet ai, me qëndrimet kundër ligjit që avanconte përdorimin zyrtartar të gjuhës shqipe, të cilin nuk pranoi ta dekretojë, prandaj në Gazetën Zyrtare u publikua pa nënshkrimin e tij.

Poashtu shqiptarët nuk u pajtuan me presidentin në ikje edhe me qëndrimet e tij, që binin ndesh me politikat e BE-së dhe SHBA-ve për vendin dhe rajonin, siç ishte rasti me kundërshtimin e Marrveshjes së Prespës, e cila i mundësoi vendit të vazhdojë proceset integruese në NATO dhe BE. Por tani kur RMV-së i duhet të zgjedh një president të ri të shtetit, qytetarët në përgjithësi e sidomos shqiptarët, pritet ti thonë "JO" një presidenti si Ivanov. Megjithate në garën aktuale për të zënë karrigen e presidnetit, frymën e politikave të Ivanovit e përfaqëson kandidatja e VMRO-së Gordana Siljanovska Davkova, e cila jo vetëm që vjen nga partia prej së cilës ishte edhe presidenti aktual, por ajo ashtu si Ivanov është shprehur kundër ligjit për gjuhën shqipe dhe Marrveshjes së Prespës.

Madje ajo zotohet se do t'i zhbëjë këto dy vendime nëse zgjidhet presidente, edhe pse nga ky post nuk e ka mundësinë kushtetuese që të anulojë ligje. Më i moderuar në këtë drejtim duket social demokrati Stevo Pendarovski, i cili gëzon edhe mbështetjen e katër partive politike shqiptare, me të cilat LSDM e ndan pushtetin. Por megjithse paraqitet si kandidat konsenzual i partive në pushtet edhe ai nuk është se veçohet me ndonjë qëndrim më të guximshëm kur janë në pyetje kërkesat e shqiptarëve për barazi të plotë juridiko-kushtetuese me maqedonasit. Nga ana tjetër kandidati shqiptar Blerim Reka, si kandidat i pavarur, gëzon edhe mbështetjen e partive opozitare shqiptare Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa. Por në rrethana kur krahas dy kandidatëve maqedonas, Rekës i duhet të përballet edhe me kundërshtimin e katër partive shqiptare, kjo e bën të vështirë mundësinë që ai të fitoj numër të mjaftueshëm votash, për tu futur në rrethin e dytë. Ndërsa sado që pretendon, anketat flasin se Reka nuk mund të shpresojë te votat maqedonase edhe pse ato i kërkon në maqedonisht, për dallim nga Pendarovski që pa folur as një fjalë shqipe, pretendon të marr votat e shqiptarëve, me të cilat e bën epërsinë ndaj dy kandidatëve tjerë. Sa i përket mundësisë që një shqiptar të bëhet president i RMV-së, në rrethana aktuale kjo duket pak e mundur, për të mos thënë krejtësisht e pa mundur. Kësja i kontribuon në rradhë të parë ndarja në dy taborre e partive shqiptare, e që si rrjedhojë është përçarë edhe trupi votues shqiptar, një pjesë e të cilit aktualisht e kontrollon edhe vet partia maqedonase Lidhja Social Demokrate. Kjo pothuajse i pamundëson kandidatit shqiptar të pretendojë edhe votën e bashkësive më të vogla, e sidomos të turqve, boshnjakëve dhe pjesërisht romëve, me çka do të kishte gjasa të siguroheshin mbi 300 mijë vota, dhe mundësi reale për të kaluar në rrethin e dytë të zgjedhjeve, që zhvillohet mes dy kadidatëve të cilët fitojnë më së shumti vota. Marr parasyshë të gjitha këto, duket se gara do të përqëndrohet mes dy kandidatëve maqedonas. Megjithate RMV-së mund ti ndodhë edhe ajo thënia popullore “dy përleshen i treti fiton”, e në rastin konkret i treti është kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili ka gjasa që të paktën përkohësisht të ushtrojë postin e presidnetit.

Një mundësi të tillë atij i'a jep kushtetuta, pasi nëse nuk arrihet cenzusi i daljes së votuesve prej 40%, zgjedhjet llogariten të dështuara dhe Xhaferi do të jetë president i përkohshëm. Gjasat për të dështuar zgjedhjet janë të mëdha, pasi numri i votuesve është i fryer në mbi një miljon e 800 mijë, ndërsa prej disa vitesh vendi po përballet edhe me migrimin drejt vendeve të BE-së, sidomos nga të rinjët. Mendohet se nga RMV viteve të fundit kanë migruar mbi gjysmë miljon njerëz, ndërsa së fundmi migrimi po shënon rritje. Mosarritjes së cenzusit mund ti kontribuojë edhe VMRO-ja opozitare, e cila nëse ndahet e pa kënaqur nga numri i votave të fituara në rrethin e parë të zgjedhjeve, në rrethin e dytë mund të thërras në bojkot, siç bëri për referendumin për Marrveshjen e Prespës.

Por rol të rëndësishëm në arritjen ose mosarritjen e cenzusit do të luaj edhe kandidati i përkrahur nga opozita shqiptare,pase nuk dihet se çfar qëndrimi do të mbajë në rrethin e dytë. Por nëse tejkalohet problemi i cenzusit dhe RMV do të arrijë të zgjedh presidnetin, ai duhet të jetë një president me orjentim euro-atlantik, e jo drejtë lindjes.Vendit i duhet një president që me qëndrimet dhe vendimet e tija nuk do të shkaktojë tensione ndëretnike, por që e pranon realitetin multietnik të shtetit, respektivisht që e kupton se të paktën një e treta e popullsisë janë shqiptar dhe duhet ti përfaqësojë dhe ti bëjë ta ndjejnë edhe si president të tyre. Një president që do të respektojë marrveshjet me fqinjët dhe nuk do të jetë në shërbim të politikës ditore, por që do të kryejë detyrën në përputhje me obligimet ligjore dhe kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat