Kur sovranit i serviret noci dhe rroku i politikës…!

Opinione

Kur sovranit i serviret noci dhe rroku i politikës…!

Nga: Ilir Çumani Më: 9 prill 2019 Në ora: 07:47
Ilir Çumani

Që politika shqiptare e ka katandisur Shqipërinë në një skenë tragjikomike ku e gjithë dynjaja, brenda dhe jashtë, shqyejnë sytë e shkulin brinjët nga e qeshura, kjo tashmë nuk përbën më asnjë risi, asnjë lajm! E dëgjuat shefin e qeverisë duke folur nga Librazhdi në turin e radhës për zgjedhjet e 30 qershorit...? Ai iu drejtua kundërshtarit politik z. Basha se, në këto zgjedhje do të marrë “Noc Rrokun”, dhe se vetë Kryeministri me të tijtë, ishte i bindur se do të jetë fitimtarë në të gjitha Bashkitë dhe Komunat e vendit për të qeverisur në katër vitet e ardhshme jo vetëm elektoratin rozë, por edhe popullin opozitar. Nisur nga kjo, duket se Kryeministri Rama i ka mbyllur të gjitha dyert e komunikimit për dialog me opozitën zyrtare, duke e zhvendosur këtë komunikim tek “plangprishësit” e “tradhëtarët” e këtyre partive, pra, tek “opozita parlamentare e klonuar”, sipas mandatdjegurve. “Noc Rrokun” do të marrësh Lul, jo pushtetin. Se kush do marrë “Nocin” dhe kush “Rrokun”, le ta ndajnë bashkë me Monikën.

Kështu, nuk shkon me histori të tilla, hajde të shohim, hajde ta zgjidhim... Nuk ka më me gjysma – gjysma...”, deklaroi Kryeministri Rama nga Librazhdi, gjatë turit të tij në dialog me mbështetësit dhe simpatizantët e partisë që ai drejton. Përtej kësaj skene me situata groteske që të kujton lojrat kapriçioze me hile e inate fëminore, duket sikur të shfaqen rishtazi para syve si në film skena po kaq të ngjashme, të luajtura ndër vite nga vërsnikët politikë pararendës të z. Rama. Me një ndryshim. Në traditën e “bashkëjetesës” politike të kazanit, protagonistët e vërtetë në këto lojëra të çuditshme nuk kanë qenë vetë politikanët përballë njëri tjetrit, por këta të fundit brenda një tepsie, përballë turmave, përballë sovranit, siç edhe ata e kanë “për zemër” ti drejtohen zgjedhësve nga foltoret e tubimeve publike. Ja përshembull, a ju kujtohet viti 1997, kur ish – presidenti Berisha deklaroi në Televizionin Publik Shqiptar se, paratë e shqiptarëve të investuara në firmat piramidale, sipas tij, ishin para të ndershme dhe të pastra...!? Opozita, pra PS, në atë kohë heshti. Nuk i bëri asnjë kundërshti deklaratës së Berishës, ngase një pjesë e mirë e eksponentëve të kësaj partie, së bashku me eksponentë të PD – së, asohere në pushtet, ishin zhytur keq duke punësuar e dypunësuar të afërmit e tyre si sekserë, avokatë, noterë, financierë e anëtarë bordesh në këto firma rentiere. Kaq i’u desh popullit. I madh e i vogël u vërsulën në dyert e kompanive rentiere piramidale “Vefa”, “Gjallica”, “Demokracia Popullore”, “Xhaferri”, “Populli”, “Cenaj”, “Silva”, “Kamberi”, “Leka”, të kryesuar nga “kryebankierja” Maksude Kadëna. E gjithë njerëzia u marros dhe u çartos pas deklaratës së ish presidentit të vendit. O burra, të gjithë u dyndën e shitën shtëpi e katandi, toka e troje, ara e ullishte, dhënë e dhi, lopë e viça, kuaj e gomerë... S’lanë laçkë e plaçkë pa shitur, e zunë radhët me ditë e netë të tëra në sportelet e këtyre firmave që ti “depozitonin” ato pak lekë me bindjen e verbër se kuleta e tyre e çpuar do të bëhej të nesërmen dëngu me para...! Për dhjetra muaj aktivitet mashtrimi me bekimin e qeverisë, këto kompani rentiere pasi u grabitën shqiptarëve plotë 1.2 miliardë dollarë, shpallën falimentin. Nisi rebelimi popullor dhe vendi u përfshi në kaos e anarki të plotë. Pas deklaratës të ish presidentit Berisha, kur tha se:“paratë e shqiptarëve janë të ndershme dhe të pastra”, me falimentimin e këtyre firmave rentiere, kjo deklaratë u përkthye nga njerëzit e zhgënjyer e të dëshpëruar, viktima të kësaj historie në: “Noc Rroku”. Pra, populli ngeli me gisht në gojë. Gjendja në vend ishte tepër e rënduar. Ekonomia hyri në kolaps. U shpërthyen depot e armëve.

I madh e i vogël u armatos deri në dhëmbë. Vendi kaloi në situatë krize dhe emergjence. U ngritën Komitetet e Pajtimit dhe të Shpëtimit Kombëtar. U formatua me konsensus gjithëpërfshirës nga të gjitha forcat politike edhe Qeveria e Pajtimit Mbarëkombëtar. Në sfondin politik për qetësimin e situatës u shfaq Partia Socialiste. Lideri i saj Fatos Nano, i sapo dalë nga burgu politik i Berishës deklaroi se, me ardhjen e tij në pushtet, Partia Socialiste do të bënte të mundur kthimin 100 % të parave të shqiptarëve, të cilat i kishin humbur në këto firma mashtruese. Populli, i dëshpëruar, i zhgënjyer dhe i pashpresë nga qeverisja e Berishës, besoi dhe votoi Fatos Nanon, partinë e tij. Mirëpo Fatos Nano, (edhe pse një profesor mjaft i zoti në ekonomi), nuk e mbajti fjalën, nuk mundi tu kthente mbrapsht shqiptarëve as 10 % të parave që ata i kishin humbur në këto firma rentiere. Kështu që, deklarata e ish kryesocialistit u përkthye në: “Noc Rroku”. Pra, sërish populli ngeli me gisht në gojë. Historia e “Noc Rrokut” vazhdoi edhe kur Berisha u rikthye në pushtet si Kryeministër, në vitin 2005. Kjo ka qenë kredoja e partive politike tradicionale, të cilat, gjatë ndërrimit të pushteteve, ia kanë përcjellë njëra tjetrës si testament këtë lloj qasje, këtë frymë e filozofi qeverisjeje, dhe që me të drejtë partriarku i urtë mëndjendritur i së majtës, Dritëro Agolli, asokohe e pagëzoi këtë model me emrin: “shkërdhatokraci”. Por, le të kthehemi sërish në vitin 2013, kur kryesocialisti aktual Edi Rama, sot kryeministër i vendit, tha e ç’farë nuk tha, premtoi e ç’farë nuk premtoi gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare. Premtoi hapjen e 300.000 vëndeve të reja të punës. Mirëpo, këto vende pune jo vetëm që nuk u hapën, por, për shkak të papunësisë e varfërisë që sa vinte e thellohej prej aplikimit të politikave represive dhe aspak sociale të z. Rama, e braktisën vendin si azilkërkues drejt vëndeve të Bashkimit Evropian afro 450.000 shqiptarë. Kryeministri e justifikoi këtë dështim me pretendimin se “punë ka, por s’ka profesionistë”, që sipas zhargonit të tij politik, përkthehet në: “Noc Rroku”. Kryeministri premtoi uljen e çmimeve të shportës për ushqimet bazë, duke thënë se: “Do të heqim taksën 20% për bukën, taksën e qumështit, vezës, miellit, vajit, sheqerit dhe orizit”. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite, kjo gjë nuk ka ndodhur, TVSH - ja e ushqimeve është ende 20%. Edhe kjo, sipas Kryeministrit do të thotë: “Noc Rroku”. Kryeministri, përpara se të merrte pushtetin, premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike. U betua e u përbetua se, taksën e energjisë elektrike do ta ulte në 6% për familjarët. Sot, taksa e energjisë për familjarët është 20% dhe jo 6%, ashtu siç premtoi Edi Rama në vitin 2013. Madje, 37.000 kryefamiljarë skamorë që i përkisnin familjeve në nevojë, u burgosën për rrymën elektrike. Pati edhe nga ata që kaluan në akte ekstreme vetëflijimi. Edhe kjo, sipas Kryeministrit, do të thotë: “Noc Rroku”. Kryeministri premtoi shëndetësi falas, por sot, në spitalet e vendit kushtet janë ato si në Luftën e Dytë Botërore. Pacientët akomodohen dhe trajtohen nëpër korridoret e këtyre spitaleve pa respekt, pa dinjitet, duke i përcjellë brenda ditës në shtëpi për shkak se dhomat me shtretër janë të tejmbushura. Mjediset janë të lagështa me igrasi dhe muret plot me myk. Infeksionet janë sheshit, ujë në çezma nuk ka. Më keq janë spitalet dhe qëndrat ambulatore në rrethe, sidomos ato në qytete e zona të largëta të vendit. Shumë medikamente e terapi nuk ofrohen në këto spitale, por blien me lekë jashtë këtyre qendrave nga vetë pacientët. Korrupsioni dhe mitmarrja nga një pjesë jo e vogël e personelit mjekësor është i pranishëm dhe shqetësues, dhe kjo bën që të ndeshemi me skena konfliktesh e dhune të shëmtuara ndaj bluzave të bardha. Sipas Kryeministrit, edhe kjo do të thotë: “Noc Rroku”. Kryeministri premtoi politika sociale adekuate dhe efektive për zbutjen e varfërisë. Ai premtoi se do të nxirrte nga varfëria 60.000 njerëz, por nga ana tjetër, jo që nuk hartoi dhe nuk zbatoi asnjë plan masash për realizimin e këtij objektivi, por me një të rënë të lapsit, fshiu nga skema e ndihmës ekonomike plotë 60.000 familje në nevojë, duke i lënë në mëshirë të fatit pa bukën e gojës.

Nga 110.000 familje të tilla që ishin të mbrojtura nga shteti para vitit 2013, sot qeveria e Kryeministrit Rama nuk arrin të mbuloj as 45.000 familje që janë të përfshira brenda skemës, duke e thelluar edhe më tej hendekun social të varfërisë. Përpara se të merrte pushtetin në 2013 – tën, Kryeministri premtoi përllogaritjen me shpejtësi të minimumit jetik, si hap i parë i rëndësishëm për të luftuar varfërinë dhe krijuar mundësi integrimi kategorive në nevojë. Pikërisht, nga kjo do të varej edhe rritja e fuqizimi i skemave të tjera si, ndihma ekonomike, paftësia, pensionet, pagat minimale, etj. Por kjo nuk ka ndodhur as për personat me ndihmë ekonomike, (një i asistuar sot me ndihmë ekonomike nga shteti, merr vetëm 15 USD në muaj), dhe as për personat e paaftë për punë. Afro 650.000 pensionistë, (një pjesë e konsiderueshme janë votues potencial si elektorat i majtë), që nga viti 2013 e deri tani, nuk kanë njohur asnjëherë rritje pensioni nga qeveria e Kryeministrit Rama në këto 6 vjet, por vetëm indeksime tallëse e të vobekëta, si një lëmoshë për të përballuar pensionet e tyre qesharake nga rritja e çmimeve. Indeksimi i fundit është ai që u bë tani, në masën 2.8 %, dy muaj para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, (kështu kanë vepruar të gjitha qeveritë). Sot, në Shqipëri janë 500.000 njerëz që jetojnë nën minimumin jetik të varfërisë. Ata janë kontigjent rrisku i kërcënuar prej sëmundjeve të ndryshme vdekjeprurëse nga mosushqyerja dhe kequshqyerja. Qeveria e z. Rama është krejt indiferente. Ky veprim antihuman, vjen si një refuzim dhe mohim i hapur i shtetit ndaj qytetarëve të pamundur, si një e drejtë themelore jetike që ka çdo qënie njerëzore për tu ushqyer e jetuar me dinjitet. Një realitet i dhimbshëm e tragjik që përbën një krim të pastër genocidist mbi atë pjesë të pamundur dhe të pambrojtur të popullatës, e kjo bie ndesh me Konventat Ndërkombëtare të OKB – së dhe Kartës Universale për të Drejtat e Njeriut. Por, sipas Kryeministrit, edhe kjo do të thotë: “Noc Rroku”. Kryeministri premtoi heqjen e taksës së qarkullimit për bujqësinë dhe bërjen e çmimit të naftës për këtë sektor në 13 lekë apo 6 lekë. Ai premtoi për çdo fermer se, nëse çdo njëri prej tyre do të shtonte numurin e bagëtisë së trashë në 11 krerë, do të kishin mbështetjen e qeverisë përmes sunvencioneve nga shteti. Edhe këto premtime nuk u mbajtën nga Kryeministri, që sipas tij, përkthehen në “Noc Rroku”. Një tjetër premtim i pambajtur i Kryeministrit është anulimi i koncensioneve që prekin drejtëpërsëdrejti interesin e qytetarëve. “Do ti ç’bëjmë të gjitha ato koncesione që kanë cënuar të drejtat e qytetarëve në mënyrë korruptive”, tha ai. Mirëpo, Kryeministri nuk ka anuluar asnjë koncesion siç janë Vendburimet e naftës dhe HEC – et  mbi Valbonë e Vjosë, të cilat dëmtojnë direkt interesin e qytetarëve, ose koncensionet e “Rapiscan” apo “Markimin e Karburanteve”, etj. Sipas Kryeministrit, edhe kjo përkthehet në: “Noc Rroku”. Ka mjaft premtime të pambajtura nga ana e Kryministrit, i cili me gjuhën e tij të koduar, i dëshifron ato me fjalët: “Noc Rroku”.

Por kësaj radhe, këtë gjuhë Kryeministri e rezervoi nga Librazhdi për rivalin e tij politik, Lulzim Basha. A thua ky i fundit, e kupton se ç’farë peshe të rëndë zhgënjimi përmban në vetvete fjala “Noc Rroku”, kur i adresohet në mënyrë cinike dhe të përsëritur sovranit – popull nga politika e mbrapshtë e ditës...!? Për këtë, ekziston edhe një thënie e mençur që vjen si përvojë jetësore kur thuhet: “....O njeriu me mend, provoje në trupin tënd.... Sa të dhemb, aq më dhemb...!”. Në seancën e fundit të parlamentit, ish ministri për Evropën dhe Punët e Jashtëme Ditmir Bushati, u drejtohej kolegëve socialistë: “Zgjohuni socialistë! Ky vend nuk ka nevojë për shkëmbime batutash, pa kripë e të sforcuara me deputetët opozitarë të ardhur prej procedurës, por jo prej demokracisë, të cilëve u dridhet zëri e nuk rrinë dot as drejt në foltore kur kuvendojnë, duke të kujtuar më së shumti nxënësit e dobët para mësuesit. A nuk jeni lodhur duke përsëritur mekanikisht fjali pa kuptim e klishe si: ulemi për djalog, por jo për negociata...? Po a nuk më thoni, cili është precedenti i rrezikshëm i cili nuk duhet të ndodh, se ndryshe ndodh katastrofa me demokracinë...?”. Ky mesazh mjaft i qartë e domethënës, por i guximshëm dhe i sinqertë nga një ligjvënës socialist dinjitoz, më së shumti i drejtohet sot Kryeministrit Rama, i cili modeloi dhe institucionalizoi konfliktin publik përmes një komunikimi e sjellje të drujntë në mjedisin politik me kundërshtarët e tij. Kur politika merret me barcaleta e batuta, dhe jo me zgjidhjen e shumë çështjeve thelbësore e të rëndësishme të ditës që lidhen me integrimin e Shqipërisë në BE, ekonominë e vendit, përmirësimin dhe kualitetin e jetës së qytetarëve, këtyre të fundit nuk u mbetet gjë tjetër veç “Noci” dhe “Rroku” i Kryeministrit, i cili ua servirë shqiptarëve pa “doganë”, nga mëngjesi deri në mbrëmje, përmes Facebook - ut, Twitter-it dhe dëgjesave show publike që transmetohen 24 orë në 24 nga ekranet televizive të blera prej pushtetit. Me sa duket, atij nuk i bëhet vonë se në çfarë hullie e qorrsokaku e ka çuar vendin, çfarë laku u ka varur në qafë shqiptarëve, dhe se ç’kosto të lartë financiare u ka hedhur në kurriz qytetarëve më të varfër të Evropës vetëm për kapriçot, tekat, trillet dhe engledisjet e tij fëminore. Aq më keq për z. Rama, ngase tash, duket fare qartë se ky është mjerimi dhe rrugëtimi i fundit pas më shumë se dy dekadash lojrash cirku e akrobacish në karrierën e tij politike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat