Tregohet se mendimtari i njohur françez San Simon, e kishte mësuar shërbëtoren e tij që çdo ditë në mëngjes, kur ta zgjonte nga gjumi ti përsëriste këto fjalë:”Zgjohuni zotëri! Zgjohuni se iu presin punë madhore për ti përfunduar, punë të cilat do i shërbejnë njerëzimit!”
Kështu, ai zgjohej gjithë energji dhe vullnet, plot shpresë, optimizëm dhe vitalitet. Ai besonte se është njeri i rëndësishëm dhe mendonte se ekzistenca e tij do i shërbejë jetës e cila priste shumë prej tij.
E çuditshme është se San Simon nuk kishte ndonjë profesion apo post të rëndësishëm dhe vendimtar. Puna e tij e vetme ishte të lexuarit, të shkruarit dhe përmbushja e misionit të cilin i kishte ngarkuar vetes, i cili përmblidhet në thirrjet për krijimin e një jete të ndershme të bazuar në bashkëpunim dhe jo konfliktin e egër kapitalist për jetë a vdekje.
Ai i besonte fuqishëm këtij objektivi dhe e konsideronte veten si burim i shpresës për një jetë më të bukur dhe më të këndshme.