Unë dhe shtetësia shqiptare?

Opinione

Unë dhe shtetësia shqiptare?

Nga: Esad Dujaka Më: 9 prill 2019 Në ora: 16:25
Esad Dujaka

Më kujtohet si fëmijë kur isha, truponim brisë së Çabratit, nga Lugu i Balës dhe delnim në një kodrinë nga e cila mund të shihej në horizont ato vargmale....Përherë ama gjithmonë aty bënim një pushim dhe sytë anipse fëmijë na treteshin andej, se andej ishte Shqipëria!

Ishte ajo që për ne e panjohur, vetëm përmes këngëve të Shzqri Alushit e Vaçe Zelës por edhe të Havsa Zymberit e shumë të tjerëve na bënim edhe të qanim, nuk pse, fëmijë ishim, por kishim një paramendim se ndej maleve është diçka e bukur, ku lumenjtë rrjedhin qumësht e ku ende Skënderbeu lodron me kal në ato shpatije të Krujes...Mendonim se nga atje lind dielli, DIELLI që do të na i ngrohë zemrat edhe neve...Të shkuara e të (pa)harruara!

Dhe, sa herë vinte Nata e Flamurit, ne si gjimnazist, gjithmonë na shkoi jeta tinzisht, e kremtonim këtë Natë të gjakut tonë dhe ngritnim grushtat me përshëndetje revolucionare, ama ishin kohë të tjera dhe s dinim se matanë bjeshkëve jetonte në një diktaturë të paparë pjesa tjetër e Popullit Shqiptar! Ne ishim të rinj dhe e vetmja shpresë na ishte Shqipëria e Xhaxhit Enver, emrin e të cilit kur e shqiptonim nga frika prej pushtetit serbo-sllav disi na kaplonte një mburrje, një trimëri e pashpjegueshme se ne nuk ishim vetëm...

Pra kështu ishte dikur, e kohërat ndërruan dhe u bë çka u bë por ne ngelëm prapë kështu si jemi, por tani të lirë. Andej Drinit, gjithnjë sipas Agollit, me njëqind telashe që nga vitet e 90-ta e asnjëherë për t u këndellur e për tu bërë shtet e si duhet, ndërsa ne këtej Drinit patëm telashe me Serbinë dhe gjithë atë katrahurë e përballuam, herë me ndihmën e Shqipërisë e herë pa atë ndihmë por edhe me ndërskamca, duke na u vrarë njerëzit e çmuar brenda Mëmës Shqipëri madje edhe mu në mes të Tiranës e askush as sot e asaj nate bëhet thuase nuk e di kush kë e vrau, kush në ke ngrehu gishtin e armës...

Dhe, kohët po kalojnë shpejt. Herën e parë kur shkova për pushime, ku tjetër unë si gjakovar pos në Velepojë...Ato ende me bunkerë, me lopë, buallica e derra që shëtitnin të lirë plazhit kristal të Velepojes. Ishte fillimi, dalëngadalë dhe vit pas viti gjërat ndryshuan dhe nuk gjeta vjet as bunkerë, as shtazë, as bërllog por një plazh i rrethuar për bukuri, ujë për t ‘u pastruar pas ujit të detit, disa toalete siç e kanë edhe në vendet e tjera të civilizimit, nuk kishte më muzikë shurdhuese deri në orët e vona të natës, nuk kishte më pritje e keqe madje e kamarierit që më detyronte të shkoj sa më afër tij, se ai kishte pagën e vogël dhe se nuk ka zemër të vinte pas meje zotëria!

+     +     +

Dhe, të dalë më në fund te tema pse mora t;i shkruaj këta rreshta!

Mu mbush mendja të ulëm e të shkruaj një kërkesë zyrtare në adresë të kabinetit të presidentit të Shqiperisë z. Meta dhe të kërkoj hiq më pak se SHTETËSINË SHQIPTARE!

Eu moj bela, isha në dy mendja ta nis a mos ta nis, ta konsultoj dikë më të matur se unë apo hiq, e bëra mendjen çykë dhe e adresova kërkesën në disa anë elektronike e të dalë ku të dalë!

Prit e prit, e përgjigje nuk më vinte. Eu mori bela, më besoni se i rash pishman shumë që u bëra me mendje të fëmiut, se njeriu dy herë po bëhej fëmi – kur është fëmijë dhe kur bëhesh si fëmi në pleqëri!

Dhe, një ditë përgjigjja aq e shumëpritur më në fund erdhi, por su besova syve të mi kur ishte shkruar si një aktvendim  ku një punëtore e Presidencës më kishte këshilluar që duhet të jam së pari shqiptar, këtë kusht e plotësoja anipse kosovar që sipas debateve të nxehta në studiot televizive në Prishtinë veçmas po ngatërrohen e po nxehen gjakërat jo kombi, jo shteti, jo kosovar por shqiptar, jo dy flamuj por  një, jo Krahinë e Shqipërisë por një shtet e një Atdhe e grahi bacë deri sa të na lodhet goja, ani pse e dijmë te e fundmja se Perëndimi nuk po na lejon një Komb e një Shtet por një Komb e Dy shtete evropiane, e pastaj në Bruksel le të merremi vesh kush çka është e kush me kë është!

Dhe, ajo që nuk e kisha pritur ishte letra nga Zyrat e Presidencës Shqiptare ku në rreth 20 kushte unë pos që isha Shqiptar i Kosovës ama ASNJË kusht tjetër nuk e plotësoja!

U ndal dhe po mendojë: Eu po çfarë me gjeti mu të gjorin? Pse me dhjetëra e dhjetëra, madje pse jo edhe me qindra e qindra kosovarë kanë marr SHTETËSINË SHQIPTARE? Vallë ishin ata më shqiptar se unë e se shokët e mi të asaj e të kësaj kohe? Filan gazetari po! Filan këngëtarja PO! Filan fisteku – PO! Eu Shqipëri eu... “Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lash borë e gjeta dimën”, kështu thoshte një këngë e pavdekshme e rapsodit të maleve tona, Dervish Shaqa nga Lluka e Deçanit...

Pse të mos ua them se u bëra nervoz, madje i shkrova edhe një letër (elektronike) një mikut tim nga Tirana me të cilin ishim njohur në dhjetorin e 1970 kur me një grup kompozitorësh nga Kosova përcollën Festivalin e 9-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar...Ai qeshi me mua, nuk ma mori si serioze, dhe me pak fjalë më tha ‘’Rri more aty në Prishtinë, a je shqiptar – PO, a jeni shtet – jeni, ashtu si jeni gati si ne në Tiranë e ndoshta edhe pak më stabil... A  do bëhesh shqiptar më i madh nëse pajisesh me shtetësinë tonë – se besoj! Unë, ma tha miku, po rri në shtëpinë time, me nipa e mbesa  e ata (pushteti) po shtiret se nuk më njeh më, kurse unë po bëhem se ata , pra pushteti nuk ekziston për mua dhe kështu po jetojmë ndaras - ata një breg e unë një kodër duke mos e parë njëri-tjetrin...

Më besoni se nuk më erdhi hiq mirë! U zemërova në mikun tim dhe nuk ia ktheva as përgjigjen sepse nuk ishte në anën time! Ai nuk e ndau mallin me mua, dhembjen me mua, dëshirën e madhe me mua që para se të vdes të bëhem shqiptar me fe, pra të kam një shtetësi dhe dokument udhëtimi (pasaportë) me shqiponjën dykrenare për të cilën aq shumë kisha ëndërruar dikur në rini, po me atë përshëndetjen tinëz pushtetit sllav – me grushtin e shtrënguar në tamth – përshëndetje revolucionare, me demek marksiste leniniste... O tempora, o mores!

Dhe, nuk di a të shkoj drejt në Tiranë këto ditë e të trokas dyerve të atjeshme, apo ta lë këtë punë për kohë më të mira nëse na vijnë herë do kur, pasi për to po lutemi por nuk po punojmë drejt e si duhet (e kam fjalën për të dy pushtete, për atë në Tiranë e këtë në Prishtinë)...

Protesta në Tiranë tash e sa muaj rresht e nuk kanë të ndaluar, demonstrata, paqësore po thonë së shpejti edhe në mes të Prishtinës, të jenë paqësore e të mos kërcet dajaku e të mos derdhet gjaku!

Se “pranverë të nxehtë ballkanike” po paralajmëron Perëndimi! Ata dijnë diçka e nuk ia fusin kot si na shqiptarët të cilët unë aq shumë po i dua...

Bashkimi Evropian na ka izoluar dhe na i ka mbyllur dyert gati si me tela gjemborë apo ndoshta edhe ndonjë si Trampi me Meksikën, Shqipëria na do aq sa na do, por shtetësi nuk na jep sepse duhet shkuar e jetuar së paku disa vjet atje, kjo koha e verës që po e kalojmë nga Velipoja e deri në Sarandë nuk na llogaritet!?

A ta them a mos ta them, është një fjalë...

A të shkoj nesër për Tiranë me autobusin e parë, ani çka Rrugës së Kombit për 4 orë në çuk të Tiranës duke pirë kafe turke si para 49 viteve me Dritëro Agollin por jo edhe konjak korçe deri në sabah me te, sepse ai nuk është më kurse unë thua se të mos isha fare...

Z. Ilir Meta, unë pra po nisna drejt e te Ju, nëse ma mbyllni derën ani, s’ ka gjë nëse më ktheni, s’prish punë por unë do t’ua lë një lutje te e fundmja te dera e Presidencës kërkesën time ku do të shkruaj JAM SHQIPTAR- ZBUTNI ZEMRËN E MA JEPNI SHTETËSINË SHQIPTARE DHE NJË PASAPORTË ME SHQIPONJËN DYKRENARE SE KJO ËSHTË DËSHIRA IME E FUNDIT...

Jo z. Meta se përsëris më këtë gabim! Do të jetoj edhe pa u parë me Ju personalisht! Mos u hatro në mua, unë nuk po vi atje si kuadër diplomatik. Jo more assesi, mos e ki atë gajle. Nëse vi do të vijë te miqët e mi gazetarë, te Unioni i Gazetarë Shqiptarë, kështu më ka premtuar miku im Aleksandër Çipo...

Çka po më duhet edhe shtetësia, e as pasaporta shqiptare kur unë as me këtë që kam Kosovare nuk mund të shkoj më larg se deri në Dushkajë të Gjakovës ose në Rekë të Keqe, madje as përtej Urës së Ibrit nuk mund të dalë, sepse unë s’jam as Vuçiq e as Thaç...

Po pajtohem vetëm me një të vërtetë – SE SHQIPTARËT, POS SKENDERBEUT ASKUSH TJETËR NUK ARRITI TË NA BËJË BASHK  - MË SA NJË GRUSHT PLESHTA...

Ky është shqetësimi im më i madh se sa puna e pasaportës me shkabën dykrenëshe. Çka na vyen shkaba nëse nuk jemi sa një trohë e shkabës, nëse duam t ‘ia nxjerrim sytë shoqi-shojt?!

Tirana e Prishtina, sa keq: Vallë, po e presim nga një Princ Vid (të ri) që do të na i dërgoj Evropa -  sepse ndryshe ka rënë në hall me ne, madje sikur të ishim prej çokollate do të na ndante të dyjave së bashku e do të na hidhte dikah afër Misirit apo në hyrje të Grykës së Gjibraltarit...

Kush po kërkon shtetësi shqiptare?

Unë jo! Hoqa dorë më në fund...

E di kaq: Se jam SHQIPTAR I KOSOVËS!

A mjafton vetëm kaq? Besoj se po...

Prishtinë, prill 2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat