Disa prej përjashtesave të qeverive shqiptare ndaj shqiptarëve të rajonit të Çamërisë

Opinione

Disa prej përjashtesave të qeverive shqiptare ndaj shqiptarëve të rajonit të Çamërisë

Nga: Fahri Dahri Më: 10 prill 2019 Në ora: 12:38
Fahri Dahri

Ishte shteti Shqiptar, i cili devijoi nga detyrimet kushtetuese dhe njerëzore, duke mos ruajtur dhe mbrojtur në tërësi familjen, farën dhe fisin e tij.

a).- Një shkresë e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar në “Shqipëria e Lirë”, 11/5/ 1944, “Zoti Dhimitër Fallo është i ngarkuem nga Komiteti Qendror i Organizatës Nacionaliste “Balli Kombëtar” të lidhi marrëveshje me Partinë Nacionaliste Greke (EDES-in, Partia e Napoleon Zervës- FD), në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të një Komisioni të caktuem për këtë qëllim”. Shkresa është nënëshkruar nga Kryetari i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri, ku mes të tjerash Z. Mit’hat paraqet dhe pikat mbi të cilave do të bazohej marrëveshja e mundshme Shqiptaro-Greko-Turke.

Nga pikat e projektuara për marrëveshjen tërheq vëmëndjen pika 3, ku cilësohet: “Kufijt greko-shqiparë do të jenë dhe do të deklarohen solemnisht ata të 1939-tës”. Ndërsa në pikën 8, shkruhet:”Greqia do të angazhohet të mbështesë rivendikimet shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës....”. Platforma politike e Partisë Nacionaliste Shqiptare ja dorëzonte rajonin e Çamërisë Partisë Nacionaliste të Greqisë, EDES-sit. Parti e cila mbas 47 ditësh, më 27 qershor 1944, filloi kasaphanën, ndaj një komuniteti shqiptar, i cili mbeti pa mbrojtje apo përkrahje, jo nga një anë, por nga të gjitha anët.

Ky qendrim, ku pranohet të sakrifikohet rajoni dhe popullsia etnike shqiptare e Çamërisë, hodhi në terren një mjergull sa historike, politike dhe atdhetare. Nëse kjo gjetje është autentike, krijon zhgënjim, pabesi dhe nënështrim të pallogjikshëm. Ky akt dha të kuptohej se banorët farë e fis autoktonë të rajonit të Thesproti/ Çamërisë) përfshi banorët e të dy besimeve fetare, filluan të trajtohen si fëmijët e gjetur tek burrat e dytë. Si qeveria greke dhe ajo shqiptare nisën të luajnë rolin e njerkës grifshë, pra që nga ky çast, filloi të dalë në pah e vërteta e “ENIGMËS SË ÇAMËRISË”

b).- Sipas proces-verbalit të mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së 26 mars 1949, e drejtuar nga Liri Belishova (Sekretare e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës dhe anëtare e Byrosë politike) rezulton se nga pala greke i është kërkuar shtetit shqiptar, për të rekrutur djem dhe burra refugjatë çamë për ushtrinë demokratike Greke. Plotësimin e kërkesës së palës greke, Byroja Politike e mori në shqyrtim me datë 26 mars 1949.

Gjatë diskutimeve, Liri Belishova ngriti shqetësimin se: “Përgjithësisht çamët nuk duan të venë në Greqi, me arësyetimin se nuk kanë besim tek grekët”. Ndërsa Bedri Spahiu antar i Byrosë Politike, e informon Byronë Politike se pala shqiptare kishte punuar, që grekëve tu njihej e drejta e mobilizimit të djemve dhe burrave refugjatë çamë, mbasi ata vazhdonin të ishin shtetas grekë.

Byroja Politike, merakosej për ushtrinë demokratike të Greqisë dhe donte ti vinte në ndihmë duke arsyetuar se Greqia kishte nevojë për ushtarë. Ajo parësoi “internazionalizmin” në dëm të nacionalizmit. Rrjedhojë e kësaj “rryme” byroistët mendonin se rekrutimi i emigrantëve çamë do ishte mirë të bëhej nëpërmjet agjitacionit, por me agjitacion emigrantët çamë nuk e pranonin rekrutimin. Duke qenë se çamët ishin shtetas grek, pavarësisht se ishin masakruar dhe shpërngulur me dhunë nga shteti Grek, për Bedri Spahiun nuk përbënte problem ndërkombëtar mobilizimi i tyre, por, theksonte ai, nuk duhej të dukej dora e shtetit shqiptar. Për ta evituar përgjegjësinë e shtetit Shqiptar, u rekomandua që mobilizimi të bëhej natën dhe në fshehtësi të plotë.

Shqetësimi i Byrosë Politike qendronte edhe se elementët reaksionarë (ishte fjala për çamët refugjatë në Shqipëri) flisnin keq për Partinë Komuniste Greke. Nisur nga ky qendrim i emigrantëve çamë, Mehmet Shehu, anëtar i BP i PPSH, i del në mbrojtje Partisë Komuniste Greke (PKG) dhe akuzonte se “po ti lëmë kështu çamët (kupto: që flasin keq për PKG-FD) diskreditohet partia nga këta reaksionarë”. Mehmet Shehu arriti në konkluzionin se: “masën e çamëve nuk e kemi nën kontroll”, prandaj doli me propozimin:“Çamët që ishin anëtarë partie, të përjashtoheshin nga radhët e saj dhe të dërgoheshin në kampe përqëndrimi, ndërsa për elementët e tjerë (kupto: burrat dhe djemtë çamë), meqenëse nuk i merrnin dot me forcë, mbasi ishte punë e vështirë nga pikpamja ndërkombëtare, u dha mendimi që rekrutimi i çamëve të bëhej brenda natës.

Ndaj emigrantëve çamë, që në atë kohë ende ishin shtetas grekë, nuk mund të bëhej rekrutimi me forcë, prandaj u porositën komitetet e partisë në rrethe, ta linin gjoja në heshtje çështjen dhe brenda një nate ti merrnin çamët dhe ti çonin në kufi.

Propozimet e Mehmet Shehut u pranuan prej anëtarëve të tjerë të Byrosë Poitike. U pranua gjithashtu edhe propozimi i Beqir Ballukut: ”Këta (çamët) të arrestohen dhe të dërgohen të punojnë në Lozhan, ku është vendi shumë i përshtatshëm”. (AQSH, fq 14/AP, V.1949, D,16, fleta 14).

Burrat dhe djemtë emigrantë çamë nuk pranuan rekrutimin dhe nuk shkuan të luftonin për llogari të forcave të majta greke për tu bërë “mish për top”, si rrjedhojë shumë prej tyre u internuan në Lozhan, disa u dënuan dhe të tjerët u përjashtuan nga partia komuniste e Shqipërisë.

c).- Veprime përjashtuese për shqiptarët e Çamërisë, gjatë këtyre 75 viteve gjenden edhe tek mediet, shtypi i përditshëm dhe disa institucione shtetërore, të cilat i shmangen trajtimit të pakicave shqiptare (çamëve të krishterë) që jetojnë në rajonin e Çamërisë, në shtetin Grek.

Këto 30 vitet e fundit, gazetarë, raportues deri edhe presidentë të Republikës së Shqipërisë, "vrapojnë" të bëjnë vizita në katundet kalabreza dhe me krenari flasin për arritjet e tyre në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe historinë arbëreshe. Veprime të tilla, tepër njerëzore dhe demokratike, sigurisht vlerësohen dhe duhet të vazhdohen. Respekte për shtetin italian, i cili i lejon dhe i ndihmon ata në drejtim të ruajtjes së prejardhjes. Por përkujdesje të tilla duhet të arrijnë të ngrohin edhe zemrat e shqiptarëve të krishterë të rajonit të Çamërisë, duke shkelur në vatrat e tyre, të ndjehen edhe ata se nuk janë të përjashtuar nga kujdesi atëror. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh!. Përkundrazi ka ekzistuar dhe ekziston “heshtje 75 vjeçare” nga personalitetet shtetërore shqiptare, nga shtypi, nga mediet, sigurisht kuptohet nuk bëhet fjalë që shteti ortodoks Grek ti trajtojë shqiptarët autoktonë me banim në shtëpitë e tyre në rajonin e Çamërisë, të cilët edhe sot detyrohen ta ruajnë duke e folur fshehurazi gjuhën e tyre, shqipen e vjetër, e folur më e plotë sesa ajo e arbëreshëve dhe arvanitasve.

Këto qëndrime të ndryshme, mes banorëve autoktonë të Çamërisë (përfshi edhe çamët në Shqipëri), arbëreshëve dhe arvanitasve, krahas realitetit antidemokratik të shtetit Grek, i cili nuk zbaton të drejtat e pakicave etnike, tregojnë edhe inferioritetin shqiptar, duke vendosur përballë qendrimet përjashtuese të shtetit shqiptar ndaj banorëve autoktonë të rajonit të Çamërisë.

Ndikimet e veprimeve brutale dhe përjashtuese nga qeveritë përkatëse të të dy shteteve ndaj komunitetit të banorëve etnikë të rajonit të Çamërisë, janë shtrirë krahas institucipëoneve shtetërore (përfshi partitë politike dhe institucionet fetare) edhe tek një pjesë e mirë e popullsive në të dy anët e kufinjëve Shqipëri-Greqi. Fenomenet përjashtuese ndaj komunitetit çam, me rezidencë në Republikën e Shqipërisë (Vendit Amë), janë të pranishme edhe tek një grupim personash që shfaqen me komente në mediet e ndryshme, sa herë që në shtypin tonë të përditshëm trajtohen me “zell” qendrimet akuzuese të palës greke për çamët e këndej kufirit. Komentues të ndryshëm dhe jo të rrallë, mbajnë qendrime armiqësore ndaj çamëve, të cilat artikulohen me shprehje si: “këta turkoshakët, dëshirojnë prona edhe këtu, nga shteti shqiptar, por edhe prona tek shteti grek!?”. Ose: “Ç’farë kërkojnë çamët, këta banorë të ardhur nga Turqia!?”; ose: “Çamët, këta bashkëpunëtorë me okupatorin, që vranë e dogjën fshatra të tëra greke, nuk kanë asnjë të drejtë. Ata janë armiq, të pabesë”. Urrejtjet qorre, sigurisht të stimuluara, të nxitura nga institucionet shtetërore dhe kishtare greke, prodhohen në çdo situatë kur ngrihet forca e zërit për të zgjidhur “Çështjen Çame”.

Qendrime të tilla, të grupimeve të mësipërme, pavarësisht se janë qendrime jo reale dhe deklarohen nga njerëz të kategorisë së tretë të shoqërisë njerëzore, dhe që nuk e njohin aspak problemin e “Çështjes Çame”, me një gjykim të ftohtë, nuk ja vlen të ndalesh; por duke qenë sulme frontale dhe tërësore (nga institucione shtetërore tek të dyja qeveritë, mediet, grupe komentuesish, pa lënë mënjanë disa historianë, studiues, gazetarë, të brendshëm dhe të jashtëm), nuk mund të mospërfillen, mbasi heshtja ndaj këtyre sulmeve, shkon në favor të pranimit të akuzave qorre.

Nuk është rastësi shigjetimi pér shfarosjen e komunitetit të banorëve shqiptarë të Çamërisë, përkundrazi këto qendrime lidhen me konspiracionin e shumë vendeve europiane për të mënjanuar elementin shqiptar si faktor i rëndësishëm në (mos) pengesën e përhapjes së hapësirave lidhur me përcaktimin e kombit mbi baza fetare.

Për të mposhtur të tërën, teorikisht mbështeten praktikat e mënjanimit fillimisht të pjesëzave. Por mesa duket pjesëzat, që deri dje ishin në “kafaze” të mbyllura, sot ato kanë filluar të çlirohen dhe po i “ngjiten” trupit Mëmë.

Të gjithë ata, që në sulme frontale janë të inkuadruar kundër komunitetit të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë, nuk kanë arritur të kuptojnë një gjë të thjeshtë. Nëse do të arrijnë ta kuptojnë dhe ta konceptojnë, të jenë të sigurtë se do të gajasen së qeshuri me qendrimin e tyre tepër naive. E thjeshta e ”Çështjes Çame” qendron tek mospërkulja dhe mos mohimi (mos bërja hasha) i tyre që, megjithë masakrat, çpronësimt, dëbimet e dhunshme nga vendi i tyre, përbuzjet, heshtjet dhe censurat e ndryshme, internimet, përjashtimet nga e përgjithshmja, çamët vazhdojnë jo vetëm të mos e tradhëtojnë identitetin, por sipas fakteve të njohura ata vazhdojnë të jenë krenarë si të tillë. Këtu nuk bëhet fjalë për mbivlerësim të të qënurit shqiptar “çam”, as të nënvlerësimit të etnive apo racave të tjera, sepse mund të ishin grekë, serbë, italianë apo kongolezë, por problemi është tek e vërteta e mos këmbimit të identitetit etnik “shqiptar”.

Nëse do kishin pranuar që të quheshin turq, do të kishin shkuar në Turqi; por nuk pranuan të quheshin turq. Nëse do kishin pranuar të ishin ortodoks, do të quheshin grekë dhe do të jetonin në vendin e të parëve të tyre; por nuk e pranuan as të quajturit grek. Kjo është ajo e “ thjeshta” që nuk e kuptojnë të tjerët, por pa u thelluar i akuzojnë për atë që ata janë deklaruar se nuk janë. Qendrimi i palëkundur i tyre ndaj etnisë së vërtetë, është “themra e Akilit”, ku ata dallojnë tepër dukshëm me parimet dhe karateret e të tjerëve. Kjo i vlerëson dhe i lartëson shqiptarët e rajonit të Çamërisë dhe i tërbon kundërshtarët, shpifësit e të gjithë krahëve.

Le të shërbejë edhe ky shkrim si përgjigje përgënjeshtruese ndaj të gjithasubjekteve që kanë të paktën 75 vjet, që “tellallizojnë” akuzat bajate të ndërtuara nga vrasësit, antidemokratët grekë që duan me çdo kusht të mos gjykohen për gjenocidin e kryer në vitet 1944-1945. Është kjo frika permanente e tyre që nuk heshtin në asnjë rast duke thirur me dridhje dhe trishtim se “Çështja Çame” nuk ekziston. Kori famkeq shoqërohet dhe nga grupe të caktuara njerëzish që mbështeten tek patericat prej papiri (lloj kallami i butë) që u “dhurohen” nga pala kriminale. Koha tregon qartë se po ecet kundër konspiracioneve, duke rivendosur të drejtat e grabitura dhe të mohuara gjatë këtij dymijëvjeçari për kundër kombit iliro-shqiptar.

Lufta mes dy të kundërtave, lidhur me konceptet e përcaktimit të kombeve, është e sigurtë se e ardhmja i takon përcaktimit të kombit sipas gjuhës, traditave, zakoneve dhe territoreve përkatëse. Argumenti për arritjen përfundimtare qendron tek e vërteta e madhe, se: Njeriu ka ardhur në këtë Dhé i zhveshur. Mijërara vjeçarë më pas, zhvillimet e shoqërisë njerëzore e veshën dhe i thanë: “Vishu, beso vendin ku ke lerë, respekto dhe adhuro gjithësinë, që personifikohet tek Zoti”!.Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat