Zgjedhjet nacionale në LDK

Opinione

Zgjedhjet nacionale në LDK

Nga: Fadil Lepaja Më: 10 prill 2019 Në ora: 14:33
Fadil Lepaja

“Të gjithë rrejnë, por s’ka lidhje! Edhe ashtu askush nuk dëgjon”! Kështu thotë, i famshmi Marfi, por a është vërtetë ashtu? A po rrejnë të gjithë dhe a po dëgjon kush kënd në këtë vend? Jemi dëshmitarë se ligjet që vlejnë gjithkund tjetër, nuk vlejnë edhe për ne.

Në fund të fundit në vende si ky i yni, nuk shtrohet pyetja a dëgjon kush, por a e dëgjojnë kënd. Elektorati në vende të vogla, me pak pronarë të mëdhenj, e me pak qytetari, sipas rregullit të pashkruar, janë votues, që dëgjojnë dhe shërbejnë sundimtarët. Biznesmen tepër të mëdhenj për përmasat e një vendi të vogël, apo komandant repartesh tepër të fuqishëm të cilët sundojnë mbi institucionet, drejtues fanatikësh, apo kushdo tjetër i cili në rrjetën e vet të ndikimit dhe të fuqisë e përfshinë një pjesë të madhe të qytetarëve, të cilët interesat dhe fjalën e sundimtarit e vejnë mbi interesin e vet dhe mbi mendimin e vet, sundojnë nëpër vende të vogla e të varfra. Aty pushteti, në fakt nuk ndërrohet as nuk zgjidhet , përkundër fushatave të zhurmshme elektorale. Thjesht, ndërrohen nëpunësit. Ndërrimi në krye të shtetit , në këtë rast do të thotë vetëm ndërrim fytyrash.

Krejt varet se kë përcjellin në rrjetet sociale dhe kë shohin nga emisionet më të famshme të sponsorizuara nga familjet e mëdha të politikës e biznesit. Të gjitha janë zhurmë, përpos fjalive të koduara për ushtarët nëpër rrjete dhe nëpër rrugë.

Pra, nëse më siguroni se askush nuk po dëgjon...?! Le krejt, po flas, dëgjoi apo nuk dëgjoi kush, sepse tema e sotme, vërtetë , është dilemë në vete. Nga përfundimi i saj, marrin drejtim shumë procese në vend, mund të parashikohen edhe koalicionet e ardhshme, për parlamentin e vendit, ku përfaqësuesit e zgjedhur të familjeve, përfaqësojnë regjionet tona por edhe interesat globale. Pra, në krye të kujt bëjnë be: në krye të cilit komandant lokal dhe “komandant” global, autoritar si Trump, Erdoan, apo Putin?

Zgjedhja e kryetarit të LDK, u bë si fenomen shqetësues, nacional vetëm pas vdekjes së presidentit Rugova. Derisa ishte gjallë Rugova, zgjedhjet në LDK dhe në shtet nuk ishin interesante, sepse dihej fituesi. Pas kuvendit ku një karrige kishte kuptimin e më shumë votave, gjithçka u bë lajm dhe interes(im) nacional i Kosovës. Zgjedhjet brenda kësaj partie i tejkalojnë votat e saj në parlament, dhe mbetet çelës i të gjitha kombinimeve.

Cila parti do të fitojë në LDK? E si mund të fitojë një parti , brenda një partie tjetër ? A nuk dolën aq parti, nga partitë e tjera? Mund të pyetemi se si fitoi zhvillua brenda një partie tjetër dhe si po formësohet Partia e sotme socialdemokrate? Edhe nga LDK, para dhe pas lufte, kishin dalë disa parti, të cilat ishin ngjizur brenda saj. Dolën parti edhe nga PDK, ndërkaq u përçan në dy apo më shumë krah edhe parti të tjera, shqiptare dhe joshqiptare në parlament.

Por, me gjasë në këtë lëvizje, të quajtur LDK, për dallim prej të tjerave, ende i kemi prezent të gjitha partitë dhe ndikimet, sepse LDK gjithnjë ishte lëvizje, një lidhje politike mes rrymave, ideve, interesave ku mund të akomodohej kushdo që mbante drejtimin e përgjithshëm të erërave dominuese politike.

Pra, mbi të gjitha ishte fryma. Fryma e bënte forcën e LDK, e cila në fazën e shthurjes së përgjithshme të ish Lidhjes Komuniste, u formësua në një lidhje të aspiratave demokratike e nacionale.

Kush do të kandidoi dhe kush do të fitoj në LDK, do të vendoset me gjasë në organin më të lartë të partisë, me konsensus, ose do të vendoset me karrige. Nejse, me karrige do të vendoset nëse dështon të zgjidhet kandidati i preferuar nga ata që e kanë fuqinë në vend. Pozita dhe opozita janë të interesuat të i fitojnë zgjedhjet në LDK, sepse kështu kanë gjasat të i sigurojnë edhe ato nacionale. Ka shumë gjasë që në këto zgjedhje PDK dhe koalicioni PAN, të shkojë me dy kandidat, “Vetëvendosje” me një, ndërsa një ose e shumta dy mund të jenë edhe kandidat të familjeve të mëdha në LDK. Një kandidat mund ta ketë, i vetëm edhe presidenti i vendit. Mund të jem i gabuar në këto llogari, por pak a shumë numrat janë këta.

Lufta politike mes qytetarëve dhe pronarëve të mëdhenj është e pabarabartë. LDK, kishte qytetari dhe vazhdon të ketë, ndërkohë që në mandatin e kaluar një grup teknokratësh të fuqishëm , që erdhi në fuqi pas erës së presidentit Sejdiu, filloi të sfidohet prej disa drejtimeve nga kandidat të gjeneratës së re dhe të mesme.

Fryma e LDK-së, në fakt ishte artikuluar fillimisht nga një brez intelektualësh humanist, si Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani, Sabri Hamiti, Anton Çeta, dhe është vështirë të besohet se mund të mbahet ose zhvillohet më tej, nga teknokrat apo burokratët e rritur e të formësuar në strukturat e partisë, por është gjithashtu e vështirë të besohet se vija e inteligjencës humaniste nga ish “Çarku i Prishtinës” , dikur jashtë interesave të ngushta, mund të dominojnë sërish elektoratin tashmë të diferencuar në vija të qarta interesash e ndikimesh.

As burokratët e partisë, të lindur, rritur e pjekur politikisht në këtë parti, vështirë se mund të jenë të pranueshëm për “partitë” e tjera të mëdha, në LDK.

Në anën tjetër, disa kandidatë të rinj, kritik ndaj qeverisjes, armikun kryesor do të e kenë moshën e tyre, dhe vetëm ndërhyrja nga “Arbëria” mund të u japë peshën e nevojshme për të dalë në krye.

Teknokracia, teknokratët e rinj, mbeten opsioni i mesëm, i pranueshëm për të gjithë, dhe i cili mund të jetë i favorizuar edhe prej qarqeve të jashtme, por edhe nga vijat e interesave brenda partisë e mbi të gjitha të partive të tjera. Vijat e interesave, të brendshme dhe të jashtme do i nxjerrin kandidatët e tyre për zgjedhje...

Pra kush do të fitojë në LDK? Cila parti? Cilat vija të interesit? Qytetaria apo oligarkia? Perëndimi apo dikush tjetër? Këto votime do të jenë paralajmërim se kah do të rrjedhin proceset.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat