Fshehtësija e pavdekësise

Opinione

Fshehtësija e pavdekësise

Anton Çuni Nga Anton Çuni Më 11 prill 2019 Në ora: 15:57
Agim Ramadani

Jemi këtu sot, për të shënuar ditën e dëshmorëve të Betejës heroike të Koshares. Që nga ky vit, kjo ditë do të njihet me emrin Dita e Heronjëve, pasiqë, Presidenti i shtetit, më 9. Prill, në Koshare, i shpalli heronj, të gjithë dëshmorët e rënë, në këtë betejë.

Gjiithashtu, në veçanti, sot kujtojmë Agim Ramadanin, i cili është sinonim i përkushtimit dhe flijimit shpirtëror e fizik, për atdheun. 
Dëshmorët e Kosharës i përmbushin të gjitha tiparet e kreshnikut, duke mos përjashtuar ato të mbinatyrshmet.

Ata e donin familjen, e donin atdheun, e respektonin njëri-tjetrin.

“Lum e lum për t’Lumin Zot, 
Nuk jém kânë e Zoti na ká dhânë!”

Kështu fillojnë plotë këngë të eposit të kreshnikëve.

Por, ato që përshkruhen më tutje në këto këngë, tregojnë se, përpos fjalës së Zotit, kërkohet edhe shumë punë nga njeriu, për të arritur deri tek rezultati i dëshiruar. 
Të gjithë ne, në vete, mbajmë prirje dhe dhunti, të cilat na ndihmojnë në ecjen tonë gjatë jetës. Ne në vete mbajmë shpirt artistik, letrar, shkencor, eksplorues, sportiv, por, edhe shpirt luftarak. 
Por, jeta është aq e shkurtër, saqë nuk arrijmë ta përmbushim veten me të gjitha nevojat shpirtërore, ëndërrat, dëshirat, etj. Ato janë edhe më të paarritshme, kur të mungon liria, kur je i prangosur, me gojë të mbullur, e kur shpatën ta mbajnë mbi kokë. 
Sot, ne po kujtojmë Agim Ramadanin, e me të, edhe të gjithë dëshmorët e Kosharës. Secili prej këtyre luftëtarëve, ishte një djalë, prind, vëlla, bashkëshort, apo i fejuar. Secili prej tyre, kishte ëndërra, dëshira, shpresa. 
Agimi i kishte kushtuar më tepër kohë ëndërrave të veta. 
Ai kishte arritur të bëhet edhe poet, piktor, inxhenier, sportist, vallëtar, studiues, eksplorues, luftëtar. 
Një njeri, i cili përkundër ligjeve të natyrës dhe kohës, arriti ta përmbushë veten, por që e la këtë botë, duke marrë me vete fshehtësinë e të qenit i pavdekshëm. 
Ne që arritëm ta njohim për një kohë nga afër, si dhe ju të tjerët që e njohët nga gjurmët e veprave të tij, me arsye, pyesim:”Prej nga ky frymëzim, kjo energji, kjo forcë e guxim, që me aq qetësi, është shprehur në poezitë e pikturat e tij, e aq vrullshëm është shprehur në beteja”? 
Do të mbahen shumë akademi, ekspozita e orë letrare. 
Do t'i këndohet e recitohet Agimit. Veprat e tij, do t'i gjejmë si tema studimi në histori, letërsi, art, etj. 
Dhe kështu, jeta dhe vepra e tij, po bëhen normë e kulturës dhe traditës sonë. 
Pikërisht ashtu, siç bënë paraardhësit tonë, shekuj e shekuj me radhë, e falë të cilëve, ne e ndërtuam kulturën dhe traditën tonë, ruajtëm gjuhën dhe besimin në Zot, si themele të forta të qenies sonë kombëtare. 
Ne bashkëluftëtarët, sado që i sjellim kujtimet dhe dëshmitë për Agimin; sado që Ju njohësit e artit, do t’i zbërtheni pikturat që t'i kuptojmë edhe ne; e sado që ju adhuruesit e poezive, na i shpalosni kritikat, për poezitë e Agimit, ne si bashkëluftëtar të tij, i kemi parë ato ndjenja, virtyte e vepra, në realitet. 
Agimi, Arbeni, Dritoni, Emini, Haruni, Rrahmani, Sylejmani, e Urimi, të cilët ranë të njëjtën ditë, si dhe ata që ranë më herët e më vonë në këte betejë, të gjithë ishin aty. 
Ata nuk ishin personazhe apstrakte, të cilët ekzistojnë nëpër romane, apo filma. 
Familjet e tyre, i rritën, i bënë burra pavarësisht se ndër ta, kishte edhe djem të rinj. Vërtetë ata nuk kishin pirë qumshtë të zanave, por, vepra e tyre, vërtetë ishte kreshnike. 
Agim Ramadani, është autor i veprave të cilat vazhdojnë të na nxisin, motivojnë, por edhe korrigjojnë, në jetën e përditshme. Por, kryevepra e tij, është Beteja e Kosharës. 
Vepër kjo, e cila nuk duron korrigjim të rreshtave, apo retushim të pelhures per te korigjuar pikturen. Është vepër, ku edhe me çmimin e jetës, nuk bëhet hapi prapa.

Ne që ishim dëshmitar të ngjarjeve, në krah të Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahajt, Ali Hasit dhe të gjithë dëshmorëve tjerë të UÇK-së, të rënë në Betejën Heroike të Kosharës, do të jemi në çdo përkujtim, në numër gjithnjë e më të vogël. 
Por, edhe i fundit pjesëmarrës i Betejës së Kosharës, pas disa dekadave, ndoshta po në këtë hapësirë, e ka për detyrë, që para nipave, mbesave, edhe një herë, të sjellë në kujtesë lavdinë e Agim Ramadanit, i cili i dha shpirtë betejës, para së cilës u përkulën dhe u gjunjëzuan forcat serbe. 
Të rinjtë do të jetojnë të lirë, por çdo herë, kur lëkunden, hamenden në plotësimin e ëndërrave dhe dëshirave, apo kur u rrezikohet liria – le ta kujtojnë Kosharen, kryeveprën e shkruar dhe pikturuar me gjakun e baballarëve të tyre.

Lavdi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat