Vajtimi i qyqeve në parlamentin e Kosovës

Opinione

Vajtimi i qyqeve në parlamentin e Kosovës

Nga: Prof. dr Binak Maxharraj Më: 12 prill 2019 Në ora: 09:09
Prof. dr Binak Maxharraj

Të gjithë deputetët u mblodhën në Parlamentin e Kosovës për të bërë vajin e qyqeve për ikjen e qytetarëve në vazhdimësi nga Kosova. Ata u mblodhën jo për të vendosur diçka të mençur pos për të kukatur, për të vajtuar si qyqet për ikjen e popullit nga vendi, për të parë se pse po ikë, kush po i detyron të ikin. Është e pakuptimtë të thirret një seancë e natyrës së këtillë, sepse ndalimi i ikjeve nuk ndalet me seanca e as me rezoluta. Po pse të diskutohet në seancat parlamentare për diçka çfarë  nuk janë fajtorë qytetarët. Popullata që moti po ikë jo me fajin e vet, por pikërisht me fajin e pushtetarëve dhe të këtij. Parlamenti, të cilët për këto 20 vite nuk bënë asgjë që të mos vjen deri te një situatë e këtillë. Qytetarët tanë e pritën lirinë duke menduar se do ta gëzojnë, por u mashtruan, për ta nuk erdhi liria e dëshiruar, për ta erdhi dëshpërimi në këtë liri për të cilën u derdh gjak.

Nuk janë fajtorë qytetarët që po ikin, kush ik me qejf nga vendi i vet, nga vendi se ku ka lindur e rritur, ku është shkolluar, por ikin nga zori, po ikin nga katilët që e kanë kap e zaptuar pushtetin, po ikin nga ata të cilët po e vjedhin dhe plaçkitin këtë popull që 20 vjet të cilët u pasuruan në pakufi, thjeshtë po ikin nga ata të cilët e shkatërruan këtë vend. Populli po ikë nga ata të cilët asgjë nuk bënë që kjo rini të mbetet në vend, të mos ikë, nuk e zhvilluan vendin, nuk hapën vende të reja pune, nuk krijuan kushte që populli dhe rinia të mos ikë. Po ikin nga ata të cilët po e keqqeverisin këtë vend duke shpenzuar para publike në zhvillim por për luksin e tyre, për udhëtimet dhe kënaqësitë e tyre vend e pa vend.

Ju deputetë dhe qeveritarë që sot derdhet lot krokodili në Parlament që po ju ikë populli, ai nuk po ikë por ju po e ndiqeni nga ky vend duke ua mos siguruar kushtet elementare për jetesë, ata po ikin sepse nuk kanë bukë për vete dhe fëmijët e tyre, ndërsa ju dhe fëmijët e juaj jetojnë në luks nga paratë e popullit, shkollohen jashtë vendit me paratë e vjedhura nga populli. Nuk mundeni edhe nëse debatoni për ikjet edhe me javë të tëra të gjeni shkaqet, sepse shkaktarë jeni ju vetë, ju deputetët dhe pushtetarët që jetoni si parazitë në kurriz të popullit. Po ju jeni fajtor e askush tjetër që e keni sjellë popullin dhe rininë në këtë situatë që të ikë nga vendi, sepse asgjë nuk bëtë për ta. Kthejeni pasurinë e vjedhur, të plaçkitur për 20 vite, ktheni paratë e vjedhura nga Fondi 3% dhe Fondi vendlindja thërret gjatë luftës e të bartur me thasë pas luftës, do të grumbulloheshin aq para sa për t’i hapë mbi 300 mijë vende punë, por ju nuk zgjidhet të hapen 300 mijë vende pune që të mos ketë ikje, por ju e zgjodhët rrugën e hajnisë. Ky është shkaku pse po ikë populli dhe rinia nga ju si nga xhelati, sepse te ju është përgjegjësia se pse po ikë populli. Historia do të ju dënojë që po e detyroni popullin të ikë nga vendi i vet në të cilin nuk e përjetuan lirinë aq shumë të pritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat