Nën hijen e një superskandali dhe të tjera…

Opinione

Nën hijen e një superskandali dhe të tjera…

Nga: Fran Kamshi Më: 12 prill 2019 Në ora: 12:22
Fran Kamshi

Për fat të keq, Shqipëria po kthehet në një vend eksportimi të llumit botëror, që nga llumi, mbetjet e ndotjet, në kuptimin e parë leksikor të këtyre fjalëve, gjer tek llumi e ndotjet e gjithëfarëshme, si kuptime alegorike e simbolike.

Ende pa mbaruar një skandal, plas një tjetër dhe hija e dyshimit dhe përdhosjes së gjithçkaje mbështjellë me grinë e vet të frikshme çdo gjë në një vend, ku duket se ura lidhëse me Evropën reale është ende mjaft larg.

Në realitetin shqiptar, po prekim çdo ditë me dhimbje dhe keqardhje, ardhjen e një krize buçitëse, ku varfëria, krimi, analfabetizmi po kthehen në gangrenë. Në këto rrethana, ku janë standardet humane për mbrojtjen e të drejtave njerëzore?

Asgjë nuk është “në drejtimin e duhur”, siç iu pëlqen të trumbetojnë rilindasve, përveç kanabisit, që ka pushtuar fushat e malet tona, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nga zonat urbane në ato rurale, duke u kthyer çdo pëllëmbë e tokës sonë në një depo gjigande droge dhe hashshi për furnizimin e kontinentit të vjetër.

Pushteti, me hallkat e tij të shumta, krijon të gjitha lehtësirat e mundshme për eksportimin e mafies në këtë vend, në vend që të mobilizohet për të luftuar krimin që po bën kërdinë, mobilizohet për të vënë nën kontroll “fakir fukarnejtë”, që nuk kanë të paguajnë energjinë, duke i rrethuar individët më të varfër e më të nëpërkëmbur me përgjime, kërcënime, presione, përjashtime nga puna e dhunime të tjera të gjithëfarshme. Sot vendi është i shyqer cep më cep për mashtruesit e mëdhenj të aferave të krimit të organizuar, por është i mbyllur, në rrethin vicioz të një pushteti që këmbehet politikisht, për hallexhinjtë që janë shumica dërmuese e qytetarëve të këtij vendi.

Në lidhje me skandalin e dy vëllezërve indianë Sandesara, të cilët kërkohen në të gjithë botën me akuzën për pastrimin e rreth 1 miliard dollarëve, skanal që tashmë është përqendruar në Shqipëri, kam qenë ndër të parët që e kam bërë problem mediatik, atëhere kur ende kjo çështje ishte nën ujë dhe e pazbuluar. Por kyreagim u pasua me heshtje, gjersa skandali shpëtheu në sipërfaqe, doli mbi ujë dhe u bë pjesë e reagimit mediatik shqiptar e mbarëbotëror.

Ky skandal që nuk është as i pari dhe druaj se nuk do të jetë as i fundit, fsheh në thelb apatinë dhe korruptimin e institcioneve më të larta publike në Shqipëri, ku kanë hyrë “derri e dosa”, ku tentohet të vijnë plehrat e Evropës, kanë ardhur e ndihen sin ë shtëpinë e tyre të refuzuar, “disidentët“ iranianë, muhaxhedinët, që nuk i mban asnjë vend i botës, urdia e  të penduarve të “hurit e litarit”, të bombave e tritolit, që po e kthejnë këtë vend të një vend të pajetushëm dhe ku sipas anketimeve më të fundit 70 përqind e popullatës për punë ndiejnë nevojën e ikjes nga vendi, në kërkim të një jete tjetër.

Lind pyetja: Pse gjithmonë do të jetë Shqipëria vendi i gumbullimit të llumit?! Si arritën dy vëllezërit të depërtonin në një kohë shumë të shkurtër në shtetin shqiptar, jo vetëm përmes krijimit të dy kompanive ndërtuese, por edhe të marrjes së nënshtetësisë shqiptare?! Pse gjithmonë shqiptarët do të jenë të ekspozuar ndaj tentakulave të mafies rajonale, evropiane e botërore, për hir të interesave dritëshkurtëra të disa shtetarëve të papërgjegjshëm, oligrakë, dhe të lidhur në mijëra fije të dukshme e të padukshme me të keqen?

Dy vëllezërit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike Sterling Biotech. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë rreth 1 miliard dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, pará të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e Sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.

Skandali shpërtheu në janar të vitit të kaluar kur Agjencia e Krimit Ekonomik në Indi arrestoi drejtorin e Andra Bank, bankës më të madhe e cila kishte lëvruar kreditë për vëllezërit Sandesara. Në po të njëjtën kohë autoritetet indiane bllokuan pronat e kompanisë “Sterling Biotech”, e cila u fut në proces falimentimi. Por dy vëllezërit Sandesara u arratisën nga India. Deri vonë autoritetet indiane besonin se Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara ishin arratisur në Nigeri. Por e vërteta ishte krejt ndryshe. Shqipria qe bërë streha e tyre, “Edeni” ku ata përjetonin mrekullinë e shpëtimit nga kthetrat e ligjit dhe të ndëshkimit nga drejtësia.

Skandali me vëllezërit Sandesara  nuk mbyllet me kaq, pasi njëri prej vëllezërve, Nitin Sandesara është shpallur konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri me zyrën e konsullatës së nderit në Abuja. Kjo gjë mund të vërtetohet shumë lehtë nga kushdo vetëm duke bërë një kërkim një listën zyrtrare të konsujve të nderit të Republikës së Shqipërisë në botë.

Kaluan disa kohë dhe askush nuk mbajti e nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë superskandal. Zyrtarët e lartë, direct përgjegjës përsuperskandalin, topin ia pasojnë njëri tjetrit dhe topi nuk ngecnë rrjetën e askujt.

Askush nuk mbajti e nuk mban asnjë përgjegjësi që ky vend është mbushur me muhaxhedinë, që tentativat për të futur plehrat dhe mbetjet e Evropës, mbetjet toskike të SHBA-ve, gjithë sojin e sorollopin e plehërave reale dhe atyre simbolike, kanë qenë konstante dhe janë zmbrapsur deri tani vetëm nga rezitenca e turmave të rebeluara, që nuk kanë pranuar e nuk pranojnë të ndajnë me të tjerët vetëm rrisqet e zeza dhe mbetjet e tyre të gjithëfarshme.

Të humburit gjithmonë mbeten ata që në fund të ditës mezi mbyllin llogarinë e një mbijtese të trishtë, njerëzit e thjeshtë, të varfërit, të pamundurit, që janë të vetmet viktima të këtyre superskandaleve që nuk kanë të sosur…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat