Protestat e pranverës së hershme shqiptare

Opinione

Protestat e pranverës së hershme shqiptare

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 13 prill 2019 Në ora: 11:52
Nexhmedin Saqipi

Pranvera e hershme shqiptare, sjell me vete edhe zërin e protestave, të vazhduara nga ato të mëhershmet, të cilat kanë kaluar kufijtë e demokracisë, duke u kthyer në revolta opozitare me përmasa të dhunës dhe konflikteve qytetare.

Këto protesta, si ajo e paraparë për sot në Shqipëri, ka një emërues të përbashkët: luftën për pushtet! Kjo luftë e pakompromis, nuk zgjedh mjete e metoda për ta rrëzuar Qverinë Rama, e për t’u ngjitur vet në institucion, po ata të cilët dogjën mandatet dhe nuk e kanë për zor ta djegin edhe Shqipërinë.

Zjarrit të këtyre protestave serike po u frynë Partia Demokratike me disa parti të vogla sa për të qenë, duke mos harruar edhe Partinë e Vetëvendosjes kosovare, i cili sindromin e këtyre protestave dëshiron ta shtrijë edhe në Kosovë.

Protestat sa do që janë një formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë qytetare, ato në Shqipëri kanë marrë tjetër erë dhe nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemeve, por përkundrazi prishin imazhin e shtetit shqiptar dhe zhgënjejnë viset e tjera etnike shqiptare.

Në kohën kur Kosova po gjendet në rrugën e drejtë të proceseve dialoguese të finalizimit në Bruksel, qarqe të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë, dëshirojnë ta kthejnë pranverën shqiptare, në një qorrsokak politik dhe kolaps ekonomik.

Protestat e sinkronizuara nga qarqe të ndryshme sot në Shqipëri dhe nesër në Kosovë, nuk i shkojnë për shtati zgjedhjeve presidenciale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e aq më pak të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilët me sy e veshë janë kthyer nga dy shtetet shqiptare për t’i ndihmuar në rrugën e realizimit të kërkesave të tyre të drejta politike dhe historike.

Protestat e pranverës së hershme shqiptare, nuk e kanë as bekimin e ndërkombëtarëve e aq më pak të SHBA-ve, mikut strategjik të shqiptarëve, kudo qofshin ata.

Shqipëria në vend se të konsolidohet si shtet juridik me një opozitë konstruktive, ajo përballet me afera të ndryshme, të cilat në njëfarë mënyre po e pengojnë edhe afirmimin e Kosovës dhe trojeve tjera të etnikumit shqiptar.

Si do që të jetë bilansi i protestave të sotme shqiptare në Tiranë, ato duhet të marrin tjera forma për të shprehur mllefin politik. Çdo kush ka të drejtë të hidhërohet e zemërohet për humbjen e pushtetit, por nuk ka të drejtë t’i bllokoj proceset demokratike dhe t’i shkatërroj vlerat institucional të dala nga vota e lirë qytetare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat