Politikanë që varrosin individualitetin dhe intelektualët komentatorë

Opinione

Politikanë që varrosin individualitetin dhe intelektualët komentatorë

Nga: Azem Parllaku Më: 14 prill 2019 Në ora: 10:53
Azem Parllaku

Njeriu që merret me politikë apo ai që vret mendjen për të mirën e vendit, shtetit, demokracisë, lirisë, qëndron natë e ditë ulur në tavolinën e tij të punës, studion, lexon, krahason, llogarit, mendon thellë e gjatë dhe përgatit konceptin e tij personal të veprimit në favor të atyre për të cilët angazhohet politikisht apo si intelektual. Shembuj të tillë nga historia ka mjaftueshëm. Iluministët për shembull. Francezi Didero me vite sajoi projektin e tij për masivizimin e dijes, e cila atëbotë ishte e rezervuar vetëm për aristokratë, klerikë e monarkë. Rousseau dhe Dickens-i gati me dekada vunë gjithë potencialin e tyre intelektual në shërbim të së drejtës së masave në arsimim human, të barabartë. Reformatori Martin Luther ia kushtoi gjithë jetën po ashtu projektit të tij të proletarizimit të religjionit, duke sjellë si bonos bashkë me këtë edhe gjuhën e sotme standarde gjermane. Si në rrafshin universal po edhe në atë lokal, shembujt e këtillë janë ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë humane. Në historinë moderne shqiptare personalitete, që shihet të kenë vepruar me këtë sistem jo si liderë kauzash të gjata, konceptesh tradicionale e proceseve që për kusht kanë rastësinë “të jesh në kohën dhe vendin e duhur” mund të numërohen: Faik Konica dhe Gjergj Fishta tek veprimtaria e të cilëve shihen qartë konturet e një sistemi të menduar.

Politikani

Pjesa dërrmuese e politikanëve sot rekrutohen dhe angazhohen sipas këtij sistemi: nëpërmjet afërsisë rajonale, fisnore, miqësore, lidhjeve dhe të interesit personal ata aderojnë në një parti politike. Sapo shfaqen publikisht varrosin individualitetin. Nëse u'a analizojmë deklaratat publike konstatojmë lehtë se paragrafët e programeve partiake që i belbëzojnë gjithandej ose janë abstrakte, se nuk u’a dinë origjinën, ose e kundërta e tyre. Po u'a bastisëm agjendën e aktiviteteve mësojmë se asnjë ide konkrete nuk e kanë se si të ndihmojnë elektoratin dhe zonën që përfaqësojnë. Nuk kanë projekt personal për përgjegjësinë që kanë fituar nëpërmjet votave. Ose premtojnë e sjellin ide që nuk përputhen me të mundshmen, të realizueshmen, sepse nuk e njohin as vendin e as problemet që duan t’i zgjidhin. Nëse do të kishte ndodhur ndryshe Shqipëria sot nuk do të kishte kaq shumë probleme. Në vend të studimit dhe thellimit në problemet përreth shërbehen me tema të mëdha si: religjionet, dijen, demokracinë, lirinë, identitetin, çështje këto që nuk trajtohen e zbërthehen dot nga shumica prej tyre, sepse nuk u’a mundëson as habitusi e as kapaciteti që vitrinizojnë. Kjo vlen edhe për primatët e partive politike. Ideologjitë e derdhura në programet e tyre politike janë formula tashmë të demoduara të partive tradicionale e historike të Evropës e përtejoqeanit, si ish të shabllonit majtas-djathtas, kapitalizëm-komunizëm etj. Janë prodhime absolventësh të freskët të shkencave politike, që si duket kanë mësuar paradigmat përmendsh dhe nuk i njohin as minimumin e realiteteteve kulturore, autentike, autoktone të vendit ku funksionojnë. Me një fjalë janë përkthime të pavlershme doktrinash e sistemesh të huaja që gjenden në një stad “shekujsh” para shqiptarëve e që nuk ndezin në shoqëritë që sapo kanë parë dritën e vetëqenies dhe lirisë.

Intelektuali

Flasim për atributin më inflator në gjuhën e shqiptarëve. Çdo shkronjës, vjershëtor, autor i ndonjë libri, gazetar, publicist, pedagog fakulteti, moderues, deputet e quan veten dhe e thërrasin intelektual. Kjo ndodhë në shoqëritë me atë stad arsimimi që ende nuk mund të bëjë dallimin ndërmjet dy sferave shumë të rëndësishme: nuk dallojnë përshkrimin e situatave, multiplikimin e tezave të moçme, protokollimin e realitetit, citimin nga mendimi i thellë, autentik, origjinal, i cili citimet e përshkrimet i përdor vetëm si ilustrim e jo si maskë për të fshehur padijen dhe mungesën e autoritetit brenda një teme të caktuar. Intelektuali dijen e fituar e përdor si instrument për të provuar idenë e tij origjinale retrospektivisht e aktualisht, e jo si version të ndonjë libri të shenjtë me kërkesën: Marksi ka thënë kështu dhe kështu u dashka t’a bëjmë. Nga gjithë ato libra që kemi lexuar artikuj, paraqitje autorësh, diskurse nuk e gjejmë për ta identifikuar e lokalizuar një mendimtar shqiptar që nëpërmjet publicistikës letërsisë, arteve tjera, t’a ketë ndonjë projekt, si ata që përmendëm lartë; arsimin, dijen personale në favor të shoqërisë. Jo të llojit të fiksuar në temat e ditës punë komentatorësh medialë, por të atillë që një dukuri, proces e kanë bërë projekt personal mendimi, reflektimi e kërkimi të zgjidhjeve dhe që vepron konkretisht në këtë drejtim. Nuk mund të ketë veprim të njëmendtë intelektual tek shqiptarët, se përndryshe shqiptarët e shekullit 21 nuk do të kacafyteshin ende me konceptet identitare të shekullit 19, respektivisht të (ri)lindjes së tyre kombëtare; nuk do të flisnin të gjithë për shtetin e keq pa pasur lidhje çfarë është shteti i mirë; nuk do të shkruanin për dashurinë, duke urryer veten më së shumti; nuk do të ulërinin për lirinë, duke dëshiruar prangosjen e tjetrit. Ndoshta shqiptarët nuk janë populli i privilegjuar i frymës universale. Ndoshta, ata kurrë nuk do të nxjerrin nga vetja Goethe, Hegel-ë, Diderot-ë e të kalibrit, ndoshta ata do të ishin të lumtur po të kishin të tillë në miniaturë, intelektualë që kapacitetin e tyre do ta përqendronin për të mirën lokale, të tyre dhe mbase nëpërmjet lokales bëhen modele të aplikueshme për universalen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat