Formimi i komunës së Rugovës, nevojë imediate për rimëkëmbjen e saj ekonomiko-sociale, historike, kulturore dhe turistike!

Opinione

Formimi i komunës së Rugovës, nevojë imediate për rimëkëmbjen e saj ekonomiko-sociale, historike, kulturore dhe turistike!

Nga: Rexhep ELEZAJ Më: 14 prill 2019 Në ora: 18:14
Pamje nga Rugova

Sipas Amartya Sen, hqdefault fitues i çmimit Nobel për ekonomi në vitin 1998, thotë; “Demokracia është faktor kyç në zhvillimin e suksesshëm të sistemit dhe rendit të shoqërisë moderne dhe për zvogëlimin e varfërisë brenda saj, por mënyra më e mirë për arritjen e këtij suksesi kalon përmes decentralizimit të pushtetit qendror, i cili popullsisë lokale i jep shumë më shumë hapësirë për veprim dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejt në politikë bërje dhe ekonomi. Pra, duke hapur mundësi faktike për zgjedhje lokale, në radhë të parë, që si rezultati final i tyre është zgjerimi i demokratizimit dhe i decentralizimit të pushtetit për t’i ikur përformancës së dobët të pushtetit qendror, siç e rritë edhe mundësinë reale për përmirësimin e kushteve dhe gjasave konkrete të zvogëlimit të varfërisë..”!?

Andaj, bazuar mbi këto postulate shkencore në nivel të praktikave ndërkombëtare të forcimit të pushtetit lokal nëpër qendra urbane dhe rurale, gjegjësisht në njësi komunale, sikur të njëjtat kritere po të ishin zbatuar në Kosovë për decentralizim të mirëfilltë të pushtetit qendror, ngjashëm si p.sh. në Gjermani, sot, 20 vite pas luftës, me siguri se do kishim pasur një gjendje krejt ndryshe të zhvillimit ekonomik, social, kulturor dhe sportiv në tërë Kosovën!

Sepse, pa transferimin e plotë të pushtetit qendror në atë lokal nëpër komuna, si bazë dhe shtyllë kryesore e sistemit pluralist-demokratik për zhvillim të gjithmbarshëm nga poshtë-lartë, e jo anasjelltas siç ka ndodhur dhe vazhdon të imponohet pushteti në Kosovë nga lartë-poshtë, kur për projekte me interes për banorët lokal vendimet merren në Prishtinë pa u pyetur fare sovrani (populli), kjo pa dyshim, është shkelje flagrante e Kushtetutës si dhe e normave të demokracive të mirëfillta perëndimore. Rasti drastik i një shkeljeje të këtillë ka ndodhur, pikërisht me aprovimin e ligjit për shpalljen e trevës së Rugovës “Park kombëtar” (Nr. 04/L – 086, 13 dhjetor 2012), me të cilin janë dëmtuar dhe kufizuar rënd interesat e mbi 10 mijë banorëve autoktonë të trevës së Rugovës. Mbase ky ligj vazhdon të implementohet në mënyrë tipike komuniste-centraliste ndaj banorëve të kësaj treve, duke cenuar të drejtat e tyre themelore për të vendosur në mënyrë të pavarur nga pushteti qendror për jetën dhe formën e zhvillimit të vendbanimit të tyre ku jetojnë!

Në bisedat që kam pasur me shumë banorë nga treva e Rugovës lidhur me kufizimet që iu janë bërë të drejtave të tyre mbi pronësinë e tokave dhe lirinë e zgjedhjes së ndërtimit të objekteve ndërtimore me ligjin mbi parkun nacional, Nr. 04/L – 086, 13 dhjetor 2012, ku pa nxjerrjen e lejes përkatëse nga pushtetit qendror në Prishtinë dhe ai komunal në Pejë me një kosto marramendëse, i gjithë komuniteti është privuar nga e drejta e garantuar me Kushtetutë që i lirë dhe pa pengesa të ndërton shtëpi dhe objekte biznesi në Rugovë. Në një zonë malore me popullatë autoktone, siç është treva e Rugovës e banuar me shekuj nga shqiptarët në 14 fshatra dhe prona të tyre private, është absurd i tmerrshëm si dhe diskriminim i llojit më bizar, që banorëve të kësaj treve rurale t’iu diktohet arkitektura, pamja e jashtme e shtëpive dhe lartësia e tyre vertikale..!?

Malësorët e Rugovës shtëpitë e tyre prej kullave të gurit dhe drurit i kanë ndërtuar mbi këto shkrepa shekullore, qysh para mijëra viteve qëkur kanë lindur popujt e kësaj bote, pa marrë kurrë leje ndërtimi nga asnjë pushtet, qoftë ai sundues apo ai okupues nga koha e Perandorisë bizantine, ajo osmane, as nga regjimi i ish Jugosllavisë së vjetër (1918-1941), e as nga regjimi okupues i ish Jugosllavisë komuniste (1945-1999), për të ardhur sot në situatën absurde në Kosovën e lirë dhe të pavarur, që t’u kërkohet leje ndërtimi nga pushteti qendror dhe ai lokal nga ndonjë referent mediokër, të cilët as që e dinë se ku i bie treva e Rugovës, e lere më të kenë lexuar mbi historikun e saj shekullor!?

Malësorët Kelmendas të Rugovës, si njëri ndër fiset më të mëdha ilire, janë të njohur në histori për nga tiparet dhe zakonet e tyre specifike, për traditat e veçanta kulturore, për trashëgiminë antike iliro-dardane, si dhe për dashurinë dhe përkushtimin e tyre magjik ndaj tokave dhe pronave të tyre stërgjyshore, të cilat i kanë mbrojtur me gjakun e mijëra dëshmorëve rugovas..!?

Prandaj, formimi i komunës për këtë trevë (siç dihet ishte ndër komunat e para në Kosovë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore), duhet të bëhet sa më para nga ana e qeverisë së Kosovës, si një e drejt kushtetuese dhe si garant kryesor për zhvillimin më të shpejt të kësaj pjese të begatshme të vendit tonë. Natyrisht, në harmoni të plotë me dëshirat, planet dhe konceptet zhvillimore të vetë banorëve lokal dhe nën përkujdesjen e plotë të strukturave të reja komunale lokale, të cilat si staf vendor i njohin  më së miri rrethanat, kushtet, klimën, ambientin, nevojat, problemet si dhe kërkesat e banorëve për një jetë më të mirë, se sa pushtetarët e komunës së Pejës, të cilët këtë trevë e kanë keqpërdorë dhe shfrytëzuar vetëm si objekt për marrjen e votave  për të ardhur në pushtet..!?

Kjo praktikë dhe logjikë gllabëruese, hileqare, nënçmuese dhe izoluese kundrejt banorëve të trevës së Rugovës, si dhe për shkak të pengesave politike dhe injorimit zhvillimor ndaj saj, duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë, gjë të cilën do e mundësonte më së miri formimi i komunës për trevën e Rugovës me seli në fshatin Drelaj, aty ku ajo ka vepruar para gati 50 viteve, ose në ndonjë lokacion tjetër për të cilin do bien dakord dhe pajtohen vetë banorët e Rugovës..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat