Atyre që iu pengon kandidatura e Blerim Rekës, s’kanë kuptuar asgjë!

Opinione

Atyre që iu pengon kandidatura e Blerim Rekës, s’kanë kuptuar asgjë!

Nga: Lirim Begzati Më: 19 prill 2019 Në ora: 13:53
Blerim Reka

Para dy dekadave, një profesori imë i nderuar i së drejtës kushtetuese, me famë botërore, Jean-François Aubert, na thoshte : « Në demokraci, ndodh që një person të ketë më tepër të drejtë se sa një mijë persona të tjerë, mirëpo mund të ndodh edhe e kundërta»!. Ndërkohë, ai e theksonte edhe atë se, para së gjithash, duhet privilegjuar respektin e ndërsjellë, ndaj njëri tjetrit, përfshirë edhe ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

U kuptua pra se te na, në Maqedoninë e Veriut, sipas rregullave demokratike, u shpalosë një listë e kandidatëve për zgjedhjet presidenciale. Çdonjëri prej tyre i plotëson kushtet për me qenë aty ku është tani. Ata janë të gjithë kandidatë legjitimë, dhe pikë!

Sot për sot, nëse e fusim në përdorim logjikën e shëndosh, nuk ia dalim që ta kuptojmë atë se pse u shprehën të gjitha ato “alergji” ndaj një kandidature shqiptare. Në mënyrë gati se të pakuptueshme, së paku për disa prej nesh, u paraqiten së pari “mllefet” më tepër tek shqiptarët se sa tek dikush tjetër. Kështu jemi ne!? Dy “kundër-kandidatët” tjerë e patën fatin që t’iu nënshtrohen shumë më pakë “pazarllëqeve” të këtij lloj.

Fjalimet “madhështore”, të cilat i vërejmë kohëve të fundit dhe që e mbajnë më tepër ngjyrën e etiketimeve të padrejta se sa diçka tjetër, ndoshta në emër të njëfarë monopolizmi të çuditshëm, dëshmojnë fatkeqësisht një papjekuri të një shkalle të lartë, së paku politike, por edhe një arrogancë të paparë, duke u munduar ta përcjellin atë përmes “anekdotave të tyre” të cilat në fakt nuk janë vërtetë qesharake!

Duket se disa kanë harruar se në të kaluarën, nuk kanë munguar kandidatë shqiptarë për president. Po pra, nuk na qenka hera e parë. Pse dikush paska tani nevojë për me e shprehur “hasëmllëkun” e tij ndaj kandidaturës së një shqiptari, një kandidature të “jashtëzakonshme” sipas atyre.

Kërkojmë president konsensual, dëgjojmë këtu e aty, dëgjojmë sidomos nga ato që kandidatura e “shqiptarit tonë” iu pengon, nga ato të cilët e privilegjojnë “abstraksionin” ndaj disa vlerave që para disa kohërave i konsideronin si të tyre, kurse sot duket se i anashkalojnë, me qëllim apo jo, vështirë me e ditur! Fundja, parimet e konsensualitetit e kanë pikënisjen në nevojën e respektimit paraprak të vlerave të ndërsjella dhe të përbashkëta, përfshirë këtu edhe statusin e çdo kandidature. 

Bile, edhe njëfarë “Zonje profesoreshë” maqedonase, aq e përfolur kohëve të fundit, nuk ngurroi aspak të shpreh një ndjenjë simpatie ndaj kandidatëve qofshin ato maqedonas apo shqiptarë, kurse tek disa njerëzit tanë, gjithë ai mobilizim energjie për me njollosur së pari aktin e kandidaturës, por ndërkohë edhe personalitetin dhe vlerat profesionale të kandidatit shqiptar.

Dëgjojmë atë se gjoja se  “kandidati ynë shqiptar” nuk paska dhënë ndonjë kontribut të veçantë këto vitet e fundit. Vallë, kush është kontributi i “fabrikuesëve” të fjalëve të tilla? Nuk është një punë e vështirë të konstatohet ajo se Blerim Reka ka punuar me siguri shumë e shumë më tepër se sa këto “pseudo analistët e kohës”.

A u kuptua edhe ajo se asnjëri nga kandidatët nuk iu është futur “aventurës” së tillë vetëm për interesa egoiste e personale. Jo aq të sigurt se kjo është kuptuar nga të gjithë! Edhe kandidatura që mbanë titullin “Republika”, i mbanë me siguri ambiciet e saj për mbrojtën e interesave publike, qoftë një fatkeqësi ajo se kemi prej atyre që e kanë vështirë ta kuptojnë sloganin përkatës.

Kurse, sa iu përket diskurseve me prapavijë anekdotike të disa elementeve në adresë të kandidaturave që sipas tyre duken qesharake, për këtë nuk ia vlen me thënë më tepër përveç asaj se anekdotizmi mbetet në fytyrën e tyre, pa pasur nevojë me e shijuar atë diku më larg!

Le të votohet sipas lirive dhe të drejtave që garantohen në një proces zgjedhor, e jo domosdoshmërish sipas këshillave dhe sugjerimeve të atyre që i kanë mësuar përmendsh disa fjalë, pa mos e ditur nganjëherë kuptimin e tyre apo thjeshtë nuk dinë edhe çka flasin, që me vite të tëra!

Neuchâtel (Zvicër), 19.04.2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat