Nuk ka politikë, as rivalitet dhe as shtet, por ka sistem!

Opinione

Nuk ka politikë, as rivalitet dhe as shtet, por ka sistem!

Nga: Aleksandër Rena Më: 19 prill 2019 Në ora: 16:20
Aleksandër Rena

Takoj rastësisht djalin e një personazhi publik të Tiranës këtu në NY (për arsye kofidenciale po i ruaj anonimatin), në një zonë të Manhatanit. Kishte ardhur me studime! Pasi e ftova për një kafe, e pyes për të Atin: Si është babai i them ? Mirë është (më përgjigjet), vetëm se shumë i ngarkuar këto kohë me situatën e rëndë politike që është krijuar në Shqipëri (më thotë), nuk e di a je në dijeni ti apo jo (më drejtohet mua). Po po (i thash), i ndjek lajmet çdo ditë. Madje edhe nga mediat e Amerikës që shkruajnë për Tiranën.

Pasi u ulëm në një lokal dhe morëm diçka për të pirë, i them; po pse babi i ngarkuar ? Po ja (më thotë), e ftojnë nëpër studio të ndryshme si analist dhe spo ka kohë as të më përgjigjet kur e pyes për diçka. Në një anë institucioni ku ai drejton nuk e lë të lirë pa angazhime, në një anë universiteti ku ai jep mësim dhe ajo bela më vete, në anën tjetër ndërkombëtarët që e thërasin shpesh’herë për takime, po tani ja kanë filluar edhe mediat duke e kërkuar çdo ditë pothuajse dhe kështu nuk ka aspak kohë as të ushqehet me ndonjë vakt në shtëpi. Kushedi sa herë zihet me mamin, se i’a lë gjellërat duke i’u prish se nuk shkon të hajë. Po mirë (unë si kurioz e pyes sërish), si erdhe deri këtu me studime dhe a mund t’a di se sa paguan për shkollën nëse mundesh ? Po ja o Aleks, ti e di që babit nuk i’a prishin as ata të ambasadës, madje sa herë që babi ka pas ardh këndej në Amerikë, shkonte edhe në departamentin e shtetit për takime. Pra, ne kemi lidhje të vjetra dhe interesa të ngushta me këtë vend, prandaj nuk ishte e vështirë marja e një vize studimi dhe sigurimi i një burse. Bursë ?! (Ja kthej unë si i habitur me gjysëm toni të ngritur). Po po bursë (më thotë), babai i ka siguru të gjitha.

Po për ndetjen ku qëndron ose banon si mund t’a shqiptoj ndryshe (i thash unë). Ja këtu në Manhatan banoj, jo shumë larg prej këtu ku jemi ulur ne (ma pret). I them; po kjo është zonë e shtrenjtë, a i’a del ? Po ç’janë këto pyetje edhe ti o Aleks, po natyrisht i’a dal, pasi ka punu babi për këtë ditë. Hallall babit i thash, sikur t’a kisha pas edhe unë një të tillë si ky i yti, do kisha bë qejf duke shiju rininë, por ç’e do, ai i imi shofer i gjori ka qenë. Dëgjo Aleks më tha; nëse nuk je pjesë e sistemit, mos prit favore dhe jetë të rehatshme. Sistem ? Për çfarë sistemi e ke fjalën ? Të meresh me partitë politike në Shqipëri këtë quan sistem ti ? Apo të jesh pjesë e shtetit si funksionar ? Jo më tha! Sistem do të thotë, të të vuloset emri dhe mbiemri brenda dhe jashtë territorit. Kudo që të shkosh apo çdo gjë që të duash, të të aprovohet.

A e ke pa babanë tim ? Po i thash. A është përzier ndonjëherë me parti politike në Shqipëri ? Jo i thash. A ka mbetur ndonjëherë pa funksione drejtuese si nga e majta, po ashtu edhe nga e djathta ? Jo i thash. Ai gjithmonë ka drejtuar dhe ka pas funksione politike dhe publike në administratë. E pra e sheh (mu kthye), nëse t’a vulosin emrin dhe mbiemrin në sistem, jo që nuk bëhet fjalë të mbetësh bosh, por çdo pinjoll pasardhës që do mbart mbiemrin tonë, do e ketë derën e hapur. Shkurt, vendosin ca të nëntokës për të gjithë ata që jetojnë mbi tokë. Ky është sistemi! Ahh sa budalla që jam i thash, sikur t’a kisha edhe unë mbiemrin tuaj, kushedi se çdo isha bërë, por ç’e do ky fat na ra. Nuk është punë fati ma ktheu, por trashëgimi genetike, njësoj si trashëgimia historike dhe kulturore. Tamam si ikonat! I ke pa ikonat se çfarë vlere kanë ? Po i thash. Epo ne jemi si ikonat.

E kemi të trashëguar sistemin nga gjyshi, babai, unë dhe pasardhësit tanë. Ne vendosemi për të drejtuar, ndërsa ju, kur them ju, e kam fjalën për banorët e thjeshtë të një Kombi, do të jenë të bindur dhe të nënshtruar vullnetit të mbijetesës ekonomike. Ndonjëri që nuk do të na bindet apo nuk do na serviloset, do e ketë fatin e zi si i arratisur nëpër rrugët e botës. Pra, mos u çudit kur të më shohësh ndonjë ditë të kthyer në Shqipëri, ku të bëj pjesë e vendimarrjes politike atje. Kështu është shkruar! Ju poshtë, ne lartë.

Pija ishte në përfundim dhe pasi u çuam për t’u ndarë sejcili në punën e tij, mu kujtua një shprehje e tim Eti; bir, sado që të luftosh ndershmërisht në këtë botë dhe ndofta do arrish të fitosh ndonjëherë, do të të dal dikush që ka me t’a marr e t’a valvis flamurin e fitores tënde, si stafetën e tij. Ka ustallarë kjo botë që nuk shihen, por që gjenden pranë nesh çdo ditë, të maskuar herë si miq, herë si kolegë, herë si drejtues dhe herë si qytetarë të zakonshëm. Janë po këta që kanë në dorë fatet e njerëzve duke drejtuar sistemin shekullor, mbase edhe më shumë, të Shqipërisë sonë. Thjesht kuptoje që ne nuk kemi pas kurrë as shtet, as politik dhe as rivalitet brenda llojit, por sistem, ku teoria dhe praktika e tyre ka qenë fare e qartë; përça e sundo me luftë klasash, ata lartë, ne poshtë si gjithnjë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat