Pse ne ndryshojmë?

Opinione

Pse ne ndryshojmë?

Nga: Valon Murtezaj Më: 24 prill 2019 Në ora: 13:28
Valon Murtezaj

Apo, pse ne duhet të ndryshojmë, kur dihet që nuk është lehtë të ndryshojmë dhe si disponim i përgjithshëm i qenies njerëzore është të mos ndryshojë?

Çfarë potenciali i ndryshimit është i nevojshëm sot të posedohet, për t’u transformuar në atë mënyrë, dhe në atë shkallë, për t’u përballur efektivisht me kërkesat që na rrethojnë? Si individ, shoqëri, dhe kulturë.

Janë nevojat ato që na lëvizin. Nevojat themelore njerëzore: jeta, siguria, mirëqenia, ndjenja e përkatësisë, shërbesa. Këto bëhen forcat shtytëse dhe katalizatore të ndryshimit dhe transformimit tonë.

Nevojat dhe kërkesat ndryshojnë. Çka është nevojë sot, nuk është nesër, apo mund të mos jetë nesër.

Ambienti global sot i përkthen nevojat dhe i konverton ato, edhe atëherë kur rezistenca jonë tenton të bëj punën e vet. Ne nuk mund t’i ndalojmë ndryshimet. Prandaj, ne nuk duhet të ndalemi as vet.

Por, si të bëhemi lider të vetes në këtë udhëtim, kjo është çështja, apo kompleksja e ditëve tona.

Nëse, në kohët më përpara, ndryshimet e shumta ngjarë në kohë të shkurtër kanë shkaktuar shok kulturor apo shoqëror, sot është evidente që ritmi i ndryshimeve është i shtuar si në intensitet dhe në frekuencë. Si pasojë ne jetojmë në shok të përditshëm, por edhe pse është kështu, ne fillojmë të ndjehemi se nuk ndjehemi të shokuar, pra humbim ndjeshmërinë.

Nëse gjithë kësaj i shtojmë ndikimin e teknologjisë, dhe fenomeneve tjera trende të ndryshimeve globale (me pasojat përcjellëse) atëherë relacioni - ndërmjet nevojave dhe kërkesave për ndryshim në njëren anë, dhe kapacitetit për të adresuar dhe udhëhequr ndryshimet në mënyrën adekuate në anën tjetër - bëhet një konflikt dramatik për shoqërinë njerëzore, gjë që, nëse flasim për shoqëritë, transformimi kërkon më shumë se një gjeneratë.

Prandaj, për të arritur atë që duam t’a arrijmë, sot, është e nevojshme të jemi në proces transformimi të përhershëm, të përshpejtuar, dhe të prijmë me aftësi globale.

Distanca ndërmjet të kaluarës dhe të ardhmes, po ndryshon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat