Kosova- shteti ku të rinjtë nuk e gjejnë më veten

Opinione

Kosova- shteti ku të rinjtë nuk e gjejnë më veten

Nga: Adea Hasi Më: 29 prill 2019 Në ora: 21:09
Adea Hasi

Po të pyesësh pjesën dërmuese të popullatës së Kosovës sa janë të kënaqur me jetën që po bëjnë , do përgjigjen se nuk është kjo Kosova që duan, nuk është ky realiteti që duan të jetojnë, por gjithashtu ky shtet nuk është vendi ku do donin t’i rrisnin fëmijet e tyre.

Besomëni kjo do ishte më e pakta që do dëgjonit, sepse hallet dhe brengat e banorëve të Kosovës janë të shumta, duke filluar nga mosplotësimi i kërkesave më kryesore të mirëqenies. Dëgjon çdo ditë njerëz duke u ankuar, duke qajtur hallin e tyre por edhe duke shprehur mllefin që kanë në shpirt, sepse ky shtet ka dështuar në plotësimin e standardeve të kënaqshme për jetesen e popullatës.

Po të analizosh, Kosova është shtet i vogël, me popullatë të vogël, shtet që kërkon vetëm përkushtim, punë dhe njerëz të vullnetit të mirë që të bëjnë këtë vend të përshtatshëm për jetesë mesatare. Kosova ka potencial zhvillimi, ka popullatë të re, ka miqtë amerikanë, ka ndihma të vazhdueshme nga shtetet evropiane, ka objektiva dhe strategji të ndryshme që shtetet evropiane ia përpilojnë me qëllim lehtësimi, mirëpo mungojnë njerëzit që me gjithë mend dhe shpirt duan ta avancojnë këtë vend.

Mendoj që ne si popullatë kemi pritur mjaftueshëm ndryshimin, jemi mashtruar me vite me rradhë se do bëhet mirë, kemi shpresuar se gjithçka është e përkohshme dhe shpejtë do vijnë gjërat në vendin e duhur. Dhe kështu gjërat kanë rrjedhur me vite, duke kaluar nga një pakënaqësi në tjetrën, nga një skandal në tjetrin, nga një dështim në atë të rradhës mirëpo pesimizmi vetëm sa vjen e shtohet. Mirëpo, shpërthimi i krejt kësaj pakenaqësie vjen te ngjarjet e fundit, tek ikjet masive të të rinjve në vendet e Evropës, në rreshtat e pafund te dyert e ambasadave, tek heqja dorë nga shtetësia kosovare dhe  tek deklarimet publike nga të rinjtë se më nuk e shohin veten në këtë vend  dhe po të kishin mundësi nuk do ktheheshin më kurrë.

Mund të them se kjo është diçka e tmershme, ndoshta më e keqja që mund t’i ndodhte këtij vendi- potenciali kryesor Kosovar – të rinjtë- që janë mundësia e vetme për të ndryshuar këtë garniturë politike dhe për ta shembur këtë formë jetesë, ata që mund ta ndryshojnë Kosovën për të mirë- mu ata po largohen sepse ky vend është ngulfatës për ta, dhe çdo ditë e më shumë po ua zë frymën.

Fatmirësisht, Kosova ka të rinj të shkolluar që gjithmonë e më shumë po u drejtohen shkollave dhe fakulteteve që të arrijnë diçka, të bëhen dikushi. Mirëpo, si po mbarojnë studimet, tek sukseset dhe krenaria e mëparshme zë vend trishtimi, zhgënjimi, pesimizmi dhe dëshpërimi.

Të theksoj se të rinjtë kosovarë shkollohen me sakrifica të shumta të familjeve të tyre. Pastaj, gjatë studimeve edhe vetë studentët punojnë që ta mbajnë veten dhe të mbulojnë shpenzimet e tyre, dhe dërmohen duke punuar dhe mësuar paralelisht sepse i mban shpresa se mundi do u shpërblehet me punë dhe jetesë të mirë. Dhe është rregull i universit që personat që punojnë fort dhe mundohen janë ata që ia dalin mbanë dhe shpërblehen me vendin që meritojnë. E ky rregull bën përjashtim në Kosovën tonë të dashur, sepse edhe po qe më i shkëlqyeri ti nuk do kesh vendin e merituar të punës e as jetesën që e kishe planifikuar. Kështu, që këta të rinj u drejtohen shteteve të Evropës tashmë jo për të arritur  suksese e karrierë, por për të gjetur një punë së paku të përshtatshme për ta, që të sigurojnë një jetesë mesatare, duke lënë arritjet personale në sirtar që ndoshta jeta do ua mundësojë t’i hapin atëherë kur nuk e presin.

Të rinjtë kanë të drejtën të punësohen aty ku e meritojnë, në vende për të cilat janë kualifikuar dhe shkolluar. Mirëpo, në Kosovë duket sikur gjithçka funksionon nga e kundërta, bie fjala përsoni që ka përfunduar për kimi punësohet në sektorë ekonomie.

Di të them se meritokracia nuk funksionon tani për tani, shumë pak shohim të mira në këtë shtet dhe shpresat për më mirë kanë filluar të shuhen.

Të rinjtë po largohen dhe do largoheshin të gjithë po të kishin mundësi, sepse janë lodhur nga barrierat e pafundme, nga kamuflimet, mashtrimet, krizat, papunësia, varfëria, mospërspektiva. Shteti ynë është shëndruar në një vend ku të rinjtë më nuk e gjejnë veten, thjesht nuk pajtohen me faktin që të rrinë në qoshe dhe të shohin tjerët se si manovrojnë me shtetin dhe përfitojnë prej tij. Këtu në njëfarë mënyre e sheh të ardhmen të të copëtohet para syve.

Thonë që edhe nata më e erret mbaron dikur, prandaj shpresoj që edhe kjo periudhe e errët e shtetit tonë të mbarojë sa më shpejtë. Të kthehet ndërshmëria, transparenca dhe vullneti në qeverisje, të vendoset primare mirëqenia dhe standardi i popullit, të zë vend meritokracia dhe rregulli, të kthehen vlerat dhe parimet në këtë vend, por më e rëndësishmja të rinjtë ta ndjejnë veten se i përkasin këtij vendi, ta gjejnë veten këtu dhe të synojnë sukseset dhe karrieren në vendin ku lindën e jo nëpër vendet e huaja. Megjithatë, kjo situatë është larg nga kjo që jemi sot, dhe do jetë akoma më larg nëse politika mbetet e zaptuar nga garnitura aktuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat