Mbijetesa e Kosovës me një lidership jokredibil.

Opinione

Mbijetesa e Kosovës me një lidership jokredibil.

Nga: Mirsad Voca Më: 3 maj 2019 Në ora: 19:58
Mirsad Voca

Është krijuar Shtet jo kredibil me lidership jo kredibil.

Ligji dhe rendi respektohet vetëm sipërfaqësisht në Kosovë. Shteti funksionon vetëm sipërfaqësisht me një lidership jo të besueshëm.

Thaqi, sikurse shumë të tjerë, nuk do të duhej të ketë hapësirë në asnjë rrethanë dhe në asnjë formë në Politikë e lëre më si President i R. së Kosovës për shkak se nuk është dhe nuk ka qenë kurrë i besueshëm, një njeri të cilit nuk mund asesi ti besohet meqënse është si gjithmonë, kundërthënës, i paqënderushëm, llomotitës, me një nivel të paparë të dobët të vokabularit. Shih paraqitjen pranë Komisionit hetues lidhur me dëbimin e qytetarëve turq, i cili është bërë jashtë çdo konvente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Vetëm ky gjest mjafton që Kosovës t’i mbyllet porta për antarësim në Këshill të Evropës. Shih vetëm deklaratat e tij: paradite, është kundër taksës, pas dite për taksën duke pretenduar edhe të marrë kreditë nga kjo; thekson herë termin « korigjim kufijsh », herë “këmbim territoresh”, tani e thotë fjalën “demarkim”, pastaj ka thënë edhe se kompromisi do të jetë i dhimbshëm. Të tri këto terme kanë kuptim të ndryshëm.

Vetëm kjo mjafton që asesi të mos i besohet më asgjë, pa i përmendur deklaratat e tij kundërthënëse të panumërta.

Është zhgënjyese se si mund t’i besohet ende sot një presidenti të tillë. Populli kurrë më parë nuk ka patur nevojë për një lidership më të besueshëm.

Megjithatë, fatkeqësisht ende kështu vazhdon për shkak se pushteti mbetet i uzurpuar. Kjo nuk do mend se mbetja e tij në Politikë është fyerje dhe nënçmim ndaj Popullit të Kosovës.

Besoj se populli e kupton tashmë se Shteti serb nuk është dhe aq i ndryshëm nga ai i viteve të 90-ta, dhe ky Shtet me klasën politike aktuale nuk do t’ia jap Kosovës asnjë cep territori. Përkundrazi, Kosovës do t’i kërkohet territor. Kjo është ajo “dhembshuria” në të cilën aludon H. Thaqi. Nëse i jepet diçka Kosovës, dallimi do të jetë enorm me atë se çka do ti jepet Serbisë.

H. Thaqi, qesharakisht orvatet disi tani ta nxjerrë jashtë loje BE-në e sidomos ta anashkaloj Gjermaninë dhe Francën, e duke apeluar madje Rusinë në ndërmjetësim, për t’i realizuar apetitet e tij për pushtet dhe për ta evituar personalisht Gjykatën speciale e ndoshta edhe për të fituar ndonjë çmim ndërkombëtar

Dhe e këtë po e bën sepse Gjermania po e kundërshton ndryshimin e kufijëve e tani së shpejti edhe Franca.

Atë që bëri Austro-Hungaria pak më shumë se para një shekulli, tani dëshiron ta bëj Gjermania.

Me shpresë se kjo temë për kince këmbim teritoresh do bie nga loja, dhe me ndërmjetësimin fuqizues gjerman e francez, besoj se edhe H.Thaqi me grupin e tij do të përjetojnë fillimin e fundosjes së tyre sepse, çdo lider ka një fund, çdo pushtet perendon, ashtu siç kanë perenduar edhe perandoritë më të fuqishme në Historinë e njerzimit.

Me lidershipin e tanishëm Kosova vetëm mbijeton dhe për pasojë nuk ka antarësim në organizata ndërkombëtare, ka tërheqje të njohjeve, vështirë se do të ketë liberalizim vizash, territori i Kosovës ende rrezikon të tkurret.

Ka zbrazje të Kosovës, degradim edhe më të thellë social dhe ekonomik, drejtësia po bëhet edhe më e çoroditur, dhe si rezultat Shteti është futur në një trajketore regresi në çdo fushë. Dhe e gjithë kjo po bëhet në kurrizë të Popullit, ndërsa këta pushtetarë po bëhen sa më të pasurë aq dhe më të rrezikshëm.

Zgjimi i popullit nënkupton zgjim të demokracisë dhe vetëm mbi një frymë të lirë dhe demokratike, Populli sovran i Kosovës do t’ia arrijë ta ndërroj lidershipin e jo territorin, ta konfirmoj Shtetin e së Drejtës për të cilin jam i bindur se ka qenë edhe ëndërr e çdo luftëtari të lirisë dhe e çdo viktime të luftës së fundit por dhe të tjerave në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat