Kush po tallet dhe po manipulon me ndjenjat dhe pronat e banorëve autokton të trevës së Rugovës...?!

Opinione

Kush po tallet dhe po manipulon me ndjenjat dhe pronat e banorëve autokton të trevës së Rugovës...?!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 4 maj 2019 Në ora: 08:51
Rexhep Elezaj

Ka disa muaj që treva e Rugovës dhe banorët e saj janë bërë objekt i debateve të shumta fyese, manipuluese dhe provokuese, herë për shkak të ligjit për Parkun nacional, herë për ndërtimin e 5 mini-hidrocentraleve mbi lumin Bistrica (Lumbardh), herë për ngritjen e rampës (laurës) në hyrje të grykës së Rugovës, etj., me një fjalë lojëra politike të cilat kanë çuar në acarimin e raporteve midis banorëve të kësaj treve dhe organeve komunale, gjegjësisht atyre qendrore, si dhe në mbajtjen e dy protestave në qendër të qytetit të Pejës kundër këtyre projekteve të dëmshme për këtë rajon nga disa aspekte, sidomos atë ekonomik, hapësinor dhe turistik!

Nuk ka asnjë dyshim, se shkaktarët kryesorë për acarimin e këtyre raporteve, popull-shtet, janë individë të caktuar brenda organeve qeverisëse në nivel komunal dhe qendrorë, të cilët, duke filluar që nga miratimi i ligjit për shpalljen e trevës së Rugovës “Park nacional” në vitin 2013, e deri tek vendimi i fundit i Ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor për ngritjen e rampës (lexo: kontrollit policor) në hyrje të grykës së Rugovës, asnjëherë dhe për asnjë vendim nuk është bërë debat publik me banorët e kësaj treve si dhe me qytetarët e Pejës me rrethinë, të cilët si pronarë dhe shfrytëzues legjitim të kësaj treve më së shumti janë të goditur me këto vendime absurde, antikushtetuese, antidemokratike dhe diskriminuese, ngase askund në botën demokratike dhe shtetet e mirëfillta ligjore nuk mund të merret asnjë vendim, i cilës do natyrë qoftë, pa pëlqimin dhe miratimin paraprak të banorëve vendor për çfarëdo projekti qoftë, apo plani zhvillimor për zonën përkatëse. Kjo, sepse me Kushtetutë dhe ligje të cilat nxirren me qëllim të ruajtjes së interesave dhe avansimit të mirëqenies ekonomike dhe sociale të banorëve dhe qytetarëve në çdo zonë rurale ose qytetare, vendimet për çfarëdo projekti zhvillimor, nuk mund të mirren sikur në sistemin komunist në formë centraliste pa pëlqimin e sovranit, pra popullit, të drejtat dhe obligimet themelore te të cilit janë burim substancial i pushtetit dhe sundimit demokratik të një shoqërie dhe të një shteti ligjor!

Prandaj, duke marrë parasysh faktin se lidhur me asnjë vendim të marrë në nivel të pushtetit qendror dhe atij komunal që ka pasur të bëjë me projektet në fjalë të dedikuar për zonën e Rugovës, bazuar në të gjitha kritereve dhe normat pozitive ligjore në një shtet me sistem demokratik-parlamentar, e që për objekt kanë ruajtjen, zhvillimin, garantimin dhe përmirësimin e kushteve jetësore për secilin qytetar të vendit njësoi, pa dyshim, kanë qenë dhe janë antikushtetuese, jo valide, të pa implementueshme, madje edhe diskriminuese deri në revoltë popullore, e cila mund të ndodhë në çdo çast në trevën e Rugovës, Pejës me rrethinë po qese nuk respektohet vullneti i tyre, sepse me ligjet e aprovuara për projektet e cekura më lartë, janë cenuar rënd të drejtat e qytetarëve për ta ushtruar vullnetin dhe sovranitetin e tyre në marrjen e vendimeve zhvillimore që kanë të bëjnë me jetën e tyre ku jetojnë, punojnë dhe ku i realizojnë të drejtat për një jetë të lirë dhe zhvillim ekonomik pa pengesa ligjore ose të çfarëdo natyre ato qofshin..!?

Deklarata e para pak ditëve e ministrit të Ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, lidhur me shqetësimet e banorëve të Rugovës për vendosjen e laurës (rampës), “se janë disa arsye pse është marrë një vendim i tillë”; se “Për laurat është Kuvendi i Kosovës i cili na ka dhënë kompetencë neve menaxhimin e parqeve nacionale. Janë tri arsye që kemi vendosur që të vendosim laura në Rugovë e parqe nacionale: Parandalimi i prerjes ilegale i drunjve; ndërtimet pa leje në parqe nacionale dhe ndalimin e gjuetisë ilegale, sepse kemi një numër të madh speciesh që janë në rrezik zhdukjeje. Nuk ka lidhje me pagesa dhe ne jemi siguruar që të gjithë banorët që kanë prona dhe familjarët e tyre të mos paguajnë. Në të ardhmen ndoshta do të paguajmë për të parë ato bukuri një shumë të vogël të hollash”, tha Matoshi (burimi: Kallxo.com).

Mjerisht, një deklaratë e këtillë në nivel ministri, thënë më së buti, është skandaloze, miope, antipopullore, qesharake dhe çka jo tjetër, sepse të tallësh me popullin, madje me banorët autokton të trevës kreshnike të Rugovës legjendare, të cilës ministri fare nuk ia njeh historinë dhe rolin e kësaj treve në ruajtjen e strukturës, kulturës dhe gjenezës së pastër etnike shqiptare në Kosovë, duke folur kuturu për gjëra të pa logjikshme, siç është gjoja ndalimi i gjuetisë ilegale që po u bëjka në malët e kësaj treve, duke vendos rampë në fillim të rrugës e cila po e ndalojka gjuetinë në malët e Rugovës diku me dhjetëra kilometra larg rampës, dhe, ku pothuajse nuk ka asnjë “specie”, pra kafshë të egra, ndoshta ka vetëm 4-5 arusha, etj., vertetë është mjerim i llojit më keq, kur një ministër (nuk kam asgjë personle) nuk dinë se çka flet, kur nuk ka fare njohuri për natyrën, reliefin gjeografik dhe përbërjen gjeo-arkeologjike të trevës së Rugovës, madje i cili nuk e dinë se bota shtazore, shpëzore dhe bimore ka dekada që është shkatërruar gati në tërësi në këtë trevë, flet katërcipërisht se vendimet e tyre sikur ky për ngritjen e rampës në hyrje të trevës së Rugovës, përpos se janë kundër interesave të popullatës dhe atyre që duan t’i kalojnë vikendet në bjeshkët e bukura të Rugovës, ato janë edhe dëshmia më e fortë, se vendimet në nivel qendror merren pa u studiuar fare natyra, arsyeshmëria, efekti dhe ndikimi i tyre në jetën normale të qytetarit. Pra, merren sa për t’ia plotësuar epshet egoiste dhe interesat megalomane të disa oligarkëve në pushtet, të cilët sipas informatave joformale, veç i kanë të hartuara projektet për invazimin piratesk të pronave të kësaj treve, siç janë ndërtimet e hoteleve, bizneseve, qendrave rehabilituese dhe sportive, ashtu siç kanë vepruar gjithandej Kosovës duke uzurpuar ose blerë me çmime qesharake pronat shtetërore të Kosovës, mdaje me mijëra hektarë.

Them me bindje të fuqishme, se treva e Rugovës si tokë e shenjtë që është, aty ku i kanë thyer kokcat shumë armiq të shqiptarëve, edhe kësaj radhe do dështon plani i tyre ogurzi, sepse gjithë ata që ia kanë mësyrë shkatërrimit dhe uzurpimit të tokave të saja shekullore dhe denbabaden të trashiguara dhe të punuara nga banorët autokton të kësaj treve, të cilët me asnjë çmim nuk pranojnë sundues dhe bosa ardhacak, kushdo qoftë ai, apo nga kahdo që vijnë me qëllime të dyshimta, do hasin në kundërshtim të ashpër nga gjithë banorët e saj..!?

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat