Vallëzimi i “çmëndur” i presidentit

Opinione

Vallëzimi i “çmëndur” i presidentit

Nga: Fadil Lepaja Më: 8 maj 2019 Në ora: 09:30
Fadil Lepaja

Opozita po e vë në pyetje shëndetin mendorë të presidentit. Opozita nuk po e merr vesh se ai veç po luan. I ka ndreqë senet. Gjithçka e ka në dorë, në këtë vend. Krejt demokracinë e ka në xhep. Me gjykata, me prokurorë, me inteligjencë, me polici, me ushtri, e me sharki. Krejt institucionet tona (a)nacionale. Edhe Rita, njëjtë, po vallëzon, gjysmë lakuriq. Ka kureshtje publike.

Pyetja është, se kush vallëzon më mirë: Rita apo Presidenti? Njëjtë, do të thoshin analistët tonë, të kurdisur. Pas kësaj deklarate, goxha vështirë e ke me kuptua, kujt i bëjnë nderë me këtë krahasim.

Tash, ajo që dikur quhej “striptiz”, ka kuptim jo vetëm vizual. Nuk është fllad veç për sy. Gjithsesi gjëndrat i hallakatë. Ka edhe “Striptiz”moral. Nejse, të dy janë të mirë, them unë. Por ka edhe dallime. Presidenti është më tepër i dhënë kah Facebook-u. Ndërkohë që, Instagrami i ka rrënua televizionet tona lokale. Redaktimin e lajmeve tash e bëjnë vet krijuesit e lajmit. Yjet hyjnë në banjë, me asistim global. Ti veç e shkarkon.

Rita, me një mbulojë të kaltër, sa për mësysh, në një video të shkurtër në Instagram mbulonte shumëçka, që publiku do të dëshironte me pa, ndërkohë që presidenti në komision parlamentar, ku u desht me e “ngreh zhag” për me e qua, , nuk kishte mbulojë dhe po zbulonte shumëçka që publiku nuk do të kishte dashtë me pa. Apo ndoshta është veç paragjykim i imi. Ndoshta publiku, pikërisht këtë e kërkon. Ritës , mami i thoshte me përkëdhelje “Oj e çmendur”, ndërsa presidentit, po ja vë në pikëpyetje arsyen, Xhelali, kryetari i komisionit parlamentar.

Presidenti para komisionit për “Gylenistët” doli krejt i pambrojtur, dhe duke e parë se po e “hanë të gjallë”, filloi me luftua me çka pat. Me fol përçartë. Me bë “striptiz” moral. Nuk kishte marrë as një mbulojë, me mbulua atë që e dinë të gjithë. Hiç, bre.

Për me përshkrua më me kolorit, kisha thanë, presidenti ishte lakuriq, por këtë e kam thënë më herët e nuk po dua të përsëris po aq herë sa përsëritet vet kreu i shtetit, i instaluar në krye të shtetit përkundër vullnetit qytetar. Po kujt i kujtohet tash, se si u bë Hashimi president, ndërkohë që të gjithëve na kujtohet se si u bë Rita yll ndërkombëtar, dhe si na pat bërë krenarë dikur, kur mbështillej me flamurin e Kosovës.

Në komision, “Zvarritësi”, “Boshko Buha”, u nokautuan në raundin e parë ...! Nejse, ajo sharja me “Zvarritsin” ishte përdorur në aferë tjetër, dhe kjo tregon se këshilltarët grindavec të presidentit, janë shterrë. Edhe pse besohet se nuk ka para sa presidenti, Rita nuk e vesh dy herë të njëjtën, lëkurë.

Sido që të jetë, presidenti përfundimisht s’ka nevojë për me vu ndonjë rruazë të kaltër për mësysh, as ndonjë mbulojë, se gjithçka ka dalë në shesh, dhe pas bisedimeve të gjata sekrete qytetarëve u ka kaluar gërdia e parë.

Nuk është sekret më as si u deportuan “gylenistët”, por kush e pranon, se. Gjykatësit i dekreton presidenti. Krejt në xhep, i ka. Në këtë vend feudalët tonë modern, na trajtojnë si pronë, bashkë me asetet, të cilat i kanë blerë në procesin, ndërkombëtarisht të mbikëqyrur të privatizimit.

Mirë boll! Politika përfundimisht është argëtimi numër një i masave. Kur flitet për Ballkanin Perëndimor, mund të përdoret lirisht shprehja “i masave të gjera popullore”, shprehja e famshme që nga ditët e qeta të socializmit, kur argëtimi i vetëm ishte ...! Jo bre, nuk kishte naj argëtim, në socializëm. “Boring”, kishte me thënë çdo adoleshent, qoftë nga këta që shkojnë në shkollë, apo ata që nuk shkojnë. Këta të dytët shkojnë në parlament. Edhe në politikë përgjithësisht. Argëtuesit , janë rehatuar në politikë. Na kënaqën. Rrehen, shahen, këndojnë, e vallëzojnë. Kur asgjë nuk dhezë, bëjnë “striptiz”, live. Striptiz moral, de.

Pra, nuk kishte argëtim në socializëm. Lexonim stripa, ku, Mirko e shpëtonte Sllavkon, pak pa kalue plumbi afër kokës së tij. Por, le, ku atëherë e ku tash. Atëherë argëtim ishte kur shikoje futboll, live, në stadium, apo kur shkoje në ndonjë koncert, po ashtu live, e shumta në ndonjë dasëm ku ndër tym duhani dhe krisma armësh ndiheshe si pjesë e këngëve epike.

Tash, as futbolli nuk është më argëtim. Është angazhim me orar të plotë. Shihi statuset e politikanëve, apo personaliteteve të tjera (të cilat duan të jenë) publike me çdo kusht. Futbolli, tash është çështje kurciale në luftën identitare. Je kërkushi, dhe sapo bëhesh simpatizues i “Barqës”, me automatizëm bahesh pjesë e familjes së madhe të “Emirates...”

As muzika më nuk ka mbetur argëtim. Nuk na prek askund tjetër përpos në gjëndra. Mundesh lirisht me i pa spotet , apo postimet e këngëtareve në rrjete sociale, dhe nuk ndien asnjë nevojë me i “ngue”. Lirsht, e kqyrë pa zë. E ngon, pa za. I kullotë sytë, qysh kish thanë i moçmi.

Edhe presidentitn, lirisht mundesh me e ngue, pa zë. Kur presidenti “vallëzon” lakuriq, në parlament, të gjithë argëtohen. Tash argëtimi nuk e ka vetëm kuptimin e të qeshurit pa lidhje, vend e pa vend. Të qeshurit nuk është më i domosdoshëm, për me u argëtua. Madje, nuk e gjen as në komeditë e sotme. Madje as te barsoleta, ku dominon humori i zi, ose ajo kategoria që quhet “pa lidhje”. Vica, pa lidhje, komedi pa lidhje, politikë pa lidhje, këto e marrin vëmendjen sot.

Në xhepin e presidentit janë akomoduar të gjithë që luajnë rol në shtet. Edhe mediat kryesore. E presidenti tregon barsoleta për publikun e edukuar nga heronjtë e nëntokës. Ushtarët e rrugës vallëzojnë me ritmin e rrugës, nëpër institucione.

Gjithçka përcillet, me sevda kolektive. Kot dyshimet për shëndetin mendor të presidentit. Ai e di mirë se çfarë po bënë. Lëreni bre. Kapuni edhe ju në valle! “Hajde me tupan, hajde me tupan....”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat