Përjetimi i robërisë, vartësia mendore dhe procesi i akulturimit

Opinione

Përjetimi i robërisë, vartësia mendore dhe procesi i akulturimit

Abdulla Mehmeti Nga Abdulla Mehmeti Më 8 maj 2019 Në ora: 18:34
Nga vizita e djeshme e Papës Frakçesku në Shkup

Papa nuk është vetëm autoritet fetar, udhëheqës shpirtëror i besimtarëve kalolikë, por autoritet i lartë ndërkombëtar, personalitet me ndikim të madh në botë, i cili predikon paqe, barazi dhe progres për të gjithë njerëzimin.

Ngathtësia mendore për kuptimin e mesazheve me peshë historike

Nga vizita e djeshme e Papës Frakçesku në Shkup, me qëllim kryesor të vizitës në vendlindjen e Shenjtores Nënë Tereza, u pa qartë se shoqëria shqiptare në Maqedoni vuan nga traumat e rënda të së kaluarës dhe është mendërisht e kontrolluar nga ndikimet e huaja:

- shoqëri që nuk ka program zhvillimi kombëtar, vizion, strategji dhe frymë përparimtare, sidomos të lëvizjes politike të saj;

- nuk ka kujtesë historike kombëtare të zgjuar, por të fjetur, të zbehur e topitur nën robëri të gjatë dhe se është e indoktrinuar thellë nga ideologjitë e huaja politike e fetare;

- nuk i ka ruajtur siç duhet dhe nuk i kultivon sa duhet traditat e lashta të mikpritjes shqiptare, duke e humbur edhe ndjenjën e vlerësimit për mysafirët e lartë të nivelit botëror dhe për momentet historike që rrallëherë përsëriten;

- se është shoqëri me ndjenja euforike, tufë mburravecësh që kultivojnë dhe përhapin krenari të rrejshme dhe patriotizëm folklorik, në të shumtën e rasteve mes llojit të vet, jo edhe karshi të tjerëve dhe botës;

- shoqëri që ka prirje për nënshtrim dhe manipulim, që vuan nga varshmëria për „përkujdesje“, sundim nga të tjerët.

Mbi patologjitë kolektive të papujve që gjatë kohë janë sunduar nga të huajit

Shoqëritë e tilla, që për gjatë kohë i nënshtrohen dhunës, terrorit shtetëror dhe gjenocidit, si dhe procesit të asimilimit dhe akulturimit, më vonë edhe vetë fillojnë të prodhojnë individë, grupe dhe procese shoqërore devijante.

Prаndaj, shoqëritë e tilla kanë nevojë për „terapi“ urgjente emancipimi dhe riedukimi, me të gjitha mjetet e mundshme, për shërim nga mazohizmi dhe varshmëria për sundim nga të huajit;

- ka nevojë të ngutshme për program gjithpërfshirës dhe të detyrueshëm emancipimi kombëtar, rizgjimi politik dhe kulturor;

- ka nevojë për formë thelbësore të organizimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor, sidomos të organizimit politik, për mbijetesë, shpëtimin e qenies kombëtare, e që nuk varet nga cilësia e pushtetit, mënyra e qeverisjes, niveli i zhvillimit ekonomik, qasja ndaj integrimeve globale, por ka nevojë për riedukim në frymën kombëtare, përmes programeve edukative-arsimore ndryshe nga këto aktuale, në të gjitha nivelet e arsimimit, për media të lira të pandikuara nga politika, për shtyp dhe literaturë profesionale dhe të popullarizuar, në frymën e së vërtetës shkencore dhe historike, të kujdesit dhe përgjegjësisë për mbrojtjen e qenies dhe identitetit kombëtar;

- se shoqëria shqiptare në këto hapësira, edhe kur nuk ka sundues, edhe kur askush nuk ia imponon sundimin, nuk ushtron dhunë mbi atë, ka prirje për të shpikur dhe krijuar sundues mbi veten e saj, pa të cilët nuk mund ta paramendojë ekzistencën, organizimin shoqëror dhe shtetëror.

Rehabilitimi i traumave kolektive në shoqëritë që nuk e kanë përjetuar lirinë

Përderisa popujt e përparuar të botës kanë zhvilluar beteja të pandalura ndër shekuj me të huajit, madje edhe luftëra mes racave të veta, për ruajtjen e qenies së tyre, të veçorive dhe identitetit, të interesave strategjike kombëtare dhe shtetërore, shoqësisë sonë të sotme dhe të së ardhmes i imponohet nevoja për fillimin dhe zhvillimin e një beteje të hapur përfundimtare: mes të ligës dhe të mirës, mes errësirës dhe dritës, mes dëmit dhe dobisë, mes regresit dhe progresit, mes nënshtrimit dhe zgjimit kombëtar, mes injorancës dhe qytetarisë, mes xhahilizmit dhe mbrothësisë, mes robërisë dhe paqes, mes dinjitetit dhe poshtërimit, mes nderit dhe paturpësisë, mes interesit personal dhe interesit të përgjithshëm, mes egërsisë dhe mirësisë, mes barbarisë dhe qytetërimit.

Kur sunduesi të duket si çlirimtar dhe shpëtimtar

Shqiptarët në Maqedoni dhe kudo që jetojnë ata, nuk kanë nevojë ta rifillojnë, ta shkruajnë dhe mësojnë historinë e tyre, me çdo fillim të ri të sundimit nga regjimet me orientime të ndryshme ideologjike, nga të vetët dhe nga të huajit!

Pjesëtarët e një populli që nuk kanë ndjeshmëri kombëtare, përgjegjësi historike kolektive, kontroll mbi vetveten dhe fatin e tyre, nuk mund të kenë as shpresa për të ardhmen, nuk kanë pse dhe si ta duan atdheun.

Braktisja edhe pa nevojë e vendit, dhe as shitja e territoreve etnike dhe interesave kombëtare, nuk janë rastësi, por dobësi që duhet t'i flakim sa më parë nga vetja jonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat