Gënjeshtra e kulluar e Baton Haxhiut, se gjermania ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës dhe bombardimit të NATO-s!?

Opinione

Gënjeshtra e kulluar e Baton Haxhiut, se gjermania ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës dhe bombardimit të NATO-s!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 8 maj 2019 Në ora: 18:44
Baton Haxhiu

Në zallamahinë dhe tymnajën e krijuar në opinionin publik muajt e fundit nga deklaratat pompoze, të rrejshme, përçarëse dhe destabilizuese të Baton Haxhiut, madje antikombëtare, mjerisht erdhi edhe rrena e tij e re, se gjoja “Gjermania ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë..”, të cilën e përsëriti edhe në konfliktin verbal me znj. Mesila Deda në emisionin “Opinion” te Blendi Fevziut..!?

Prandaj, si njëri nga mërgimtarët tanë që kam jetuar, punuar dhe vepruar në Gjermani për afër 25 vite, si dëshmitar i ngjarjeve dhe aktiviteteve politike dhe diplomatike që qeveria gjermane i ka bërë në jetësimin e ëndrrës sonë shekullore për liri dhe pavarësi të Kosovës, që nga viti 1990 e deri më sot, për hir të së vërtetës dhe rolit madhor që Gjermania ka luajtur në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, të ndihmave gjigante që ky shtet mik ia ka ofruar popullit shqiptar dhe Kosovës pa asnjë rezervë, dhe të cilat kalojnë shumën prej miliarda eurove, etj., e ndjej të domosdoshme që të reagoj si njohës i mirë i këtyre rrjedhave, ndaj një shpifjeje obskurante dhe armiqësore të Baton Haxhiut ndaj miqësisë shqiptaro-gjermane !?

Më poshtë do i numëroj vetëm disa fakte më kryesore të cilat flasin dhe dëshmojnë katërçipërisht, se pa ndihmën financiare, humanitare dhe angazhimin politik e diplomatik të Gjermanisë, vështirë se do realizohej çlirimi dhe pavarësia e Kosovës:

1. Që nga viti 1990 e deri më sot shteti gjerman do pranojë dhe strehoi mbi 700 mijë azilkërkues politik dhe refugjatë të luftës nga Kosova, duke iu dhënë ndihma sociale të pakufishme, ku mbi 350 mijë e të cilëve edhe sot jetojnë dhe punojnë në këtë shtet demokratik dhe shumë mikpritës,  

2. Në vitin 1992, qeveria gjermane do lejojë vendosjen dhe funksionimin e plotë të qeverisë së Kosovës në exil, duke bërë një presedan diplomatik të pashembullt në botë, madje edhe duke e ndihmuar atë politikisht në forma të ndryshme,

3. Qeveria gjermane do lejojë hapjen e disa fondeve financiare të shqiptarëve në këtë shtet, atë të 3%-shit, fondi “Vendlindja Thërret”, etj., duke i “shkelur” normat e përgjithshme ligjore sipas të cilave asnjë asociacion apo kompani e huaj nuk mund të hapë banka ose fonde të veta në Gjermani,

4. Qeveria gjermane do i mbyllë sytë para formimit dhe veprimtarisë politike “ilegale” të partive politike të LDK-së, të LPK-së, Besëlidhjes shqiptare, etj., si dhe formimin e qindra organizatave politike, shoqatave dhe asociacioneve shqiptare anë e kënd Gjermanisë, kur dihet se në këtë shtet aktivitetet dhe veprimtaria politike e të huajve janë të ndaluara me ligj,

5. Qeveria gjermane do lejojë gjatë viteve 1997-99 hapjen e disa qendrave për rekrutim si dhe pajisje me armë të qindra të rinjve tanë të cilët shkonin në frontin e luftës çlirimtare në Kosovë, duke ua lejuar grumbullimin në veshmbathje, ushqime si dhe forma tjera përgatitore, gjë e cila ishte po ashtu e ndaluar sipas ligjeve të këtij shteti,

6. Qeveria gjermane do lejon mbajtjen e qindra tubimeve dhe protestave kundër regjimit kriminal të Millosheviçit i instaluar në Kosovë (1989-99), të cilat mbase edhe i përkrahte hapur përmes përfaqësuesve të saj politik, deputetëve të Bundestagut, politikanëve të shquar, siç ishte Klaus Kinkel, Hans Dietrich Genscher, Joshka Fisher si dhe shumë figura ushtarake dhe intelektuale të shquar të saj. Po ashtu lejonte botimin e mijëra shkrimeve afirmative për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për luftën çlirimtare në gazetat dhe TV-të më prestigjioze të vendit, për tubimin e ndihmave humanitare nga vetë shoqatat gjermane, etj.

7. Qeveria gjermane do e përkrah pavarësinë e Kosovës në të gjitha takimet dhe forumet ndërkombëtare, duke filluar nga KS i OKB-së e deri tek takimi i Rambujesë, në të gjitha konferencat ndërkombëtare rajonale si dhe atyre të Grupit G-6, etj.,

8. Qeveria gjermane do merr pjesë aktive me aeroplanët e saj në bombardimet e NATO-s mbi Serbinë, duke marrë pjesë për herë të parë në një aksion luftarak pas Luftës së Dytë Botërore, kur dihet se Gjermanisë i ishte ndaluar nga tri fuqitë e mëdha-aleate fituese të LDB-re që të merr pjesë në aksione ushtarake jashtë vendit. Pra, deri atëherë i lejohej të dërgonte trupa ushtarak jashtë vetëm në role paq ruajtëse në botë,

9. Kujtojmë misionin diplomatik të zotit Ischinger në bisedimet e Vjenës për pavarësinë e Kosovës, vendimet politike të kancelarit Schröder, punën e madhe të ish ministrit të jashtëm Joshka Fischer, mik i presidentit Ibrahim Rugova, si dhe misionin e madh të ministrit Sharping në Ballkan që e ndaloi katastrofën humanitare etj., etj. !?

10. Gjermania ishte ndër vendet e para që kishte hapur Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë para shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008, kur vetëm 3 ditë më pas Berlini zyrtar e njohu pavarësinë e Kosovës, duke vendos marrëdhënie diplomatike me Prishtinën si dhe shndërrimin e Zyrës ndërlidhëse në Ambasadë gjermane në Prishtinë,

10. Gjermania është, pa asnjë dyshim, vendi dhe shteti i cili e ka ndihmuar dhe përkrahur më së shumti popullin shqiptar të Kosovës, financiarisht, materialisht, ekonomikisht, politikisht si dhe me ndihma humanitare të cilat kapin shumën prej miliarda eurosh, dhe të njëjtën gjë vazhdon ta bënë edhe sot e kësaj dite..!!

Prandaj, pas gjitha këtyre fakteve të gjalla të dalësh dhe të deklarosh, më mirë më thënë, ta mashtrosh opinionin e gjerë pa fije turpi, se “Gjermania ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës dhe bombardimit të NATO-s ndaj Serbisë..”, siç gënjen rënd B. Haxhiu, është më shumë se krim ordiner si dhe  thikë pas shpine mbi marrëdhënieve historike, miqësore, ekonomike, kulturore dhe tradicionale shqiptaro-kosovaro-gjermane..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat