Papa Françesku për Shën Nënën tonë Tereze (Shkup, 7 maj 2019)

Opinione

Papa Françesku për Shën Nënën tonë Tereze (Shkup, 7 maj 2019)

Nga: Don Lush GJERGJI Më: 9 maj 2019 Në ora: 21:54
Nënë Tereza dhe Papa Françesku

Vizita e parë historike e një Pape në Maqedoninë Veriore, në Shkup, dikur selia e ipeshkvisë sonë Shkup – Prizren, ishte një lloj shtegtimi i tij në vendlindjen e Gonxhe Bojaxhiut, tash Shën Nënës Tereze, si rast dhe mundësi  e jashtëzakonshme për të theksuar rolin, rëndësinë, kuptimin dhe doemthënien e saj për Kishën Katolike ndër ne dhe në botë, për të krishterët, besimtarët, por edhe për çdo njeri të vullnetit dhe zemrës së mirë.

Do t’i citoj pjesët më të rëndësishme të porosive të Papës Françeskut në Shkup për Shën Nënën tonë Tereze.

Në aereoportin e Shkupit

Në përshendetjen në aereoportin e Shkupit,  Papa Françesku  e tregoi  një ndër motivet bazë të vizitës së tij apostolike në Shkup, duke folur për Nënën Tereze, si një model jete dhe bashkëpunimi, bashkëjetese, për Maqedoninë dhe mbarë Ballkanin, edhe më tepër, për Kishën dhe njerëzimin. Ai me fjalë prekëse, domethënëse, kuptimplote dhe emocionuese shprehu nderimin, admirimin, dashurinë për Nënën Tereze duke thënë:

“Dua të nderoj në mёnyrё të veçantë bashkëqytetaren tuaj të shquar e cila, dashurinë ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj të tjerëve e bёri ligj  më të lartë, duke fituar admirimin në mbarё botën. I referohem në mënyrë të qartë asaj që universalisht njihet si Nëna Tereze e Kalkutës ".

"Ajo  lindi në një lagje të Shkupit në vitin 1910, me emrin Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, dhe e zhvilloi apostullimin e saj, bërë me dhurimin e përvuajtur e tё plotë tё vetvetes, në Indi, dhe  përmes motrave të saj mbërrini nё kufijtë më të skajshëm gjeografik dhe ekzistencial tё njerizimit”.

"Jam i lumtur qё pas pak do tё mund tё shkoj për t’u lutur te Memoriali kushtuar asaj, ndërtuar në vendin ku dikur ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, Kishë kjo në të cilën  u pagëzua Nёna Tereze”

“Ju me të drejtë jeni krenarë për këtë Grua të madhe. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me angazhim, përkushtim dhe shpresë, që bijtë dhe bijat e kësaj toke tё mund, sipas shembullit tё saj, të zbulojnë, të arrijnë dhe të rrisin e përforcojnë thirrjen që Zoti ka ëndërruar për ta. Nëna Tereze   diti t’u bënte mirë më të varfërve”.

Në Qendrën Memoriale “Nëna Tereze” në Shkup 

Para  Shatores së Nënës Tereze, si dhe gjatë vizitës së Qendres Memoriale “Nëna Tereze”, Papa Françesku u ndal në lutje dhe në meditim. Ai ndër të tjera tha:

“Të falënderojmë o Zot  për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së  dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.

“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë,  e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

“O Shën Nëna Tereze,  lutu për këtë qytet, për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si nxënës të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi  si Ai, që nuk erdhi për t’i shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

Mesha e Papës në Sheshin “Maqedonia”

Gjatë meshës, që e kremtoi Papa Françesku në sheshin “Maqedonia”, së bashku me kardinaj, ipeshkvijë, meshtarë dhe besimtarë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Kroacia, në pretkun e rastit ai rishtas foli për Nënën Tereze kështu:

“Në çdo Eukaristi, Jezusi thehet dhe shpërndahet dhe na fton edhe ne që të thehemi dhe të ndahemi së bashku me Të, që të marrim pjesë në mrekullinë e shumëzimit të bukës, për të arritur dhe prekur çdo kënd këtij qyteti, të këtij vendi, të kësaj toke me butësi dhe dhembëshuri.

Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mëshëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllau i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllau dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit...

 Ajo mirë e dinte që dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin themelohen së bashku: në më të vegjëlit e takojmë  vetë Jezusin dhe në Jezusin e takojmë Zotin” dhe kjo dashuri është e aftë për ta shuar urinë e Tij”.

Takimi i Papës Françesku me rininë në “Qendrën baritore”

Gjatë takimit me rininë, prapë Papa Françesku e kishte në mend dhe në zemër Nënën Tereze. Duke folur për “ëndrrat e rinisë” ai ndër të tjera nënvizoi këtë:

“Mendojeni Nënën Tereze.  Kur ajo jetonte këtu, nuk mund as ta përfytyronte si do të ishte jeta e saj, por nuk pushoi kurrë së ëndërruari e së përpjekuri për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe, Jezusin, në fytyrat e të gjithë atyre, që qenë flakur në hendeqet e rrugëve. I kishte këmbët të ngulura mirë këtu, në tokën e saj, por nuk rrinte duarkryq. Donte të bëhej lapës i vogël në duart e Zotit. Ja, kjo ishte ëndrra e saj themelore,si kryevepër!”.

“Secili prej jush, si Nëna Tereze, është i thirrur ta punojë jetën me duart e veta, ta marrë seriozisht jetën, ta bëjë diçka vërtet të bukur. Mos lejoni t’jua rrëmbejnë ëndrrat. E mos luftoni kurrë të vetëm. Bashkimi bën fuqinë, bashkimi të ndihmon t’i përballosh të gjitha sfidat e shoqërisë së sotme”.

“Ja një fshehtësi tejet i këndshme për të ëndërruar e për ta bërë jetën tonë një aventurë të bukur. Askush nuk mund t’i bëjë ballë jetës i izoluar, nuk mund t’i jetojë fenë as ëndrrat, pa bashkësinë, vetëm me zemrën e vet, apo i mbyllur ndërmjet katër mureve. Të gjithë kemi nevojë për një bashkësi që të na mbështesë, të na ndihmojë për të ecur përpara krah për krah njëri-tjetrit”.

Në përfundim të takimit Papa Françesku i ftoi të rinjët që së bashku me Të ta lusin uratën e Nënës Tereze:

Të duhen duart e mia, o Zot?

Të duhen duart e mia, o Zot

për t’i ndihmuar

të sëmurë e të varfër,

që kanë aq shumë nevojë?

Merri, janë tuajat,

unë duart t’i dhuroj.

Të duhen këmbët e mia

që të më çojnë ku dikush

kërkon emrin tënd?

Dhe këmbët t’i fali, o Zot!

Të duhet zëri, që sot të flas

fjalët e tua të dashurisë?

Merre, Zot, zërin tim!


Të duhet kjo zemër,

që të duash çdo njeri?

E jotja qoftë

dhe zemra ime, o Zot!

Takimi i Papës Françesku me meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare

Në takimin me meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, si dhe me familjarët e tyre, rishtas Papa Françesku e paraqiti Nënën Tereze si model jete, shërbimi, flijimi, dashurie, misioni, dëshmie dhe shenjtërie, si dëshmitare dhe apostull shumë aktuale për Krishtin dhe Kishën e Tij.

 “Kjo tokë diti t’i dhurojë botës dhe Kishës, në Nënë Terezën, pikërisht një shenjë konkrete se si brishtësia e një njeriu, të shuguruar prej Zotit, është e aftë t’i japë aromë gjithçkaje, përmes parfumit të lumnive, që përhapet mbi këmbët e lodhura të njerëzimit. Sa vetë u qetësuan nga ëmbëlsia e vështrimit të saj, u ngushëlluan nga përkëdhelja e saj, u lehtësuan nga shpresa, e sa edhe u ushqyen nga guximi i fesë së saj, në gjendje t’i bëjë të harruarit ta ndiejnë se nuk ishin harruar nga Zoti! Historinë e shkruajnë këta njerëz, që nuk kanë frikë ta humbasin jetën për dashuri”.

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, (Romë, 8 maj 2010)

“U preka thellë, kur shkova të vizitoj Motrat e Nënë Terezës. Ishin me të varfërit e tyre. Më mrekulloi dhembshuria ungjillore e këtyre grave. E kjo dhembshuri lind nga lutja, nga adhurimi. Ata i mirëpresin të gjithë, ndjehen nëna e motra të të gjithëve, ia dhurojnë dashurinë e tyre të gjithëve. Shpesh ne, të krishterët, e humbasim këtë përmasë. E, kur na mungon dhembshuria, bëhemi tepër seriozë, tepër të thatë. Këto motra janë të ëmbla e bëjnë vepra të ëmbla dashurie. Bamirësi me dhembshuri, jo me hipokrizi. Ndërsa kur bën mirë pa dhembshuri, pa dashuri, është njëlloj si të hedhësh një gotë me uthull të thartë sipër veprës së mirë.  Jo! Bamirësia e tyre është gazmore. Nuk është e ithtë!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat