Larg provokimeve për nxitje urrejtjeve ndëretnike

Opinione

Larg provokimeve për nxitje urrejtjeve ndëretnike

Nga: Fahri Dahri Më: 10 maj 2019 Në ora: 09:45
Fahri Dahri

Në shkrimin e sotëm do të ndalem në shtjellimin e temës sa të habitshme, por dhe irrituese: “Një çam e një grek, në një derë!”. (Si u bashkuan dy armiqtë e përbetuar, që ishin gati të rriheshin edhe fizikisht me njëri-tjetrin). (Botuar në gazetën TEMA me datë 24 prill 2019).

Një kronikë e qartë dhe e plotë e rrugëtimit të SHPAÇ dhe të PDIU-së në përpjekjet për të krijuar hapësira në favor të sensibilizimit të problemit kombëtar, e njohur tashmë si “Çështja Çame”, na e jep z. Mentor Kasa, në shkrimin: ”Një çam e një grek, në një derë”.

Sigurisht e lexova me vëmëndje dhe krahas përshkimit historik të atyre dy subjekteve, më shqetësoi jo pak arritja e konkluzioneve të gabuara të autorit, të cilat dallohen qartë duke filluar që nga titulli i shkrimit aspak i vërtetë, tepër provokues dhe konfliktues.

Nuk është rast i vetëm dhe as i papërsëritur që shumë ashensorë socialë, brenda dhe jashtë shoqërisë tonë, me anë të provokimeve përpiqen të krijojnë ambjente konfliktesh ndëretnike, për të mbajtur në “këmbë” akuzat e sajuara qofshin ato të vjetra apo të reja; edhe pse nuk kanë asgjë të vërteta. Janë pikërisht këto qendrime që e ndjeva të nevojshme për të shfaqur disa mendime.   

Shkurtimisht do të ndaloj në disa nga deklarimet negative të autorit dhe jo vetëm të tij, ndaj problemit kombëtar të “Çështjes Çame dhe Gjenocidit grek ndaj tyre”.

1) Në shkrimin e botuar me titullin e mësipërm të z. Mentor Kasa, gjatë leximit, mënyra se si shqiptohet dhe dëgjohet emri “çam”,krijohet ideja sikur ai komunitet të jetë me identitet etnik jo shqiptar, ose dhe pa identitet. Një cilësim i gabuar i autorit të cilin duhet ta ndreqim.

 2) Të përpjekurit për krijim konflikti të paqenë (siç thuhet në shkrim) mes komunitetit çam dhe komunitetit të minoritetit grek (duke u personifikuar me dy njerës që u quajkërkan Shpëtim dhe Vangjel), është një gabim i rëndë, i cili më e pakta, në kushtet e një shteti ligjor do të përbënte objekt për akuzën: “Nxitjeje konfliktesh dhe urrejtjeje mes fiseve dhe grupimeve shoqërore shqiptare”.

Në se vërtet Idrizi dhe Dule kanë konflikt mes tyre, autori i shkrimit duhet të dijë të dallojë arësyet e vërteta dhe jo të rrëshqasë në krijimin e konflikteve nga ato personale, për të përfshirë disa grupime shoqërore, ku realisht as që vihen re shenja të tilla, jo vetëm sot por për gjithë këto 75 vite bashkëjetese në Shqipëri.

Në këto kushte, në trajtimin e kësaj teme, autori duhej të mbante ekuilibrin e tij mendor në përputhje me Kushtetutën e RSH, me qendrimet reale të shoqërisë tonë ku mbizotërojnë qartë respekti, bashkëjetesa dhe tolerancat ndaj etnive, ngjyrave dhe besimeve fetare.

Në këndvështrimin tim, disa nga arritjet negative janë:

a) Idrizi përpiqet me demagogji gjoja të mbrojë “Çështjen Çame”, kjo bëhet për të përfituar elektorat në favor të tij dhe atyre pranë tij. Se sa e ka arritur këtë synim partiak është shkruar qartë në shkrimin e z. Mentor.

b) Dulja, në rastet e debateve dhe qendrimeve që ka mbajtur dhe mban ndaj “Çështjes Çame dhe gjenocidit grek ndaj tyre”, duhet kuptuar në disa aspekte:

 ● Si individ është përpjekur dhe përpiqet të kryej detyrat për të cilat është ngarkuar nga segmente të veçanta greke kundër “Çështjes Çame dhe gjenocidit grek ndaj tyre”. Arësyet pse ato segmente shtetërore dhe jo shtetërore greke e luftojnë çështjn e shqiptarëve në tërësi dhe të shqiptarëve të Çamërisë dihen. Nëse dikush kërkon sinqerisht ti mësojë le ti drejtohet bibliotekave, librave, internetit dhe historisë. Por me një porosi që historinë ta lexojnë duke filluar të paktën nga fillimet e shekullit të XVII-të.

● Arësyeja e dytë është se z. Dule, për rastin konkret, nuk e njeh historinë as të kohës antike, as të mesjetës së hershme, as të mesjetës së vonë dhe as historinë moderne (megjitëse thonë që është i shkolluar dhe nxënës i Hirësissë së Tij Janullatos).

●  Arësye tjetër është se z. Dule nuk i njeh shqiptarët e rajonit etnik shqiptar të Çamërisë (si ata të krishterë dhe myslimanë). Dule duke mos dashur ti njohë kontributet e dhëna prej shqiptarëve çamë, fqinjëve të tyre mijëvjeçarë të quajtur grekë, bie në grackën e thurrur të megalloideistëve bizantinë, të cilët e ndërsejnë kundër shqiptarëve në tërësi dhe me cilësim të theksuar kundr shqiptarëve të Çamërisë.

Megjithatë askush nuk mundet të arrijë që me qendrimet e tyre të “kushtëzuara” të krijojnë konflikte mes shqiptarëve dhe minoritetit grek. Qoftë ai dhe autori i shkrimit, duhet të mësojnë se shqiptarët e Çamërisë, gjatë pushtimit të Greqisë nga pushtuesit nazifashistë në L2B, u inkuadruan me forcat partizane greke mbi 700 djem dhe vajza çame. Ata luftuan përkrah shokëve, bashkështetasve dhe miqëve të tyre grekë, kundra pushtuesve, ku 68 djem e vajza çame dhanë jetën në luftën për çlirimin e Greqisë nga pushtuesi. Po gjatë asaj periudhe shqiptarët e Çamërisë, bashkë me vllezërit shqiptarë në shtetin Shqiptar dhe me minoritetin grek rezident në Shqipëri, krijuan Çetën “Çamëria”, më pas, krijuan Batalionin “Çamëria” dhe për nder të luftëtarit minoritar grek që ra dëshmor, i vendosën emrin “Batalioni Lefter Talo”.

Edhe gjatë këtyre 75 viteve, ku kemi bashkëjetesë të minoritetit grek dhe çamëve, brenda kufijve të shtetit Shqiptar, nuk kanë ndodhur konflikte shqetësuese gjatë jetesës së përditshme apo  konflikte të natyrës “hakmarrjeje”. Në këto situata tepër të njohura dhe të qarta, nuk i jepet asnjë arësye z. Dule për të mbajtur qendrime negative ndaj “Çështjes Çame dhe gjenocidit grek ndaj tyre”, sikundër edhe z. Idrizi nuk i jepet ndonjë arësye të mbajë qëndrim “zëmërimi” ndaj z. Dule.

Të dy duhet ta kenë të qartë që në mendjet dhe veprimtaritë e tyre politike dhe shoqërore, të mos ngatërrojnë të vërtetat me mashtrimet politike të sajuara nga segmente të veçanta qeveritare dhe klerike. Të dy protagonistët, në shkrimin e autorit, nëse duan t’u dëgjohet emri për punëra të mira, në këndvështrimin tim duhet të përqëndrohen në të drejtat dhe detyrat e programeve të partive të tyre. Kjo do të thotë:

a) Kryetari i PDIU-së, të përqendrohet tek programi i partisë së tij,  tek puna për vendosjen e sistemit të drejtësisë, e cila siguron integrimin dhe unitetin mbarëkombëtar. Ashtu si gjithë partitë le të mbështesë SHPAÇ për të sensibilizuar në mundësitë për zgjidhjen e plagës kombëtare shqiptare që quhet “Çështja Çame dhe gjenocidi grek ndaj tyre”.

b) Kryetar i PBDNJ-së, të përqëndrohet tek programi i partisë së tij,  tek puna për të siguruar të drejtat e njeriut, si të minoritetit grek, ashtu dhe në tërësi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pse jo dhe të të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, nënshtetas dhe rezidentë në Shqipëri.

Besoj askujt nuk i mungojnë  aftësitë të kuptojnë që, ligjërisht dhe zyrtarisht shteti Grek, në marrëdhëniet me shtetin Shqiptar, i ka të ngritura institucionet përkatse legjitime dhe që i ushtrojnë detyrat bilaterale mes dy shteteve. Personalisht nuk mendoj dhe as e konceptoj që ndonjë parti shqiptare apo ndonjë individ kushdo qoftë, të kenë detyrime për të përfaqësuar interesat e një shteti tjetër.

3) Akuzat dhe ironitë që janë hedhur dhe hidhen në tregun mediatik ndaj dy personazheve, nuk ka dyshim se ato janë përpjekje për të nxitur urrejtje mes grupimeve të caktuara. Të tilla ndlrmartje kanë dështuar dhe do të dështojnë, pasi gjithshka që “kurdiset” me paisje prej kallai përthyhet shpejt, ndërsa mes shqiptarëve pa dallim dhe minoriteteve këtu, lidhjet janë të qarta dhe mirëkuptim të plotë bashkëjetese.

Në këtë vështrim tërësor, edhe një herë personalisht, dëshiroj që z. Idrizi me z. Dule të largohen nga mëritë (nëse vërtet kanë), të takohen, të bisedojnë për ecurinë e programeve të partive të tyre, pse jo le të ulen për të pirë edhe káfe. Nuk janë dhe nuk mund të jenë këta përfaqësuesit apo çliruesit nga “prangat” e plagëve të shkuara, kur dihet se problemet mes shteteve të ndryshme janë detyrime kushtetuese të qeverive përkatëse.

Këto koncepte jetese le t’ju vijnë në ndihmë e t’u shërbejnë edhe atyre që fshihen skutave, për të kuptuar se në shoqërinë shqiptare të gjithë janë të respektuar dhe se nuk ka fushëveprimi për të krijuar konflikte artificiale, apo provokime të rëndomta mes grupimeve shoqërore të caktuara.   

I kujtoj këto pak ngjarje për t’ju treguar qoftë dy personazheve të artikulliti, autorit të shkrimit, medieve brenda dhe jashtë kufirit dhe kujtdo që është përpjekur dhe përpiqet për nxitje të urrejtjeve mes fisit çam, shqiptarëve, apo minoritarëve me banim në Shqipëri, se nuk do të arrijnë asnjëherë sukses. Me gjuhën e një filmi shqiptar: “Le të gërrmojnë thellë e më thellë, një qen të ngordhur do të gjejnë”, ndërsa konflikte asnjëherë!. Pa dyshim veprime dhe sjellje të tilla tregojnë veçse injorancë, armiqësi të porositura; ndaj të cilave kërkohet vigjilencë civile dhe shtetërore!.                                

                                                          II                            

Në vijim të trajtimit të kësaj teme, nuk mundet të mos ndalem pak edhe në shkrimin me titull: “Ne do të lodhemi të fundit”!!!, botuar tek gazeta Mapo, datë 27/03/’19. Në këtë shkrim autorja është përpjekur të përgënjeshtrojë mendimet e presidentit grek. Sigurisht është një e drejtë vetmbrojtjeje. Nuk do ndalem tek shtjellimi që i bëhet qendrimeve të shprehura kundër nesh nga presidenti grek, por tek mënyra e përgënjeshtrimit ndaj tij.

Të gjithë e dimë, se asnjë çështje apo problem nuk mund të mbrohet apo përgënjeshtrohet duke përdorur ofeza apo përbuzje, sidomos duke përdorur moshat e thyera kushdo qofshin ata. Nëse presidenti grek është plak, nuk do të thotë se ka rrjedhur dhe se qendrimet agresive ndaj shqiptarëve dhe çamëve në veçanti qenkan rrjedhojë e trurit të rrjedhur. Jo. Nuk është ky argumenti për tu mbrojtur. Realisht ai ka thënë dhe deklaron në vazhdimësi një të vërtetë të madhe, e vërtetë kjo me jetëgjatësi që prej 200 vitesh e shtetit tonë fqinj. Është pikërisht urrejta gjenetike që ka ai shtet kundër shqiptarëve në përgjihësi dhe akoma më shumë kunder shqiptarëve të Çamërisë në veçanti.

Autorja e cek drejt akuzën e palës greke për bashkëpunimin e çamëve me okupatorin. Dihet mbi 700 djem e vajza çame u bashkuan me partizanët grekë kundër pushtuesit gjerman dhe 60-70 të tjerë prej tyre mbështetën të kundërtën. Gjithashtu dihet që pas luftës “davanë” e fitoi forca e djathtë politike greke, e cila bashkë me italo - gjermaninë luftonte kundër të majtës greke dhe partizanëve. Është një e vërtetë, por ja që shteti grek dhe presidentët e tyre mburren për arritjet duke bashkëpunuar me pushtuesit kundër bashkëqytetarëve që luftonin për çlirimin e vendit. Po kështu dihet se në Greqi fitorja ju dha të djathtës greke, jo se ajo e fitoi, por se brenda koalicionit “Aleat”, ishte vendosur që shteti i Athinës do ti kalonte të djathtës, pavarësisht se ishte aleate me okupatorin. Kuptohen si lojra fjalësh, por në atë kohë, vërtet ishin në koalicion Amerika, Anglia dhe BRSS-ja, por koalicioni ishte për të mundur nazifashizmin, ndërsa brenda koalicionit anglo-amerikanët përkrahnin të djathtën greke dhe sipas marrëveshjes, pavarësisht kontributeve ndaj luftës, në Greqi atributet i u dhanë krahut të së djathtës ekstreme. Stalini dridhte mustaqet bashkë me Çurçillin, i cili thithte puron gjatë ndarjes së influecave territoriale, ndërsa “kusuret” e luftës i ranë popullsisë çame, pavarësisht se mbi 95 përqind e tyre nuk u morën aspak me krahët politike të Greqisë dhe as me luftën. Edhe sot shteti Grek, siç dihet nga të gjithë, qendron i fortë sepse mbështetet tek patericat e siguruara nga BE. Ajo, me atë mbështetje, merr hov dhe akuzon vend e pa vend shtetin shqiptar dhe na tregon parimet e demokracisë, të cilat i ka shkelur dhe i shkel në vazhdimësi.

Shteti Grek ka kryer gjenocid ndaj komunitetit autokton çam të dëbuar; ndërsa pjesës tjetër të popullsisë autoktone çame të besimit krishterë, u a ka mbyllur gojën. Ata nuk lejohen të flasin gjuhën e mëmës dhe as të kërkojnë të drejtat e pakicës. Shteti ynë, përpara këtyre akuzave të pandërprera, me dëshirën për të ulur tensionet, zbutur qendrimet dhe zgjidhjen e problemeve të rënda të krijuara në të shkuarën dhe për përmirësimin e marrëdhëniet mes dy shteteve, përpiqet të japë sinjale pozitive, duke u shprehur se mes dy shteteve tona ka marëdhënie “të shkëlqyera”. (Sa mirë do të ishte sikur…)

Sa për problemin e “Çështjes Çame dhe gjenocidit grek ndaj tyre”, sinqerisht dëshiroj që drejtuesit e PDIU-së, nëse vërtet kërkojnë të bëjnë diçka të mirë, mendoj të jenë më të rezervuar në pretendimet për përfaqësimin e “komunitetit çam”. Atyre dhe kujdo partie apo subjekti shoqëror, sipas Kushtetutës u takon të përqëndrohen më shumë në ndihmë të qeverive shqiptare, të majta apo të djathta. Të informojnë dhe depozitojnë materiale dhe dokumente të ndryshme, ku të pasqyrohen të vërtetat e masakrave, përvehtësimet e pronava, dhunimet fizike e moralë dhe dëbimet e dhunshme të të gjithë popullsisë. Të këmbëngulet në forma të ndryshme që shteti shqiptar të kërkojë zgjidhjen e problemit duke paraqitur akuzën përkstëse me argumentet e plota në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Të gjitha këto për të bërë të mundur sigurimin e fillimit të gjykimit të “Gjenocidit grek ndaj shqiprarëve të Çamërisë”. Është e tepërt dhe e tejkaluar që “Çështja Çame dhe gjenocidi grek ndaj tyre”, të trajtohet si çështje politike dhe partiake, tashmë ajo është konsoliduar përfundimisht dhe ka zënë vendin e duhur si “Çështje e rëndësishme kombëtare”. Gjithashtu, si e tillë, i takon shtetit Shqiptar të kërkojë zgjidhjen e saj dhe që aktualisht po e kërkon, sigurisht brenda kufijve që e lejon koha dhe mundësive që i ofrohen.

Së fundi, jo vetëm PDIU, por të gjitha partitë politike duhet ta kuptojnë që “Çështja Çame dhe gjenocidi grek ndaj tyre”, jo vetëm që nuk është çështje fushatash elektorale, por duhet treguar kujdes se duke u përdorur si e tillë, kushdo që e mendon dhe vepron në këtë drejtim, nuk bën gjë tjetër veçse mashtron dhe duhet konsideruar si tentativë për ta thjeshtëzuar dhe anashkaluar problemin!.

Në rolin e vëzhguesit dhe detyrimit moral intelektual, mund të shpreh se Programi i PDIU-së, për sa i përket pretendimit  për mbrojtjejn  e “Çështjes Çame”, është këputur në mes dhe ka zbritur në pikën “zero” posa që kaloi në preferencat e interesave partiake me veprimet e përsëritura të ndërrimit të koalicioneve sa majtas - djathtas, gjë që vërteton qenien e saj shumë larg të të kuptuarit se çështjet kombëtare janë e drejtë e shtetit dhe të gjitha partitë duhet të kenë një zë të përbashkët. Egoja e koalicioneve nuk është tjetër veçse përfitimet ndërpartiake për marrjen e pushtetit, që në demokraci thuhet “Rrotacion politik”.

E keqja, absurdja dhe armiqësia mes shteteve, le ta mësojnë njëherë e mirë, jo vetëm dy kryetarët e partive të cituara, por edhe autori i shkrimit, sëbashku me individë shpërndarës të helmeve për të nxitur urrejtjet ndëretmike, nuk vijnë nga popujt, ato i mbjellin e i kultivojnë kryesisht politikanët, pushtetarët dhe klerikët, për interesa të ndryshme mes tyre, por të përbashkët në veprime.

Prandaj “Larg provokimeve ndëretnike”!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat