Samiti i suksesshëm Brdo-Brijuni në Tiranë dhe oshëtimat e pavlera

Opinione

Samiti i suksesshëm Brdo-Brijuni në Tiranë dhe oshëtimat e pavlera

Nga: Uk Lushi Më: 10 maj 2019 Në ora: 13:27
Uk Lushi

Iniciativa Brdo-Brijuni e krijuar më 2013 është një proces rajonal i krijuar nga Sllovenia dhe Kroacia me mbështetjen e BE-së që ka për qëllim që shtetet ballkanike jashtë BE-së të bëhen pjesë e klubit ku tashmë bëjnë pjesë Sllovenia dhe Kroacia dhe shumica e vendeve europiane.


Objektivat e iniciativës janë stabilizimi i Ballkanit duke forcuar dialogun bi- dhe multi-lateral, bashkëpunimi regjional dhe integrimi europian.
Në vitet paraprake kjo iniciativë ka pasur gjashtë samite. Këtë vit mikpritës dhe zot shtëpie qe Republika e Shqipërisë.
Në kryeqytetin shqiptar ateruan dhe u mblodhën kryetarët e gati krejt shteteve të rajonit, e para e diplomacisë së BE-së dhe Mysafiri i Nderit– kryetari i Polonisë Andrzej Duda. Padyshim një listë nderuese për çdo kryeqytet.
Samiti, shikuar nga çdo aspekt organizativ dhe thelbësor, doli një sukses i shkëlqyeshëm i Tiranës zyrtare dhe sidomos Presidencës.
Mirëpo, fatkeqësisht, disa politikanë shqiptarë, publiku dhe sidomos shumica absolute e medieve tona edhe në raste të tejdukshme suksesi, çuditërisht, vazhdojnë të merren me gjëra të rrejshme dhe krejt minore ndërkaq që provojnë me zell gati maniak, nga padijenia apo dashakeqësia, të hedhin hije mbi sukses.
Në Samit nuk është ftuar Milorad Dodik si udhëheqës i Republika Srpskas, por në Tiranë ai ka qenë si pjesë e triumviratit presidencial të Bosnjës dhe Hercegovinës bashkë me Šefik Džaferović dhe këshilltarin e Željko Komšić.
Në Samit pak politikë meskine bëri edhe i pari i Kosovës, Hashim Thaçi. E para, bojkotimi i darkë-takimit me Dodikun, nuk e ka goditur Dodikun por Republikën e Shqipërisë. Thaçi kishte dërguar mesazhin që deshi në Sarajevë kur para disa ditëve nuk shkoi në Takimin e EBRD-së në kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kryetari Thaçi poashtu nuk pat nevojë të bashkëlozte në teatrin prite-pranoje të fjalëve të forta me presidentin e Serbisë Aleksandar Vučić. Samitet nuk janë vende ku duhet të bëhet politikë meskine për konsum populist të brendshëm dhe veçanërisht kur kjo kontribuon në zgjerimin, sado minimal, të çarjeve mes aktorëve politik shqiptarë.
Një tjetër ngjarje për kritikë ishte edhe protesta e zbehtë e VV-së. Shumë mirë që VV ngriti zërin, por kur nuk je i sigurt që mbledh e pakta 5000 protestues, mos dil në skenë pa u bërë gati sepse arrin më shumë kundërefekt se sa që sjell dobi.
Oshëtimat i gjetën krejt në fund veshët e kryeministrit shqiptar Edi Rama, të cilin, nga inatet banale personalizuese që i kanë plot shqiptarë dhe disa media tonat, plot e akuzuan si komplotist që e kishte ftuar Milorad Dodikun në Tiranë, ndërsa e ftuar ishte Bosnja dhe Hercegovina dhe patroni i Samitit ishte Presidenti Meta.
Sido që të jetë, suksesi i Samitit në Tiranë duhet të na gëzojë të gjithëve, pavarësisht preferencave partiake apo krahinore, ngase kur kanë sukses shtetet tona, ky është sukses përfitues për çdonjërin nga ne.
Samiti në Tiranë, që filloi një ditë para dhe përfundoi më 9 maj, Ditën e Europës, është një omen i mirë që duhet të na bashkojë dhe afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe Europën. Kjo do të ndodh më shpejt dhe më fort, sa më shumë që informohemi drejt, sa më fer që bëhemi dhe nëse më shpesh vendosim veten në këpucët e tjetrit duke kritikuar porse edhe duke vlerësuar pastër një sukses.
Urime Dita e Europës
!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat