Kur isha student në Prishtinë

Opinione

Kur isha student në Prishtinë

Nga: Lis Bukuroca Më: 10 maj 2019 Në ora: 17:13
Lis Bukuroca

Në kohën time botimi i “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe”  nga “Rilindja” qe përjetuar si çast me rëndësi historike. Sot flitet e shkruhet gjuha shqipe pa dashuri, herë-herë si në kohën e Gjergj Fishtës! Dallimi: ne skuqeshim për gabime, sot mburren me paralinguistikën! (Profesor Ruzhdi Ushaku në korridor më pat thënë: “Aq sa është i rëndësishëm libri fetar për një besimtar, aq është FGJSSH për një shqiptar!”) Ishte viti 1980.

Në kohën time botimi i dhjetë veprave të Ismail Kadaresë ishte ditë festive dhe e pritëm si dhuratë, që na vinte nga Shqipëria duke e përjetuar si ringritje dhe si rikrijim i sedrës sonë të nëpërkëmbur. Ishte viti 1980, në vitin 1981, gjatë protestave, u hoqën nga raftet e librarive. Ne duhej të besonim tutje se ishim të keq dhe meritonim diskriminimin! Sot vazhdon lufta kundër identitetit aty ku mbeti Serbia, por tani nga shqiptarë!

Në kohën time për njëzet vjetorin e Fakultetit Filozofik, rreshti ishte dhjetëra metra i gjatë me studentë për të përshëndetur dhe shtrënguar dorën e Elena dhe Ismail Kadaresë; për ta falënderuar për veprën, për krenarinë që na dhuronte dhe ëndrrat që na mundësonte! Sot nuk nderohen dijetarët, por injorantët! Ja pse nuk ka rrugëdalje, pos mërgimit!

Në kohën time ishte turp dhe mallkim të ishte njeriu spiun i Serbisë, madje ai mund të mbetej pa miq dhe pa nuse.  Sot,  shërbëtorët e huaj nderohen me ftesa nëpër debate. Ja pse  nuk kuptojmë projektin e Shërbimit Sekret Serb dhe nuk jemi më në֝ gjendje të dallojnë tradhtarin nga atdhetari!

Në kohën time leximi ishte mburrje: rrihej e shoshitej libri, rrëfehej e përfolej, u këshillohej të tjerëve për lexim, ose merrej e jepej hua. Madje, blerja e librit ishte gëzim! Sot çmendemi me idetë dhe mendimet e njerëzve, që kanë lexuar vetëm një libër, ose asnjë! Ja pse shndërrohemi në dele të zeza!

Në kohën time u ngritëm kundër pushtetit komunist jugosllav, që vidhte krahinën e Kosovës, sot nuk ngriheni kundër cubave të Kosovës, që vjedhin shtetin e Kosovës. Sot durohet degradimi i republikës në krahinë, gjersa është shtet, por, në falimentim e sipër, ose, edhe më keq, në zbrazje e sipër.

Në kohën time flitej për ideale, për kulturë dhe për përparim të vendit. Sot për pasurim të pandershëm dhe për filma nga tre minuta. Ja pse rrënohet ardhmëria e fëmijëve.

Në kohën time bisedat ishin kryesisht për ndryshime, për art, për kulturë, për liri më të madhe, për liritë dhe të drejtat e njeriut. Sot flitet për nepotizëm, për korrupsion, si vidhet shteti, si të kufizohet liria dhe si të kthehemi më shpejtë prapa.

Në kohën time njerëzit që kishin lexuar vetëm një libër, konsideroheshin të rrezikshëm. Sot dëgjohen këshillat e tyre! Ja pse kemi humbur rrugë në oborr dhe nuk e gjejmë derën.

Në kohën time lexoheshin disa libra në javë, sot qindra statuse. Ja pse jemi duke ecur prapa!

Në kohën time besimi fetar konsiderohej i tejkaluar, çështje private, ose shumica nuk e përfillnin. Sot ateistët e djeshëm, janë përkrahës të religjionit, ose urojnë festa fetare, që nuk i besojnë vetë, por motivojnë njerëzit në braktisjen e vlerave, dijes dhe njohurive të epokës së vetë. Forca mesjetë!

Në kohën time mendohej për të nesërmen, sot mendohet për të djeshmen.

Në kohën time për të përparuar lexohej dhe shikohej para. Sot për të ecur para, shikohet prapa. Ja pse vazhdimisht do të zëmë në thua dhe do ta ruajmë vendin e fundit në Europë!

Në kohën ëndërronim të ndërtonim vetë epokën tonë, sot koha e kaluar ndërton të tashmen! Ja pse do të mbetemi të fundit në Europë!

Në kohën time vinin studentë nga bota në Prishtinë, sot nuk është krenari të studiohet në Kosovë, e as të mbarohet aty shkolla fillore. Ja pse nuk do të ketë ardhmëri aty!

Në kohën time ishte krenari të të qenit student në Universitetin e Prishtinës, sot është gati fatkeqësi dhe mungesë rrugëdaljeje!

Në kohë time rrugaçët, të padijshmit shanin dhe përdornin fjalë të ndyta. Sot e bën elita politike dhe parlamentarët! Ja pse do iknin edhe nga dritarja!

Në kohë kur unë isha student, talleshim me dijen e Fadil Hoxhës, Iljaz Kurteshit dhe Xhavit Nimanit, sot tallen me dijen e Ramushit, Thaçit dhe Veselit! Ja pse do të arratisen duke kërcyer edhe nga ballkoni! Nuk ka ndryshuar shumë në lartësi dhe thellësi, pos krenarisë së madhe me cektësinë, por jemi dëmtuar, jemi kthyer prapa në shumë fusha dhe jemi shkapërderdhur kryq e tërthorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat