Përse Hashim Thaçi akuzohet për tradhti kombëtare?

Opinione

Përse Hashim Thaçi akuzohet për tradhti kombëtare?

Hajro Limaj Nga Hajro Limaj Më 13 maj 2019 Në ora: 14:01
Hashim Thaçi

Kosova gjatë muajve të fundit është në një krizë të thellë politike. Deklarimet e papritura, të njëpasnjëshme dhe shume kontradiktore të presidentit Thaçi për ndarjen e Kosoves, shkëmbim territoresh apo korigjim kufijsh, kanë krijuar një tronditje të thellë në unitetin  politik dhe shtetëror, bashkëpunimin e presidentit me qeverinë, të partive politike parlamentare dhe opinoninit të gjerë public në Kosovë, Shqipëri dhe në mbarë Botën Shqiptare. Bazuar në këto deklarime dhe qëndrime të tij, nga një pjesë e politikaneve, qeveritarëve, analistëve dhe të  opinionit të kombit shqiptar, prej kohësh ai është cilësuar dhe vazhdon të  emërtohet hapur “tradhëtar, agjent, i shitur dhe shërbëtor i Serbisë”. Pjesa kryesore e medias së Kosovës atë e vlerëson si një person, i  cili me detyrat e tij si ish ministër i jashtëm, kryeministër dhe tani si president, me veprime publike apo të fshehta,  nuk i ka shërbyer interesave madhore të Kosovës dhe nga negociatat e Brukselit nuk i ka sjellë Kosovës asnjë të mirë. Përkundrazi, me veprime dhe mosveprime, ka çuar me bollëk ujë më shumë në mullinjtë e Serbisë se sa të Kosovës.

Përballë tij po qëndron vendosmërisht kryeministri Ramish Haradinaj, i cili me këmbënguljen e tij i hoqi të drejtat e negociatorit Thaçit dhe nëpërmjet Kuvëndit u ligjërua grupi negociator me dy bashkëkryetarë. Gjithashtu ai, me vendim qeverie, vendosi taksën 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnje-Hercegovinës, deri sa Serbia të njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kryeministri Haradinaj, me gjithë presionet e brendëshme ose të jashtëme nuk u dorëzua dhe po i qëndron këtij vendimi pa lëkundje. Gjithashtu, ai ka deklaruar hapur qëndrimin se nuk do te lejojë asnjë shkëmbim territori apo korigjim kufijsh, të cilat njihen nga 115 vende te botës dhe mbrohen nga NATO dhe Bashkimi Europian. Këto qëndrime diametralisht të kundërta midis presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj tashmë kanë dalë jashte kufijve të Kosovës dhe e kanë vendosur vehten si dhe Kosovën  në shumë pikëpyetje të mëdha. Në vend që politika dhe shteti i ri i Kosovës të vazhdonte intensivisht konsolidimin e te gjitha institucioneve të saj dhe të merrte të drejtën shumë të vonuar të liberalizimit të vizave,si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, të kandidatit për në BE dhe dhe afrimit të standarteve për t’u anëtarësuar në NATO,  i vuri vehtes zjarrin me deklarime, kontradikta, veprime, të cilat do të kërkojnë kohë dhe vendosmëri të kapërcehen, zbuten dhe zgjidhen.                                                                              

Duke qene se kjo është tema e jetës dhe punës time mua me tronditën takimet dhe diskutimet që Thaçi bënte me këshilltarin per sigurinë kombëtare të presidentit amerikan, John Bolton, një emër i evidentuar, ndër më anti kosovarët për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Po kaq me shqetësim e kam përcjellë edhe takimin e Thaçit në Paris me presidentin e Rusisë,Vladimir Putin,i cili është krye armiku i pavarësisë së Kosovës dhe mbështetësi kryesor i Beogradit, politikisht dhe ushtarakisht, për asgjësimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Të jenë harruar kaq shpejt ato drama rrëngjëthëse apo  kemi një tradhëti kombëtare të përgatitur prej kohësh, të cilën e detyruan të shpërthente tani?!!!!

“Unë për këtë kam fol me vite, se duhet të krijohet një vijë ndarëse. Vendet që kanë njohur Kosovën pretendojnë se Kosova ka kufijtë e saj, ndërsa opinioni ynë dhe Kushtetuta flasin se Kosova është pjesë e Serbisë. Ekzistojnë dy zgjidhje parimore, një se Kosova është e pavarur dhee jona, se ajo duhet të ketë shkallë të lartë të autonomisë në kuadër të Serbisë. Asnjëra zgjidhje nuk është e pranueshme nga të dy palët”, ka thënë Dacic  para tre ditesh. Tronditës, revoltues dhe qesharak është deklarimi i Thacit se do te realizojë bashkimin e Luginë së Preshevës me Kosovën pa i dhënë asgjë Serbisë.?! Është bërë prej kohësh e qartë se Thaçi çfarë thotë një herë nuk thotë herën tjetër, duke hapur probleme shumë delicate e të rrezikshme, që e kanë futur Kosovën në qorrsokak e në një vorbull, nga e cila nuk mund të parashikohet se si do të dalë, e plotë apo e gjymtuar.                                                                                                                         

Qëndrimi i Bashkimit Europian me në krye Gjermaninë dhe Anglinë, të cilat kundërshtuan ashpër çdo tentativë të shkembimit të territoreve apo korigjimit të kufijve, fare freskët në takimin e Berlinit, tani për tani, e kanë paralizuar këtë objektiv individual të Thaçit.Por ai përsëri nuk heq dorë. Konseguent në mendimet dhe qëndrimet e tij ai deklaroi se në takimin e 1 Korrikut në Paris me presidentin  serb Vuçiç dhe presidentin Francës, Emanuel Macron,vendi i të cilit historikisht është në mbështetje dhe në bashkëpunim me Beogradin, do ta rihapë ketë temë. Dhe për zgjidhjen e marrëveshjes “gjithëpërfshirëse”, përveç Amerikës kërkon pjesëmarrjen edhe të Rusisë. A mund të fitojnë Kosova dhe kosovarët, përgjithësisht shqiptarët, nga një marrëveshje me praninë, mbështetjen, miratimin e Moskës?! Vetëm Hashim Thaçi e beson këtë përrallë apo ëndërr.                                                                                                                                               

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, gjatë një debati në Forumin Ekonomik te Delfit në Greqi tha se ka një keqkuptim të qëndrimit amerikan për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.                                                                                                                         

“Në bisedimet ndërmjet Serbisë e Kosovës, nuk do të flitet se a do të ketë apo jo ndryshim kufijsh, por për njohje. Serbia duhet ta njohe Kosovën si shtet të pavarur e sovran, ndërsa të njëjtën duhet ta bëjë edhe Kosova”.

E vetmja zgjidhje për Kosovën është vazhdimi i konsolidimit të shtetit sovran, zhvillimi dhe fuqizimi ekonomik i saj, liberalizimi i vizave dhe afrimi për anëtarësimin në NATO dhe në BE.  

Këto përparime integruese, me kushtin europian se pa njohjen e pavarësisë së Kosovës Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE, janë përcaktuese që  Kosova të bëhet një shtet në kuptimin e plotë, si shtetet e tjera sovrane, me  sovranitet dhe integritet të padiskutueshëm territorial.Ndërsa  Serbia duhet të japë llogari ligjërisht për dramat që i ka sjellë Kosovës, siç dha Gjermania e Hitlerit, pas Luftës së Dytë Botërore . Në gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ishin ministrin e informacionit të Milosheviç, presidentin serb, Vuçiç, plot nga qeveritarët dhe shtetarët e lartë të Serbisë, në vitet 1990 dhe të sotëm, duhet të të japin llogari e të dënohen ashpër. Gjithashtu Thaçi duhet kujtohet të kërkojë reperacionet e luftës ndaj Serbisë e jo shkembimin e territoreve! 

Genocidi dhe spastrimi etnik i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftën e viteve 1998-1999, është nga më të rëndat mbas Luftës së Dytë Botrore. Kosova u dogj dhe shkrumua.U vranë rreth 15 mijë shqiptarë, mes tyre  pleq, invalidë, gra e fëmijë, foshnje pak muajshe, duke pirë qumësht në gjirin e nënave. Dhunuan  shtazërisht 18 mijë femra. 1 milion shqiptarë për të shpëtuar gjallë eksoduan jashtë kufijve të Kosovës. Këtë e dëshmojnë varrezat  anë e mbanë Kosovës, varrezat masive të shqiptarëve nëpër Serbi, djegiet e kufomave shqiptare në furrat e shkrirjes të Uzinës së Trepçës në Kosovë dhe në shumë qytete dhe fshatra  të Serbisë, pranë kufijve të Kosovës. Janë rreth 1860 shqiptarë të humbur, mijëra nëna të mbetura pa fëmijë, mijëra gra të mbetura pa burra dhe mijëra fëmijë shqiptarë të mbetur jetimë. Dhe përballë këtij makabriteti shtetëror të pafshehshëm dhe të dokumentuar bollshëm, Serbia, presidenti Vuçiç ,politika dhe qeveria e Serbisë jo vetëm që nuk kërkojnë falje, por vazhdojnë të mos e njohin shtetin e pavarur dhe Sovran të Kosovës, e quajnë akoma krahinë të saj dhe “djep të Serbisë “ si dhe kanë synime dhe pretendime të rrëmbëjnë copa të tjera prej saj. Prandaj Serbia pengon dhe nuk zbaton marrëveshjet me Kosovën. Ajo vazhdon fushatën anti kosovare në të gjitha institucionet ndërkombetare, për të bllokuar njohjet e reja dhe për të anulluar njohjet e mëparshme, intensifikuar sidomos gjatë tre viteve të fundit.                                                                                

Natyrshëm, shumëkujt nga ne shqiptarëvë, i jepen arësye dhe të drejtë të pyesë vetveten dhe të tjerët: Si t’i emërtojmë qëndrimet, deklarimet, mosveprimet e Hashim Thaçit: Misionarizëm dhe mercenarizëm? Tradhëti të ndërgjegjëshme? Pa përgjegjëshmëri? Thjeshtë papjekuri politike?!!

*Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat