Kur aberracionet "gjenetike" të politikës dalin jashtë natyrës njerëzore

Opinione

Kur aberracionet "gjenetike" të politikës dalin jashtë natyrës njerëzore

Nga: Kastriot Aliaj Më: 15 maj 2019 Në ora: 16:00
Kastriot Aliaj

E vemja filozofi që po dominon programin "gjenetik" të opozitës shqiptare, larg perceptimeve të natyrës njerëzore, është dhe mbetet modeli i dhunës, i cili bie ndesh me parimet dhe normat demokratike. Ky model me përmbajtje agresive, që ajo po demonstron ndaj institucioneve, po e largon gjithnjë e më shumë nga konturet e demokracisë liberale. Me këtë diskurs artificial, ajo po lirohet nga çdo obligim ndaj realitetit dhe detyrimeve që ka, në marrëdhëniet me politikën dhe shoqërinë shqiptare. Sjelljet dhe qëndrimet përçudnuese, jo vetëm ndaj kundërshtareve politikë, por edhe ndaj ndërkombëtareve, po e ravijëzojnë gjithnjë e më shumë me nota arrogante. Drejtuesit aktual që po vuajnë traslokucionin "gjenetik" brenda vetes, po provojnë aftësitë e tyre, për të ekzaltuar grupe shoqërore të shtresave të ndryshme, për t'u induktuar pasionet dhe ndjenjat e kundërshtimit anti-ligj, anti reformë e anti-ndryshim.

Këto sjellje të kujtojnë sociologun francez Gustave Le Bon, i cili duke hetuar psikologjinë e masave, e kishte kuptuar se atje ku sundon një elitë kokëfortë, mundësohet mashtrimi dhe manipulimi i mendjeve në sinkron me atë të drejtueseve. Kështu kjo opozitë e kalcinuar nga dhuna, duke bërë pakte me mbështetësit e saj, u premton atyre qiejt dhe parajsën me të ardhur në pushtet. Presionet dhe shantazhet për të pranuar kushtet  e hartuara në parlamentin e rrugës, duke mënjanuar dhe injoruar institucionet demokratike, përbën kolapsin dhe degradimin politik brenda saj. Kjo patologji dhune është kthyer në ideologji sunduese, me të cilën po ushqen edhe mbështetësit rrotull saj. Kjo filozofi, fatkeqësisht po kthehet në kulturë mendimi e veprimi, duke dalë jashtë natyrës njerëzore. Kjo praktikë bie në kundërshtim me parimet dhe normat, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë demokracitë moderne.

Praktika e tyre mbështetet mbi modele të kreativitetit demokratik, të cilat e përjashtojnë dhunën për zgjidhjen e konflikteve politike ndërinstitucionale e shtetërore. Ky program "gjenetik" që ka ndërtuar opozita, nuk përkon me vlerat e kulturës demokratike, sepse bie ndesh me parimet dhe normat që rregullojnë dhe mbajnë në këmbë këtë sistem. Në kulturën politike të këtyre individëve, që janë vënë në krye të protestave të rrugës, nuk ka paqe e hapësira për komunikim konstruktiv. Në vend të dialogut dhe deduksioneve politike, përgjigjen e merr me bomba "molotov" e mjete të tjera që janë të pajisur protestuesit.

Deri këtu ka rënë arsyeja dhe logjika e kësaj elite politike, që është vënë në krye të "revolucionit për përmbysjen e qeverisë me dhunë. Ky "revolucion" i opozitës shqiptare, nuk ka asnjë ndryshim nga ai i rebelizmit të Qamil Zyber Xhametës, ose i quajtur ndryshe(Haxhi Qamili).Kryengritja e fshatarëve të Shqipërisë së mesme e vitit 1914,e udhëhequr prej tij, nuk njihte tjetër gjuhë politike, për t'u marrë vesh me çifligarët e asaj kohe, përveç djegieve, plaçkitjeve dhe shkatërrimeve të pronave të tyre. Të njëjtën praktikë po ndjek edhe opozita shqiptare, që është pushtuar nga dëshpërimi i etheve për pushtet, duke shpërfillur dhe mos pranuar as këshillat e aleatëve tanë strategjikë SHBA e BE, që i rekomandojnë vetëpërmbajtje e dialog politik.

Kjo tablo e zezë që po vizaton politika e vjetër brenda saj, që përkthehet "vandalizëm" është vënë nën trininë apokaliptike të "Haxhi Qamilëve" të sotëm, Sali Berisha, Lulëzim Basha e Monika Kryemadhi. Këta krerë të kësaj hidre, që përfytyrojnë ambicion, lakmi për pushtet nën efektin e etheve të verbërisë politike, po nxisin kaotizmin dhe destabilitetin brenda radhëve të shoqërisë demokratike. Por përcaktimin profetik të veprimtarisë së tyre, e gjejmë tek vargjet e eruditit Faik Konica,i cili ironizonte dhe thumbonte shqiptarët që nuk punonin për Shqipërinë, por për interesat e ngushta egoiste. I irrituar nga egoizmi dhe cinizmi që i karakterizonte, duke mos kursyer ironinë e profilizimit të tyre, ai shkruante; "Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë, që të mbetemi pa dritë, është turp për kësi krimbash, të mundohet një komb trimash". Historia botërore e përplasjeve shoqërore, sjell mjaftë shembuj që e përjashtojnë dhunën, si mjet i dëmshëm që nuk të çon asnjëherë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politiko-shoqërore. Një mësim i madh për njerëzimin është indiani Gandhi(Gandi),udhëheqësi i revolucionit popullor, të ndërtuar dhe modeluar pa përdorimin e dhunës .Me filozofinë dhe strategjinë e tij për  liri e pavarësi, ai e përjashtonte dhunën, duke u bazuar në konceptin "Ahimsa".Ky term, kishte si domethënie dhe shprehje  të botës së tij të brendshme thënien; "Të përmbahemi nga çdo gjë që është e dëmshme".

Por kuptimi i plotë i fjalës personifikuese të tij"Ahimsa",do të thoshte për mos përdorimin e dhunës. Kjo fjalë për Gandin kishte një kuptim akoma më të lartë, sepse sipas tij nuk mund të ofendosh askënd dhe nuk mund të ushqesh mendime jo bamirësie, madje edhe për ata që i konsideroni armiqtë tuaj". Por fatkeqësisht opozita në Shqipëri, përgjegjësitë për detyrat e saj, në marrëdhëniet me shtetin institucionet dhe shoqërinë i ka konvertuar në filozofi dhunë. Në çdo shtet demokratik politika konsiderohet proces, përmes të cilit çdo shoqëri edhe pse me interesa e mendime të kundërta, merr vendime të përbashkëta.

Ky proces që brenda tij përfshin bindjen dhe negocimin, ka si instrumente pushtetin, kompetencat por edhe elementë të forcës, që sigurojnë qetësinë publike por edhe vendimet e përbashkëta në interes të qytetarëve. Kjo që po ndodh me opozitën tonë është një dëshmi e hidhur, e cila po e detyron shoqërinë shqiptare të paguajë një çmim të lartë, duke lënë në mes të rrugës programin aq të domosdoshëm të reformave, që janë bërthama "nukleare" e procesit integrues. Me këtë vizion radikal jashtë kritereve demokratike, ajo po dëmton jo vetëm vetveten por edhe marrëdhëniet e përbashkëta, që ka aq shumë nevojë çdo komunitet në shoqëritë demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat