Vuçiqi me njohjen e Kosovës drejt Çmimit Nobel për Paqe!

Opinione

Vuçiqi me njohjen e Kosovës drejt Çmimit Nobel për Paqe!

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 15 maj 2019 Në ora: 19:50
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

*** Parisi, shansi i par֝ë  historik, që Serbia të zgjedhë paqen, jo luftën  me shqiptarët  në Ballkan

 Për ta arritur një sukses të këtillë populli, politika, kisha, akademia dhe shteti serb, që tani, duhet ta ngarkojnë presidentin e tyre  të moderuar, Aleksandar Vuçiq, që në Paris të përcjellë mesazhin e tyre historik për lidhjen e paqes së përhershme me shqiptarët në Ballkan, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, ashtu si e kanë njohur Amerika së bashku me 23 shtete të Bashkimit Evropian (BE), si dhe 100 shtete të tjera anëtare të OKB-së (2008-2019).

Ky diskurs historik i politikës dhe i diplomacisë së lidershipit zrytar të Beogradit, do të ishte hapja e kapitullit të parë paqësor të Serbisë me shqiptarët në Ballkan.

  *  *  *

Pas përfudimit të Konferencës së Berlinit të Ballkanit Perëndimor , bërë më 29 prill 2019  me iniciativën e  kancelares gjermane, Angela Merkel dhe  të kryetarit të Francës, Emanuel Macron, vëmendja e opinionit ballkanik është përqëndruar në Parisin e Francës, ku më 1 korrik, do të fillojë punimet Konferenca për çështjen e Kosovës, të cilën Serbia nuk po e njeh  si shtet të  pavarur dhe sovran , edhe pse deri tani  këtë e kanë njohur mbi 100 shtete anëtare të OKB-së (17 shkurt 2008-2019).

Nga Konferenca e Parisit për marrëdhëniet e Kosovës dhe të Serbisë pritet shumë se Franca dhe Gjermania, për herë të parë në historinë e marrëdhënieve diplomatike të Evropës, do t’ia arrijnë që ta bindin Serbinë ta pranojë opsionin paqësor për njohjen e Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008).

 Presidenti  Aleksandar Vuçiq ka shansin historik që në Konferencën e Parisit (korrik 2019), të promovohet si lider politik paqësor i formatit evropian (siç ishin Charle de Gaulle, Konrad Adenauer, Willy Brandt, Mihail Gorbaçov), nëse njeh pavarësinë e Kosovës. Ndryshe, do të ngelë një vazal në “përqafimin” ideologjik të barbarit çetniko-fashist Vojislav Sheshel dhe i fundamentalizmit ekstrem nacionalshovinist  dhe fashist të Kishës Ortodokse Serbe, duke e zhgynjyer Evropën dhe Amerikën si  reformator i Serbisë

 Duke qenë se ky është një realitet i pakthyeshëm, udhëheqja e lartë politike shtetërore e Serbisë me presidentin Aleksandër Vuçiq në krye, duhet të pranojë që, njëherë e përgjithmonë ka humbur koloninë 100-vjeçare të saj-Kosovën (1912-1999).

Njohja e Kosovës nga krerët politikë shtetërorë të Beogradit, pa dyshim se do të ishte shpëtimi  i Serbisë dhe, njëherazi edhe i Ballkanit nga luftërat e përgjakshme mes serbëve dhe shqiptarëve, ku do të involvoheshin edhe popujt e tjerë, si dhe fuqitë e mëdha të Evropës, ashtu sikurse dikur gjatë shekujve XIX dhe XX.

Popujt e Ballkanit me sy nga Parisi 

Nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq e njeh historinë e vërtetë (jo atë të falsifikuar me shekuj nga kisha, nga shteti dhe nga shkenca serbomadhe) të marrëdhënive serbo-shqiptare , të paktën  që nga Kongresi i Berlinit, 1878, kur Serbia njihet si shtet i pavrur brenda kufijve territorial֝ë të Shqipërisë Etnike, që ndodhej  brenda Vilajetit të Kosovës, siç ishin  “Sanxhaku i Nishit, Prokupla, Vranja, Lekovci, Toplica, Kosanica, Tupalla,  Bllaca, Kurshumlia…etj.”.

Mirëpo, ndryshe nga fati i zi i këtyre territoreve indigjene shqiptare, që përfunduan nën Serbi për shkak të vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (1878),  pjesa tjetër e Vilajetit të Kosovës, duke përfshirë edhe Novi Pazarin kishin ngelur jashtë kufijve territorialë të Serbisë.

 Pra, me një fjalë, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, me gjithë humbjen e territoreve të tjera të Sanxhakut të Nishit, të theksuara më sipër, Kosova dhe Saznxhaku i Novi Pazarit  nuk figuronin në hartën e kufijve të Serbisë, por kishin ngelur si territore jashtë të saj nën sundimin administrativ të Perandorisë Osmane), SIGURISHT se do ta ketë lehtë, që në Konferencën e Parisit (1 korrik 2019) ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës, thjesht për faktin se Kosova, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk mund të mbahen të kolonizuara përjetësisht nga Serbia kolonialiste.

Këtë duhet ta mbajë parasysh si shteti, si kisha, si shkenca, ashtu dhe i gjithë populli serb. Këtë e kanë provuar edhe shumë shembuj nga historia e kaluar e Fuqive të Mëdha të Evropës, të cilat, me gjithë gjatësinë shekullore nuk kanë mundur që përgjithmonë t’i mbajnë nën sundimin e tyre të egër kolonial në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën latine.

 Prandaj,  ka ardhur koha, që edhe shteti, edhe kisha, edhe akademia, edhe populli serb, m’u në Konferencën e Parisit, më 1 korrik 2019,  të heqin dorë nga kolonitë e tyre shqiptare dhe, në vend të luftërave kolonizuese dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve,  të zgjedhin paqen, drejtësinë dhe koekzistencën e qëndrueshme dhe racionale me shqiptarët.

Si populli serb, ashtu edhe Serbia me presidentin e tyre Aleksandar Vuçiq në krye, duhet të tregohen racionalë, vizionarë, humanë dhe të drejtë në njohjen e domosdoshme të Republikës së Pavarur dhe Sovrane të Kosovës ( e cila dikur ishte vetëm koloni e Serbisë, 1912-1999),  ashtu sikurse  u dëshmuan populli frëng dhe Franca me kryetarin-gjeneralin historik  Charles de Gaulle në krye, duke njohur pavarësinë e Alegjerisë ( e cila, jo më pak se 130 vjet ishte koloni e Francës)  sipas Marrëveshjeve të Evianit (7-17 mars 1962), të negociuar ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Pestë Franceze dhe përfaqësuesve të Frontit për Çlirimin Kombëtar të Alegjerisë, të nënshrkuar në Evian të Francës, më 18 mars 1962.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat