Mbijetesa e shkollës dhe mësuesit e lirisë

Opinione

Mbijetesa e shkollës dhe mësuesit e lirisë

Nga: Ramiz Spahiu Më: 15 maj 2019 Në ora: 21:37
Ramiz Spahiu

Historia e shkollës shqipe është një dhe e pandarë nga historia e popullit tonë. Ajo sikur është e pandarë edhe nga përvuajtshmëria dhe lufta. Që kur zuri fill e këtej,  çdo hap e bëri me sakrifica të mëdha. Gjatë rrugëtimit, shkolla shqipe u përball me vështirësi nga më të ndryshme. Pionerëve  të parë të shkollës sonë u është dashur ta mbrojnë dhe ta perhapin me vështirësi të panumërta, e shpesh edhe me gjakun e tyre çdo shkronjë të alfabetit shqip. Në historinë e shkollës shqipe janë të shumtë arsimtarët që janë djegur, persekutuar, vrarë e martirizuar për idetë dhe veprimaritë e tyre patriotike. I kujtojmë në këtë rast dëshmorët e arsimit kombtar: P.Budi, N.Veqilharxhi, P.Sotiri, K.Negovani, P.Nini Luarasi, Luigj Gurakuqi, Shtjefen Gjeçovi, Gjon Serreqi, Ali Gashi, Fazli Grejqevci e të tjerë.

Kujtojmë këtu shkollën shqipe në Kosovë në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, si dhe ngjarjet e asaj kohe: helmimet e nxënësve shqiptarë, mbyllejn e shkollave dhe përzënien e nxënësve shqiptarë nga objektet shkollore,  puna në shtëpitë-shkolla, punën e arsimtarëve pa paga, vetëfinancimin  dhe pagat simbolike prej 20 - 40 marka gjermane në muaj, represioni ndaj drejtuesve të shkollës, arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve, ndërprerja e rifillimi i mësimit gjatë kohës së luftës, më pas shkolla e “llastikut” nëpër male në kohë lufte, organizimi i shkollës nëpër kampe te refugjatëve e tjera. Ishin ato vitet e vështirësive e sprovave më të mëdha me të cilat u përball dhe ia doli shkolla shqipe. Këto ishin pengesa të mëdha, por jo edhe të kapërcyeshme për ne. Mobilizimi masiv i arsimtarëve, nxënësve e prindërve si dhe vendosmëria e madhe dhe sakrifica kolektive e tyre, bëri që me çdo kusht shkolla shqipe të mbijetojnë.

Prandaj, një kaptinë e veçantë dhe shumë e rëndësishme në historinë bashkëkohore të shkollës shqipe është menyra e organizimit të mësimit në kushte të okupimit, resistenca kundër dhunës serbe dhe mbijetesa e shkollës shqipe. Dhe, sa herë e kujtojmë luftën dhe kohën kur mbijetoi shkolla shqipe, duhet gjithësesi ta kujtojmë edhe obligimin që kemi ndaj nxënësve e arsimtarëve tanë edhe ndaj gjithë atyre që sakrifikuan çdo gjë, duke dhënë edhe jetën për shkollën shqipe, për lirinë e Kosovës.

Nga lufta dolëm me përjetime shumë të dhëmbshme që është vështirë të përshkruhen, me djegie dhe shkatrrime të mëdha, por edhe me nxënës dhe arsimtarë të vrarë, të plagosur, të zhdukur dhe të burgosur. Gjatë luftës në komunën e Skenderajt, barbarët serbë kanë vrarë dhe masakruar 66 nxënës dhe 33 arsimtarë e punëtor  të shkollës si dhe u plagosën 26 nxënës dhe 15 arsimtarë, kurse të zhdukur konsiderohen 15 nxënës e 5 arsimtarë, ndërkaq u burgosen 6 arsimtarë. Ky numër do te ishte edhe shumë më i madh  po t’i shtonim edhe arsimtarët dëshmor që ishin duke punuar jasht komunës sonë.

Përveç shtëpive, në luftë janë djegur dhe shkatërruar plotësisht 8 objekte shkollore, 15 sosh janë djegur dhe shkatërruar pjesërisht, ndërkaq janë plaçkitur dhe demoluar të gjitha të tjerat. Shkolla e mesme teknike “Anton Çetta“ në Skenderaj para luftës ishte shndërruar në  qendër për vendosjen e refugjatëve serbë nga Bosna e Kroacia, kurse gjatë luftës u shnëdrrua në një kamp famëkeq të përqendrimit të forcave okupatore serbe, ku burgoseshin, rraheshin dhe maltretoheshin shqipetarët.

Mësimdhënësit dhe punëtorët teknik të shkollave të komunës së
Skënderaj të vrarë në luftë: Halit Geci, Qazim Jashari, Rifat Mëziu, Haxhi Ahmeti, Vesel Hetemi, Haxhi Beka, Nazmi Osmani, Maksut Beka, Bekë Imeri, Salih Shala, Ajet Beqiri, Sabit Veliqi, Arsim Gashi, Riza Shabani, Xhevat Osmani, Nazif Sejdiu, Isuf Rukolli, Isuf Aruqi, Tafil Kabashi, Sadri Shala, Ismet Rrahmani, Hashim Zeka, Hazir Hoti, Nezir Mëziu, Riza Spahiu, Rexhep Rexhepi, Ilaz Aruqi, Zymer Shaqiri, Eshref Mehmeti, Ejup Behrami, Idriz Salihu, Musli Shala dhe Muhamet Behrami. Një faqe tjetër e dhembshme në historinë e pasluftës së shkollës sonë është edhe fati i mësimëdhënësve tanë të zhdukur: Tefik Xani, Selim Mëziu, Demir Ahmeti, Jonuz Gusturani dhe Idriz Idrizi.

Nga lufta dolëm me përjetime të dhembshme, por edhe me një përvojë të pasur edukative që nuk e kishim kurrë më parë, dhe ajo përvojë, është një pasuri për ne, që shkollën tonë e bënë më mësimtare, prandaj edhe më edukative. Kemi obligim që këtyre mësuesve t’iu ngrisim pllaka përkujtimore e lapidarë që do të rrezatojnë porosi edukative për brezat. Të përkujdesemi për strehimin, gjendjen ekonomike, shkollimin dhe punësimin e fëmijëve të tyre, se kështu do të ishte dëshira dhe amaneti i shokëve tanë dëshmorë.

Ne mësimdhënësit, vazhdues të punës së shenjtëdëshmorëve, kur bëjmë nderim me kurora e lule para varreve, lapidarëve e fotografive të dëshmorëve tanë, duhet të degjojmë porosinë e tyre për punë, mësim, disiplinë dhe harmoni vëllezërore. Ajo porosi është gurthemel i rrugës sonë kah ardhmëria, kah shtetndërtimi. Atë porosi duhet ta dëgjojmë të gjithë ne. Atë porosi duhet ta dëgjojnë edhe lideret e udhëheqësit tanë, të cilët i kanë lënë sy e vesh. Dhe, duke i plotësuar vetëm orekset e tyre gllabëruese, qeveritarët tanë, siç duket, i ka lënë edhe ndërgjegjëja njerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat