Të bësh më tepër brenda përkatësisë europiane

Opinione

Të bësh më tepër brenda përkatësisë europiane

Nga: Alfred Papuçiu Më: 16 maj 2019 Në ora: 16:27
Alfred Papuçiu

Takova në kryeqytetin e një vendi europian një mikun tim shkrimtar nga Shqipëria. Kishte disa vite që nuk ishim parë me njeri tjetrin. Thinjat e fisnikëronin atë burrë rreth të pesëdhjetave. Ashtu fjalëpakë si gjithmonë, më fliste vetëm pasi e pyesja unë. Nuk e di, por më pëlqen të rrëmoj ndër kujtime të vjetra dhe domethënëse.

Takimi qe zgjoi dëshirën e prezencës, për Atdhe

Ne që jetojmë në diasporë, të paktën brezi ynë, kemi nostalgji për shoqërinë e miqtë e vjetër, të cilët nuk i harrojmë kurrë. Kujtuam të paharruarin Isuf Vrioni i cili vite më parë bashkë me të shoqen e respektuar, më priste në shtëpinë e tij në rrugën e Kavajës, kur vija që ai të përkthente fjalimin e ministrit të jashtëm, për në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Kishte një bibliotekë të pasur. I thashë mikut tim se shpesh qëndronim orë të tëra me të ndjerin Isuf, duke biseduar për letërsinë, për familjen, për babanë tim të paharruar. Njëherë më bëri një kërkesë dhe Reiz Malile, human siç ishte, e plotësoi menjëherë dëshirën e përkthyesit fisnik e erudit. Me mikun tim shkrimtar kujtuam edhe shokë e miq të vjetër francezë, zviceranë, apo shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, Amerikë, Zvicër, Austri, Belgjikë, Itali, Francë e kudo ku i kanë shpënë rrugët e jetës. Më dha dhe një botim të tij, me nënshkrimin "Fredit, në kujtim të një dite të bukur në diasporë. Miqësisht". M'u bë zemra mal kur më tha se edhe ju në diasporë keni pjesën dhe fjalën tuaj për Shqipërinë. Në kundërshtim me ndonjë që nuk na llogarit e na quan ne armatën disa qindra mijë shqiptarë në Europë e kudo në botë, pa të drejta, e ndoshta që të lihemi në harresë. Përmendëm edhe Zvicrën, një vend me katër gjuhë e tradita të bukura e fisnike, me qytetarë që u përkasin partive të ndryshme politike, kur vjen puna për çështjen kombëtare, bëhen njësh. Një vend ku respektohen përkatësitë politike, raca e prejardhja e banorëve që e përbëjnë atë, qofshin këta zviceranë, kosovarë, apo të natyralizuar si të tillë, si edhe funksionarë ndërkombëtarë apo punëtorë nga vende të ndryshme të Europës dhe të botës që japin ndihmesën e tyre modeste për zhvillimin galopant të Zvicrës. Asaj Zvicre që është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por që edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Europian, respektohet nga Europa, sidomos nga fqinjët, me të cilën ka marrëdhënie të shkëlqyera, por edhe nga bota.

Ankime dhe ndjesi të njeriut të diasporës

Folëm edhe për atë brez te ri shqiptar, të vendosur diku në botë që një ditë ndoshta do të asimilohet në vendet ku jeton, për shkak të mos përdorimit të gjuhës amtare apo mos leximit të librit shqip; për dëshirën e botimit të librave dygjuhësh, sidomos për të rinjtë. Për më tepër kjo kërkesë është e kohës, edhe për arsye se vitet shkojnë. Folëm për dhimbjen që shkakton tek shumë prindër të tyre: detyrimi i lënies së nënshtetësisë shqiptare, për të patur mundësinë që të marrin atë ku janë vendosur. Një plagë që bren mijëra shqiptarë që përpiqen të ruajnë përkatësinë e tyre, siç e kanë këtë të drejtë edhe ata qindra mijëra europianë, latino-amerikanë, apo arabë e afrikanë që janë vendosur qoftë edhe përkohësisht në vende të tjera. Një të drejtë që dora - dorës po merr formë jo vetëm në Zvicër, ku banorët e huaj me ligj kanë të drejtë të kenë dyshtetësinë, por edhe në vende të tjera europiane apo të botës. 

Gjerësia e bisedës së ngrohtë

Here pas here bisedën tonë e ndërprisnin telefonatat e shumta që i bënin shkrimtarit, miq e dashamirës të shumtë, si edhe telefonata e një mikut tonë të përbashkët nga Tirana që është përpjekur dhe përpiqet gjithmonë që emri i Shqipërisë dhe i popullit të saj të respektohet nga Europa dhe bota, duke e bërë atë palë në shumë konventa ndërkombëtare. Me mikun tim shkrimtar folëm edhe për librat e tij të shumtë që janë botuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga shtëpi botuese me emër, në Francë e gjetiu dhe që gjenden në libraritë e bibliotekat me zë, në bibliotekat e dashamirësve të librit shqiptar apo të huaj në Tiranë, Paris, Gjenevë, Romë, Nju Jork, Buenos Aires, e bile edhe tek Biblioteka e Kongresit Amerikan. I kujtova se në një nga botimet e tij në Francë, botuesi ishte shprehur ndër të tjera: "në krijimtarinë e pasur po sheh përherë e më shumë një shkrimtar me talent të veçantë, kompleks e me interesa mjaft të gjëra, mjeshtër të të treguarit, mjeshtër të stilit". M'u kujtuan fjalët e shkrimtarit të shquar francez, Fransua Nurisié për një roman të mikut tim ku ndër të tjera, ai thekson: " Mënyra e të treguarit të shkrimtarit shqiptar është e jashtëzakonshme, simbolike. Ajo është gjithashtu therëse".

Miku im më dëgjonte dhe me modestinë që e ka karakterizuar gjithmonë më tha se gjithçka që kishte shkruar e bënte për të mirën e Atdheut. Në ato çaste kujtova librin e një shkrimtareje shqiptare, të botuar diku në Europe,  shkruar me ndjenjë por që ja dedikonte romanin e saj fjalës "përulësi" që sipas shkrimtares mungon në leksikun shqiptar. Një mungesë e tillë, sipas saj, i lë vend fenomeneve shumë të çuditshme në fatin e një populli. Një vend ku sipas saj nuk qeshet, një vend ku shikimet e njerëzve në rrugë të depërtojnë deri tek palca e kurrizit, një vend ku njerëzit vetëm pine kafe e raki gjithë ditën, një vend ku njerëzit nuk vdesin kurrë, ku trupat janë prej plumbi dhe ku është i njohur një proverb: " Jeto, që të të urrej, dhe vdis që të të qaj". 

Kontrastet e përfaqësimit 

Respektoj stilin e kësaj shkrimtareje që është vendosur diku në Europë , por nuk mund të pranoj në asnjë çast, qe për një arsye apo një tjetër, të urrej popullin tim, të vendosur prej shekujsh në tokën amtare; një popull që gjithmonë ka ruajtur mikpritjen dhe bujarinë e përmendur nga Nënë Tereza shqiptare, Edith Durham, Lord Bajroni, Liliane Perrin, Julien Emery, prof. Jean-Philipppe Assal, Prof. Alain Golay, muzikologu Marcel Cellier, , shkrimtarja Anne-Lise Thurler, gazetari Pierre Barde, konceptuesi i Festivaleve folklorike të Friburgut Cyril Renz, e dhjetra të huaj që kanë biseduar me shqiptarë apo kanë vizituar Shqipërinë dhe Kosovën; një vend ku siç është shkruar për librin e psikologes zvicerane, Francine Koch "Femija shqiptar me sy te zinj" (dy gjuhesh frëngjisht dhe shqip, Toena) që kam patur fatin e madh ta përkthej në gjuhën amtare: "është një përshkrim realist i mjedisit shqiptar dhe në kundërshtim me nihilistët apo entuziastët që vijnë shpesh edhe në Shqipëri këto vitet e fundit; ajo shkruan me një ndjenjë të thellë përgjegjësie, e stimuluar në çdo kohë me pyetjen e sinqertë të autores : "Kush jam unë, përballë vetëmohimit, kurajës, shpresës së madhe të shqiptarëve, unë që jam larg ndryshimeve të papritura dhe peshës së përditshme"; një popull që kudo që e kanë çuar fatet e tij prej shekujsh apo në kohët moderne ruan me fisnikëri gjuhën e zakonet e veta: si "arbëreshët" ne Itali, "arvanitasit" në Greqi, "arbanasit" në brigjet dalmate, vëllezërit tanë në Kosovë e vise, ata që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët në Turqi, Rusi, Bullgari, Rumani, Nju Jork, Nju Xhersi, Las Vegas, Gjenevë, Paris, Florida e gjetiu. Nuk është e rastit që natyralisti i famshëm romak Plini Plaku (23-79 e.s) në serinë e tij madhështore prej 37 vëllimesh, i cilëson ilirët (arbërit) që kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët. Një vend për të cilin miku im shkrimtar nga Shqipëria ka bërë analiza të mprehta të ngjarjeve të ndryshme në Shqipëri para dhe pas fitores së demokracisë, ka dhënë me mjeshtri dhe dashamirësi për popullin dhe vendin e tij "copëza jete të zakonshme, zbulon një gjendje shpirtërore, nje karakter, nje portret". Nuk është e rastit që para më tepër se 25 vitesh, në studimin tim për "Shqipërinë dhe Europën- perspektiva të integrimit", kam përmendur edhe fjalët e shkrimtarit tonë të shquar e fjalëpakë për tokën mëmë dhe ecurinë e saj drejt Europës që pata fatin ta takoj disa orë në atë kryeqytetin e bukur europian. Të mendosh për Europën dhe për atë vend si Shqipëria dhe Kosova që i përkasin gjeografikisht Europës, në këto çaste, do të thotë të mendosh për popullin tënd të urtë e punëtor që në sajë të ardhjes së demokracisë qoftë edhe të brishtë, duhet të ketë të drejtën e ligjshme të lëvizë lirisht në Europë dhe në botë. Ai popull dhe ai vend meriton më tepër dhe jo anatema e shkrime që i përshtaten vetëm letërsisë së bulevardit apo keqdashësve të tij. Siç shprehet ndër të tjera shkrimtari ynë i njohur në botë, Ismail Kadaré në shkrimin e tij  "Poshtërimi në Ballkan". "Shqipëria e ka ulur kryet vërtet, por për fat të mirë, nuk ka rënë". 
Te bësh më tepër brenda përkatësisë europiane

Këto fjalë të Ismail Kadaresë më shtynë të përmbledh me kolegët e mijë europianë me të cilët ndaj çdo ditë çaste gëzimi, mundi e shoqërie të sinqertë, vëllimin me tregime e skica nga popujt e Europës. Ato fjalë më shtyjnë gjithashtu të përkthej në gjuhën shqipe librin "Të mendosh Europën", botuar me rastin e Përvjetorit të krijimit të Institutit Europian të Universitetit të Gjenevës, ku ish profesori im i historisë europiane, Philippe Braillard, drejtor i ketij Instituti me prestigj, ku studiojnë dhe pasuniversitarë shqiptarë, në parathënien e tij , ndër të tjera thekson: "Eshtë dimensioni i jashtëm i integrimit europian që mund të studiohet më mirë në një vend i cili, duke qenë në të njëjtën kohë në zemër të Europës, nuk është anëtar i Bashkimit Europian dhe në një qytet të hapur ndaj Europës dhe botës nga traditat e saj kulturore dhe nga veprimtaritë e saj të shumta ndërkombëtare".
 Shqipëria gjithmonë e ka patur përkatësinë në Europë! Të paktën qysh në kohën e heroit tonë kombëtar Skënderbeut ajo kishte marrëdhënie të veçanta me Republikën e Venetikut dhe shtetet sovrane europiane. Ambicja ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë që është futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam patur fat, dhe e them sinqerisht, siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombas dhe ish kolegë të mij, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratike, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Aty kam vazhduar edhe një universitet të dytë, duke shtuar njohuritë e mija juridike, politike, ekonomike, rajonale për Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont.
Përkufizimet janë nga më të ndryshmet, nga ata që e njohin mirë Europën dhe vendet që e përbëjnë, por edhe nga ata që shkruajnë për vende europiane, si Shqipëria, por që kurrë nuk kanë shkelur në të. Nuk dua t’i bëj një analizë të veçantë kësaj radhe librit në frëngjisht, viti 2004, « Ligjërata ballkanike: fjalë dhe njerëz ». Pasi përmend memorandumin famëkeq të 1937 të akademikut serbomadh Vasa Cubriloviç të titulluar « Iseljavanje Arnauta », ose në frëngjisht « L’expulsion des Arnaoutes » (Dëbimi i arnautëve ), ai thotë : « Fjala « Shqiptar » (Albanac, në shumës Albanci) e huazuar nga gjuhët perendimore, del vetëm me pavarësinë e Shqipërisë në 1913 » ( ?!!). Nuk e di në është një lapsus i autorit, apo i botuesit të librit, por m’a merr mendja se kushdo që shkruan për Shqipërinë apo shqiptarët, për përkatësinë e saj në Europë, apo jo, sipas orekseve dhe fjalëve të marra nga historianë serbë apo të tjerë, duhet më parë të konsultohet edhe me vetë historianët shqiptarë, apo edhe vetë shqiptarët që ndodhen tanimë kudo, pas kthimit në skenën europiane edhe të « Europës tjetër », pas ngjarjeve të vitit 1989, pas rënies së Murit famëkeq të Berlinit. Gjeografia, kultura dhe politika kanë bërë që edhe kombe që më parë kanë qënë vetëm objekt i historisë, tani janë bërë subjekt i saj dhe nuk janë më jashtë ndërgjegjes europiane. Albert Kamy jo më kot ka theksuar : « Mal nommer les choses ajoute aux malheurs du monde » (Po të emërtosh gjërat keq ato ja u shton mjerimeve të botës)…Prandaj edhe kur të shkruaj përsëri, lidhur me librin e atij profesori të gjuhëve dhe letërsisë slave në Universitetin e Provansës, do të mundohem të marr mendimin edhe të miqve të mij historianë,  gjuhëtarë, gazetarë nga Shqipëria, si Profesorët e nderuar Koli Xoxi, Kristaq Prifti, Hamit Boriçi, Gjovalin Shkurtaj, si dhe profesoreshes nga Franca Solange d’Angely, e të tjerë që të më falin që nuk po i përmend këtu për mungesë vendi. Ashtu, si edhe funksionarë ndërkombëtarë, qofshin këta të nivelit të lartë apo edhe në drejtoritë përkatëse që merren me « Europën tjetër », konsultohen me funksionarët shqiptarë, sado të paktë që të jenë ata. Kam pasur dhe kam respekt të veçantë për gjithë ata kolegë të kombeve të ndryshme që në një çast apo një tjetër merrnin edhe mendimin tim për çështje që kishin të bënin me Shqipërinë, por edhe rajonin rreth saj, Kosovën dhe viset, Maqedoninë, e cila më 8 prill 1993 u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara me unanimitet nga 181 vende që e përbëjnë këtë organizatë me prestigj…Kam në dorë një libër rreth 500 faqesh, si dhe të tjera, me dedikim nga zvicerani Basil Shader (Schader), shembull tepër domethënës, larg lavdeve të dikurshme të m-l për E.H. , apo edhe nxirrjes së realitetit për shqiptarët nga shtypi dhe botimet e « bulevardit » dhe « kronikat e zeza ». Ai është profesor i Universiteteve të Zyrihut dhe Tiranës. Kur më dërgoi letrën e parë, me një kërkesë për t’i çuar librin tim « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë », me një shqipe të pastër, mendova se ishte ndonjë bashkëkombas ynë nga Kosova. Por kur më dërgoi librat e tij dhe sidomos atë prej 500 faqesh, botuar nën kujdesin e prof. Gjovalin Shkurtaj, u befasova dhe me të vërtetë u emocionova, se kisha të bëja me një zviceran që e di më mirë shqipen letrare dhe të folur, se një pjesë e bashkëatdhetarëve tanë. « Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër » është libër voluminoz dhe i domosdoshëm për gjithkënd do të mësojë për shqiptarët në Zvicër, apo edhe për marrëdhëniet e tyre me zviceranët. Prof.Dr. Basil Schader ia u kushton « Shqiptarëve kudo në botë, me shpresën dhe dëshirën që të ruajnë gjuhën e tyre të bukur, kulturën e tyre të lashtë dhe identitetin e tyre si shqiptarë ». Ai në të nuk flet vetëm për gjuhësinë, por edhe për bashkëjetesën 30-të vjeçare midis zviceranëve dhe shqiptarëve; për Zvicrën në perceptimin e mërgimtarëve shqiptarë; për shqipen që i përket familjes së gjuhëve indo-europiane, për faktin se atë e flasin rreth 6,5 milionë shqiptarë ; për shqipen që është një prej gjuhëve më të lashta të Ballkanit dhe prejardhjen e saj nga gjuha e ilirëve, të cilët kanë ardhur në Ballkan që në fillim të mijëvjeçarit të dytë para e.s.
Miku im Franko, si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 27-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë e krishterja Zografë që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike të « Europës tjetër », sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Deri në shekullin e XIV, kristianizmi ishte diçka e rallë, pasi vetëm elita e praktikonte në Europë. Por pas kësaj u bë si fe popullore, edhe në Shqipëri. Dihet se kristianizmi edhe në shekujt e mëpastajmë u forcua kundër tentativave të mosbesimit. Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në « Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…
Emri “Europë” është shumë i lashtë dhe e gjejmë tek Herodoti. Sipas legjendës, Europa ishte një princeshë feniciane që ja kishte marrë mendjen Zeusit, mbretit të Olimpit. Europa ishte dhe Iliria, Dardania, Kosova, shumë më parë se treva që u krijuan në Europë më vonë. Me një popullsi prej 380 milionë banorësh, Europa e te 27-tëve që tashmë ka marrë formë, në fakt është dyfishuar nga madhësia e saj, në krahasim me Europën e të 9 vendeve që e përbënin atë para 50 vitesh dhe për më tepër akoma në krahasim me Europën e 6 vendeve të 1958 që kishte vetëm 167 milionë banorë. Të 5 milionë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri e në Kosovë, si edhe ata disa qindra mijëra që janë vendosur në vendet europiane i përkasin "Europës pa kufi" për të cilën shkruante qysh në 1954 François Perroux, i përkasin Europës së individit, të lirisë, të pluralizmit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat