Rrjetet misterioze të grave

Opinione

Rrjetet misterioze të grave

Nga: Kimete Berisha Më: 16 maj 2019 Në ora: 19:40
Kimete Berisha

E gërditshme, e neveritshme dhe idiote je Ti, që lufton me fsheh të vërtetën, dhe me apo pa vetëdije e ndihmon Serbinë.

Qe 20 vjet, një grup grashë 'bjonde' dhe pasanike e kanë uzurpuar 'të vërtetën' për viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe janë këput tuj marrë fonde nga e gjithë bota perendimore për me fsheh të vërtetën dhe m'i 'rehabilitu' viktimat e dhunës me 'tentene e me hallhalle'.

As vet Serbia s'kish ditë më mirë m'i hesht këto krime dhe m'i prezantu ato në formë të thashethemeve dhe llafeve 't'grave' qysh i kanë prezantu këto gra të rrjeteve misterioze.

Serbisë i ka interesuar veç fakte mos me pas, dhe sot Flora Brovina ua prishi qejfin.

Viktimat i rehabiliton veç drejtësia, të cilën kurrë askush deri sot prej këtyre rrjeteve të grave nuk e ka kërkuar përnjëmend. 
Ndoshta edhe e kanë kërkuar, por rezultatet janë zero.

Serbia ka bërë gjenocid, ka shfarosur shumë familje shqiptare, ka kryer krime monstruoze, dhe kjo duhet të dokumentohet me fakte.

Nuk është turp të jesh 'viktimë'. Ky popull ka parë masakra monstruoze të fëmijëve, grave e pleqve, ka parë barka të shqyer të nuseve shtatzëna, ka parë krime të paimagjinueshme, prandaj që e sheh edhe një foto më shumë të dhunës, nuk habitet.

Sepse e dinë shqiptarët sa e sa gruaja e ka mbyt veten e u gju n'bunar tuj u mundu me pshtu prej dhunës. 
Se si serbët ua qitnin qenve me pi gjakun e shqiptarëve pasi i vrisnin.

Tjetër gjë që shqiptarët janë shumë krenar, u vjen zor të thonë se ndaj familjes Jashari u bë gjenocid, tjetër gjë, falë Zotit, që kjo familje u përtri dhe jeton e jetoftë sa të ketë jetë mbi tokë.

Kushdo që kundërshton publikimin e të vërtetës, i ndihmon Serbisë në fshehjen e krimeve.

E vërteta e luftës gjithmonë është e vrazhdtë dhe brutale.

E kur dështon drejtësia ndërkombëtare, dalin faktet, si kjo foto e tmerrshme që pamë sot.

Fotoja që e pamë sot nuk është 'rast privat', personal, apo dhunë e izoluar familjare që të trajtohet si private. 
Është foto që dokumenton dhunën, vrasjen, krimin barbar dhe tredimensional shtetëror serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

Identiteti i viktimës duhet të mbrohet me çdo kusht, por identiteti i fytyrave të krimit duhet të shihet (siç u pa në foto), dhe jo të fshihet qysh po lypin disa, nga 'arkiva e vuajtjes dhe e gjenocidit'.

Flora Brovina nuk e ka pasur lehtë. Të duhen 'dy zemra' ta shikosh foton, lëre më ta publikosh atë foto.

Ajo i ka zbuluar fytyrat e ushtarëve kriminelë serbë, në tri dimensione (duke vrarë, duke përdhunuar para familjarëve të viktimës dhe duke pushkatuar), Flora s'ka bërë asnjë dëm, që thoni ju gratë që jeni specializuar për t'u pasuruar në temën e viktimave, përkundrazi Flora Brovina u ka treguar se Ju nuk keni punuar bash kurrgjë hiç, por me metoda folklorike i keni trajtuar viktimat e dhunës, i keni mbajtë 'sekret' krimet serbe para botës, e s'keni vepruar si e gjithë bota që bën filma e dokumetarë për të vërtetën.

Derisa u shfaq znj.V. e cila e tregoi rastin e saj të rëndë dhe asgjë nuk humbi, përkundrazi fitoi respektin e të gjithëve, për guximin që mori për ta tregur dramën e saj.
Ta tregosh rastin me fjalë dhe ta shohësh fotografinë me sy, është njësoj, si të lexosh libër apo ta shikosh në film, tema është e njejtë.

Fotografia që e pamë sot është krim monstruoz serb, e jo zbulimi i fotografisë, fotografia zbulon krimin, nuk është krim ta zbulosh të vërtetën, krim është ta fshehësh atë . 
Ti mund ta fshehësh fotografinë, por duke e fshehur fotografinë s'mund ta fshehësh të vërtetën.

Krimet kanë ndodhur. Viktimën nuk e 'shpëton' më asgjë përveç drejtësisë. Mos me pas qenë fotot e Holokaustit, kurrë s'ish ditë çka ka ndodhur në të vërtetë. Shih viktimat e gjenocidit dhe dhunës seksuale të Ruandës, shih fotot e grave gjermane të dhunuara masivisht nga rusët, shih dokumentarët me gratë boshnjake, shih fotot e motrave medicinale të Koresë (të zëna rob), gjithkund në botë dokumentohet e vërteta, përndryshe ajo që nuk 'shihet' e nuk shkruhet- nuk ka ndodhur.

Çfarë të vërtete po doni ju? Si duhet të duket krimi sipas kush...Duhet të duket 'i bukur' krimi, apo qysh po keni qejf ju m'u duk krimi...po keni qejf mos me pa, po doni mos me ua vra sytë tmerri...

T'i shikoni kryqat e vizatuar në trupin e viktimës së dhunës seksuale që e përmendi Flora, nuk 'doni'! 
Se ajo grua ka vdekur nga vuajtjet më të mëdha se të Jezusit.

Shqiptarët s'duan të flasin për gra! 
Ani flisni për burra, se edhe ata ishin viktima të mëdha!

Doni, nëse bash ju mbështesin për muri, veç ta merrni me mend të vërtetën, por jo edhe ta shihni.

Le të jetë e vërteta shigjetë që ua 'çorron sytë' të gjithë atyre që e mohojnë atë, sepse ky popull s'ka mbamendje historike, nuk mban mend, sidomos të keqen. 
Prandaj, veç ndjenjat e forta (si kjo foto që e pamë) na zbresin në tokë dhe na e rikujtojnë se sa viktima të mëdha ishim. 
Ne të gjithë, prej Ibrahim Rugovës e deri të fëmiu i palindur kemi qenë viktima të terrorit serb, në një apo në një mënyrë tjetër. 
Dhe, tani po duam mos me na dal shpirti me zhig të asaj 'pak' drejtësie që po lypim. 
Krejt çka lyp viktima është me ja pranu statusin e viktimës. E dhimbshme deri në asht.

P.S. 
PDK e ka vonuar të vërtetën, po, e ka kundërshtuar ligjin për viktimat e dhunës seksuale, ka bërë probleme të mëdha, por nganjëherë e ka mirë edhe PDK, siç po bën punë të jashtëzakonshme me Tribunalin për gjenocidin serb në Kosovë.
U keni dhënë afat kriminelëve serbë të plaken e të vdesin. Na keni 'mbyt'. Keni bë keim mbi krimit.
Por, më mirë vonë se kurrë. 
Edhe sikur kurrë të mos ketë drejtësi për viktimat, së paku të shkruhet dikund se Kuvendi e ka bërë një përpjekje.

Në fillim u duk sharlatan edhe Ramush Haradinaj me taksën, por koha e dëshmoi që e ka pasur 'mirë', jo pse e ka dëmtuar Serbinë ekonomikisht, por sepse i ka vetëdijësuar shqiptarët se mund të jetojnë edhe pa zallogat e Serbisë dhe për këtë ky Kryeministër meriton respekt, pavarësisht gabimeve të tjera që bën.

Edhe para se me fillu lufta, më shumë kanë knu shqiptarët serbisht se shqip.
'Turku do zor'. 
Nuk e di pse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat