Gjylekari – katundi i Gjon Lekës

Opinione

Gjylekari – katundi i Gjon Lekës

Nga: Qamil S. Dardhankodra Më: 18 maj 2019 Në ora: 06:21
Qamil S. Dardhankodra

Janë disa emna vendbanimesh të Shqipnisë Verilindore të cilët tejmase kanë kuptim keqësues (pezhorativ), të tillë janë emnat e këtyne katundeve, si: Gjylekar, Kllapakar, Llukar, Muqivërrc, Muqibabë, Makresh, etj. Ta shohim se nga rrjedh emni Gjylekar, emën i këtij katundi në Moravën e Epërme. Fillimisht të themi se bota femnore këtë katund e quen Gjenekreshtë, Gjelekreshtë, Gjëlekreshtë, Gjylekreshtë. Në bazë të shqiptimit të nduernduershëm të emnit të katundit nga banorët e vet katundit dhe të banorëve të katundeve përreth del se ky vendbanim fillimisht qe emërtue si katundi i Gjon Lekës (Aleksandrit). Ka rreth 60 vjet që e përcjell me vëmendje shqiptimin e këtij emni, i kam mbërri dhe kam kuvendue edhe me pleq të lindun në sh. XIX dhe me burra të mavonshëm e deri më sot.

Ky katund nuk asht larg vendit ku kam lindun unë. Vërehet shumë lehtë se në të gjitha trajtat e shqiptueme ruhen bukur mire emnat Gjon dhe Lekë. Së pari duhet të jetë quejtun ky vend si katundi i Gjonit të Lekës simbas emnit të nji personi të randsishëm të këtij vendi. Rrjedhimisht ma vonë kemi Gjonlekaj – gjonlekajt apo gjonlekart, këtu e mori të mbrapshtën shqiptimi i këtij emni. Shqiptimet e mavonshme e deri më sot: Gjolekar – Gjelekar – Gjenekar – Gjëlekar, Gjonekar e deri sa së fundit u “zyrtarizue” si Gjylekar. Pleqt ma së shumti e shqiptonin, madje edhe sot si Gjenekar ose Gjelekar në që të dy shqiptimet ruhen emnat e Gjonit dhe të Lekës.

Largimi nga varianti i sotëm shumë keqësues, nuk asht i lehtë; kthimi në emërtimin parësor asht i pamundshëm sepse ai do të përfundonte sërish në deformimin e sotëm sepse janë po ata shqiptarë–ilirë dhe asht po e njejta gjuhë shqipe–ilire sikurse para 12 -13 shekujsh kur mendoj
se lindi ky emërtim, në Ilirinë e atëhershme të pushtueme nga romakët. Banorët e sotëm kanë provue me variantin Skifteraj por si duket pa sukses, vazhdohet me të vjetrën. Nji nismë për ndërrimin e emnit zu fill para 40 vjetësh (1980) por nuk doli gja. Unë asokohe nismëtarëve u
pata propozue për këtë katund emnin BLERAN ngjajshëm me emnat e bukur të katundeve shqiptare si: Pozharan, Pisjan (tashma i sllavizuem), Lluçan , Bushtran, Leran, Sllubçan , Llajan, Shurdhan, Lluzhan, Leshan, etj. Mënyra ma e mire për ndërrimin e emnit asht referendumi i banorëve me 3-4 emna të propozuem.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat