Të vonuarit gjithmonë janë të pakënaqur

Opinione

Të vonuarit gjithmonë janë të pakënaqur

Shefik Sadiku Nga Shefik Sadiku Më 20 maj 2019 Në ora: 14:21
Krimet serbe në Kosovë, foto ilustrim nga "Bota sot"

Paradoksale tingëllon, megjithatë është e vërtetë! Të gjitha faktet shkencore dëshmojnë se populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, në mos më i vjetri. Habia qëndron pikërisht këtu: Si është e mundur një popull kaq i vjetër dhe për fat të keq, shpeshherë pati vonesa në rrugëtimin e tij historik?

Dikujt kjo edhe mund t’i tingëllojë si e pavërtetë, por të pavërtetat gjithmonë dorëzohen para fakteve. A nuk është e vërtetë se shqiptarët janë të fundit në Ballkan, të cilët fituan lirinë nga Perandoria Osmane? A nuk është e vërtetë se shqiptarët janë populli i vetëm në Ballkan po se po, por ndoshta edhe në Evropë dhe botë, të cilët nuk e kanë zgjidhur përfundimisht dhe drejt çështjen e tyre kombëtare?  A nuk janë shqiptarët i vetmi komb në Ballkan, si më të vjetri, të cilët jetojnë të ndarë në gjashtë shtete? Kur themi se jetojnë në gjashtë shtete, kemi parasysh faktin se shqiptarët autokton u ndanë padrejtësisht në këto gjashtë shtete: Shqipëri, Greqi, Mali i Zi, Serbi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut.

Këto ditë Parlamenti  kosovës miratoi një rezolutë me anën e së cilës , për herë të parë, zyrtarisht nga një institucion legal shqiptar , pranohet se Serbia bëri gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës në luftën e fundit çlirimtare të shqiptarëve gjatë viteve 1998/1999. Miratimi i kësaj rezolute  ka dy anë të ndryshme: e para, është hera e parë që shqiptarët përmes një dokumenti zyrtar i tregojnë botës dhe Serbisë së shqiptarët nuk janë më në atë gjendje kur Serbia gati një shekull bënte gjenocid mbi shqiptarët, kurse ata nuk kishin mundësi që të paktën të dokumentonin gjenocidin serb mbi ta, gjë që është mirë që u miratua dhe e dyta, një rezolutë e tillë në Kuvendin e Kosovës është jashtëzakonisht e vonuar, gjë që është keq pse u vonua. A nuk është edhe kjo një dëshmi për vonesën tonë të shpeshtë? Unë them po.

A ka mundur që kjo rezolutë të miratohej nga Kuvendi më herët? Unë them se nuk di për cilën temë shqiptarët e kosovës do të duhej të nxjerrnin një document të shkruar më parë se sa për gjenocidin e Serbisë mbi ta.  Megjithatë populli thotë: më mirë vonë se kurrë. Të shpresojmë se me miratimin e kësaj rezolute dhe të idesë për formimin e një gjykate ndërkombëtare për gjenocidin serb në Kosovë, më në fund drejtësia do të qohet në vend.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se ideja për formimin e gjykatës ndërkombëtare është vështirë e realizueshme, por ne , si shtet, duhet të jemi tepër këmbëngulës dhe kërkues që kjo të ndodh.   Faktori ndërkombëtar , i cili patjetër  duhet ta ndihmojë këtë process , vështirë se do të pranojë një gjykatë të tillë, kjo më tepër për shkaqe politike se sa të drejtësisë. Krahas kërkesës për formimin e gjykatës ndërkombëtare, me këmbëngulje dhe pa vonesë duhet që sistemi ynë i drejtësisë t’i urdhërojë gjykatat tona që të ngritin akuzat për veprat kriminale që ka kryer regjimi serbe në Kosovë. Skeptikët mund të thonë: E po sa ia vlen që gjykatat tona të ngritin padi kur dihet se Serbia nuk do t’i dorëzojë kriminelët para drejtësisë sonë? Është e vërtetë kjo, por ne, si shtet, kemi të drejtë të shqiptojmë aktgjykime që kanë ndodhur në territorin e vendit tonë dhe në të ardhmen  kur do të jemi pjesë e Interpolit, do të kërkojmë ekstradimin e kriminelëve. Në fund të fundit duhet të dëshmojmë , edhe duke nxjerrë aktgjykime të drejta , se Serbia ka kryer një gjenocid në këto vise. E drejta jonë faktike duhet ta mund gënjeshtrën serbe.

Sa i përket votimit në parlamendtin e kosovës të Rezolutes për gjenocidin serb mund të themi se është një vonesë e pajustifikueshme, sepse kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi i luftës dhe kjo nuk ka ndodhur, prandaj kjo vonesë le të bëhet shtytje për një pike kthese se vonesat mund të kushtojnë siç , shpesh, na kanë kushtuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat