Meditim për një doktoreshë humane zvicerane, mike e shqiptarëve

Opinione

Meditim për një doktoreshë humane zvicerane, mike e shqiptarëve

Nga: Alfred Papuçiu Më: 21 maj 2019 Në ora: 11:30
Alfred Papuçiu

Prej vitesh kam ndarë me personelin human mjekues, mjekë dhe infermiere në Gjenevë, para fillimit të një konsulte, « kruasantin » (croissant) dhe kafen e mëngjezit, duke diskutuar lirshëm dhe si midis kolegësh që na bashkon një qëllim : si të përmirësojmë bisedën me një pacient nga Shqipëria, Kosova apo nga viset, Maqedonia e Veriut, apo me bashkëkombas shqiptarë që janë vendosur në Zvicër, qoftë edhe përkohësisht. Flasim për atë gruan shqiptare që nuk dinte asnjë fjalë frëngjisht dhe dëshirën e saj për të kuptuar gjithçka nga biseda, për prindin e asaj fëmije që nuk ka konsultuar asnjëherë mjek në fshatin e saj, për mungesë mjetesh dhe personeli mjekësor. Midis tyre, kam pasë rastin të marr pjesë dhe të diskutoj me doktoreshën zvicerane Marinette Wyss, një njeri i qetë, në pamje e ashpër, por tepër modeste, fisnike, dhe e urtë, kur e njeh nga afër. Për të gjithë ata që kanë pasë fatin ta njohin, ajo nuk linte asnjerin prej tyre indiferent. Kureshtare, njerëzore dhe e dashur, ajo vazhdoi në rravat e jetës, duke ecur në një « udhë » profesionale që dallohej nga autorësia e saj për një trajtim të ri të sëmundjeve gjenetike, duke përfshirë edhe Talaseminë, që është e përhapur sidomos në zonat mesdhetare : Greqi, Itali, Qipro, Shqipëri, Francë, Britani e Madhe, por edhe në vendet arabe, si edhe në Kanada, SHBA, si rezultat i migrimit. Doktoreshë Wyss kishte aftësi të bashkëpunonte ngushtë dhe me kolegët e saj të spitaleve të tjera në Zvicër, por edhe jashtë, si për shembull edhe me profesorët shqiptarë të hematologjisë, Selaudin Bekteshin dhe Enis Boletinin. Ajo komunikonte edhe me profesorin e shquar francez, Robert Girot, lidhur me pacientët shqiptarë që kuronte në Departamentin e Pediatrisë të Spitalit Kantonal Universitar të Gjenevës. Kohët e fundit para rastin të shfletoj letërkëmbimet e saj me prof. Enis Boletinin, si dhe me prof. Robert Girot. Ajo shquhet për shpirtmadhësi dhe këmbëngulje për të trajtuar pacientët talasemikë me një terapi sa më bashkëkohore. Ajo ka shpëtuar shumë jetë fëmijësh dhe adoleshentë që vinin nga kontinente të ndryshëm, duke përfshirë edhe nga Shqipëria, Kosova dhe viset. Gjithçka që po shkruaj më poshtë, është një nga mijra dëshmitë që mund të shkruheshin nga qindra njerëz që kanë biseduar dhe kanë ndeshur me këtë doktoreshë të jashtëzakonshme. Megjithëse i kisha shprehur disa herë dëshirën që të shkruaj për jetën e saj, ajo me modestinë që e ka karakterizuar nuk ka pranuar, pasi e quante veprën e saj, si përkushtim modest ndaj profesionit që e kishte pranuar me dëshirë. Lindi në vitin 1930 në një familje modeste zvicerane dhe shumë shpejt prirja e saj ishte mjekësia, studimi i sekreteve të trupit të njeriut dhe gjetja e rrugëve për të ulur sadopak dhembjet e atyre mijra të sëmurëve që prisnin diçka më të mirë...Ajo me punën e saj si mjeke, qysh e re fitoi besimin e ekipit tjetër mjekësor, si dhe të pacientëve të shumtë. Komunikonte me ta me një gjuhë të thjeshtë, në frëngjisht, gjermanisht, italisht apo anglisht, kur kishte të bënte me pacientë, dhe me gjuhën mjekësore të mirëfilltë, me kolegë zviceranë apo të huaj. Shumë shpejt mori titullin e lartë Doktore në mjekësi dhe në vitin 1973 krijoi Qendrën e Hematologjisë dhe Onkologjisë Pediatrike në Spitalin Universitar të Gjenevës. Në këtë spital kanë kryer sidomos studimet e tyre universitare dhe pasuniversitare edhe shumë mjekë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut që sot kanë marrë edhe titullin profesor në mjekësi. Sot kujtohet akoma me respekt nga ish-kolegët e tij në Spitalin Kantonal Universitar të Gjenevës, profesori i dëgjuar shqiptar, Isuf Kalo, i cili ka qënë për një kohë të gjatë edhe funksionar i lartë i OMS-it në Kopenhagë. Ai nuk i ka ndërprerë lidhjet me ish-kolegët dhe profesorë zviceranë edhe pas largimit nga Gjeneva ; vazhdon edhe sot e kësaj dite që është kthyer në Shqipëri. Me ndihmën e tij eshte botuar një libër në shqip i profesorit të dëgjuar zviceran Jean-Philippe Assal, mik i shqiptarëve. Kardiologia Adriana Keta pas aftësimit në Spitalin Kantonal Universitar të Gjenevës ka dhënë përvojën e saj, të fituar në Zvicër por edhe në Francë, në Spitalin Kantonal të Lozanës, si dhe konsulente në Spitalin me famë botërore të Zyrihut. Ajo tashmë ka krijuar kabinetin e saj. Mjekë të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova janë aftësuar në Spitalin Universitar të Gjenevës, diabetologë, dentistë, gjeneticienë etj, si dhe një numër infermeriesh që kanë marrë edhe diploma në shkollën e Lartë « Bon Secours » në Gjenevë, partnere e privilegjuar e Spitalit Kantonal Universitar të Gjenevës...

Doktoreshë Wyss, ashtu si edhe profesor Jean-Philippe Assal që është njëkohësisht anëtar nderi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe ka qënë drejtor i një qendre të OBSH-së në Gjenevë, prof. Afksendyos Kalangos kryekirurgu i famshëm botëtor në Shërbimin e kardiologjisë vaskulare (ka realizuar me shumë sukses edhe operacione të zemrës të pacientëve shqiptarë dhe ka shpëtuar mëse njëherë, jashtë territorit spitalor me përvojën e tij shëmbullore, një paciente shqiptare që pati një vdekje klinike), kanë pritur dhe formuar shumë mjekë shqiptarë, si dhe kanë bërë të mundur ardhjen në Gjenevë edhe të personelit tjetër mjekues shqiptar. Ndjenjat e tyre dhe respekti për shqiptarët kanë bërë që shkëmbimet dypalëshe në fusha të ndryshme të mjekësisë bashkëkohore të vazhdojnë.

Doktoreshë Wyss, siç e quanin kolegët e saj, si dhe pacientët dhe prindërit e tyre ishte një nga pionieret e mjekësisë moderne zvicerane, por modestia, urtësia dhe krenaria e saj, bënë që ajo shpesh çdo arritje të saj ta kalonte në heshtje...Tani, ajo nuk mund të më qortonte ndoshta me shikimin e saj me buzëqeshje por edhe njëkohësisht qortues : « të kam thënë të mos shkruash për mua se gjithçka që kam bërë ka qënë e zakonshme dhe gjithë personeli mjekësor ka dhënë ndihmesën e vet »...Unë e mora këtë guxim, pasi ajo u largua nga kjo jetë, në moshën 76 vjeçare. Ky është një homazh që i bëj një mjeke zvicerane, por edhe mike e shqiptarëve, që u dha gëzim dhe optimizëm për jetën qindra e qindra vogëlushëve dhe adoleshentëve, si edhe prindërve të tyre, qofshin këta zviceranë apo të huaj, por me sigurinë se e ardhmja e tyre do të ishte më e mirë. Ajo iku ashtu e heshtur, me vështrim të pa tronditur në çastet e fundit, e urtë, pa u qarë njëherë. Ajo iku por qindra e qindra pacientë të saj, që tani janë në moshë madhore, zviceranë dhe të kombeve të tjerë që kanë zgjedhur Zvicrën si tokë qëndrimi, edhe për disa vite, do ta kujtojnë Doktoreshë Wyssin, si një qënie të hijshme, të gjallë, me fytyrën që i shkëlqente para çdo pacienti. Personalisht, do të kujtoj ditët që kemi kaluar bashkë, jo vetëm kur ajo ushtronte profesionin e mjekes hematologe, por edhe kur ajo doli në pension. Kujtonim çastet e vështira por edhe gëzimin e saj kur pacienti bëhej më mirë ose shërohej fare, në sajë të teknikave të reja në mjekësi. Kujtonim pjesëmarrjen e saj në programe kërkimore për transplantimin e palcës së kockës tek fëmijët Talasemikë. Çdo herë që vija nga ndonjë udhëtim jashtë shtetit, nga konferencat ndërkombëtare për Talaseminë, më dëgjonte me vemendje. Ashtu si ai profesori i nderuar shqiptar, Aleko Vesho që megjithëse kishte mbushur 80 vjet, i shprehej një mikut tim mjek që t’i dërgoj botime të reja për Talaseminë, edhe ajo ngaqë nuk kishte mundësi të lëvizte më, i priste si ujët e pakët botimet në përgjithësi për hematologjinë, por në veçanti për Talasemikët. I kam folur për takimin me babain e transplantimeve të palcës së kurrizit, profesor Guido Lucarellin, i cili ka arritur të bëjë transplantime edhe në raste kur nuk ka përputhshmëri të plotë BMT. I kam theksuar se profesor Lucarelli më ishte shprehur se s’ka shumë kohë që kishin realizuar rezultatet tek pacientë me Talasemi Major që nuk kanë përshtatshmëri BMT me donatorët e mundshëm. Ky është një studim i shumanëshëm dhe premtues ». I thashë doktoreshës Wyss se profesori i nderuar italian që ka realizuar transplantime me sukses edhe tek fëmijë shqiptarë do të më dërgojë së shpejti përmbledhjen e re të transplantimeve për hemoglobinopatitë në të ardhmen. I theksova se ai shkoi dhe në Shqipëri për një program bashkëpunimi të mëtejshëm në këtë fushë. Ju mbushën sytë me lotë dhe më kujtoi rastin e një fëmije që shumë kohë më parë kishte luftuar për ta mbajtur në jetë, por për shkak të teknikave jo të avancuara ato vite në këtë fushë, ajo nuk kishte mundur ta shpëtonte...Më thoshte shpesh se biblioteka e saj ishte e hapur për mua në çdo kohë për ta shfletuar. Me mijra faqe të shkruara nga dora e saj, nga përvoja e pasur e jetës mjekësore. Shumë nga to nuk i botoi, pasi nuk i quante si vlera të krijuara prej saj. E gjeta me lot në sy kur shfletonte së fundi revistën me prestigj « American Journal of Medical Genetics » ku ishte botuar një punë kërkimore e saj në fushën e hematologjisë. Kolegët nuk e harronin, por gjithmonë merrnin mendimin e saj, megjithë moshën e thyer. Botimi i saj, së bashku me kolegun, docentin Pierre Wacker, « Regresi i insuficensës kardiake pas administrimit ambulator intravenoz të Desferalit në Talaseminë Majore » është një udhërrëfyes dhe një dëshmi e punës së saj me pasion, e ndjekjes me përsosmëri edhe të pacientëve shqiptarë. Kishte qënë anëtare e Byrosë së Ligës kundër kancerit të Gjenevës, drejtuese e Departamentit të Pediatrisë në Qendrën Mjekësore Universitare të Vodit (CHUV), ku kanë punuar edhe punojnë akoma mjekë shqiptarë që kanë bërë emër në fushën e tyre të specialitetit mjekësor. Ka qënë konsulente e Spitalit të dëgjuar « La Tour » në Gjenevë, si dhe ka marrë pjesë në shumë programme kërkimore për transplantimin e palcës së kokcës në Europë...

Doktoreshë Wyss, duke e parë pasionin tim për të mësuar më tepër për Talaseminë, më tha një ditë, pas leximit të dy librave të mij dy gjuhësh frëngjisht dhe shqip « Meditime për shqiptarët, Evropën dhe Kombet e Bashkuara », si dhe « Nxënësja e etur e gjuhës romanshë », ku unë kam përfshirë përveç tregimeve, skicave dhe refleksioneve edhe artikuj të mij lidhur me hapat në luftën kundër Talasemisë : « Mesazhet lidhur me mjekimin klinik të talasemisë janë të shumta dhe premtuese. Shkencëtarët punojnë në këtë drejtim, por realizimet e tyre do të varen edhe nga pranimi i një mjekimi klinik të përshtatshëm nga ana e vetë pacientëve talasemikë, për të arritur pastaj tek mundësia e një kurimi më të efektshëm”. Ajo i jepte rëndësi edhe informimit të familjeve që kanë predispozicion të kenë paraardhës me genin e Talasemisë, depistimit të tyre me anë të anketave në familje, gjatë konsultave mjekësore të përditshme apo paralindjes, çka ndikon në parandalimin e sëmundjeve te fëmijët e ardhshëm ; shtronte si domosdoshmëri diagnozën prenatale, që falë përparimeve të teknikave të marrjes së materialit gjenetik dhe biologjisë molekulare, është zbatuar që nga vitet 1970.

Një ditë duke kërkuar në dosjet e saj të panumërta, ku kishte shkëmbimet e saj me mjekë të vendeve të ndryshme, më nxorri edhe letërkëmbimin me Prof. Enis Boletinin dhe, nëpërmjet tij, me profesor Selaudin Bekteshin, lidhur me trajtimin klinik fillestar të një pacienti shqiptar në klinikën e saj. Bile më tregoi edhe letërkëmbimin me profesorin e dëgjuar francez Robert Girot, një nga njohësit më të mirë të Talasemisë në botë. Ai i shkruante se prof. Enis Boletini kishte komunikuar me të lidhur me mjekimin e disa pacientëve shqiptarë dhe e quante me interes bashkëpunimin me atë mjek shqiptar që e njihte shumë mirë problemin e Talasemisë.

Doktoreshë Wyss kishte miqësi me të, ndaj konsultohej gjithmonë edhe për pacientët shqiptarë që ajo kuronte me tepër përkushtim e dashuri. Prof. Robert Girot ka shumë botime për Talaseminë. Ai tashmë është një nga bashkëpunëtorët më të njohur të Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF), që kohët e fundit i ka zgjeruar kontaktet me Ministrinë e Shëndetësisë, me mjekët tanë hematologë dhe me shoqatën shqiptare të luftës kundër Talasemisë. Presidenti i saj, Musa Zenelaj, është një anëtar i TIF, me të drejtë vote, midis shoqatave të vendeve të tjera anëtare. I kujtoja Dr. Wyss, se ajo ishte gjithmonë e pranishme në shërbimin e hematologjisë dhe rrezatonte akoma me këshillat e saj atje. E kuptonte se i jepja kurajo dhe i vinte keq se, për shkak të sëmundjes së saj, nuk mund të ishte më e pranishme atje; megjithatë shprehte një kënaqësi kur e cilësonin akoma si të domosdoshme në shërbimin hematologjik. Bisedonim në apartamentin e saj në Shampel të Gjenevës, tepër modest për një mjeke të njohur si ajo, me piktura të shumta, dhuruar nga dashamirës të saj. Më tregonte për pasionin e saj, qysh në rini, për librat, për pikturën, për udhëtimet, për dëshirën e shprehur nga një qytetar belg, mik i saj, për t’u vendosur në vilën e tij, diku në rrethinat e Brukselit...Ajo megjithëse kishte mbetur mik me të, nuk kishte pranuar të largohej nga shërbimi hematologjik pranë Spitali Universitar të

Gjenevës, pasi aty ishte kënaqësia, jeta e saj si mjeke. Kujtonte udhëtimet e saj në Europë, etj., shërbimet lidhur me transplantimet, bashkë me mikeshën e saj të vjetër, Karolinën. Kujtonte ato netë pa gjuhë të mikeshës së saj, Roza, e cila i qëndronte pranë, e qetësonte, i jepte pak e nga pak për të ngrënë dhe ia ledhatonte flokët e saj të bardhë. Disa kohë më parë, pasi pa librat e mij, si dhe botime të shkrimtarëve shqiptarë, që i kisha dhuruar apo diskun me muzikë shqiptare të realizuar në Festivalin Foklorik shqiptar nga miku im zviceran Marcel Cellier, fitues i Oskarit për muzikën e tij, ajo më tha : « Kam letra shqip nga pacientë shqiptarë, por siç e di, unë shqiptoj vetëm disa fjalë shqip : « Mirëdita », « Si ndiheni », « Faleminderit », « Mirupafshim » dhe disa fjalë të tjera. Do të doja të mësoja më tepër »...Unë e dija se gjendja e saj shëndetësore nuk e lejonte të bënte një sforcim të tepërt, por për ta qetësuar i përgjigjesha: « Do ta mësojmë bashkë pak e nga pak ». Më lejoni t’u tregoj një kujtim të bukur dhe të paharruar për doktoreshën Wyss. « Mbrëmja e asaj të shtune tek « Victoria Hall », salla më me prestigj në Gjenevë ku shfaqen operat, ishte e mrekullueshme. Çasti më prekës ishte kur orkestra, nën tingujt e "Ditëlindjes së gëzuar" i bënte thirrje një gruaje të moshuar, serioze dhe që nuk flet shumë, por ka një zemër dhe ndjenja njerëzore të jashtëzakonshme. Quhet Marinette Wyss, por të gjithë e thërresin Doktor Wyss. Ajo u emocionua kur Natalia i dha një buqetë të madhe me lule dhe e përqafoi fort si nënën e saj, shënjë e mirënjohjes për vitet e një jete të lumtur, në sajë të kujdesit të treguar nga Doktoreshë Wyss. Ajo vazhdonte ta mbronte atë dhe Natalia e adhuron me një pasion të jashtzakonshëm. Ajo u përgjigj me shumë modesti kur kolegu i saj më i ri fliste për jetën e saj në shërbim të qindra e qindra njerëzve. Ajo ka punuar qysh prej afro tre dhjetëvjeçarësh në spitalin e fëmijëve në Gjenevë. Ajo ka parë të kalojnë para saj fëmijë që vuanin, që luftonin për një jetë më të qetë e me më pak halle, që diti t'ua ulë dhimbjet; ajo ka parë fëmijë që në fillim kishin frikë nga spitali, dhe analizat, që vinin nga zona të thella të Kosovës apo vise të tjera, por me butësinë e fjalët e saj, ajo mundi t'i bindë për dobinë e trajtimit. Sëbashku me ekipin simpatik dhe kompetent të Hematologjisë, ajo bënte gjithçka për t'u kujdesur dhe shëruar fëmijët e prekur nga sëmundjet imuno-defiçitare etj.

Shpesh ajo qëndronte vonë në spital, pranë fëmijëve të sëmurë ; diskutonte me ta dhe gjente ilaçin më të mirë duke u konsultuar me kolegët e tjerë specialistë që përfaqësojnë një ekip kompakt. Megjithëse e kishte kohën shumë të zënë, ajo ishte gjithmonë e gatshme t'i dëgjojë. Ajo jepte mendimin e saj dhe bashkëpunonte me shoqatën ARFEC në Gjenevë që organizon shumë veprimtari për fëmijët e sëmurë, eskursione në Zvicër, Francë, kampe pushimi, udhëtime tek Eurodisnei etj.

Mbrëmja tek Viktoria Hall do të mbetet e paharrueshme për të gjithë ata që morën pjesë dhe admiruan gjithashtu orkestrën e artistëve të Lozanës. Ishte një kujtim i bukur për punën e përkryer që doktoreshë Marinette Wyss ka bërë në shërbim të njerëzve , të fëmijëve dhe tëadoleshentëve zviceranë, shqiptarë, arabë, italianë, portugezë e kombeve të tjerë që e përbëjnë Gjenevën multietnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat