Bukuria para gjyqit!

Opinione

Bukuria para gjyqit!

Nga: Kimete Berisha Më: 21 maj 2019 Në ora: 18:05
Kimete Berisha

1. U 'kry' gjimnazi. As s'je më e vogël m'u varë nga prindërit qysh je mësu, as s'je e madhe mjaftueshëm me ec pa të mbajtë përdore. 
(Se vjen koha kah të sillen të thonë çu mundohu për s'gjalli e t'i përmendin me emra mocaniket t'ua qysh kanë fillu punën nëpër dyqanet e qytetit).

Mosha më e bukur për bukurinë fizike, po, por bukuria e mendjes dhe e shpirtit (që s'ta lyp kush në atë moshë), është larg, shumë larg.

U 'kry' rinia. 
Mërzitesh dhe ti nuk e di a po mërzitesh pse 's'je më 'fëmijë' që je mësu as prej gjumi mos m'u çu vet, po të tjerët me t'nejt gati me të çu prej gjumi me shku n'shkollë 'me kerr', e pastaj kur t'kthehesh prej shkolle me gjet bukën e gatshme...a po po mërzitesh që po ndahesh nga shoqnia.

(Se çika, po u plakshe, e kurrë meraku me gjet bukën e gatshme kur t'kthehesh n'shpi s'po t'u hiqke).

Shoqni të vërtetë s'ka (ka pak) se sikur të kishte shoqni të vërtetë jeta do të ishte më e këndshme. 
Por, kur vjen matura, atyne ditëve të fundit, edhe 'shoqnia' më e keqe nis e të duket 'e mirë'.

Këndohen këngët e rënda të ndarjes, ku vajtohet rinia që po ikë, por ndarja e vërtetë nuk del nga kënga se në realitet as zemra 'vërr' nuk të bën pse ndahesh prej shoqnie. 
Dikush edhe qan, por po don me dal se edhe kur duket se qan për tjetër kënd, në fakt ti qan për veten tënde.

Ti kujton se ka me të ndryshu jeta dhe ke m'u mërzit shumë që po e kryen gjimnazin dhe ndahesh nga shoqnia, por kur kryhet mbrëmja e maturës dhe të nesërmen, të njejtit i takon në rrugë, e kthen kryet anash mos m'i përshëndet, se ato fytyra ta kujtojnë një kohë që mezi s'ke prit me kapërcy, si lumin e thellë e të ftohtë.

Dhe mirë që mashtrohemi. Kujtojmë se 'jemi bashkë' dhe duhemi.

Se me mendjen time 'të tashit' gati çdo dashuri (jashtë familjes) del mashtrim. Dhe mirë që mashtrohemi 'kishe po na duan e kishe po i duam', se mashtrimi na mban në jetë. Dhe koha kalon më lehtë.

Fëmiu mashtrohet me lodra-dhe rritet.

Kur rritesh, bjen në grackë të një tjetër lodre tjetër që i thonë 'dashuri' dhe 'hajt-hajt', mashtrohesh me dashuri.

Dikur e kupton se njeriu zëvendësohet me një njeri tjetër (që do të thotë zëvendësohesh edhe ti...bën edhe pa ty), si lodra që ndërrohet për një lodër më të mirë, ndërrohet sot njeriu për një njeri më të bukur, më të pasur, më të ri.

E në fund, plakesh, braktisesh nga të gjithë, dhe kush ka fat e jeton në fshat, mashtrohet 'me do pula'.

2. Të gjithë shtyhen se kush po duket 'më e bukur se tjetra'. 
Ka thënë Zoti, që gjithmonë dikush të jetë më i bukur se ti. 
E s'është e vërtetë se vetëbesimi të bën të dukesh bukur fizikisht, vetëbesimi të bën të dukesh e sigurt dhe pa komplekse, por jo më e bukur seç je.

Çfarë fustani me vesh, çfarë ngjyre, ku m'i gjet sandalet që kombinohen me fustan, a me vnu bizhuteri a jo, mos o Zot ndodh me vesh fustanin e njejtë me naj vajzë tjetër, apo ndoshta është ide e mirë me marr një fustan me vete rezervë...
(Unë kurrë s'e kam harruar, kohë robërie, fustanin e maturës ma qepi nana, por pata hjek shumë m'i gjet do sandale ngjyrë tambli. Me mend t'sotit isha shku n'papuçe e s'ma kish ndi).

3. Natën e mbrëmjes prej mëngjesi fillon gazepi e 'drama estetike' nuk përfundon deri në momentin e fundit. 
Askush nuk duket qysh e ka paramendu që do të duket. 
Se sa më shumë që i jep zor m'u duk mirë, aq më shumë komplikohet situata.

4. Bën vaki s'të ka dalë puçërr në fytyrë qe 1 vjet, e han dreqi paraqitet puçrra bash para mbrëmjes së maturës, që dikë e detyron m'i ndrru kahjen e brushës e dikë m'i pre shishkat.

5. Gjithmonë gjendet dikush që nuk shkon në mbrëmje të maturës dhe kurrë nuk dihet pse s'shkon (se ato që s'shkojnë nuk tregojnë).

Dikë s'e len 'frajeri' e dikush ka komplekse. Ndodh rrallë që në momentin e fundit naj vajzë shkon në mbrëmjen e maturës e veshur thjesht në farmerka (pa grim e pa frizurë) për t'u tregu modeste, mospërfillëse a ku me ditë çka, por kjo modesti shihet nga shumica si arrogancë, si shansi i vetëm për 'me ra në sy'.

6. Ende herët me përfundu ankthi, sapo mbaron një dramë, fillon një tjetër. 
Sapo je pajtuar me shkallën e bukurisë tënde dhe je nis në mbrëmje, i nënshtrohesh një 'jurie dhe gjykate' të rrugës. Në shtëpi nuk ekziston dikush që të thotë se s'po dukesh bukur.

Por, jashtë shtëpisë, në të dy anët e rrugës, djem e vajza, gra e burra, pleq më pak, e më shumë plaka, dalin dhe e gjykojnë 'bukurinë' dhe veshjen tënde me zë të lartë e të rreptë.

Ti s'ke si i mbyll veshët mos m'i dëgju komentet që gati shumica janë negative, për të gjitha vajzat.

'Gjykatat estetike të trotuareve' janë të pashpirta, ndër sy të prindërve, gjuajnë gurë e dru në drejtim të vajzave maturante që parakalojnë te gjimnazi, janë komente të njejta me 'vrasësit' e grave në botën e errët, ku gratë gjuhen me gurë derisa u del shpirti.

7. Komentet janë këto:

'Pse nuk dilshe krejt desh';' 
'Koke mundu boll po s'paske gjoksa';
'O ti tjetra, ruju se po të bijnë n'tokë';
'Ajo prapanicë nuk është e jotja, sa pare e ke ble'; 
'Valla beter femër koke'; 
'Valla të kisha çu në shpi teme qitash e të kisha kthy në shpi tane n'sabah'; 
'Pse po ec krah me këtë shoqe, po ta prishka bukurinë'; 
'Kqyre këta, qysh po i shihet shlitzi ashiqare që ju ka çkep edhe pejt i kanë dal'; '
'Ja paske vesh fustanin naj nuseje që u martu para 50 vjete'; 
'O, po e trashë koke'; 
'Po e keqe, budallicë';
'Ngrehe, ngrehe zhag'; 
'Kqyre qysh po duken, si k..v.'; '
'Ah, çka të kisha ba ty'; 
'Çfarë këmbsh si futballer'; 
'S'paska b.th. as kurgjë hiç'; 
'Oj ti, me fustan t'kuq, i paske b.th.t. si dy qebapa'; 
'Koke shumë e vogël'; 
'Valla pela që koke, bander'; 
'Bullica që koke, me çu n'shpi çiften e saj ta han t'gjalltë'; 
'Kryqja kësaj frizurën si shtrufullog'; 
...
E qindra, qindra komente tjera negative e ofendime që nuk t'i kap truri.

9. Ndërsa komentet e grave të vjetra kanë ngjyrime 'moraliste', të tipit:
'Qysh jeni desh mori kështu, marre ju koftë'.

10. Asnjë prej komentuesve të pranishëm në parakalimin e maturantëve të Mitrovicës nuk ishte me ferexhe, as me mjekër.

Pra, komentet e tmerrshme vinin nga njerëz që në veshje dukeshin perendimor, që edhe pse qind për qind edhe ata vetë e kanë përjetuar 'dramën e maturës' dhe vështirësi m'i siguri veshjen e dëshiruar për vete, ata harrojnë çka heqin prindërit m'i përcjell fëmijët e tyre deri aty. 
S'u vjen keq as prej prindit, as prej Zotit.

11. Kështu ndodh çdo vjet. 
Maturantët i nënshtrohen 'gjykimit estetik' dhe masiv të rrugës e pastaj të ofenduara e të kompleksuara, me lotë në sy shkojnë në mbrëmje t'maturës 'm'u kënaq'.

Dhe askush nuk tregon pse maturantët e Mitrovicës çdo vjet duhet me udhëtu me autobusa e me shku në një restorant të caktuar në Sllatinë me mbajt maturën, m'u maltretu e m'u bë llom gati 2 orë udhë, ish dasht m'u gjind një restorant në Mitrovicë.

12. Me ju dhënë liri shqiptarëve, dhe m'i marrë seriozisht, ta bëjnë punën me vra veten, pse s'je e bukur mjaftueshëm për ta. 'Aq shoqni bukurosha që jemi.

13. Dhe këtij procesi të tmerrshëm nuk i nënshtrohen djemtë maturantë, të cilët edhe i japin zor më pak, edhe duken mjaftueshëm bukur. 
Ka edhe djem që qysh thonë pejontë 'i ndukin' vetullat e i bëjnë flokë shatir, ata bien në sy dhe edhe ata nuk shpëtojnë pa ndonjë koment të rëndë, ama me gjyqin e tmerrshëm që u bëhet bukurisë së çikave, nuk krahasohet asnjë.

14. Drama e mund dramën. Dhe këtu nuk përfundon. 
Se pastaj në mbrëmje, kur vallja i bashkon të gjithë maturantët, del e i ndan padrejtësia e mësimdhënësve, sepse shpallen me të njofshëm si nxënëse më të mira (për të përfituar bursë një një universitet privat që s'po ja përmend emrin) nxënësit që nuk janë të shkëlqyeshëm. 
Më të mirët, e ulin kokën.

Shteti i Kosovës është i vogël, i ri, por arrogant, mafioz dhe diskriminues prej çerdhes e deri në Institucionin e mbramë.

Jo maturantët që nuk trajtohen barabartë (edhe media i reklamon veç vajzat e komandantëve dhe tregtarëve), por edhe fëmijët në çerdhe i ndajnë në femijë VIP të ministrave, dhe 'fëmijë të parëndësishëm'.

Janë ato çerdhe që edhe në facebook i reklamojnë vetëm fëmijët VIP. 
Ua kisha përmend emrat atyre çerdheve, por s'po du, le t'ua përmendin ata prindër që ua diskriminojnë fëmijët çdo ditë.

15. Fjalët e fundit të Leonardo Da Vincit që i tha para se të vdiste ishin këto: 
mE kam fyer Zotin dhe njerëzimin, se puna ime nuk ishte mjaftueshëm e mirë'.
M'u kujtua Leonardo Da Vinci, në këto çaste, kur po më vjen shumë keq pse jam kaq e pafuqishme me ju 'mësu' 'mos me ua ndi kurrë për komentet e askujt për ty'. 
Por kam aq forcë sa t'ju them 'kajani' nanën, mos lëni gur pa rrotullu, e mos i duroni padrejtësitë.

P.S. Perendon dielli, maturantët largohen, zbrazet qyteti, komentuesit shpejtojnë për të mbërri në iftar me kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat