Mbi demokracinë dhe diktaturën

Opinione

Mbi demokracinë dhe diktaturën

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 22 maj 2019 Në ora: 15:40
Abdulla Mehmeti

Ajo që duhet të thuhet në fillim të këtij shkrimi është fakti se, nuk mund të ketë demokraci me organizim politik nga lartë-poshtë, kur klanet politike thellësisht të korruptuara dhe kupolat e krimit ia diktojnë sovranit cilësinë e pushtetit.

Diktatura në një shtet fillon kur elitat politike të korruptuara dhe kupolat e krimit ia diktojnë sovranit cilësinë e pushtetit, ndërsa qytetarëve ua dozojnë të drejtat e tyre, kur pakica ia imponon shumicës vullnetin e saj, në vend të vullnetit të saj legjitim të shprehur përmes votës së lirë, e cila duhet të jetë burimi i pushtetit, në të cilin krijuesi dhe mbrojtësi i vlerave themelore të demokracisë duhet të jetë qytetari.

A e vërejnë këtë qytetarët e shteteve në tranzicion, apo vetëm i vuajnë pasojat në heshtje? Sigurisht që jo, si pasojë e dozës së lartë të indoktrinimit, e propagandës sistematike dhe mashtrimit përmes luksit dhe kapitalit me prejardhje nga jashtë, kryesisht përmes burimeve nga krimi i organizuar dhe kontrabanda, droga, prostitucioni, kumari, shitja e pasurive natyrore, madje edhe e territoreve të këtyre shteteve. Luftërat në këto procese janë vetëm mjete për realizimin e qëllimeve të këtyre lëvizjeve politike destruktive, jodemokratike dhe antikombëtare, ku faktori njeri është më i parëndësishëm se çdo gjë tjetër.

Gati në të gjitha shtete ish socialiste, në të cilat është imponuar kjo formë e organizimit politik, i kontrolluar që në fillimet e tij (1990) nga shërbimet sekrete të ish regjimeve komuniste, ku edhe pas tri dekadave të „tranzicionit“ nuk ka progres, por ka vetëm shkatërrime dhe stagnim, ka prapambetje dhe prapavajtje, degradim të vlerave morale, politike dhe kulturore, shkatërrim të ekonomisë, kriza të përhershme, trazira dhe pasiguri, shpërngulje masive të popullsisë.

Një lëvizje politike mund të jetë e suksesshme, progresive dhe e dobishme, vetëm kur ajo organizohet nga poshtë-lartë, jo nga lartë-poshtë; kur mbështetet në burimin e saj, në bazë, në vullnetin e shumicës, të qytetarëve, nga vota e lirë e tyre, nga e merr fuqinë dhe e mban orientimin çdo lëvizje politike për realizimin e qëllimeve për të cilat edhe ekziston si formë e organizimit të një shoqërie, apo të populli.

Në asnjë vend dhe asnjëherë, asnjë lëvizje politike, kulturore dhe kombëtare, nuk mund të jetë e suksesshme nëse ajo organizohet nga lartë-poshtë, siç është organizuar lëvizja politike e shqiptarëve deri më sot, sepse bart në vete rrezikun e imponimit të individëve dhe grupeve të caktuara destruktive; të nxitura, organizuara dhe financura nga shërbimet e huaja sekrete, nga nëntoka kriminale dhe forca të tjera jodemokratike, të cilat për interesa të tyre të caktuara këto lëvizje i shndërrojnë në lëvizje jokombëtare, jodemokratike dhe johumane, duke ua imponuar vullnetin e tyre shumicës së qytetarëve, përmes propagandën si mjet i bindjes dhe krijimit të opinioneve, duke e keqpërdorur vullnetin politik të qytetarëve, votën e tyre, si mjet i cili mund të blihet dhe shitet, të kontrabandohet dhe keqpërdoret, siç ndodh ndër ne me shitblerjen e votave, me këtë edhe uzurpimin e pushtetit, rritjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar deri në përmasa shkatërruese të shoqërisë, apo një popull.

Për ndryshimin e gjendjes në të cilën janë aktualisht shqiptarët, sidomos shqiptarët në Maqedoni, seriozisht duhet të mendohet për forma të tjera ndryshe të organizimit politik, përmes të cilit qytetarëve do t'u kthehet dinjitetii i nëpërkëmbur. liria e kufizuar, e drejta e vetëvendosjes, e votës së lirë dhe e pjesëmarrjes aktive në qeverisjen e shtetit dhe institucioneve të tij, pa imponime nga lartë, të cilat më tepër vijnë nga qendra të huaja dhe për interesa të tyre, e që realizohet në këto vende përmes mercenarëve të kamufluar në „demokratë“ dhe „atdhetarë“, të cilë me kohë kanë qenë të rekrutuar nga qendrat dhe shërbimet e huaja për drejtimin e lëvizjeve politike në shtetet ish socialiste, lëvizje e cila mund t'i shërbejë çdokujt, jo edhe popullit në emër të të cilit thirret, kinse u shërben interesave të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat