Vrasjet dhe burgosjet e veprimtarëve shqiptarë të LNDSH-së nga OZN-ja dhe UDB-ja jugosllave

Opinione

Vrasjet dhe burgosjet e veprimtarëve shqiptarë të LNDSH-së nga OZN-ja dhe UDB-ja jugosllave

Nga: Sami Arifi Më: 24 maj 2019 Në ora: 08:12
Sami Arifi

Veprimtarë të mëdhenj si mësues, udhërrëfyesë, udhëheqës shpirtëror të shqiptarëve në këto treva veçoheshin: Adem Gllavica, Gjon Serreqi dhe Rizah Strellci.

Kundërshtarët e aneksimit të Kosovës nga Serbia pushkatohesin nga pushteti jugosllav (serb) pa asnjë proces gjyqësor, kështu që duke parë gjendjen e tillë me terror e gjenocid në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, kishin filluar të organizoheshin forcat demokratike shqiptare, prandaj ato forca demokratike gradualisht bashkoheshin me Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH), pra, në gjirin e kësaj lëvizje bashkoheshin shokë të idealit për çlirim kombëtar. Kongresi i LNDSH-së u mbajt më 25 korrik të vitit 1946 në Lypovicë, Ibrahim Grainca-Cërnilla ishte delegat dhe njëri ndër organizatorët e këtij Kongresi, mirëpo ky në fund të vitit 1946 u arrestua me 29 veprimtarë të LNDSH-së nga rrethi i Ferizaj, Lipjanit, Gjilanit dhe Kaçanikut. Ibrahimi mbajti qëndrim të papërkulur nga akuzat që i bënte prokurori i qarkut të Kosovës Ali Shukriu, ku gjykata e dënoi me 20 vjet burg, të cilin burg më se 9 vite e vuajti në Mitrovicën e Sremit.

Gjon Serreqi u lind në Ferizaj më 1920, ishte intelektual i cili në Luftën e Dytë Botërore ishte luftëtar kundër fashizmit, ai ishte demokrat i njëmend, por që mbas luftës ai u zhgnjye nga qëndrimimi i udhëheqjes i PKJ-së nga terrori dhe gjenocidi që bën repartet jugosllave kundër shqiptarëve, prandaj pas këtyre ngjarjeve që pasuan Gjoni u bë ideator dhe udhëheqës i LNDSH-së, ai u bë organizator i luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesëve serb, malazez e maqedonas, kështu që për shkak të kësaj veprimtarie pushtuesit e arrestuan më 1947, e dënuan me vdekje, dënim ky që u ekzekutua më 31 gusht 1947 në Tauk Bashçe të Prishtinës.

Rizah Strellci ishte veprimtar i guximshëm që punoi pa u lodhur për të shpërndarë abetere dhe libra të tjerë në gjuhën shqipe në tërë Kosovën. Rizah Strellci luftoi si kundër pushtuesëve serbë, italo-gjerman, ashtu edhe kundër atyre serbo-komunistë, mbas ripushtimit të Kosovës në vitin 1944, për këtë u ndoq, u arrestua dhe u dënua me burg të rëndë, ku vdiq në burgjet e regjimit terrorist jugosllav. Një numër bashkëpuntorësh shqiptarë, nën parullën  për “barazinë e popujve në emër  të “bashkim vëllezërimit”, ishin shndërruar në vegla qorre të pushtuesëve dhe ishin vënë haptazi në shërbim të UDB-së jugosllave.

Adem Selim Gllavica u lind më 1916 në fshatin Gllavicë të Lypjanit,  gjatë luftës shërbeu si nënprefekt në Ferizaj, ndërsa në shtator të vitit 1944 ishte zgjedhur si kryetar i Komitetit të Rinisë Nacionaliste për Mbrojtjen e atdheut dhe të Kombit Shqiptar, pastaj me 1 dhjetor komandant i Shtabit Suprem të Kosovës, ai ishte ndër drejtuesit kryesor të sulmit për çlirimin e Ferizat më 2-3 dhjetor të vitit 1944 së bashku me Hysen Tërpezën dhe me shumë të tjerë. Pas largimit nga Kosova Ademi jetoi dhe veproi në Australi, ku edhe vdiq në qytetin Perth të Australisë.

Ibrahim Hazër Lutfiu u lind më 1912 në Prizren, ai gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte prefekt i Mitrovicës, Ibrahimi në nëntor të vitit 1944 u arrestua nga OZN-ja, por që gjatë rrugës për në Prishtinë e liruan luftëtarët shqiptarë që më 2 dhjetor po të këtij viti e kishin rrethuar Ferizajn. Ai gjatë punës në ilegalitet ishte lidhur me KQ të ONDSH-së me qendër në Shkup, i cili bashkërëndoi aksione politike me Shtabin Suprem të Kosovës, me organizatën “Besa Kombëtare” të Ymer Berishës si dhe me udhëheqësit e ONDSH-së dhe të njësiteve guerile në Drenicë, Shalë, Llap, Moravë etj. Në shkurt të vitit 1950, repartet e UDB-së, nën komandën e Mehmet Maliqit arritën ta zbulonin vendin ku strehohej Ibrahim Lutfiu, por ai (Ibrahimi) për të ruajtur pjesëtarët e familjes që e kishin strehuar dhe për të mos u dorzuar i gjallë, e vrau vetën, por UDB-ja i kishte ra në gjurmë mbajtësve të Ibrahim Lutfiut që ishte Zenun Emin Kepa-Kokollari, UDB-ja e arrestoi dhe e masakroi mizorisht. Përveç Zenunit, strehues i Ibrahim Hazër Lutfiut ishte edhe Behlul Bajram Kokollari etj, Behluli ishte Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare i cili u dënua me 6 vjet burg, të cilin burg e vuajti në Nishë. Mehmet (Cikuli) Maliqi ishte arma kryesore e shtypjes së demonstratave popullore të pranverës së vitit 1981, për një kohë të gjatë edhe drejtues i forcave të UDB-së në Kosovë.

Me 1 dhjetor të vitit 1944 u formua Shtabi Suprem i Kosovës, komandant i të cilit u emërua Adem Selimi, ndërsa anëtarë: Ymer Berisha, Luan Gashi, Ajet Gërguri, Qazim Llugaxhia, Halim Orana, Qazim Bajraktari, Ahmet Selaci, Ukshin Kovaçica, Musli Dumoshi, Hysen Gërdovci e të tjerë.

Ajet Fazli Gërguri ishte njëri nga udhëheqësit më të shquar të LNDSH-së, ai në nëntor të vitit 1944 u emërua pranë Këshillit Ekzekutiv nëpunës në Sektorin e Bujqësisë të rrethit të Podujevës. Gjatë vitit 1945, kur ishte vendosur sistemi pushtues jugosllav në Kosovë, ai ishte një nga udhëheqësit e qëndresës shqiptare dhe u shqua si udhëheqës i Organizatës Nr. 2 të LNDSH-së, e cila organizatë bashkëpunoi ngusht me KQ të ONDSH-së  në Shkup, me “Besën Kombëtare” dhe organizoi Kongresin e Lypovicës. Ajeti u arrestua nga UDB-ja më 3 shkurt të vitit 1947.

Halim Ibrahim Orana gjatë Luftës Dytë Botërore ishte konsull i Shqipërisë në Zagreb, ai më vonë kontriboi në shtrirjen e qëndresës shqiptare në Kosovë, në Maqedoni dhe në trevat tjera etnike, ishte kryetar  i KQ të ONDSH-së në Shkup, Halimi u vra nga UDB-ja në vitin 1947.

Qazim Lush Bajraktari gjatë viteve 1941-1944 u angazhua në luftimet për mbrojtjen e kufirit etnik të Plavës, Gucisë, në Rozhaj, Pazarin e Ri dhe në Koloshinin e Vjetër, ai vazhdoi luftën e armatosur kundër forcave të UDB-së që ishin shpesh më të mëdha dhe kundër atyre të “Mbrojtjes Popullore” Halimi u vra tradhëtisht në Sferkë të Gashit.

Ahmet Selaci ishte kryetar në Shalë nga viti 1935 deri më 1941, ai ishte luftëtar i denjë kundër forcave të UDB-së dhe të “Mbrojtjes Popullore”, luftimet ishin zhvilluar në Bërçan dhe te Guri i Sokolit, ku ai bie herokisht në Betejën e Batahirit, më 19 shkurt 1947 bashkë me Tahir e Mehmet Bajram Selacin, Faik e Isuf Boletinin dhe në këtë luftë u plagos Imer Selaci, i cili u zu rob.

Imer Shaqir Selaci,  ishte postkomandant i xhandarmërisë shqiptare në Shipol, në Tunelin e Parë dhe në Bare gjatë viteve 1941-1944, Imeri ishte pjesëmarrës në luftimet për mbrojtjen e kufirit etnik në Pazarin e Ri, Leposaviq, Sllatinë, Çabër, Barel etj. Ai bën pjesë në formacionet e komanduara nga Adem Voca që nga nëntori i vitit 1944, ndërsa në qershor të vitit 1946 iu bashkua njësitit të Ahmet Selacit. Pasi u kap, pas shërimit e mxorën në gjyq, por që UDB-ja pa përfunduar procesi e nxori nga burgu dhe e pushkatoi.

Ukshin Nuhë Kovaçica ishte pjesëtar i lëvizjes çlirimtare të dy luftërave botërore, ai ishte pjesëmarrës i formacioneve vullnetare për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare gjatë viteve 1941-1944, gjithashtu ishte luftëtar i qëndresës kundër aneksimit të Kosovës nga Jugoallavia, ai luftërat më të ashpëra i zhvilloi në kullën e vet, në të cilën u vranë 27 partizanë, pastaj në Vesekovc, Firishte, te Guri i Mullirit, në Batahir etj. Ukshini ra heroikisht në luftë kundër forcave të UDB-së më 20 shkurt 1947.

Musli Sadri Dumoshi luftoi për mbrojtjen e kufijve etnikë, ai pas nëntorit të vitit 1944, veproi në ilegalitet, por ai më 1948 u vra pabesisht bashkë me Azem Jashanicën në Prapashticë.

Ymer Shaban Berisha nga nëntori i vitit 1944 ishte në ilegalitet, ai formoi organizatën “Besa Kombëtare” i cili u shqua si ideolog i qëndresës së armatosur për mbrojtjen e kufijve dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Ai u vra më 11 korrik të vitit 1946, në Hereç të Gjakovës në përpjekje kundër UDB-së dhe kundër forcave të Mbrojtjes Popullore dhe të milicisë jugosllave.

Shaip Kamberi u lind në fshatin Gajre të Tetovës, ai gjatë viteve 1941-1944 u angazhua për vendosjen dhe konsolidimin e pushtetit shqiptar në Maqedoninë Perëndimore si dhe për bashkimin e trevave që mbetën nën pushtetin bullgar. Ai ishte kryetar i komunës dhe deputet në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë (1943-1944). Veprimtar i shquar i Lidhjesë së Dytë të Prizrenit si dhe kryetar i Komitetit Qarkor për nënprefekturën e Tetovës. Ai nuk e pranoi ofertën e Zufer Musiqit, komandant i Brigadës Maqedono-Kosovare për dorzimin e pushtetit komunistëve shqiptarë, të cilët pastaj ua kaluan pushtetin strukturave maqedonase. Më 16 tetor të vitit 1944 Shaipi u arrestua nga OZN-ja dhe u likuidua në mënyrën më mizore.

Kundër veprimtarëve liridashës dhe demokrat, OZN-ja dhe UDB-ja ishin organet më të urryera jugosllave e në veçanti të Serbisë, meqë ishte zbatuese kryesore e politikës së dhunës dhe terrorit, në radhën e gjithë popujve, por në mënyrë të veçantë ndaj popullit shqiptar. Vazhdon në artikullin tjetër për vrasjet e shqiptarëve nga UDB-ja pa procese ghyqësore..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat