Emër i dashur për të gjithë

Opinione

Emër i dashur për të gjithë

Nga: Bajram Sefaj Më: 26 maj 2019 Në ora: 19:33
Ukshin Hoti

Sikur të besoja, qoftë edhe (vetëm) të shpresoja se kjo letër miqësore e vëllazërore, do të (mund) kishte çfarëdo ndikimi në përshpejtimin e daljes sate nga burgu, sigurisht se do të shkruaja shumë më përpara vdekjes sime!

(Po) thonë se, më në fund, ke dalë nga burgu. Ec e zë besë se je i lirë!

Aq më pak e, aq më larg, të besohet se je në L i r i!

-------

Mbi nyjën ferroviale të Fushës së Mëllenjave, sundonte një natë dimri siberian. Të ftohtit e madh shtrëngonte nga të gjitha anët. Ishte të ftohtë aq i egër sa që e pëlciste edhe thiun në thark. Kur edhe hekurin e bënte të brishtë si një qelqavitaminoz. Bora, për çudi, ishte deri në fut. Mbase edhe më e lartë. Befasi kjo, nga se, siç mësojmë njohuritë elementare meteorologjike, apo akoma ende, më provueshëm, eksperiencat jetësore vetë, borë e madhe, e them, e zbutë acarin. Por, jo edhe asaj nate plotë dimër, nuk ishte bora “një bojë njeri”, ajo që cenonte dhe gërvishte të ftohtit!

Ishte, ndërkaq, takimi im i parë i drejtpërdrejtë me Ukën, ai që mbretërisë së acarit i dilte pritë!

Për ta molisur sadopak e për ta bërë (sadopak) të durueshëm. Qoftë edhe e rrjeshëm.

(...)

Nga njëra prej Krushave (e Vogël apo e madhe?), në stacionin kryq të udhës ferroviale te Fushës së Mëllënjave, Ukën (Ukshin Hotin) e kishte sjellur binari i ri i trenit, që si krah i ri, nuk kishte shumë ditë në mes, kur nga Prizreni ishte kyçur, brinjësh hekurudhor në Klinën anëdrinase. Mua, ndërkaq, më çonte (aty) treni (i moçëm) i Pejës. Me histori shumëfish më të gjatë e më të pasur se që ishte i riu (tren) i Prizrenit.

(...)

Mbeltuar nate dimri e acari ekstrem polarik, në atë grumbull njerëzish të dremitur ftohti e pagjumësie, befshëm, si një shkëlqim rrezeje dielli, kam dalluar e fikësuar, atëbotë, djaloshin e lagjendave dhe të kallëzimeve fantastike, kur, qysh herët, kishin zënë të ligjëronin për “fëmijën gjenial!”. Për talentin e tij të lindur. Për prirjen e tij të madhe për gjuhët e huaja! Për poliglotin e ardhshëm! “Ai, tërë turistëve të botës (!) kur vinin në Kosovë, aty buzë rruge, ua shpjegonte hisën atraktive, kulturore e historike të Prizrenit” – kallëzonin njerëzit e entuziazmuar dhe shtonin: “Uka, francezit i flet frëngjisht, gjermanit, ia kthe gjermanisht! Por, më së miri, megjithatë, flet e shpjegon në gjuhën anglishte. Lehtë e mirë. Si në gjuhë të vetë. Amtare. Si në gjuhë të Nënës shqiptare!”. Kështu flisnin njerëzit e gëzuar e të lumtur për Ukën e vogël, kur ishte nxënës i shkëlqyer në shkollimin nismëtar. Në fshat. Të gjitha këto, edhe atribute të tjera kësodore, ç`prej kohësh, ishin bërë, si të thuash, letërnjoftim, prezantim dhe, një si lloj “cericullum vitea” e tij. Kur, këto atribute të djeshme, bri emrit tij, thuajse, detyrimisht ishin të pakapërcyeshme...

(...)

U takuam beft. Shpejt e mirë u takuam. Ani pse ky ishte takimi ynë i parë në jetë. Kur ai ishte nxënës i klasës përfundimtare (të pestës) të Normales. Në Prishtinë. Kur unë, ndërkaq, isha student i vitit të parë (të themelimit) të Fakultetit, atëbotë, Juridiko-ekonomik të Prishtinës.

Dhe, rrethanë më origjinale, në kryeneçësinë e saj, për një njohtim të ri, midis dy të rinjëve, nuk mund të imagjinohej. Se që ishte ky. I mesnatës. Me dimër. Me acar. Me borë deri në fyt. Me akull deri në granit...

(...)

Në çastin kur çdo gjë rreth nesh, qoftë edhe pipëtimë më e vockël timbërike, kishte pushuar; kur lëmsh i bardhë i natës dimërore, po fundosej në heshtjen e detit të ngrirë, Ukshin Hoti dhe unë, sipas një kodi paqësor të ngrehur moti, e mirë të ujdisur mes nesh, vendosëm të grisim këmishën e llamarintë të natës dimërore, të ngujuar në nyjen ferroviale në Fushë të Mëllënjave! Vendosëm bashkë që, atë natë, ta lëmë aty ku ishte. Ne të ikim kthetrash të saj të mprehta. Të shkojmë, qoftë edhe këmbadoras (brinjazi), në Prishtinë!

(...)

Kjo që u tha deri këtu, dhe ajo që do të thuhet në vijim, nuk është tjetër gjë, veç se një kallëzim i ngrohtë mbi një natë të ftohtë dimri dhe për një rrugë kalvari të ngrirë nga Fushë-Mëllënjash në Prishtinë!

Rrugë e gjatë ! E shkurtë ! E kryer ! E pakryer ! E nisur ! E krisur ! E sosur ! E pasosur... !

Kështu e ashtu mund të mbërthehet ajo midis pyetjesh dhe kthetrash e dilemash.

Ani!

Ne ishim nisur!

Nëpër natë. Nëpër terr. Nëpër acar e të ftohtë të madh. Thuaj se ecnim maje gozhdash!

Të një ideali të madh. Ideali të përbashkët! Drejtë një misioni. Drejtë një dite e drite të re!

Drejtë një dielli (a drejtë një qielli!) e ngrohtësie të sajuar ëndrrash djaloshare...!

E jo, kurrsesi, siç ishte, në qartësinë e bardhë të realës.

Rrugë drejtë Prishtinës, poaq keq të mbërthyer e të katandisur acari, qelqet e të cilit i bënin grimca e thërmi, cijatjet plotë lëngatë të qenve endacakë, ndjekur gjëmësh me mjaullimë macjesh. Kur janë në ndjekje!

(...)

Nga ai rrugëtim i shkurtër kalvari, mirë mbaj ndërmend (sikur të kishte ndodhur mbrëmë, hiç më moti!) së Uka ka pasur një dhimbje të ndjeshme për mua. Ashtu të imëtë e të lidhur nyje. Një pëllumbë mbi tokë, njeri hesapi!

Po t`i kishte qëlluar xhep në xhaketën e arnosur, do të me fuste aty!

Jam më së i sigurt!

Krahas meje imcak e thatim, veçsa nuk me merrte frymë e erës së ngrirë e të me përplaste, si letër cigareje, Uka, ndërkaq, në anën tjetër ishte djalosh shpatullgjerë. Lartësinë edhe prej dy metrash e këqyrte prej së larti!

Muskuloz e azgin. Me gjoks të hapur skenderbegëjan çante rrugën përpara...

(...)

Kur acari e të ftohtit kishin zënë “zonat ekstreme të egërsisë”, tashmë kishim mbërrijtë në Prishtinën “shpëtimtare!”. Në Prishtinën e mashtrimit shpëtimtar!

Sakaq kemi zënë kthinën e një hani të parë. Të një hani në kuptimin më të keq e, më mizor, të fjalës. Kur brenda murëve të tij plithbrenjtur, të ftohtit ishte akoma ende më bizar dhe ironik, në çoroditësinë e tij, së që ishte jashtë!

Në natyrë!

As aty, në atë skutë (birë mini!) s’kishte gjë që u dilte para rretheve të akullit, kur digjte, sikur t’ishte i skuqur në karbon!

Pos fjalës djaloshare, kur ishte burrërore, të Ukës, nuk kishte tjetër magji që do të griste dhe do të mposhte këmishën e llamarintë të atij akulli dhe acari poshtërues!

Ajo copë rrugë kalvari, nëpër natën acarësh kristalore, gjithë ajo “jetë” e përjetuar bashkë, për vetëm ato disa çaste, sikur ka gatuar, ka gdhendur, ka çelikosur dhe ka salduar, një raspekt e miqësi, kujtoj dhe besoj, të ndërsjellë, midis nesh. Miqësi e respekt, me dy kahe, pra, që nuk soset kurrë!

(...)

Aty e andej, gjatë gjithë një jete të tërë, me dashuri, me miqësi, me kureshtje, syçelë e me shqetësime vëllazërore, kam ndjekur rrugën e të gjitha rrugëve jetësore, të Ukës. Të rritës dhe të zhvillimit të tij të mëtutjeshëm. Aq më parë e, aq më gëzueshëm, kur ai zhvillim ishte i shpejtë dhe i hovshëm. Në çdo aspekt dhe në çdo fushë të shfaqjes së tij. Rruga e zhvillimit profesional dhe, përgjithësisht, intelektual e Ukshin Hotit, tashmë e di fare mirë, tejkaloi edhe lartësit e parashikuesve më të guximshëm!

Ashtu sikurse ishte nxënës i shkëlqyeshëm në shkollën fillore dhe në atë të mesme, Ukshin Hoti, ishte i shkëlqyer edhe në studimet universitare dhe në ato pasuniversitare. Ishte edhe gazetar, për kohë të shkurtër, njëmend, por, tepër i pasionuar i “Rilindjes” (sonë) kombëtare. Ishte analist dhe publicist i mrekullueshëm. Kush nuk e njeh, veçsa për ilustrim, hiç tjetër dhe, kush nuk e ka lexuar (!) librin e tij të çmuar “Filozofia politike e çështjes shqiptare” !

Kush ishte dhe është Uka, profesori i mirë dhe ekspert i shquar, në fushën e relacioneve ndërkombëtare, sidomos. Ai ishte dhe është më shumë se një pedagog i dalluar. Ai ishte dhe, do të jetë përgjithmonë, prindi i dashur dhe tejet i respektuar, për të gjithë ata studentë të Universitetit shqiptar të Kosovës, që dolën e do të dalin, prej duarëve (mësimit dhe edukimit) të tij...

Ashtu siç ishte profesor dhe pedagog i njëmendet, Uka ishte dhe është një mësues i mirë dhe një ligjërues i paepur i shkencës ndër shkenca, patriotizmit dhe atdhedashurisë. Nuk harrohen, jo, jo, kurrë e për jetë të jetëve, nuk do të harrohen, dy (herë!) JO-të e tij të mëdha, kur janë fisnike dhe heroike, lirisht mund të thuhet E para – JO, organizatës Amnesty International, për të dalë (liruar) nga burgu i parë! E dyta – JO, për t`i shkruar “zhallbë” (ankesë) gjyqit (shkâ) në Prizren (a cili ishte ai, fatkeq e famëkeq, ishte ai?!). Kur, herën e dytë, për aq vjet e privoi lirie. Një e një bëjnë dy burgje!

I ndërshmi miku im, Ukë!

Kur njëri burg merr tri a katër vjet, kur burgu tjetër, fill pas të parit, merr pesë e gjashtë vjet. Këto bëjnë shumë, janë tepër shumë, për një jetë të shkurtër njerëzore. A po jo !

(...)

Sytë e përmallur (të mallëngjyer) të Ukës (UKSHIN HOTIT) për liri, si do të e gjejnë dhe shohin Kosovën?

Tokë të djegur e të shkrumbuar!

Të braktisur dhe si të shkretëruar krejtë?

Është vështirë të syspozohet. E pamundur të imagjinohet!

I djeguri martir Ukshin Hoti, nëpër burgjet famëkeqe serbe, i “lirë!” në Nënën Tokë të djegur, Kosovë!

Sikur jetë e jote, trim i çmuar, s`paska tjetër (në) mes, pos: acar e akull, në njërën anë, dhe flakë shkrumb, në anën tjetër!

Megjithatë, mirë se ke ardhur në liri, Ukshin i nderuar. Lirimi yt, Ukë i çmuar, lë të simbolizojë çlirimin definitiv të Atdheut tonë të dashur nga burgu (shumë) shekullor!

U pafshim për të mirë e në gëzime të përbashkëta, ku im i shtrenjtë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat