Antivetingu “ndërkombëtar” i Ministrisë së Drejtësisë!

Opinione

Antivetingu “ndërkombëtar” i Ministrisë së Drejtësisë!

Nga: Alpin Ollogu Më: 31 maj 2019 Në ora: 06:12
Alpin Ollogu

Me shtimin e zërave dhe kërkesave serioze për vetingun e sistemit gjyqësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kërkesa të dala nga parti politike, funksionarë publike dhe ekspertë juridik, Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga kuadër i LSDM-së, në një prononcim për mediat, në lidhje me çështjen e kërkesës dhe nevojës urgjente të vetingut, arsyetohet dhe kundërshton  me të njejtën arsye siç arsyetohej para një viti Këshilli për Reforma në Gjyqësor, i cili këshill nëpërmjet antares së saj Ana Pavlova Daneve (kuadër i LSDM-së), deklaronte se: ”procesi i rizgjedhjes dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ose siç njihet ndryshe vetingu i gjyqësorit, nuk lejohet nga bashkësia ndërkombëtare.”

Sipas Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit për Reforma në Gjyqësor, qëndrimi i ndërkombëtarëve gjatë gjithë kësaj kohe paska qenë konsekuent në kundërshtimin e vetingut, dhe ne çuditërisht, opinioni publik, figura politike, akspertë juridik dhe partnerë të koaliconit qeverisës, siç është konkretisht BDI-ja e cila së fundmi në mënyrë unanime partiake kërkon veting në gjyqësor, për të cilën edhe ka paralajmëruar nisma ligjore në parlament, përkrahur kjo nismë nga partia Alternativa si pjesë qeverisëse, gjithashtu mbështetur nga partite opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe partia Besa, të gjithë këto nuk e paskan ditur dhe akoma nuk e dihet se kush janë “ndërkombëtarët” e anti – vetingut!

Ministria e Drejtësisë, para disa ditësh në një deklaratë për mediat televizive thotë: “ai proces (vetingu) duhet të ketë mbështetje nga faktori ndërkombëtar. Deri tani vlerësimi i eksperteve ndërkombëtar nuk rekomandon zbatimin e këtij instrumenti (vetingu).”  

Tani nëse bëjmë një krahasim të thjeshtë mes deklaratave të hershme të Këshillit për Reforma ne Drejtësi dhe deklaratave të tanishme të Ministrisë së Drejtësisë, vërejmë se bëhet një lojë fjalësh me pozicionimin e faktorit ndërkombëtar. Në njërën anë cilësohet - emërohet si faktor ndërkombëtar, që për opinionin publik dhe për qëndrime zyrtare, nënkupton faktorin institucional ndërkombëtar, nëpërmjet mesazheve dhe deklaratave nga ambasada përkatëse dhe figura diplomatike, kurse në anën tjetër në prononcimet e fundit të Ministrisë së drejtësisë, flitet për ekspertë ndërkombëtarë, duke ju referuar këtyre si faktor ndërkombëtar.

 E habitshme se si krijohet huti për të manipuluar opinionin me ekspertë dhe faktor ndërkombëtar. Sepse ekspertë ndërkombëtar që të japin qëndrime të fushave të ndryshme, mund të gjenden sa të duash, bile të deklarojnë tekstualisht ashtu siç porositen - paguhen nga qarqe te interesuara. Ndërsa kur flasim për qëndrime të insitucioneve ndërkombëtare, është krejt tjetër gjë, është diçka serioze që duhet  marrë parasysh si në nivel të aspiratave integruese ashtu edhe të raporteve ndërshtetërore. Në këtë kuptim Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli për Reforma në Gjyqësor, De Fakto si korrierë të qëndrimeve partiake të LSDM-së, mundohen të hutojnë opinionin publik, por fatkeqësisht edhe partnëret e koalicionit qeverisës me konkluza të paqena. Për më tepër ata nuk janë korekte të tregojnë as kush janë këta ekspertë ndërkombetarë që qenkan kundër vetingut në gjyqësor, për të cilët ekspertë dyshoj seriozisht në ekzistimin e tyre, duke qenë thjesht një kamuflim.

Sa i takon faktorit insitucional ndërkombëtar, nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin dhe monitorojnë pa kompromis vetingun e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë fqinje, proces i cili lëvdohet vazhdimisht me nota pozitive nga të gjithë raportet evropiane për ecurinë e reformave në gjyqësor, në këtë kuptim do të ishte absurde që ata të ishin kundër vetingut të gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, në një prej sistemeve të drejtësisë nga më të shkatërruarit në Ballkan. Gjë e cila u dëshmua edhe nga skandali i përgjimeve por edhe nga vetë funksionimi i këtyre dy viteve të gjyqësorit dhe organit të akuzës në udhëheqjen e qeverisë Zaev, dhe kjo si në raport joefikas me të akuzuarit të dalë nga dëshmitë e përgjimeve, ashtu edhe nga kriminaliteti i gjithëanshëm brenda shtetit.

Por që Ministria e drejtësisë, Këshilli për Reforma në Drejtësi dhe të gjithë korrieret institucional të LSDM-së, të mund të gjejnë ekspertë juridik ndërkombëtar, si për shembull nga Koreja e Veriut, që mund jetojnë në Evropë, dhe që të jenë kundër vetingut në gjyqësor, edhe mund të gjejnë, nuk e pamundur. Megjithatë, me këtë lojë ndërkombëtarësh për të arsyetuar pengesën e reformës së vetme të drejtësisë, vetingun e shkarkimit nga sistemi prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar dhe të paaftë, të cilët pikë së pari bëhen mburojë e figurave politike qeveritare, atëherë diagnoza është shumë e qartë, udhëheqës të LSDM-së kanë frikë nga gjykata të drejta dhe të paanshme, dhe gjithashtu kanë frikë të mos i kenë ata në kontroll.

 

Për ta faktuar këtë edhe më qartë, gjatë këtyre viteve qeverisje nuk kemi dëgjuar asnjë iniciativë zyrtare kryeministrore -  apo partiake nga LSDM-ja, për një veting në gjyqësor, që pastaj këtë iniciative ta shqyrtojnë dhe kërkojnë mbështetje nga ndërkombëtarët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Pastaj supozojmë në rastin më të keq kur ndërkombëtarët zyrtarisht do të jenë kundër vetingut, do duhet të japin normalisht arsye se pse janë kundër, qe edhe ne të tjerët të kuptojmë dhe të bindemi. Apo mos ndoshta duhet të jenë kundër vetingut, për arsye se gjyqësori është funksional konform ligjit dhe moralit të duhur të subjekteve të drejtësisë! Në një kohë kur të gjithë treguesit – raportet, si ato ndërkombëtare, vendase, ashtu edhe nga praktika e përditshme e popullatës, tregojnë se gjyqësori nuk është i reformuar, përkundrazi korrupsioni dhe gjykimet e padrejta vazhdojnë njëlloj si në kohën e qeverive të kaluara, dhe se të korruptuarit e sistemit gjenden po aty.

Apo mos ndoshta ndërkombëtarët janë kundër vetingut, duke pritur që reformën në drejtësi dhe metodologjinë e vetingut ta realizojë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve, me kompetencat e njejta për emërim dhe shkarkim që kanë pasur edhe në qeveritë e kaluara, këshilla këto në vazhdën e korrierëve të politikës, ku secili antar i tyre mund të jetë më i korruptuar dhe i paaftë se tjetri, pasi skanë kaluar në “sitën” e vetingut. Qesharake dhe e pabesueshme deri në skajshmëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat