Jo Evropa, por Kosova është e dobët, që i ngjet një kuazishteti si rrjedhim i kancerit nepotist dhe korrupcionist

Opinione

Jo Evropa, por Kosova është e dobët, që i ngjet një kuazishteti si rrjedhim i kancerit nepotist dhe korrupcionist

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 31 maj 2019 Në ora: 16:43
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

*** Ndaj, për parandalimin urgjent të kësaj sëmundjeje të rëndë me pasoja fatale për shëndetin ekzistencial të popullit dhe të shtetit demokratik të Kosovës, Amerika dhe Evropa, duhet të marrin masa urgjente për  shërimin (jo mjekimin) e këtij kanceri të metastazuar (2008-2019).

Edhe Vuçiqi, edhe Thaçi si presidentë të dy shteteve të ndryshme, të qëndrojnë larg  nga “oreksi” i përdorimit të politikës së forcës

Sepse, që të dytë, duhet të jenë të vetëdijshëm se provokimi i luftës në Veriun e Kosovës qoftë nga Serbia, qoftë nga Kosova, do të ketë pasoja fatale jo vetëm për këto dy shtete fqinje, por edhe për tërë  Ballkanin. Prandaj, pa u krijuar rrethanat e rrezikimit të sovranitetit territorial të Kosovës, nuk është e këshillueshme që qeveria e Kosovës, të bëjë “eksperimente stërvitëse” të  forcës qoftë policore, qoftë ushtarake  në veriun e Kosovës, pa marrëveshjen me KFOR-in dhe, pa marrëveshjen me përfaqësuesit e  shteteve të “Kuintit” në Kosovë, sepse  Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s dhe të SHBA-së.

Megjithëkëtë,  presidenti Thaçi, së pari, duhet të mendoj për forcat e brendshme dhe për kapacitetin ushtarak dhe policor të brendshëm, duke mos harruar kurrë maksimën përkufizuese të doktrines luftarake se, nëse në të njëjtën kohë konfrontohesh me 2 armiq, luftën e ke të humbur 99 për qind.

Mirëpo, Hashimit (sipas reagimeve të politikës policore në veriun e Kosovës, kur atij po i duhet përdorimi i policisë për marketing politik)  pak po i duket  konfrontimi me Serbinë, por tash po e sfidon edhe  Evropën, duke e quajtur të “dobët dhe jo unike”!?

Duke qenë se fare nuk është momenti oportun politik (ngase Kosova është në prag të luftës me Serbinë), që korrupsioni dhe krimi i organizuar të luftohet me “parada” policore për të krijuar përshtypjen e rreme te qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë se gjoja  rendi, siguria dhe paqja në Kosovë  po rrezikohen nga kondrabandimi i mallrave në veriun e Kosovës.

Ndarkaq, KFOR-i në vlerësimet e tij zyrtare, kohëve të fundit, sa herë ka njohtuar opinion publik  se gjendja e rendit, e stabilitetit, e sigurisë dhe e paqes në Kosovë, është plotësisht normale, stabile dhe nën kpontroll të plotë.

Hashimi, pa asnjë “mbulesë” po e imiton Napoleonin  I  të Francës !

Kinse që t’i  “frikësojë” Serbinë dhe Rusinë sesa e fuqishme  është Kosova me policinë e saj!?

Presidenti Thaçi  për t’i fshehur gabimet e tij, që karakterizojnë një dekadë të plotë politikën e brendshme të Kosovës, duke  përdorur forcat policore të Kosovës, thjesht,  po “mbjell erë lufte”  në veriun e Kosovës, gjoja për ta luftuar korrupsionin, kontrabandimin e mallrave dhe krimin e organizuar etj.

 Derisa Kosova është nën mbrojtjen e NATO-s, nuk ekziston nevoja që  HashimThaçi me “marshet” e tij policore në veriun e Kosovës, ta “imitojë”  Napoleon Bonapartën I (1769-1811) i cili në fillim të shekullit XIX , në saje të aftësive  politike, diplomatike dhe ushtarake si strateg ushtarak  dhe perandor i shquar  i Francës pushtoi më se gjysmën e  Evropës),  sepse një “ekzibicion” i tillë i përdorimit të forcës mund t’i “dalë dardhë me bisht”, të mbetet si “peshku në zallë”, i braktisur edhe nga populli i vet, edhe nga Amerika edhe nga Evropa Perëndimore, të cilën, pas Samitit të Berlinit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor (29 prill 2019), Hashim Thaçi pati guximin ta quajë si “Evropë të dobët dhe jounike”!?

Ky konstatim se “Evropa është e dobët dhe jounike”, mund t’i kushtojë shtrenjtë jo vetëm Hashimit (që të “përshëndetet”  me  pushtetin e tij të pakufizuar disavjeçar), por edhe Kosovës, e cila ende është duke pritur në “sportelin” e KS-së të Kombeve të Bashkuara për njohjen e saj si subjekt juridik ndërkombëtar.

Të luftohet krimi e kontrabanda  në veri, por  pa “parada” policore të frikësimit të popullatës

Mjerisht, Thaçi ka humbur  “busullën politike”, nuk po sheh se pranë vetes  ka, jo  vetëm   2 armiq,  Rusinë dhe Serbinë, por edhe aleatët e tyre, siç janë Kina, Greqia, Qipro, Spanja, Sllovakia dhe Rumania, që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Prandaj, çdo lëvizje e gabuar drejt kufirit verior të Kosovës për të përdorur forcën policore ose ushtarake, PA konsultimin dhe PA pëlqimin e  Uashingtonit dhe të NATO-s, do të jetë katastrofike dhe me pasoja të paparashikuara për Kosovën.

Shprehur  në fjalorin e politikës metaforike, Hashim Thaçi në të njëjtën kohë nuk mund të jetë edhe paqësor, edhe kritikues  vehement i BE-së, edhe  mbështetës i politikës së forcës, edhe  unifikues i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Këtë  “lloj politike hibride militariste dhe paqësore” nuk do të mund ta kuptonin as diplomatët më të shquar të Evropës e  as të Amerikës të shekullit XX, si dhe të këtij fillimshekulli XXI(viti 2019).

Këtë e provon edhe taktika konfuze dhe jorealiste e presidentit Hashim Thaçi, i cili, në të njëjtën kohë ka përqafuar dialogun paqësor me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq në kuadrin e procesit të Brukselit (2011-2019); simulimin e forcës policore në veriun e Kosovës, ndryshimin e kufijve të Kosovës, si dhe kërkesa e tij për bashkimin e Kosovës me Shqipërisë.

Kjo lloj taktike, pa strategji të caktuar  të objektivave  prioritare parësore të përligjjes së interesit të përgjithshëm mbarëkombëtar, shtetëror dhe territorial të Shqipërisë etnike, pasqyron këto 4 elemente thelbësore të politikës manipuluese dhe mashtruese të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke mos ditur se në të njëjtën kohë, nuk mund të jetë edhe paqësor në Bruksel, edhe  “luftëtar”  në veriun e Kosovës, edhe oponent i BE-së , edhe  unifikues i Kosovës me Shqipërinë, sepse është i mangët në të gjitha këto katër aspekte. Nuk është as hija e Napoleon Bonapartës, as  e Chalres de Gaulle-it, as e Georges Washington-it e as e Abraham Lincoln-it  …etj.

Disa nga gabimet kardinale politike të H.Thaçit

Së pari, pa marrë pëlqimin e popullit të Kosovës, pranoi verbërisht Dialogun e Brukselit kinse për “normalizimin” e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë (2011-2019).

Së dyti, disa herë abuzoi me PK-së, duke kërkuar përdorimin e forcës në veriun e Kosovës gjoja për ta rikthyer nën sovranitetin territorial dhe shtetëror të Kosovës.

Së treti, u dakordua me propozimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për ndryshimin e kufijve të Kosovës në favorin e Serbisë. Mirëpo, këtë “pazar pa hanxhiun” ia prishën kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryetari frëng Emanuel Macron në Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimore, më 29 prill 2019.

Së katërti, doli me deklaratën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Gjithë këtë konfuzion apolitik dhe adiplomatik  në të njëjtën kohë, duke synuar edhe paqe, edhe  duke kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, edhe  demonstrim force në veriun e Kosovës, edhe ndryshim të kufijve të Kosovës, edhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë,  politika dhe diplomacia  evropiane perëndimore dhe ajo amerikane e kanë shumë të vështirë ta kuptojnë se,  cili është interesi prioritar i politikës dhe i diplomacisë së Hashim Thaçit, çfarë ai, në të vërtetë po kërkon nga Amerika dhe nga Evropa Perëndimore?

-Cili është prioriteti  i kësaj “fontane dëshirash” të Hashim Thaçit, të shpërfaqur NË TË NJËJTIN INTERVAL KOHOR, si: 1) Paqësor, 2) Kritikues (pa asnjë argument) i Bashkimit Evropian, 3) Ithtar i përdorimit të forcës dhe 4) Unifikues i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë?

Me gjithë këtë bagazh politik dhe gatishmëri pa mbulesë, nevojitet ta përkujtojmë presidentin Thaçi se, edhe  po të kishte  vizionin e kthejellët, strategjinë,  forcën dhe faktorin njeri në plan të parë, edhe ushtrinë  e Napoleon Bonapartës së Francës, këto 4 dëshira të shkreta dhe iluzore nuk do të mund t’i realizonte në rrethanat dhe në kushtet e sotme të marrëdhënieve politike ndërkombëtare në Ballkan, në Evropë dhe në botë.

Sidomos kur kihet parasysh fakti i qëndrueshëm historiko-politik ndërkombëtar se Kosova e pavarur është “produkt” i Amerikës dhe i NATO-s, jo i Hashim Thaçit  dhe i Shqipërisë së Edi Ramëve, të cilët e tradhtuan Kosovën shqiptare, duke i lënë mbi 2 milionë shqiptarë në flakën dhe në zjarrin e terrorizmit dhe të gjenocidit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999), ku makineria e regjimit të tij kriminel, policor, paramilitary dhe military maskaruan dhe vranë mbi 13 mijë shqiptarë, dhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare, shpërngulën mbi 1 milion shqiptarë, shkatërruan me qindra mijëra shtëpi dhe vendbanime, si dhe plaçkitën dhe vodhën pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të pallogaritshme.

 Shumë vonë i ka “dalë gjumi” Hashim Thaçit ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë !

-Thjesht, për faktin se pas përfundimit të luftës, Thaçi nuk ishte i pushtuar nga ideali dhe nga kërkesa e domosdoshme dhe e drejtë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, POR ishte  “i djegur” nga  motive i luftës egoiste për pasuri, për  pushtet dhe për karrierë me çdo çmim, duke mos kursyer as oponentët politikë dhe ushtarakë as gjatë luftës, as në kohë paqeje. Kjo ishte ambicia e tij karrieriste jetësore, të cilën e realizoi tërësisht, duke u bërë kryeministër i qeverisë dhe së fundi edhe president i Kosovës (2008-2019).

Si reagim “rebelues i  mosdëgjimit” të BE-së, kohëve të fundit, Hashim Thaçi ka dalë me opsionin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë! Mirëpo, kjo është vetëm një utopi e politikës së tij simuluese ndaj bashkimit kombëtar dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, pa asnjë dozë realizmi dhe sinqeriteti politik, duke qenë se:

(1)       Së pari, përqafoi me paqe Dialogun e Brukselit, që në thelb ka sfidimin e statusit të pavarësisë së Kosovës (2011-2019);

(2)       Së dyti, kur “sharra i ndeshi në gozhdë”, së bashku me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq dhe me kryeministrin në largim të Shqipërisë, Edi Rama, u angazhua që t’i ndryshonte kufijtë e Kosovës;

(3)      Së treti, pasi edhe këtë plan strategjik të treshit Vuçiq-Thaçi-Rama, prerazi e hodhën  poshtë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryetari i Franës, Emanuel Macron, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përfitoi nga rasti, që  të deklalrohet me një Propozim të ri, duke kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

(4)      Së katërti, kërkesa e Thaçit për të hyrë Kosova në Union me Shqipërinë, është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008), ku thuhet: “ 3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti. “( Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 1, Pika 3.).

Duke qenë se, sipas Nenit 1, Pika 3. të Kushtetutës në fuqi, e cila e ndalon bashkimin e Kosovës me shtetet fqinje, shtrohet pyetja, nga e drejta e presidentit Hashim Thaçit ta shkelë Kushtetutën, kur dihet se  Pika 3 është një nga kushtet që Kosova  të njihej ndërkombëtarisht nga Amerika dhe nga aleatët e saj evro-perëndimorë.

JO Bashkimi Evropian, por Kosova është e dobët, sepse e drejtojnë politikanët e dobët, nepotistë, të korruptuar dhe të pasuruar në kurrizin e popullit

Mirëpo, pavarësisht nga këto fakte të qëndrueshme,  duket  se presidenti aktual i Kosovës, së fundi ka fituar bindjen se është bërë më i “fuqishëm” sesa BE-ja të cilën e  kritikuoi ashpër pas mbajtjes së Samitit të Berlinit, më 29 prill 2019, duke nënvizuar se “ Definitivisht në Berlin u tregua edhe njëherë sesa e dobët është Evropa (sipas tij, do të thotë se politika e  Evropës “qenka  më dobët” sesa  politika korrupcioniste, nepotiste dhe despotike e Hashim Thaçit!? –M.H.)  dhe sesa jo unik është Bashkimi Evropian dhe çfarë paqartësie kanë mes veti liderët e vendeve përkatëse.” (https://kdpolitik.com/2019/05/interviste-hashim-thaci-nese-sarrijme-marreveshje-kete-vit-e-humbim-nje-dekade/ ).

-Po, sikur, vërtet, Thaçi ta kishte njohur aq mirë e në hollësi strategjinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të interesave dhe të raporteve politike, diplomatike, ekonomike, tregtare të shteteve të Evropës, përkatësisht të Bashkimit Evropian, sigurisht se Kosova, do ta kishte fituar  të drejtën e liberalizimit të vizave para Serbisë (2009) .

Ndaj, nuk qëndron “kosntatimi” kuturu i presidentit Hashim Thaçi se gjoja “Evropa është e dobët dhe nuk është unike” !

Ky konstatim i paekuilibruar si politikisht, ashtu edhe diplomatikisht e përgënjështron  thënien e urtë të popullit se “njeriu më i mençur është  ai që e njeh vetëvetën, jo të tjerët”.

Presienti Thaçi i ka “punët llugë në shtëpinë e tij”, ku përditë opozita po kërkon shkarkimin e tij dhe të qeverisë aktuale për shkak të nepotizmit, të despotizmit,  të oligarkizmit, të korrupsionit, të 50% të papunësisë dhe të varfërisë, të ekzodit sistematik, të krimit të organizuar,  të ngecjes së zhvillimit ektonomik, të politizimit dhe të korruptimit të sistemit të drejtësisë, si dhe të gabimeve të tjera të panumërta, që nga ardhja e tij në pushtet (2008-2019).

I gjithë  ky spekter i problemeve të theksuara me të cilat po ballafaqohet populli dhe Kosova (2008-2019) , pasqyron barometrin e saktë të falimentimit të shtetit të së drejtës, të sistemit parlamentar dhe demokratik pluralist dhe multietnik.

Me një fjalë, këto fakte dhe argumente provojnë se në çfarë stadi Kosova është e dobët, jounike, e përçarë dhe anarkike (sipas interesave partiake, grupore, klanore dhe krahinariste), ku sundon padrejtësia, injoranca dhe mentaliteti amorf provincialist, i rezervuar vetëm për klasën e lartë  borgjeze të pasur në pushtet.

Pra, për ata liderë politikë që kanë sy e  ndërgjegje njerëzore, humane, kombëtare dhe “demokratike”, që po e drejtojnë “anijen” e Kosovës në drejtimin e gabuar drejt   një  “pusi të pafund”, duhet të kuptojnë dhe ta pranojnë botërisht se “ KOSOVA ËSHTË E DOBËT, JOUNIKE”, jo Evropa, që po e shpif Hashim Thaçi,  e cila që nga viti 1989 (9 nëntor), kur shembi Murin e Berlinit dhe, dy vite më pas, kur shthuri edhe  Traktatin  Ushtarak të Vrashavës (1991) e  deri më sot (2019),  kurrë nuk ka qenë më e fuqishme, më unike dhe më e integruar. Ndërkaq, Kosova që nga pavarësimi i saj më 17 shkurt 2008 e deri më sot, 2019, është shumë e dobët, e varfër, e pazhvilluar, jounike dhe e shfrytëzuar nga kastat politike në pushtet, të cilat  intereat e tyre heterogjene i kanë vënë  mbi interesin e përgjithshëm të popullit dhe të shtetit të ri të Kosovës.

Ky është problemi serioz dhe më i rrezikshëm, që po e kërcënon Kosovën si shtet parlamentar demokratik, me tendencë që ky të shndërrohet në një kuazishtet, ashtu siç po luftojnë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të  saj.

 Ndërkaq, ndryshe nga Kosova (e cila ende nuk është rrumbullakësuar si shtet në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare  për shkak të mosnjohjes nga ana e Këshilit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara), Evropa Perëndimore  është tejet e unifikuar, e zhvilluar, e demokratizuar dhe e integruar (1990-2019), POR JO edhe Kosova, ndonëse e njohur nga 100 shtete anëtare të OKB-së, sepse  politika provincialiste,nepotiste, korrupcioniste, mafioze, burokratike, oligarkike, despotike dhe unitariste e regjimit të Hashim Thaçit, ende nuk është në gjendje për t’i kuptuar interesat strategjike dhe vlerat e njëmendta të demokracisë kapitaliste të Evropës Perëndimore.

Ky është problemi 30-vjeçar jo vetëm i politikës së Hashim Thaçit, por edhe i të gjithë liderëve të tjerë politikë në Shqipëri (1990-2019), të cilët biznesin privat, drejtësinë, pushtetin, pasurinë, lirinë, demokracinë, mirëqenien e kanë  uzurpuar dhe rezervuar vetëm për veten dhe për familjet, për klanet,për  grupet, për  partitë, për dreka dhe për darka të tyre, duke u diferencua nga shumica dërrmuese e popullit si klasë borgjeze e pasur në pushtet. Ky është problem serioz, të cilin, tanimë, edhe Evropa ka filluar ta kuptojë fare mirë se kush janë milionerët dhe miliarderët politikë të korruptuar dhe të kriminalizuar si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Vetëm një naiv, që nuk di se ç’është Evropa, mund të deklalrojë se ajo “është e dobët dhe jounike”, duke mos e parë veten se në çfarë  ujërash  të turbullta  dhe të rrëmbyeshme po  “noton” Kosova, si shkak dhe pasojë e plaçkitësve, e korrupcionistëve mafiozë milionerë dhe miliarderë.

- Po, nëse Thaçi e ka ditur  se “Evropa është e dobët dhe jounike” etj.,  pse qe 10 vjet ai  po kërkon ndihmë ndërmjetësuese nga BE-ja në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2019) ?!

Pra, edhe njëherë po theksoj se, Evropa e sotme nuk është e dobët as e përçarë, por shumë vizionare, pragmatike dhe e qartë në realizimin e strategjisë dhe të standardeve të saj politike, ekonomike, ushtarake, tregtare, kulturore integruese, plotësisht në frymën demokratike dhe paqësore të rendit të ri global botëror.

-JO  Evropa nuk është e përçarë dhe as e dobët, POR  ne jemi të përçarë, të dobët dhe me shumë të meta-recidiva të së kaluarës së lashtë, që politikën ende e bëjmë me “rabush” sipas “bajraktarëve” feudalë të fiseve, kush është më i fortë, më i pasur, më “harambash” dhe më antihuman etj.

-Ja, sa të dobët jemi ne në krahasim me shtetet e ndryshme të BE-së:

-        1) Para dhe pas përfundimit të luftës (1999-2019), sa shqiptarë nga Kosova kanë marrë azil qoftë si emigrantë dhe refugjatë në vendet e Evropës?

-        2) Pse , o hashima pas përfundimit të luftës (1999), “nuk patët nevojë”, që t’i ktheni në Kosovë kuadrot inetelektuale akademikë shqiptarë, të cilët ishin të gatshëm me përgatitje profesionale dhe me kredo kombëtare për të drejtuar politikën, diplomacinë dhe zhvillimin ekonomik e arsimor të shtetit të ri të Kosovës, por rekrutuat “prapavijën” e një “armate” amatore të tërë akraballëkut (sipas mahallave, katundeve, qyteteve, partive, firmave, kompanive) sipas  “skemave piramidale” të nepotizmit, të krimit të orgnizuar dhe të korrupsionizmit, me qëllim të fundit-kapjes së pushtetit për të plaçkitur popullin, për të varfëruar popullin dhe, për ta përzënë në ekzil sistematikisht (1999-2019), në mënyrë që ta “kullosnit” vetë Kosovën.

-        Ky është uniteti, kjo është politika më e mirë, më e leverdishme dhe më largpamëse e Hashimave sesa politika dhe uniteti i Evropës, e cila qe më se 40 vjet ka pranuar afro 2 milionë shqiptarë hallegjinjë nga  hapësirat e Ballkanit?!

-Lereni rehat Evropën, shikoni  huqet dhe gabimet e juaja të pakorrigjueshme, sepse vetëm për pushtet dhe për pasuri enrome i keni përçarë dhe diferencuar shqiptarët në 2 klasa: 1) Klasa borgjeze  e pasuruar në mënyrë të paligjshme, duke plaçkitur popullin dhe, 2) Klasa proletare më e varfër, e papunë dhe e hedhur në rrugë.

Ja, kjo është politika juaj  “më humane”, “më unike”, “më kombëtare”, “më patriotike”, “më kozmopolite” dhe “më demokratike”, thënçin “evropiane”  e hashimave në Kosovë e në Shqipëri (1990-2019).

Mirëpo, ka ardhur çasti historik, që këto padrejtësi krime,  korrupsion, plaçkë dhe shfrytëzim të njeriut prej njeriut, që patjetër, dhe urgjentisht t’i ndëshkojë Evropa e sotme  humane, demokratike e integruar dhe paqësore së bashku me të, edhe  Amerika demokratike.

Tanimë , populli është ngopur me gënjshtra, me mashtrime, me papunësi, me varfëri dhe me padrejtësi, sepse liderët e korruptuar politikë milionerë dhe miliarderë janë shtypësit, shfrytëzuesit dhe përçarësit e popullit,  JO Evropa, as Amerika, e cila me aleatët e saj e çliroi, e shpëtoi dhe e pavarësoi Kosovën. Mirëpo, në paqe (2000-2019) po e shkatërrojnë vetë liderët drejtues të saj, duke e shndërruar në pronë private të tyre të paligjshme.

 

-Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, vetëm edhe kjo MEDALJE  e   “politikës sportive” i mungon Hashim Thaçit

Siç duket, në bazë reagimeve të politikës ditore, edhe  Hashim Thaçi është  ngopur me karrierë partike të PDK-së, me kolltuk si kryeministër qeverie dhe me kolltuk si president i Kosovës, tash po i duhet, vetëm edhe posti si “ kryetar” i Kosovës dhe i Shqipërisë së bashkuar, mundësisht në një “FRON DUALIST” me Edi Ramën, sepse kanë ide dhe program unik se si t’i “përcaktojnë kufijt e rinjë” të Shqipërisë etnike në Ballkan, në favorin e interesave dhe të politikës kolonialiste dhe neokolonialiste të shteteve  fqinje (Serbia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Greqia).

Mirëpo, të dytë harrojnë se, as ndarja e Kosovës e as bashkimi kombëtar nuk janë tenderë publikë e as privatë të Hashim Thaçit dhe të  Edi Ramës (sepse nuk është trashigimi e etërve të tyre), POR e të gjithë shqiptarëve në Ballkan, pa pëlqimin e të cilëve nuk do të ketë  kurrfarë bashkimi as të Kosovës e as të Shqipërisë, sepse kjo farë “formule sakate” e pjesshme nuk zgjidh problemin kolonial të shqiptarëve në Ballkan, vetëm se do të ishte edhe një mashtrim dhe tradhti e radhës ndaj 4 milionë shqiptarëve, që edhe më tej të mbesin koloni të Serbisë, të Malit të Zi,  të Greqisë dhe të Maqedonisë Veriore.

Këtë të vërtetë ua  kanë bërë me dije si kancelarja gjermane Angela Merkel, ashtu edhe kryetari frëng Emanuel Macron (duke hedhur poshtë copëtimin territorial të Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë) në Konferencën e Parisit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor (që në fokus kishte edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke përtrollisur propozimin e “trojkës” Vuçiq-Thaçi-Rama për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë), bërë  në Berlin të Gjermanisë, më 29 prill 2019.

S’ka bashkim me ata që kanë tradhtuar dhe vrarë popullin, që po e rrjepin popullin dhe, që po e shfrytëzojnë egërsisht popullin!

Realisht, siç thuhet në popull, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, deklarata e presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Kosovës me Shqipërisë është një “cirkus politik” për të krijuar mjegulla të dendura, me qëllim që të shpërqëndrojë vëmendjen e popullit të Kosovës nga tradhtia, nga  shtypja, nga papunësia, nga varfëria e skajshme, nga  shfrytëzimi, nga mjerimi politik, ekonomik, social, jo zhvillimor dhe nga mashtrimi i tij lidhur me ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Fundja, edhe me dreqin, do të bashkohemi, por JO, kurrë me ata që kanë vrarë bijtë dhe bijat më të mira të popullit shqiptar; JO, kurrë me  ata që kanë diferencuar mbi 1 milion shqiptarë, duke i braktisur jashtë Kosovës dhe Shqipërisë; JO, kurrë me ata që popullin po shfrytëzojnë si “bagëtinë” në kohën e skllavopronarisë; JO, kurrë me ata që popullin e kanë varfëruar dhe lënë të papunë rrugëve si  brenda , ashtu edhe jashtë atdheut nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe të botës; JO, kurrë me ata që i rëndon çfarëdo hipotekë që bie ndesh me moralin, me etikën, me virtytet, me traditat, me zakonet shenjta të kombit shqiptar, me vlerat, me parimet e humanizmit, me  besën dhe me atdhedashurinë e trashëguar nga stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët tanë brez pas brezi. –Jo bashkim me ata që kanë tradhtuar interesin e përgjithshëm të Kombit Shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, vetëm për të sunduar vetë, vetëm për jetuar vetë në luks dhe në begati  të pafund me familjet e tyre, me klanet e tyre dhe me partitë e tyre politike, duke përvetësuar djersën, pasurinë e popullit dhe, duke shkelur mbi emrin, mbi veprën dhe mbi gjakun e heronjve dhe të dëshmorëve të të gjithë brezave të Kombit Shqiptar. (XIV-XXI).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat