Bashkimi Kombëtar dhe Shteti Komb bëhet realitet vetëm kur të muroset në themelet e tij “Rilindja” e Edi Ramës

Opinione

Bashkimi Kombëtar dhe Shteti Komb bëhet realitet vetëm kur të muroset në themelet e tij “Rilindja” e Edi Ramës

Azgan Haklaj	 Nga Azgan Haklaj Më 2 qershor 2019 Në ora: 09:39
Edi Rama

Kur në vitin 1479 Sulltani gjakatar Mehmeti i Dytë mbërriti përballë Kalasë së Shkodrës për ti dhanë fund qëndresës shqiptare për liri ju drejtua gjeneralëve të tij:

"Ja çfarë çerdheje madhështore ka zgjedhur shqiponja për të mbrojtur zogjtë e vet".

Beteja për Shkodrën tashmë ka hyrë në legjendë.

Arbërorët e dorëzuan Kështjellën pas një qëndresë homerike dhe spartane e marrëveshjes së dy fuqive më të mëdha të kohës, Venedikut dhe Turqisë.

Sulltani turk nuk e dinte Legjendën e Rozafës e natyrshëm s'ka si ta dijë as Edi Rama e tutorët e tij Car Putini e Sulltan Erdogani, të cilët sëbashku me sejmenët e tyre Vuçiçin dhe Thaçin punojnë natë e ditë kundër Bashkimit Kombëtar të shqiptarëve, krijimit të Shtetit Komb të tyre dhe integrimit në Bashkimin Europian.

Krijimi i Shtetit Komb nën një gjuhë e flamur të vetëm i shtrirë në të gjitha trevat etnike të Atdheut Tonë është Testamenti i Besëlidhjes së Lezhës, vepër e Gjergj Kastriotit ( Skënderbeut), Testamenti politik i Lidhjes së Prizrenit e programi kombëtar i Rilindjes Kombëtare.

Sot, pikërisht Binomi Rama-Thaçi, personat përgjegjës për mosintegrimin e Shqipërisë në BE dhe refuzimin e liberalizimit të vizave dhe të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës,

"Predikojnë" Bashkimin Kombëtar si kërcënim ndaj Europës dhe Përendimit, diplomacia e të cilave varrosi në Berlin ëndrrën e Serbisë së madhe, duke i dhanë një goditje vdekjeprurëse strategjisë së Trinomit Thaçi- Vuçiç-Rama për ndarjen e Kosovës.

Koha i dha të drejtë qëndresës dhe vizionit të dalzotësit të lirisë së Kosovës, Kryeministrit Haradinaj, i cili ndonëse i vetëm ia doli ti mbetej besnik dëshmoreve të çlirimit të Kosovës, të cilët ishin dishepuj të Bashkimit Kombëtar.

Ai ia doli të shpëtojë ndarjen e Kosovës, një akt madhor ky, politik, diplomatik e patriotik, i cili është premisa më e sigurt e Bashkimit Kombëtar.

Kryeministri i Kosovës Haradinaj e varrosi përgjithmonë teorinë e "Shqipërisë së Madhe", një sajesë e Serbisë së Madhe e trumbetuar në këto momente delikate politike nga dyshja Thaçi- Rama, qëllimi i të cilëve është të çojnë ujë në mullinjtë e diplomacisë serbo- sllave, për ndarjen e Kosovës.

Përpara se ta rrëmbejnë Flamurin Kuqezi nga duart e patriotëve të vërtetë e ti bien daulleve të Bashkimit Kombëtar Rama e Thaçi kanë shumë hesape për të larë.

I pari është përgjegjës për shkatërrimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të tij kushtetuese, për krijimin e Republikës së drogës e të krimit, për vjedhjen e miliarda eurove nga pasuria kombëtare e shpalljen tradhtarë të opozitës, për bllokimin e integrimit dhe ngritjen e mureve, trarëve, postblloqeve taksidarë mes shqiptarëve.

I dyti është përgjegjës e urdhërues i eliminimit të dhjetëra kundërshtarëve politikë, i izolimit të Kosovës, ideator i ndarjes së saj nën maskën e patriotizmit për bashkimin me Shqipërinë.

Natyrshëm lind pyetja po me trojet tjera etnike shqiptare çdo të behet ?!

Ku mbeti Çamëria, krahu i thyer i shqiponjës, plaga jonë që kullon gjak, e cila as nuk thinjet as nuk mplaket?!

Po shqiptarët e Malit të Zi e të Maqedonisë, pa të cilët këto dy shtete nuk ekzistojnë.

Shqiptarët ishin aty faktorë imponues të njohjes së Kosovës nga qeveritë përkatëse, malazeze e maqedonase dhe me këmbënguljen e vendosmërinë e tyre u banë promotor të rrugëtimit të Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut për në NATO dhe BE.

Thaçi po përpiqet ti mashtrojë shqiptarët gjoja me bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, duke marrë thjesht disa fshatra, e në fakt duke humbur dhe pjesë të Mitrovicës së Veriut, me shkëmbim trojesh shqiptare.

Tezat e tij të paqëndrueshme, të shkërmoqura tashmë, akrobacirat politike, ekzibiconet qesharake të fundme, herë me korrigjim kufijsh, herë me demarkim të vijës kufitare, pastaj me korrigjim të lehtë, më në fund pa kaluar mbi trupin tim nuk preket një pëllëmbë tokë shqiptare e kanë kthyer Atë në një figurë grotekse.

Përpara se të bashkohemi të gjithë në një Shtet Komb, nën një gjuhë e një flamur, e cila është endrra jonë dhe një realitet i afërt dhe i pashmangshëm, ne duhet ti qerojmë hesapet me pseudopatriotët e markës Thaçi-Rama të cilët ashtu si në Baladën e Rozafës e shkatërrojnë natën atë që patriotët shqiptarë e ndërtojnë ditën.

Beteja për Shtetin Komb e Bashkimin Kombëtar është sinonim e binom i pandarë i endrrës europiane të shqiptarëve.

Ne as nuk bashkohemi e as nuk integrohemi kurrë në Bashkimin Europian pa "murosur" "Rilindjen" kriminale dhe pa dëbuar nga kolltuku Sadrazemët e tipit Rama-Thaçi, të cilët Shtetin e konsiderojnë si sulltanat të tyre, të cilin mund ta sundojnë me metoda despotike dhe bizantine dhe ta shesin sa herë të duan si një plaçkë tregu.

Koha e tyre ka mbaruar e rrugët tona janë të ndara!

Ata i pret gjyqi i historisë dhe shqiptarët ëndrra e projekti madhor i Shtetit Komb dhe i integrimit në Bashkimin Europian, aty ku na ka vendosur historia, e për të cilën kemi bërë në shekuj sakrifica heroike e mbinjerëzore.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat