Alternativa programore për zhillimin ekonomik të Republikës së Kosovës

Opinione

Alternativa programore për zhillimin ekonomik të Republikës së Kosovës

Nga: Shpend Salihu Më: 3 qershor 2019 Në ora: 19:07
Shpend Salihu

Derisa kemi anomali dhe defekte ekonomike që e përkeqësojnë jetën socio-ekonomike në Kosovë, mjerimi social do të rritet. Derisa në Kosovë lulëzon biznesi joformal do kemi evazion fiskal, derisa nuk kemi politika të qarta makro-ekonomike, bizneset do bankrotojnë sepse nuk do kenë përfitime financiare sepse konkurenca është e egër në biznesin e ulët e të mesëm. Pyetja shtrohet përse nuk kemi shfrytëzim të mineraleve nëntokësore dhe revitalizim e krijim të industrisë së metaleve?..., sepse dikuj i shkon në favor mjerimi socio-ekonomik, sepse nëse sektori i industrisë së metale të lehta dhe të rënda do futej në funksion ai do zbuste varfërinë, do rriste buxhetin shtetëror dhe do avancohej standardi jetësor në Kosovë. Nëse kemi Njësi të inteligjencës financiare dhe Administratë Tatimore funksionale do duhej të rishikohej dhe vlerësohej sektori i biznesit sepse nuk duhet shumë mençuri, që një pjesë e madhe e biznesit legalizohet për shpërlarje të parave të pista e jo për përfitim financiar ose zbutje të papunësisë. Sektori i bujqësisë është i degraduar pasiqë toka bujqësore po shëndrrohet dhe legalizohet në tokë ndërtimore, e kjo jo vetëm se e dëmton dhe cenon planin hapësinor të Republikës së Kosovës, por edhe e pamundëson shfrytëzimin e tokës bujqësore për të mbjella dhe shteti në këtë rast duhet të ndaloj legalizimin e tokës bujqësore në tokë ndërtimore dhe përmes subvencioneve dhe granteve të lehtësojë kultivimin e të mbjellave bujqësore. Në këtë aspekt çalon edhe sektori i blegtorisë, sepse kemi shumë pak ferma e shumicën e gjedheve e marrim nga Serbia dhe Maqedonia të cilët kanë edhe prejardhje të dyshimtë, andaj nëse subvencionohet sektori i blegtorisë sidomos nëpër male do kishim rendimente bio dhe çmimin më konvencional në tregun e shitjes.

Duhet shteti i Kosovës të rishikojë planin për shitjen e NSH sepse shumica e këtyre ndërmarrjeve edhe pse janë privatizuar me spin off special, ato kanë ndërruar destinacionin e prodhimit me çfarë është dëmtuar sektori industrial i Kosovës.

Në rrafshin e jashtëm duhen pregaditur kuadro që të lobojnë anembanë botës tek biznesmenët afarist dhe industrialistët ndërkombëtar, duke ua sqaruar mundësitë ekonomike të Kosovës, duke ua interpretuar ligjin për kapitalin financiar ndërkombëtar, ligjin për taksa për ndërmarrje të caktuara si dhe mundësit që shteti i Kosovës i garanton, me qëllim që kapitali financiar ndërkombëtar të injektojë në ekonominë Kosovare.

Në sektorin e turizmit mund të shfrytëzojmë malet e Sharrit, Rugovës etj me qëllim që të jemi atraksion për biznesmenët e diasporës dhe për partnerët ekonomik ndërkombëtar, me qëllim të revitalizimit të turizmit, duke krijuar qendra skijimi dhe hotele e restorante me çfarë përmes tatimeve do kishim përfitime buxhetore dhe do rrisnim buxhetin shtetëror.

Gjithashtu mund të firmosim marrëveshje me partnerë ndërkombëtar me qëllim revitalizimin e minierave në Mitrovicë të Jugut dhe Veriut, ku do kishim përfitime buxhetore dhe një rritje enorme të punësimit nëpër këto miniera, por siç duket dikujt nuk i shkon në favor rritja ekonomike dhe mirëqenia e zhvillimi industrial por amullia ekonomike që po dominon në Kosovë.

Në sektorin bankar do duhej banka qendrore të kërkonte lehtësira për kredi biznesore dhe ulje të shkallava kamatare me çfarë biznesi do të inkurajohej edhe më shumë për rritje. Këto dhe shumë veprime tjera do e rringjallnin ekonominë, zbusnin varfërinë dhe do të ndalonin eksodin e të rinjëve në diasporë si dhe do të rrisnin standardin dhe nivelin e pagave. Por siç duket kjo nuk është konvencionale për klikën tonë politike, andaj le të japin dorëheqje e le ta marrin intelektualët e mirrëfilltë pushtetin që ta tejkalojmë këtë krizë dhe ta konsolidojmë shtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat