Nga Prishtina në Australi: Mikpritja dhe ndalesat australiane

Opinione

Nga Prishtina në Australi: Mikpritja dhe ndalesat australiane

Nga: Gani Mehmetaj Më: 5 qershor 2019 Në ora: 08:24
Gani Mehmetaj

Janë mahnitëse pamjet nga qielli kur e hedhë shikimin mbi qytetin më karakteristik australian- Sidnein.  Qyteti është futur në det, apo deti ka depërtuar në gjirin e qytetit. Ura e famshme Sydney Harbour Bridge të del para, ashtu sikurse të fascinon objekti i Operës , ndërsa plazhet me nam që i ke parë në televizor, dukeshin rrëzellitëse në mëngjesin e 9 majit 2019, vjeshtës së vonë australiane, që të ngjanë me pranverën prishtinase kur merr kohë e mirë.

Sidnei është qytet i veçantë, simbol i periudhës të lavdishme koloniale, por edhe i inkorporuar në zhvillimin marramenthës të Australisë së sotme, ku rrokaqiejt të duken si të ishe në Nju- Jork a në Los Angjeles.

Aeroporti ndërkombëtar nuk ndryshonte nga aeroportet në Evropë e në Azi, e megjithatë ishte ndryshe. Policët dukeshin të relaksuar, nuk shprehnin nervoz a strese në punën e tyre me përgjegjësi, edhe pse presioni i refugjatëve nga Azia ishte i madh. Në Sidnei ateronin shumë aeroplanë. Qysh gjatë fluturimit na e dhanë një pyetësor me vërejtjen se asgjë s’mund të fusnim në Australi, pos 25 cigareve. Ndalesat australiane ndaj mallrave të huaja janë proverbiale. S' mund të fusësh asgjë që prodhohet a kultivohet në këtë shtet. Kur me thanë se kjo bëhej jo vetëm për të mbrojtur prodhimet vendëse, por edhe për të penguar farërat që nuk ishin testuar e nuk kultivoheshin në këtë kontinent, mu kujtua përpjekja e shqiptarëve në Evropën Perëndimore qysh në vitet shtatëdhjeta të shekullit të kaluar që ta merrnin me vete fasulen kudo që shkonin, madje disa e kultivuan në tokën e ftohtë zvicerane e gjermane. Nuk e di cilat ishin rezultatet? Të kenë provuar shqiptarët të fusnin edhe fasulen në tokën e Australisë?

 Vërshimi i refugjatëve në shtetin e qetë e të kamur australian është një problemë me të cilin ballafaqohen në det e në tokë kufitarët, sepse Azia është e trazuar, me luftëra lokale e me varfëri të skajshme. Megjithatë janë më efikas se sa evropianët e flashkët. Është një barsoletë e humoristit të famshëm afrikan Trevor Noah në një shfaqje  “Standup”, në Melbourn, ku ai paraqet përvojën e tij dhe tallet me rreptësinë e doganierëve australianë ndaj ushqimeve. Kështu, rrëfen humoristi, edhe pas disa pyetjeve të policit australian se ku shkonte dhe se duhet ta jep një adresë të vendqëndrimit ne Australi, turisti kinez ia kthen i druajtur me dërdëllitjen e tij karakteristike  " Kanguru" (që dmth do të bënte vizitë turistike dhe do të shihte kangurët). Dikur polici i mërzitur nga moskuptimi i pyetjes e nga përgjigja prej papagalli e kinezit e le të kaloj. Por kur doganieri e sheh tjetrin me një mollë në dorë, i drejtohet i acaruar: "Nuk mund ta fusni atë mollë në tokën australiane! Ku e more atë mollë? Do t'u fusim në karantinë!". Trevor Noah, u drejtohet: Australi çfarë ju ka bërë molla? Kinezi edhe mund të futet pa shumë pyetje në Australi, por molla e kinezit nuk lejohet!

Australianët kanë humor të mirë, tallen edhe më gjëra politike e jo politike. Australia përballej edhe me emigracionin evropianë dikur, megjithëse janë evropianët ata që e popullzuan, e ndërtuan dhe e udhëheqin shtetin. Banorët e parë evropianë ishin të burgosurit, me ta erdhën gardianët, administrata e burgut dhe e furnizimit, mjekët, infermierët, menaxherët e tokave që punoheshin  nga të burgosurit, udhëheqësit e minierave etj. kështu, u krijua mozaiku i shtetit të ardhshëm, ku nuk pati luftë të brendshme, nuk u pushtua nga një shtet i huaj. Australianët nuk e ndjenë madje as krizën e recesionin në kuptimin e rrënimit të ekonomisë sikurse në Evropë e në ShBA.

Euro perëndimorët u stabilizuan, ndërsa në mes të dy luftërave botërore vala më e madhe e refugjatëve ishte nga Gadishulli Ilirikë: grekë, shqiptarë, kroatë, serbë, sllavë të Maqedonisë etj. Por ata tashmë janë inkuadruar në rrjedhat e shoqërisë australiane, ose janë pjesë e këtij shteti me karakteristikat ekzotike të kombit a shtetit nga vijnë.

Kafe ekspreso, s'para pihet në Sidney e në Australi. Por e kanë kur ua kërkojnë turistët. Kur i thash kamerierit të një bistroje fare pranë aeroportit: kafe eksperso, të lutëm, ai me shikoi me kureshtje. Jeni italian? Jo, jam nga Kosova, iu përgjigja, i lodhur nga rruga  mbi 16.000 kilometra. Ku është Kosova, me pyeti me kureshtje. Afër Italisë, deti dhe një bjeshkë e madhe na ndanë, i thash gjysmë me shaka, gjysmë me seriozitet. Dikur u kujtua se te ne ishte bërë një luftë, por shpresonte se tash jemi në paqe. Pastaj bëmë shaka për kafen time pa sheqer dhe kafen e madhe australiane me shumë qumësht e sheqer, që e porositi gruaja ime.

Australianët janë mikpritës. Fytyra u ndriçon kur e kuptojnë se ke ardhur ta vizitosh shtetin-kontinentin e tyre. Frymën patriotike, ku Australia është në qendër të vëmendjes e kanë mu si amerikanët. Marketingu më i fuqishëm bëhet kur vihet në pah se është prodhim australian qind për qind, ujë australian, verë australiane, televizioni australian, e përditshmja australiane etj.      

Australianët hapësirat e tyre të mëdha i kaptojnë me aeroplanë, megjithëse kanë rrugë të mira, por jo rrugë të gjëra kontinentale me shumë korsi sikurse në Evropë, apo madje edhe sikurse në Dardaninë tonë të varfër. Dhjetëra burra e gra me shtatë të lartë e trup të bëshëm u futën në aeroplanin lokal nga Sidney në Kanberra, ku do të shkonim edhe ne. Si në tallje, ia thash gruas, ka rrezik ta praptojnë fluturaken këta burra e gra që secili prej tyre peshonte mbi 100 kilogramë, e megjithatë nuk mund t'u thoshe se ishin të majmur. Fluturonim mbi një visore karakteristike me shumë fusha e kodrina, ndërsa malet me pemën e kurorës së gjerë australiane na ndoqën kudo.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat