Qëndrimet inerte dhe arshinet e dyfishta ndaj politikës hegjemoniste të Serbisë..!?

Opinione

Qëndrimet inerte dhe arshinet e dyfishta ndaj politikës hegjemoniste të Serbisë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 6 qershor 2019 Në ora: 20:07
Rexhep Elezaj

Beogradi zyrtar, alias kreu i shtetit serb, A. Vuçiq, kryeministrja (gay) A. Bërnabiq, ministri për punë të jashtme (lexo: anti-shqiptari numër një) këlyshi i Millosheviçit, I. Daçiç, si dhe udhëheqës tjerë shovinist serb, bashkë me atë krye-çetnikun e ri në qeverinë e Serbisë i ngarkuar kinse për Kosovën, M. Gjuriç, etj., nuk ka rast të vetëm, orë e as ditë, që kur flasin para mediave ose në Parlamentin e Serbisë, të mos ofendojnë, fyejnë, shajnë, denigrojnë, kërcënojnë me luftë, si dhe me lloj-lloj shprehjesh të ndyra, banale dhe nënçmuese ndaj ne shqiptarëve dhe Kosovës.

Përderisa, në anën tjetër, Prishtina zyrtare, alias kreu i shtetit të Kosovës, H. Thaçi, krye-parlamentari K. Veseli, kryeministri R. Haradinaj, ministri për punë të jashtme, B. Pacolli dhe udhëheqës tjerë, nuk ka mbase asnjë rast të vetëm që reagojnë, ose që e thonë, bile sa për ta thënë, ndonjë fjali ose qëndrim kundërshtues ndaj gjitha atyre shantazheve raciste, fashiste dhe hegjemoniste që vijnë pandërprerë nga ana e udhëheqësve të Serbisë kundër shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës..!?

Ajo që unë kam mësuar gjatë përvojës time të gjatë politike si dhe nga përvoja në diplomaci, është fakti konstant, se çdo shtet në botë i cili veten e konsideron sovran dhe të pavarur, siç është p.sh. rasti i Eritresë e pavarësuar me luftë dhe gjak nga Ethiopia okupatore në Bririn e Afrikës lindore (rast bukur i ngjashëm me pavarësinë e Kosovës nga Serbia), dhe që të dyja këto shtete radhitën në rendin e vendeve më të varfra në botë, pa asnjë hezitim, kur ato cenojnë kufirin dhe sovranitetin territorial të njëri tjetrit, pasojnë reagimet përkatëse dhe reciproke në nivel të njëjtë dhe me masa të njëjta ndëshkuese ose hakmarrëse !?

Ndërsa, Prishtina zyrtare dhe krerët e saj shtetërorë, jo vetëm se nuk vunë masa të reciprocitetit me shtetin armik serb, ashtu siç pati propozuar LVV-je qysh në vitin 2010, kur i përmbyste kamionët e firmave serbe në Merdare dhe tek Dheu i Bardhë, madje siç dihet mbajtën qëndrime favorizuese ndaj Serbisë, për të mos thënë ledhatuese, duke lejuar disa herë shkeljen e sovranitetit të Kosovës nga vetë udhëheqësit e Serbisë, në emër të gjoja “kontributit për fqinjësi të mirë dhe normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje..”!?

Dhe, derisa krerët e Serbisë çdo ditë, muaj dhe vit ashpërsonin masat, fjalorin si dhe veprimet antishqiptare dhe kundër Kosovës, ndër të cilat, siç e dimë të gjithë ishte propaganda diplomatike dhe fushata e egër nëpër botë kundër pavarësisë së Kosovës dhe ndikimi i saj tek disa shtete që ta anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, siç bën madje disa sosh të cilat e tërhoqën njohjen ndaj Kosovës..!?

Është absurde të mendohet ose të besohet kaq verbërisht, se vënia e taksës 100%-ind ndaj mallrave të Serbisë ishte veprimi i vetëm dhe i mjaftueshëm  që pushtetarët serbë në Beograd ta ndryshojnë retorikën dhe fushatën anti-shqiptare në rajon dhe botë, veprim të cilin ata e shfrytëzuan me sukses që Kosovën në arenën ndërkombëtare ta paraqesin si pengesë kryesore për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Ndonëse, nuk ka asnjë dyshim, se pranë vënies së taksës është dashur pa hezitim që krerët shtetëror të Kosovës, qysh moti ndaj Serbisë të ndërmarrin masa reciproke me ato të qeverisë serbe ndaj Kosovës, duke filluar nga targat e automjeteve, njohjes së diplomave, regjimit të vizave për funksionarët serbë, pagesa e sigurimit të automjeteve, ashtu siç është vepruar (pa të drejtë, v.j.) ndaj mërgimtarëve tanë këtu e 15 vite më para, dhe kështu me radhë..!?

Regjimet fashizoide serbe, siç ka treguar përvoja e gjatë historike, njohin vetëm gjuhën dhe sjelljet e forcës, ashpërsinë, reciprocitetin dhe frikën, prandaj mosveprimi e qeveritarëve në Prishtinë me masa të njëjta politike dhe juridike, ka sjellë pa dyshim, deri tek nxjerrja e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës në ankand publik. Dhe, fare mirë ka qenë e ditur se ofertuesi e parë do jetë Beogradi zyrtar, ngase pranimi për ndryshim apo korrigjim të kufijve nga ana e presidentit të Kosovës, ishte shansi i dytë historik për hegjemonët e Serbisë që të vazhdojnë politikën gllabëruese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, së pari, duke e marrë veriun e saj si trofe të luftës, në vend se të ndëshkohej për gjenocid në Kosovë dhe Bosnje para çdo veprimi tjetër..!?

Pra, ajo që dua ta potencoj, është fakti shumë i dhimbshëm, se brenda organeve dhe institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës nuk ka një qendër vendimmarrëse, që si faktor shtetëror merr vendime strategjike për politikën e brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, ka disa qendra të vendosjes, madje ka disa zyra ku merren vendime politike dhe shtetërore në mënyrë “ad-hoc”, mjerisht secila krye me vete dhe pa asnjë koordinim veprimesh, së paku për paraqitjen në arenën ndërkombëtare, siç e tregoi këtë zallamahi politike dhe diplomatike përçarje brenda institucioneve të Kosovës gjatë kohës së mbajtjes së samitit në Berlin (30. 04. 2019), meqë rast politikanët shqiptar nga Prishtina përveç se dolën qesharak, mbase ishin dëmtuesit kryesorë të imazhit dhe politikës shtetërore të Kosovës në këtë tubim, kundrejt vetë proceseve dhe politikave globale dhe rajonale të BE-së dhe SHBA-ve në Evropë dhe më gjerë..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat