Një diplomë si dëshmi edukate

Opinione

Një diplomë si dëshmi edukate

Nga: Ramiz Spahiu Më: 9 qershor 2019 Në ora: 12:22
Lapidari në vendin e rënies së dëshmorit Faik Dragaj

Shkollën shqipe kudo në Kosovë, sikur tërë popullin tonë, lufta e goditi rëndë. Ndër shkollat që pësoi më së shumti në komunën e Skënderajt dhe më gjerë është shkolla e mesme teknike “Anton Çeta”. Pas lufte kësaj shkolle i munguan 32 nxënës, një klasë e tërë, dhe ne e quajtëm – KLASA e LIRISË. Në përkujtim të tyre u ngrit një pllakë përkujtimore në oborrin e shkollës, dhe u shkrua një libër monografik me të njëjtin emer. Shkollës i munguan edhe pesë profesorë (dy prej tyre të zhdukur). Ndërsa shumë nxënës, shkollës iu kthyen me plagë dhe invalidete të tjetra trupore, madje edhe të shpëtuar nga pushkatimi.

Momente të vështira për shkollën tonë ishin përballja me mungesën e shokëve dhe çastet e përkujtimit të tyre me kurora lulesh, vizitë familjeve të nxënësve dhe arsimtarëve të vrarë, mbajtja e fotografive të tyre në shkollë, përkujtimi i Klasës së Lirisë në revistën e shkollës “Shkëndijat e Drenicës” , dhënia e diplomave të nderit, etj.

Një rast përkujtimi, nga më të rëndët në historinë e perkujtimeve të nxënësve të rënë në luftën për liri nga shkolla jonë është 9 Qershori 2000. Ishte ky një vjetori i rënies heroike të nxënësit dhe shokut tonë – dëshmorit Faik Dragaj. Me atë rast ish nxënësit tonë, nxënësit dëshmor iu nda një diplomë nderi.

Kur lufta përfshiu trojet tona, Faik Dragaj nga fshati Leçinë, ishte nxënës i vitit të tretë elektrokompjuter. Sikur shumë shokë tjerë nga shkolla jonë dhe mbarë Kosova, ai rroku armët dhe iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe hyri edhe në historinë e saj. Por, ai tani po hynte edhe në historinë e re të shkollës shqipe, me provim mature të kryer me notën shembullore, me diplomë pjekurie, me diplomë përjetësie, me diplomë edukate.

Faik Dragaj u vra në prag të lirisë në ballafaqim me forcat serbe, në oborrin e shkollëës në Lecinë, me 9 Qershor 1999, pikërisht në ditën kur pas në viti shokët e klasës së tij do t’i mbronin temat e diplomës në Kosovën e lirë. Provimi i maturës u shty për një ditë tjetër, ndërsa maturantët, nxënësit tjerë dhe mësimdhënësit shkuam në përvjetorin e parë të shokut, nxënësit e dëshmorit Faik Draga. Dhe, në një fjalim rasti, në emër të maturantëve të gjeneratës së tij drejtori i shkollës, familjarëve të dëshmorit ua ndau një DIPLOMË NDERI, si dëshmi se ish nxënësi ynë- Faik Dragaj si luftëtar i lirisë, më 9 Qershor 1999, me veprën shembullore dhe provimin e pjekurisë – përjetësisë me temën – Atdheu është më i shtrejtë se jeta. Kjo diplomë është edhe një dëshmi që flet së bashkë me familjen edhe shkolla shqipe edukoi atdhetar të denjë qe pa kursyer jetën, i dalin atdheut në mbrojtje.

Shtojmë në mbyllje: Sot e gjithmonë, pllaka përkujtimore në vendin e rënjes se dëshmorit të lirisë, i bën nderë oborrit të shkollës dhe e zbukuron ate. Ajo i shton krenarinë dhe fuqinë edukative shkollës se fshatit. Prandaj, edhe emiri i Faik Dragaj është nder për shkollën fillore të Leçinës, për dëshmorin e lirisë dhe për të gjith neve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat