Popujt e Ballkanit dhe borxhet ndërmjet veti

Opinione

Popujt e Ballkanit dhe borxhet ndërmjet veti

Nga: Sulejman Mehazi Më: 12 qershor 2019 Në ora: 10:38
Sulejman Mehazi

Situata politike e shteteve të Europës Juglindore dita ditës po ashpërsohet. Popujt që jetojnë në Gadishullin Ballkanik s'janë rehat, secili shtet, këtu,  i ka borxh njëri tjetrit: grekët duhet t'ua kthejnë shqiptarêve borxhin e papaguar të Çamërisë; në anën tjetër grekët ia kërkojnë Turqisë borxhin e Nikozisë, kurse turqit kërkojnë borxhet e vjetra ndaj Perandorisë Otomane, po edhe ata e kanë borxhin e papaguar ndaj kurdëve.

Maqedonasit, kërkojnë nga  Greqia  borxhin e Maqedonisë, po dhe e kundërta, grekët me ndryshimin e emrit dhe të kushtetutës së Maqedonisë kërkojnë larjen e borxhit të maqedonasve ndaj tyre.

Poashtu dhe shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë larjen e borxhit të maqedonasve ndaj Iliridës, në anën tjetër maqedonasit thonë se Maqedonia është e tyre. Shqipëria, Greqisë ia kërkon borxhin e detit, në anën tjetër dhe grekët përveç që s'ia kanë kthyer borxhin Çamërisë, nga Shqipëria kërkojnë dhe më, pjesën e detit shqiptar. 

Lëmsh mbi lëmsh është dhe Kosova me Serbinë, serbët thonë se djepi apo zemra e Serbisë është Kosova, në anën tjetër shqiptarët e Kosovës thonë se trupi dhe shpirti i shqiptarisë është Kosova; serbët thonë se Mitrovica e Veriut është e tyre, edhe kosovarët thonë se Mitrovica është e jona. 

Kështu që shtetet ballkanase ndaj njëri tjetrit kërkojnë për borxhe leshëra të llojllojshme: njëri lesh të dredhur, tjetri të përdredhur, njëri lesh arapi, tjetri lesh rudë, njëri lesh të zi, tjetri lesh të bardhë, njëri lesh të kuq, tjetri të verdhë, njëri lesh të ashpër, tjetri lesh të butë. Duke kërkuar leshëra, lesh bëhet dhe jeta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat