Përkujtimi i ditës së 13 qershorit 1999 - Bota Sot
Përkujtimi i ditës së 13 qershorit 1999

Opinione

Përkujtimi i ditës së 13 qershorit 1999

Nga: Faik Miftari Më: 12 qershor 2019 Në ora: 21:29
NATO

Me 12 qershor 2019 u mbushën plot 20 vjet që kur trupat e KFOR-it hynë në Kosovë dhe çliruan Kosovën nga ushtria dhe policia serbe, pas bombardimeve të pandërprera 77 ditëshe  të aleancës veriatlantike të NATO-së në misionin e tyre të ashtuquajtur intervenim humanitar për të ndalur  dhunën dhe terrorin serb ndaj popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës.

Në historinë e mijëvjeçarit të dytë të Kosovës, ushtrinë serbe dhe pushtetin shtetëror serb nga Kosova  për herë të parë  e dëboi perandoria osmane në vitin 1389, për herë të dytë perandoria austrohungareze në vitin 1915, për herë të tretë perandoria gjermane në vitin 1941, dhe për herë të katërt,  dhashtë Zoti të fundit, perandoria amerikane në vitin 1999.

20 vite pas, kur e përkujtoj  ditën e 13 qershorit, më bien ndërmend kujtimet e hidhura të periudhës më të vështirë të luftës në Kosovë, periudhës kohore  prej 24 marsit e gjer më 13 qershor 1999, si njëri nga aktorët e shumtë të popullit shqiptar në përgjithësi e të qytetarëve prizrenas në veçanti, që përjetuam ”live” këtë tmerr dhe terror të paparë  gjatë luftës në Kosovë. Me të vërtetë këto 77 ditë të përjetuara në ankth, më sillen vërdallë në kokë, çdoherë kur vije 13 qershori, një ditë me rëndësi të madhe historike për qytetin historik të Prizrenit. Shpesh shtroja pyetje vetevetes , vallë a thua do të ishte më mirë të isha larguar në atë kohë nga Kosova, se sa që mbeta  i ngujuar  në ankthin e pritjes së vdekjes gjatë  77 ditëve të bombardimeve  të pandërprera  nga ana e NATO-së. Tani, pas  kësaj periudhe kohore  20 vjeçare  të kaluar, me të vërtet mendoj se kam qenë i “krisur”  që qëndrova dhe përjetova atë presionin  të paparë psikologjik të luftës në Kosovë.

13 qershori 1999, ishte ditë e cila do të mbetet përherë e shënuar me shkronja të arta në historinë më të re të qytetit të Prizrenit, ditë kur trupat e ushtrisë  gjermane hynë  dhe çliruan Prizrenin nga trupat ushtarake dhe policore serbe.  Ka qenë ditë që vetëm mund të përjetohet e assesi të përshkruhet.  Vështrimi i gjithë atë  erupsioni të shpërthyer të  qytetarëve prizrenas për përjetimin më në fund të lirisë për qytetarët e Kosovës në përgjithësi e të qytetarëve prizrenas  në veçanti, pas plot 77 ditëve të bombardimeve nga ana e NATO-së, që më në fund solli lirinë e shumëpritur, ka qenë diç e papërshkruar.

13 qershori 1999, për babain tim(shpirti i tij rahmet pastë)  ishte gëzimi edhe më  i veçantë,  pasi  që ai e përjetonte  për herë të dytë ”live”   çlirimin e qytetit të Prizrenit nga ushtria gjermane. Përjetimi i parë “live” i çlirimit të Prizrenit për babain tim   ka qenë viti 1941 kur atdhetari i shquar  shqiptar Qazim Bllaca solli  trupat gjermane  nga drejtimi i Ferizajit, të cilët  hynë dhe çliruan Prizrenin nga ushtria dhe xhandameria serbe e cila me të madhe  kishte nisur me djeg qytetin e Prizrenit. Gëzimi i tij ishte pa masë  dhe i rrjedhnin lotët nga sytë e tij  nga përjetimi  i tij që në moshën e tij të shtyrë 86 vjeçare pati rast për herë të dytë në jetën e tij të përshëndes ushtrinë gjermane e cila çliroi qytetin tonë të bukur.

Si sot, 20 vjet pas,  më kujtohen  fjalët e babait tim, për ngjarjen që shpesh më ka rrëfyer, që ka ndodh  gjatë vitit 1944 në Prizren. Në një prej ditëve të verës në qendër të qytetit në Shadërvan të Prizrenit para masës së tubuar të qytetarëve të Prizrenit, iu drejtua me një fjalim koloneli Shmit-huber  komandanti i divizionit “Skënderbe”: “Dëgjoni këto fjalët e m’ia, të dashur qytetarë të Prizrenit,  të dini gjersa të jetë prezent këtu këmba e gjermanit, këtu ka me qenë Shqipëri,  atë ditë që këmba e gjermanit nga Prizreni  largohet,  prapë do të rikthehet  Serbia (Jugosllavia)”. Me të vërtetë  ashtu edhe ndodhi, nuk kaluan as 6 muaj  nga ky fjalim i kolonelit gjerman Shmit-huber, me 17 nëntor të vitit 1944 përsëri në Prizren u rikthye Serbia(Jugosllavia)

 Në këtë përvjetor të 20-të  shënimit të ditës së 13 qershorit 1999, m’u kujtua  edhe hoxha, hafëzi  dhe atdhetari  prizrenas  Abdullah ef Sagdani, ish major për çështje fetare në divizionin “Skënderbe”, i cili gjatë gjithë jetës së kaluar të tij,  ka qenë përherë i anatemuar nga komunistët, dhe i cili falë fshatarëve të Kabashit të Prizrenit të cilën e kanë  strehuar plot 7 vite pas ardhjes së pushtetit serb në Prizren, ka arritur të shpëtojë dhe më vonë pas shpalljes së amnistisë së përgjithshme ka vazhduar  i lirë të jetojë. Në një rast pak para se të ndërrojë jetë në një bashkëbisedim me të, e pyeta hafëzin e nderuar, i cili ka jetuar plot 80 vite, se “cilat ishin vitet më të lumtura  gjatë  jetës së tij 80 vjeçare”. Hafëzi i nderuar (shpirti i tij rahmet pastë) m’u  përgjigj: ”gjatë jetës sime 80 vjeçare, vetëm gjatë 3viteve kam përjetuar çastet më të lumtura,  periudhën e viteve 1941-1944 kur ishin këtu  gjermanët, dhe kur kemi qenë së bashku me nënën Shqipëri”.

Në përfundim të këtij përkujtimi  të përvjetorit të 20-të ditës së 13 qershorit 1999,  do t’i përmbyll me fjalët e ish presidentit amerikan Bill Klinton, njeriun më të merituar për ndihmën  ofruar popullit shqiptar, nën udhëheqjen e së cilës u ndërmor aksioni humanitar në Kosovë për shpëtimin e popullit shqiptar nga ushtria, policia, dhe pushteti serb në Kosovë: ”nuk do të lejojmë më që në Evropë njeriu të vritet vetëm  për shkak të mënyrës së falurit tek Zoti. Njeriu nuk do të vlerësohet  për shkak të përkatësisë etnike, racore, fetare, por për karakterin multietnik  dhe devotshmërinë e tij  ndaj Zotit dhe humanitetin e treguar ndaj popujve tjerë”. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...