Gjurmëve të deklaratave të politikanit serb, Vuk Drashkoviqit, për Kosovën

Opinione

Gjurmëve të deklaratave të politikanit serb, Vuk Drashkoviqit, për Kosovën

Nga: Ragip Guraziu Më: 13 qershor 2019 Në ora: 07:37
Ragip Guraziu

Politikani serb, Vuk Drashkoviq, ka thënë se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës në vitin 1999, ishte nënshkruar edhe kapitullimi i Serbisë, pasi që Sllobodan Millosheviq kishte pranuar që të largohej përgjithmonë nga Kosova bashkë me të gjithë ushtrinë, paramilitarët, policinë dhe të gjithë formacionet tjera me të cilat ishte prezentë në Kosovë.

Ai thotë se kjo është një e vërtetë, dhe Serbia duhet të përballet me një të vërtetë të tillë.Këto deklarata Drashkoviq i ka bërë në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, duke thënë se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara largoi përgjithmonë Kosovën nga Serbia.

Kjo nuk është deklarata e parë e tij për Kosovën,janë edhe deklaratat tjera,që Serbia as që po  ja varrë veshin

Ai thotë se ajo Rezolutë përmbysi integritetin dhe sovranitetin e Jugosllavisë mbi Kosovën, duke përcaktuar hapat për përcaktimin e statusit final të Kosovës në përputhje me këtë rezolutë dhe marrëveshjen e Rambujesë, të cilën e kishte refuzuar Serbia. Ai thotë se tashmë një gjë e tillë duhet pranuar.

“ Bazuar në Marrëveshjen e Kumanovës, Serbia ka nënshkruar kapitullimin ushtarak, ndërkohë Rezoluta 1244 ka bërë që Serbia të jetë një shtet i ndarë nga Kosova”, ka thënë ai.

Ai thotë se mos pranimi i të vërtetës i ka kushtuar shumë Serbisë në këto 20 vjet të fundit. Ai thotë se pavarësisht vuajtjeve që një komb apo një shtet mund të ketë përjetuar, duhet marrë përgjegjësitë për humbjet.

Tryeza e vitit 1992 mes profesorit, dr.Rifat Blaku dhe Vuk Drashkoviqit me temë: E kujt është Kosova?

Në një “Tryzezë të rrumbullakët”, mbajtur në Redaksinë e gazetës “Borba” të Beogradit, në janar të vitit 1992, ishte Veton Surroi që kishte inicuar bisedimet midis opozitës serbe dhe asaj shqiptare, për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ishte menduar që takime të tilla të mbahen në Redaksinë e “Borbës” në Beograd, dhe në Redaksinë e “Bujkut” në Prishtinë. Mirëpo, Redaksia e “Bujkut” thoshte se nuk është konsultuar lidhur me Tryezën, prandaj nuk kishte pranuar organizim të takimit në Prishtinë.

Në takimin e mbajtur në Redaksinë e “Borbës”, morën pjesë: Veton Surroi e Rifat Blaku (Partia Parlamentare), Shkelzen Maliqi (Partia Socialdemokrate), Gazmend Pula (Forumi i Helsinkit), Vuk Drashkoviqi (SPO), Radosllav Stojanoviqi (DP), Nebojsha Popov (UJDI), Vesna Peshiq (SRS) dhe Dragan Veselinov (SSS).

“Borba” e 9 janarit 1992, shkruante: “Akulli u thye, përfaqësuesit e opozitës serbe dhe asaj shqiptare (sic!), u takuan në “Borba” dhe mbajtën takimin e parë nga seria e takimeve të ardhshme, në temën e çështjes më të ndieshme serbe – Kosovën. Më kryesorja është se përfaqësuesit e opozitës serbe dhe asaj shqiptare u pajtuan, para fillimit të takimit, që tashpërtash të mos flasin se e kujt është Kosova, por të bisedojnë për rregullimin e marredhënieve në Kosovë dhe krijimin e demokracisë në tërë Serbinë”.

Biseda kishte filluar me tone të qeta. Në fillim, Veton Surroi kishte propozuar që tema e parë e bsedës të jetë “Interesi i Serbëve dhe i Shqiptarëve në Kosovë”, të bëhet regjistri (katalogu) i të gjitha pajtimeve dhe mospajtimeve të të dy palëve dhe interesi i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Shkelzen Maliqi ishte shprehur pesimist sa i përket mundësisë së një marrëveshje historike midis dy popujve, por kryesorja, sipas Maliqit, ishte: A mund të parandalohet konflikti dhe të dilet nga “balta e gjallë” në të cilën jemi zhytur? Dragan Veselinov konsideronte se Kushtetuta e Serbisë është burimi i konfliktit politik, së pari duhet të gjendet çelësi i ndaljes së luftës, të pranohet Serbia si shtet i pavarur dhe të heqet gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë. Me tone jo shumë provokative ishin paraqitur edhe pesëmarrësit e tjerë të opozitës serbe: Radoslav Stojanoviq e Vesna Peshiq. Edhe Vuk Drashkoviqi fillimisht e kishte nisur bisedën me kërkesën që shqiptarët të bashkohen për rrëzimin e regjimit të Millosheviqit (në zgjedhje), dhe pastaj Serbia do t’iu garantojë shqiptarëve të drejtat kulturore dhe qytetare. Sipas Drashkoviqit, vetëm biseda për shkëputjen e Kosovës nuk vjen në konsiderim, sepse “për Serbët, Kosova është religjion suprem”!. Rifat Blaku, menjëhrë iu kundërvu tezës së Drashkoviqit, duke thënë se “Kosova edhe për Shqiptarët është gjithashtu një lloj besimi, mendjeje dhe zemre”, por tashpërtash më urgjente është ndalja e represionit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut, ngase thirrja në histori vetëm e thellon konfliktin.

Debati ishte nxerë kur, përkundër marrëveshjes që të mos bisedohet se e kujt është Kosova, Drashkoviqi me tiradën  e tij epike, me mite e gënjeshtra filloi të mbrojë interesat nacionale serbe në Kosovë. Fjalët e tij shkrepin xixa kërcënimi.  Si mjeshtër i lojës me fjalë, në stilin e tij letrar, me figura e metafora,  ishte shprehur: “Për serbët Kosova nuk është vetëm mit, epi ynë, nuk është vetëm mbamendje jonë, por Kosova është religjion yni suprem. Njegoshi  kurrë nuk ka qenë në Kosovë, por tërë kohën e ka vajtuar Kosovën. Daja im (?) kurrë s’ka qenë në Kosovë, por betimin kryesor e kishte: pasha plagën e Kosovës. Serbët janë popull që kohën nuk e llogarisin me thëniet: para ose pas Krishtit, por prej Kosovës dhe para Kosovës (aludon në Luftën e Kosovës, 1389,- a.f.).  Dhe kur është kështu, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në definimin e interesave nacionale serbe dhe duhet të llogarisim në këtë fakt, i cili nuk ka çmim, i cili nuk mund të mbulohet as të zvogëlohet me kurrëfar të dhëna statistikore për numrin e banorëve të Kosovës. Cili, pra, është interesi nacional serb në Kosovë? Para së gjithash, si popull dhe si shtet, të mos e humbim Jerusalemin tonë.  Nuk jemi vetëm na serbët që kemi mitet tona. Rusët e kanë Vlladimirskaja-n, Spanjollët e kanë Toledon, Hebrejtë e kanë Jerusalemin, Italianët e kanë Piemontin.  Prandaj, në të gjitha bisedimet tona duhet ta respektojmë këtë fakt, se pala serbe kurrë nuk mund të pajtohet që si shtet – ta humbë Kosovën, atë Jerusalem tonin, atë Kosovë ashtu çfare është. Edhe sikur asnjë serb të mos mbetet aty, serbët kurrë nuk do të heqin dorë prej Kosove (…) Harta e Kosovës është si qielli, në të cilin kishat dhe manastiret serbe janë yje. Një territor e përcakton edhe ajo se kujt i përket në aspektin shpirtëror, kulturor, sa kisha e manastire ka, të kujat janë toponimet, emrat e kujt i mbajnë lumenjtë, malet, fshatrat, lagjet”. Në këto tirade, Blaku ndërhyn: “E çka ishin para kësaj”, por Drashkoviqi nuk ka përgjigje, veçse vazhdon me të veten, e thotë: “Por, njëkohësisht, është interes nacional serb që me popullsinë shumicë shqiptare të jetojë në paqe,të civilizuar, bashkarisht, pa dhunë, në demokraci, me respektimin maksimal të të gjitha të drejtave civile dhe nacionale, zakoneve, kulturave nacionale të të dy popujve. Po si të arrihet kjo? Para së gjithash, me heqjen dorë të shqiptarëve nga secesioni, dhe heqjen dorë të serbëve nga ambicja se tanket mund ta zëvendësojnë dialogun dhe demokracinë, dhe se mendja është më e dobët se plumbat. Duhet të bëjmë çmos, të mos ndodhë apokalipso. Prej gjithë kësaj del se tri gjëra janë më të rëndësishmet: demokracia, demokracia dhe (vetëm) demokracia”, – përfundon fjalën e tij, me lojë fjalësh, adhuruesi më i flakët i kryeçetnikut Drazha Mihajlloviq.

Reagimin e tij ndaj fjalës së Drashkoviqi, profesori Rifat Blaku e fillon me pyetjen: “A të debatojmë sinçerisht se si ta tejkalojmë situatën në të cilën gjendemi, apo duam me këmbëngulje të mbrojmë secili pikëpamjet e veta, pa marrë parasysh sa kanë ato bazë shkencore, apo sadopak të pranueshme për palën tjetër? Një korrektësi minimale paraqet premisë themelore për një dialog sadokudo të barabartë Njerëzit e ditur e  shikojnë të kaluarën për të nxjerrë mësime pozitive për të ardhmën, për të ndërtuar të ardhmën më të mirë e më të drejtë, e kurrësesi me dofarë “faktesh” të projektohen idetë për të ardhmën, sepse këto shpiejnë në egoizëm nacional, këtu e gjithnjë, gjë që përpjekjet demokratike të Europës këtë nuk e pranojnë. Më duhet të shpreh mospajtimin tim me zotëri Drashkoviqin, kur thotë se Kosova për serbët nuk është vetëm ep, veçse religjion suprem, Jerusalem. Historia nuk fillon në Mesjetë, ndërsa ai që gjithnjë e thekson atë, si primat kronologjik sipas tij, nuk mund të injorojë as periudhën antike. Sepse, nëse dikush fillon nga e drejta historike, nuk duhet të harrojmë me këtë rast se Shqiptarët, pasardhës të Ilirëve, pra më përpara se sllavët ishin në territorin për të cilin po bisedojmë.  Populli shqiptar ka prejardhjen nga popujt e vjetër të Ballkanit, pra të popujve antik. Prandaj, teza për Kosovën si tokë e shenjtë serbe, si djep serb, vetvetiu flet për njëfarë pasigurie.  Historianët më të njohur serbë, vërtetojnë se elemnti serb në Kosovë është vendosur në shekullin 13 e 14, sidomos në kohën mbretit Dushan, por kurrë nuk ka qenë popull shumicë i Kosovës.  Po e them këtë, sepse duhet të liroheni nga mitologjia mesjetare, ngase  në Europën e sotme nuk shkohet me mitologji. Propaganda serbe në dhjetë vjetët e fundit e ka pru gjendjen në të cilën jemi sot. Prandaj, po ia përkujtoj zotëri Drashkoviqit, se Kosova edhe për shqiptarët, ndoshta është edhe më tepër se zemra, se mendja, se pasuria, se mbamendja. Dhe nëse duam të hyjmë në histori, për çfarë nuk insistoj, jo se  ne shqiptarëve nuk na konvenon, përkundrazi, por nëse shkojmë asaj rruge, atëherë po ia përkujtoj se djepi i popullit serb në Ballkan, nuk është Kosova, por Rashka. Mjerisht, serbët dhe malazezët në Kosovë, veçmas ekstremistët, të cilët janë në pozita udhëheqëse në hierarkinë politike, disa vjetëve të fundit sikur ia kanë caktuar vetes rolin që kishin dikur gjermanët suedetë, apo folksdojçerët e Vojvodinës në prag të Luftës së Dytë Botërore.  Këta, po i shërbejnë si dorë e zgjatur politikës ekspansioniste serbe për okupimin e plotë të Kosovës, të popullsisë së saj, të Shqiptarëve, që jetojnë aty në mënyrë të pandërprerë shekuj me radhë. Ju lutem, të mos merremi me histori sipas kërkesave ditore të kësaj apo asaj politike.  Të bisedojmë konkretisht se sa është e gatshme sot  opozita serbe të flasë për terrorin shtetëror që po ushtrohet mbi popullin shqiptar”, përfundon fjalën e tij profesor Blaku.

Pas kësaj, ishte zhvillua edhe nje polemikë e drejtpërdrejt midis Blakut e Drashkoviqit lidhur me kishat dhe xhamitë. “Kjo filozofi e juaj, për kishat dhe xhamitë, bie ndesh me pjesën tjetër të mendimit tuaj për demokraci, liri, barazi. Sipas kësaj logjike, Turqia do të duhej tash të shtrojë çështjen e territorit, ngase në Beograd ka pasur mijëra xhami”, ka thënë Blaku (ka pasur disa qindra, e jo mijëra, v.j.).  Në pyetjen e Drashkoviqit: “A mendoni se është zgjidhje shkëputja e Kosovës nga Serbia”, Blaku i është përgjigjur: “Nuk ka asgjë të përjetshme. Në asnjë dokument ndërkombëtar nuk  shkruan, se nuk mund të ndryshohen kufijtë me marrëveshje. Nuk di a do të jetë Kosova republicç, apo ndoshta Shqipëri, sikur që nuk e di se çfarë do të jetë Serbia”, është përgjigjur Blaku.

Ndonëse në fund të takimit ishte konkluduar se dialogu duhet të vazhdojë, duket se dialogu i inicuar midis opozitës serbe dhe përfaqësuesve të (partive politike) shqiptarëve,  ka përfunduar me atë tryezë, jo vetëm për shkak se Redaksia e gazetës “Bujku” nuk kishte pranuar të jetë organizuese e tryezës në Prishtinë, por më tepër për shkak se u pa që pikëpamjet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë të papajtueshme midis dy palëve. Dhe, si mund të arrihet pajtimi me pikëpamjet hegjemoniste,sikur ajo që thotë Drashkoviqi: “Edhe sikur të mos mbetet asnjë serb atje, serbët dhe Serbia kurrë nuk do të heqin dorë nga Kosova”! Dhe këtë pretendim e mbështetë në mite e gënjeshtra, për një periudhë të kaluar nga Mesjeta. Drashkoviqi, dhe drashkoviqët e tjerë, nuk janë aq budallenjë, sa të mos e dijnë se territoret e shteteve në Europë janë dryshuar vazhdimisht gjatë gjithë kohës, deri këto të fundit me rënien e Jugosllavisë. Serbia Kosovën e ka pushtuar me luftë në vitin 1912, dhe e ka lëshuar poashtu me luftë në vitin 1999. Sipas logjikës së “drashkoviqëve”, Turqia do duhej të kërkonte Rumelinë, Austria të kërkonte gjysmën e Europës, Spanja do të mund ta kërkonte Holandën, ndërsa Maroko do të mund ta kërkonte gjysmën e Spanjës. Nëse kishat mesjetare serbe, edhe ato shqipare të përvetësuara si serbe, mund të jenë argument i “tapive” serbe mbi Kosovën, atëherë edhe xhamitë në Servile e Kordobë “janë argumente” të tapive arabe mbi Spanjen! Se çka ishte në Mesjetë, sot nuk mund t’i shërbejë askujt si argument për pretendime territoriale.  Kufijtë, regjimet, sundimtarët dhe struktura e popullsisë  janë  ndërruar shumëherë në ndërkohë, herë spontanisht e herë me dhunë, sikur që ka vepruar Serbia në Kosovë prej vitit 1912. Në asnjë mënyrë, as e kaluara as e tashmja nuk mund t’i shërbejë Serbisë si argument për pretendimet për asnjë pëllëmbë toke të Kosovës, përveç disa fshatrave të Leposaviqit, të cilat i janë bashkuar Kosovës në vitin 1961, për qëllime politike, për të shtuar sadopak numrin e popullsisë serbe në Kosovë. Vetëm për atë pjesë do të mund të bëhej “korrigjimi i kufirit”, të cilin e kanë inicuar Thaçi e Vuçiqi. ( Përgatiti dhe zgjodhi, Adil Fetahu)

Rigjykim për Tentim-Vrasësit e Drashkoviqit

Gjykata e Apelit në Beograd urdhëroi rigjykim për tre ish-zyrtarët e sigurimit të shtetit që qenë burgosur për vrasje të mbetur në tentativë të Vuk Drashkoviqit, një kundërshtar i ish-liderit serb Slobodan Milosheviq.

Gjykata e Apelit vendosi  se dënimi i personave  me burgim të përgjithshëm prej 22 vjetësh për atentatin e mbetur në tentativë ndaj politikanit veteran Vuk Drashkoviq, në vitin 2000, ishte i pabazuar, sepse ligji nuk u zbatua gjatë gjykimit.

Gjykata tha që gjykimi shkeli kodin penal të Serbisë dhe e quajti vendimin ‘të papërcaktuar dhe të pakuptueshëm”, pa dhënë ndonjë shpjegim tjetër.

Në qershor të vitit 2012, Milosh Radonjiq ish-drejtor i zyrës beogradase të sigurimit të shtetit, u dënua me tetë vjet burg, derisa ish-krerët e njësive të sigurimit Stevan Basta dhe Ratko Romiq morën nga shtatë vjet burgim.

Sipas aktakuzës të tre të dënuarit ndihmuan tre anëtarë të tjerë të Njësisë së Operacioneve Speciale në sigurimin shtetëror, në një përpjekje për atentat ndaj Drashkoviqit, në qytetin bregdetar Budvë, të Malit të Zi, në qershorin e vitit 2000. Drashkoviq ishte lënduar, por mbijetoi.

Drashkoviq e quajti skandaloz vendimin e së enjtes, derisa shtoi se gjykata sipas tij tregoi se shteti ende i mbron ish-zyrtarët e tij të sigurimit.

“Me këtë vendim, gjykata mbron gjithashtu vrarësit e [Sllavko] Çuruvija-s, pasi këta tre persona morën pjesë aktive në [vrasjen e tij]”, i tha Drashkoviq gazetës Blic.

Sllavko Çuruvija, një botues dhe gazetar, kundërshtar i Milosheviqit, u vra në prill të vitit 1999.

Vrasësit dhe urdhërdhënësit asnjëherë nuk u identifikuan, pavarësisht premtimeve të bëra nga çdo qeveri, që nga rënia e Milosheviqit në vitin 2000.

Gjatë regjimit dhjetëvjeçar të Milosheviqit, sigurimi i shtetit tentoi disa herë ta vrasë Drashkoviqin.

Në një sulm në vitin 1999, katër anëtarë të partisë së tij qenë vrarë. Për këtë krim, drejtuesi i Njësisë së Operacioneve Speciale Milorad Ulemek-Legija, bashkë me dy pjesëtarë të kësaj njësie, janë dënuar  së bashku me burgim prej 40 vjet vjetësh.

Ulemek, gjithashtu është duke mbajtur 40 vjet burg për rolin e tij në atentatin kundër presidentit serb Zoran Gjingjiq, në mars të 2003-ës.

Njësia e Operacioneve Speciale drejtohej nga Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, që u shfajësuan nga Triubunali i Hagës në muajin maj, për krime të luftës në Bosnjë e Kroaci nga viti 1991 deri në vitin 1995.

Njësia e Operacioneve Speciale vepronte gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, duke organizuar operacione sekrete për shtetin, ndërsa dyshohet se ka kryer vrasje masive në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

Njësia u shpërbë në vitin 2003, kur një numër i pjesëtarëve të saj, u arrestuan, ose u vranë. Sidoqoftë, disa nga anëtarët e njësisë, ende punojnë për shtetin, në njësitë speciale të tashme të policisë, ose në ministritë e punëve të brendshme, a të jashtme të Serbisë.Albanian Shqip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat