Shqipëria tjetër!

Opinione

Shqipëria tjetër!

Nga: Silvana Begaj Më: 13 qershor 2019 Në ora: 10:52
Silvana Begaj

Nëse të ëndërrosh pak është e rrezikshme, zgjidhja nuk është të ëndërrosh më pak, por të ëndërrosh më shumë, të ëndërrosh gjatë gjithë kohës. (M.Proust) Dhe unë kam një ëndërr. Sot dua të ëndërrojmë të gjithë bashkë! Të ënderrojmë për një Shqiperi tjetër për një Shqipëri të lirë.

Një Shqipëri të bukur dhe Europiane ku i varfri nuk shtypet, ku i sëmuri nuk përbuzet, ku krimineli ka frikë ligjin dhe jo ligji kriminelin. Unë dua një Shqipëri ku jep përpara se të marri. Një Shqipëri që e mban dhe e motivon rininë, nuk e shtyp dhe e largon atë. Ëndërroj Shqipërinë tjetër me një rini që nuk korruptohet, nuk joshet, por reagon për përmirësimin dhe zhvillimin e saj. Ëndërroj Shqiperinë tjetër ku pensioni i atyre që kanë punuar një jetë mos të jetë vetëm për ti turpëruar ata. Ëndërroj Shqiperinë tjeter ku ata që janë të papunë mos të futen në burg se nuk kanë paguar dritat. Në Shqipërinë tjetër strehimi nuk është luks por nevojë thelbesore për jetën.

Në Shqiperinë tjetër shteti nuk udhehiqet nga bandat dhe krimi. Në Shqipërinë tjetër kushdo që thyen ligjin ndëshkohet pavarësisht statusit që ka. Në Shqipërinë tjetër fondet nuk shkojnë në xhepat e politikës por në destinacionin e duhur. Ëndërroj që edhe shqiptarët e Shqipërisë tjetër të kuptojnë që forca janë ata, janë ata që vendosin dhe nuk lejojnë të përdoren. Ënderroj një popull që nuk digjet në zjarr për një politikan, por e ve para pergjegjesisë nëse thyen ligjin. Ëndërroj një Shqipëri që mos të degjohen vrasje çdo ditë. Ëndërroj një Shqiperi që të dëgjohemi nëpër botë për bukuritë natyrore, për talente e jo për vrasje, drogë, prostitucion, krim dhe mafie. Në Shqipërinë tjetër ka gjykata funksionale dhe jo shqiptar që iu vidhet e drejta për një grusht me para. Në Shqipërinë tjetër nuk futesh në punë se valvite disa flamuj me ngjyra politike, por sepse je i aftë.

Në Shqipërinë tjetër fondet, taksat sherbejnë për të mira dhe shërbime publike në shërbim të qytetarit dhe që gjeneron vende pune, jo për të pasuruar një politikan të etur. Në Shqipërinë tjetër kush vret dënohet, nuk ikën në drejtim të paditur ose ngelet pergjithmonë anonim. Në Shqipërinë tjetër shkon në Universitet ai që dëshiron të shkollohet dhe që ka pasion, durim dhe investon në kohë për diturinë e tij, jo ai që nuk di të shkruajë emrin, por thjesht ka para. Në Shqipërinë tjetër ka ilaçe dhe ushqime të kontrolluara jo ilaçe dhe ushqime të skaduara që vrasin dhe helmojnë çdo ditë fëmijët tanë. Në Shqiperinë tjetër nuk admirohet krimi, por dënohet, nuk idealizojmë të fortin, por të diturin. Në Shqipërinë tjetër mbillen pemë, jo pallate. Në Shqipërinë tjetër politikanët i shërbejnë popullit, jo populli politikanëve dhe shteti nuk luan filma bardh e zi me shumë seriale dhe me të njejtët aktor, por punon për qëllimin e dentyrës së marre. Në Shqipërinë tjetër një karrige nuk ështe mbretëri e trashëguar përjetësisht dhe brez pas brezi ,por një detyrë e përkohshme.

Në Shqiperinë tjetër nuk është ëndërr Gjermania, por është ëndërr Shqipëria jonë, e juaja dhe e femijëve tanë. Në Shqiperinë tjetër media është e lirë dhe jo vegël propagandistike e varur nga partitë politike. Në Shqiperinë tjetër ne jemi të barabarte si çdo qytetar i Europës dhe jo delja e zezë europiane. Në Shqiperinë tjetër ka shtresë të mesme dhe jo 4 zengjin dhe pjesa tjetër ne varfëri ekstreme. Në Shqiperinë tjetër femijer ëndërrojne për dhe si Piter Pan jo për dhe si Toni Montana. Në Shqiperinë tjeter ne njihemi për mikëpritje dhe jo për vëllavrasje. Në Shqipërinë tjetër femra është e fortë dhe domosdoshmëri jo objekt seksual i meshkujve me para.

Në Shqiperinë tjetër rinia është jetë, e ardhmja ambicioze e vendit dhe jo ata që mbushin kafet e qytetit për të vrarë ditët dhe me to dhe ëndrrat dhe shpresat. Kjo është Shqipëria tjetër, Shqipëria ime, Shqiperia jote, e së ardhmes dhe e të gjithve atyre që e meritojnë, Shqipëria që do ndërtojmë sëbashku. Ndoshta po ëndërroj shumë, por nuk dua të zgjohem! Më mirë një Shqipëri në ëndërra se një Shqipëri në zjarr! Hiqini duart tuaja të pista nga Shqipëria tjetër ajo i përket brezit të ri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat