Hygoi dhe Flamuri në diasporë që ka sjellë një Flamur shqiptar - Bota Sot
Hygoi dhe Flamuri në diasporë që ka sjellë një Flamur shqiptar

Opinione

Hygoi dhe Flamuri në diasporë që ka sjellë një Flamur shqiptar

Nga: Alfred Papuçiu Më: 13 qershor 2019 Në ora: 20:48
Alfred Papuçiu

Një dijetar i madh është shprehur “Nuk janë elementet e jashtëm që duhet të kërkojmë të ndryshohen, por mendimet tona dhe besimet tona që kushtëzojnë në pjesën më të madhe, se çfarë ndodh me ne. Jemi ne ata siç mendojmë vetë”. Dhe është e vërtetë. Besimet dhe mendimet tona ndikojnë në mënyrë vendimtare mbi ecurinë e egzistencës tonë.

Siç shkruan shkrimtari i madh Viktor Hygo në librin e tij “Njeriu që qesh”: “Ursus dhe Homo ishin të lidhur me një miqësi të ngushtë. Homo ishte ujk. Humoret e tyre përshtateshin. Njeriu e kishte pagëzuar ujkun. Ndoshta ai e kishte zgjedhur vetë emrin e tij; duke gjetur emërtimin Ursus si mirë për vehten e tij, dhe ai kishte gjetur si të mirë Homo për kafshën. Kombinimi i këtij njeriu dhe këtij ujku ishte me përfitim për panairet, festat e famullive, në qoshet e rrugëve ku grumbulloheshin kalimtarët, dhe nga nevoja që kishte populli kudo për të dëgjuar dokrra dhe për të blerë orvietan, lloj droge. Ursus preferonte Homon, si kafshë për ta urdhëruar, në krahasim me një gomar. Si mik, Ursus preferonte Homon se sa një qen, duke e vlerësuar se ujku vjen nga larg drejt miqësisë. Prandaj Homos i mjaftonte Ursus. Homo ishte për Ursus më tepër se shok, ishte një analog”. Pra Viktor Hygo na i paraqet Ursusin dhe Homon, si një çift të krijuar mbi antitezën i egër/njerëzor dhe me një ton satirik. Ai gjatë romanit “Njeriu që qesh” do të tregojë se të dy këto qënie përbëjnë një të vetëm.

Le të kthehemi tani tek tema jonë kryesore. Shqiptarët në diasporë janë me zemër dhe mendje pranë Shqipërise dhe Kosovës. Në rast se ju bie rasti të vini në Gjenevë të Zvicrës, aty këtu do të gjeni edhe bashkëkombas të mirë që kanë hapur dyqane apo restorante, si Shala,  Dini tek « Mère Royaume », ku mblidhen shkrimtarët zviceranë dhe të huaj, Seferi buzë lumit Rhone, bashkëatdhetarë të tjerë përballë Shatrivanit të Madh të Gjenevës dhe Orës së bukur të Gjenevës, dhe Flamur Gashi me familjen e tij tek restoranti « Edon », Rue de Lyon 73, Gjenevë. Është gjithmonë i qeshur, modest, mikpritës dhe mjedisi është i tillë sikur je në Kosovë dhe Shqipëri. Janë flamujt e Kosovës, të Shqipërisë, por edhe të Zvicrës, vendi që ai ka zgjedhur të jetojë me familjen e tij dhe të zhvillojë biznesin fitimprurës, por edhe i domosdoshëm që të mblidhen bashkëkombasit tanë. Tek « Edon » mund të shohësh që nga ora 6 e mëngjezit deri në 12 të natës, Televizionin shqiptar, atë zviceran, por edhe të kombeve të tjerë. Flamuri ka angazhuar në punë të shoqen Sabrijen, dhe dy djemtë e tij, Petritin që ndërkohë ka filluar punë në një garazh të vëllezërve shqiptarë dhe Astritin  që ndihmon në punë të jatin. Meqënëse puna e restorantit fillon herët në mëngjez dhe nganjëherë përfundon pas mezit të natës, Flamuri ka angazhuar edhe Sadrijen, të vëllanë, të shoqen e tij Afërditën dhe djalin e tyre, Pajtimin. Një familje, që në harmoni i shërben bashkëkombasve por edhe mikpritësve zviceranë. Shpesh herë aty takohen edhe bashkëatdhetarë me miq të huaj, si me profesorëshën franceze me origjinë shqiptare nga nëna, Solange d’Angely. Ajo tregon historinë e familjes së saj, si dhe pasionin e të jatit për gjuhen shqipe, francez, i martuar me grua përmetare. Nën kujdesin e saj janë botuar shtatë vëllime të Robert d’Angely në frëngjisht. Ruaj me kujdes shtatë vëllimet e Robert d’Angely, të dhuruara nga e bija. Bashkë me bashkëkombasit e saj nga nëna, ajo me dëshirë pranon të dalë në fotografi me ta dhe të ngrejë një dolli me raki shqiptare, duke folur shqip, për suksesin dhe ecurinë e Kosovës tanimë të pavarur. Kujton me respekt kur ka qënë në ditët e luftës së pabesë, në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe ka ndihmuar me qindra e qindra vocërakë shqiptarë nga Kosova, të lënduar nga pushtuesit serbë. Ditët më të lumtura i ka kaluar në Kosovë që për të do mbeten të paharruara. Solange d’Angely është dekoruar nga presidenti i Republikës franceze me dekoratën e lartë të “Kalorësit të Legjionit të Nderit” për veprimtarinë e saj humanitare. Njëra nga rrugët e Përmetit, qysh nga viti 2008, mban emrin “Robert d’Anzheli”. Ndërsa në vitin 2010, bashkia e Përmetit e nderoi Solanzh me titullin “Qytetare nderi”, për kontributin e saj si humaniste e madhe dhe për lidhjet e forta shpirtërore që ka me banorët e Përmetit. Ajo e kujton me nostalgji këtë nderim dhe herë pas here  shpëerthen në lotë gëzimi. Megjithëse në moshë të avancuar ajo nuk i shkëput lidhjet me tokën dhe njerëzit e prejardhjes së nënës të saj.


Le të kthehemi tek historia e Flamur Gashit.
Shkak për këtë shkrim të shkurtër u bë udhëtimi i tij  në Kosovë dhe Shqipëri, pas një pune të lodhshme njëvjeçare. I nxirë nga dielli i Durrësit, i entuiazmuar për çfarë ka parë atje, na tregon dhe s’ka të pushuar. Pak edhe me superlativa për mëmëdheun dhe njerëzit që banojnë atje. Në Kosovë ka vetëm një vëlla, pasi prindërit i kanë vdekur. Shumë prej bashkëfshatarëve të tij gjatë luftës humbën shtëpitë, por sa vjen më tepër po rimëkëmben. Vihet re një solidaritet midis bashkëbesëlidhësve dhe pak e nga pak, sipas tij, gjithçka do marrë për mirë. Shumë banesa janë rindërtuar me ndihmën dhe solidaritetin e zviceranëve, miqve të tjerë, por edhe të bashkëkombasve në Diasporë. Jeta dhe biznesi janë duke ecur në rrugë të mbarë. Sa kaluam tunelin kur hymë në Shqipëri, gjithçka na u duk tjetër, tregon ai. Gjithçka madhështore. Rrugët si në Zvicër, njerëzit përshëndesin kudo. Dyqynet plot, shkolla, banka, gjelbërim, spitale, si në Zvicër. Ndërkaq, rrugët dytësore duhet të mbahen më mirë. Duhet më tepër gjelbërim, sidomos fusha loje për fëmijët që natyrisht nuk mungojnë. Më tepër vende qëndrimi në plazh për pushuesit, përveç atyre që kanë zënë me shumicë hotelet e shumta. Dhe është e vështirë të bindësh pronarët e hoteleve në Durrës, Velipojë, Sarandë e gjetkë, për të drejtën e qytetarëve të tjerë që të kenë një vend në tokën që u takon të gjithëve. Nuk është puna që të kthehemi tek “Njeriu që qesh” i Hygoit të madh, por jetojmë në një kohë kur tranzicioni i gjatë ka sjellë largimin tek një pjesë e bashkëatdhetarëve tanë, të traditave të mira të mirësjelljes, bujarisë dhe jo të konfrontimit me njeri tjetrin. Në Durrës jeta vazhdon 24 orë në 24, si në shumë vende të Perëndimit. Shumë nga vëllezërit tanë kosovarë apo nga Maqedonia e Veriut, kanë hapur dyqane apo kanë hotelet e tyre. Tek Hoteli në Durrës me 40 euro ishte fjetja dhe ushqimi ditor. Pastërti kudo, rregull, por aty këtu edhe mbeturina të hedhura nga bashkëatdhetarë të pa ndërgjegjshëm. Flamuri ka sjellë me vete një Flamur shqiptar, disa relike me stemën e Shqipërisë. «  Shqipëria ka bërë shumë edhe për Kosovën, për Kombin tonë», shprehet ai midis shokëve dhe atyre që janë klientë të rregullt të restorantit të tij. Megjithatë ai, si edhe bashkëatdhetarë të tjerë i kanë sytë nga Shqipëria dhe presin më tepër nga toka mëmë dhe nga ata që kanë fatet në dorë të shqiptarëve që të bëjnë më tepër, duke hequr dorë nga interesat e tyre të ngushta. Ata urojnë që Shqipëria dhe Kosova të bëhen një ditë si Zvicra siç e kanë ëndërruar Rilindasit tanë. Ata e duan Shqipërine dhe Kosovën si Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont. Emri “Europë” është shumë i lashtë dhe e gjejmë tek Herodoti. Sipas legjendës, Europa ishte një princeshë feniciane që ja kishte marrë mendjen Zeusit, mbretit të Olimpit. Europa ishte dhe Iliria, Dardania, shumë më parë se treva që u krijuan në Europë më vonë. E kam shprehur dhe e shpreh hapur dhe pa ndonjë nëntekst, pasi i gëzoj prej vitesh të gjitha të drejtat tek shteti multietnik zviceran: kam një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ish ministren e saj të jashtme, Micheline Calmy-Rey, aktualisht Profesoreshë në Institutin Europian, ku unë kam bërë një universitet të dytë shumë të vlefshëm, jo sepse më ka dërguar një letër të ngrohtë kohë më parë kur ishte Presidente e Zvicrës, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj. Atë e kanë respektuar dhe e respektojnë edhe përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës, apo të qendrës që drejtojnë Zvicrën, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian deri diku të atrofizuar dhe burokratike, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj. Jeta në Zvicër, vend mikpritës për shqiptarë dhe të mbi 190 kombeve të tjerë   që gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, për shkollim, zhvillimin e kulturës, biznes, është e përkryer, përsëri u mungon toka mëmë, që një ditë duan ta shkelin përgjithmonë. Ndaj këtij vendi si Konfederata Zvicerane që shqiptarët e kanë zbuluar para shumë shekujsh. Si pararendës përmendet një grup i fisit ilir të Dardanëve që jetonte në lashtësi në tokat e Kosovës së sotme. Pastaj, ata zbritën në rajonin e Gjenevës, në kohën e Jul Qezarit dhe krijuan vendbanime, siç është njera që quhet Dardanji. Gjithashtu dihet se Zvicra, para 150 vitesh ka qënë ëndërra e Rilindasve për organizimin e shtetit të ardhshëm shqiptar. Njëri prej tyre, Sami Frashëri shprehej hapur “Ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër të dytë”. Zvicra është bërë për mëse 200.000 shqiptarë nga Kosova e viset, Maqedonia e Veriut, si dhe nga Shqipëria, si atdhe i dytë, i nderuar, i dashur dhe shumë i respektuar.

Image
Alfredi, Solange dhe bashkeatdhetari Imer Cacaj
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...